Mirela Kumbaro: Gjirokastritët mizorë, s’hedhin lekë për banesat e tyre

Znj.ministre e Kulturës, Mirela Kumbaro. Ka një sensibilitet kohëve të fundit, duke rikthyer sërish në vëmendje të ditës, trashëgiminë kulturore. Denoncime që po vijnë pothuaj çdo ditë mbi shkatërrimet, rrënimet dhe mungesa e investimit nga Ministria e Kulturës. A mund të na thoni së pari, nëse e ndiqni këtë situatë, dhe meqë janë bërë publike projektet artistike ku përfshihet dhe trashëgimia, për ç’fond bëhet fjalë për 2016, dhe ku janë të orientuara ato?

Duke falenderuar për pyetjen, më lejoni t’ju sjell në vëmendje se sensibiliteti nuk është i ditëve të fundit, por si nga ana e MK, ashtu edhe nga ana e opinionit publik, ai ka qenë i fortë që ditën e parë që kam marrë detyrën e deri sot. Dhe kjo ndodh jo sepse ka “shkatërrime”, por se ka kantiere sa s’ka patur asnjëherë në 25 vite. E gjetëm në një derexhe trashëgiminë, sa s’ka fjalë ta tregojë. Jo vetëm s’ishte vënë dorë në tërësinë e monumenteve në 25 vjet, po as nuk dinim ku i kishim e ku s’i kishim pasuritë tona kulturore. Për të parën herë që nga vitet ’80, u përditësua inventari i plotë me koordinata të sakta, me kartelë dhe fisha teknike për çdo monument, pasi u verifikua, ekzistenca, gjendja, rrezikshmëria, tipologjia për secilin prej tyre. Paralelisht u ndërtuan platformat digjitale të vendndodhjes së tyre, çka u mundëson të gjithë aktorëve zhvillues apo politikëbërës në vend, të planifikojnë projektet para se të ndërhyjnë në territor. Kemi sot 1892 monumente kulture, ndërsa 600 të tjera janë në proces verifikimi. Janë rreth 138 të tjera që nuk ekzistojnë më dhe figuronin të papërditësuara në lista, krejt jashtë realitetit. Objekte plotësisht të shkatërruara, kemi shifrën prej 112 objektesh. Pas viteve të tëra vakuumi në informacion, jemi njohur me situatën dhe gjendjen fizike të çdo monumenti. Me dhjetëra projekte mirëmbajtjeje dhe ndërhyrje emergjente, janë kryer gjatë dy viteve në monumentet. Mjafton të vizitoni faqet e drejtorive rajonale, për të kuptuar ditët e mbushura me punim mirëmbajtjeje.

Nga ana tjetër, përcaktuam kësisoj listën e emergjencave dhe të prioriteteve dhe filluam menjëherë me hartimin e projekteve restauruese dhe sot kemi mbi 30 projekte të gatshme që presin të financohen, përfshi dhe kishën e Mesopotamit, organizuam operacionet e shpëtimit në monumentet më të rrezikuara, siç janë restaurimi i afreskut të Kishës së Valshit në Elbasan, që u dhunua barbarisht në 2013, shpëtimi i Kishës së Ristozit në Mborje, Kisha e Shën Evangjelizmoit në Berat, Kisha e Shën Spiridhonit në Vuno, Banesa me pronarë Babameto – e njohur si shtëpia e Çabejt në Gjirokastër, Banesa Reso në Gjirokastër, Kisha e Karavastasë, Kisha e Shën Mërisë dhe Trapezaria ne Apolloni, Termat romakë ne Durrës, Amfiteatri i Durrësit, Teatri Migjeni në Shkodër- monument kulture, Kalaja e Gjirokastrës, Kullat 5,6,7,8 në Kalanë e Beratit, Xhamia e Plumbit në Shkodër, Xhamia Mbret në Berat, ndërtesa e Muzeut Etnografik në Elbasan, Muret rrethuese jugore te Kalasë së Lezhës, Muret rrethuese të Kalasë së Janinës, Pazari i Krujës, Pazari i Korçës, kisha e Shën Pjetrit në Vithkuq, Kisha e Shën Thanasit në Karavasta etj. Ndërkohë, që prej dy vitesh, janë ndalur gërmimet klandestine, vjedhjet dhe grabitjet e kishave, dhunimet e monumenteve nga keqbërësit, ndërtimet pa leje. Lista është edhe më e gjatë, por mund ta gjeni të plotë në faqen e internetit të IMK dhe të MK. Projektet artistike për vitin 2016 që përmendet, s’kanë lidhje me mirëmbajtjen e monumenteve, por më së shumti me promovimin e tyre, si dhe me jetën dhe kalendarin artistik të vendit, që ndërtohet përmes skenës së pavarur. Nëse këto quhen shkatërrime, rrënime e mungesë vëmendje dhe investimesh, atëherë kemi kuptime të ndryshme për fjalët.

Shqetësimi i parë dhe më i rëndësishëm, lidhet me Gjirokastrën. Në këtë fillim viti, raportohet për një situatë të jashtëzakonshme duke numëruar, deri tani mbi 20 shtëpi të kategorisë së parë të shkatërruara, a është në dijeni Ministria për Gjirokastrën e rrezikuar?!

Më lejoni të saktësoj dhe të sjell në vëmendjen e publikut, faktin se nuk raportohet një situatë e jashtëzakonshme në këtë fillim viti. Por në vjeshtë të 2013-s, qeveria shqiptare ka vënë alarmin për gjendjen e rëndë në të cilën e gjeti Gjirokastrën, dhe jo vetëm, mungesën totale të vëmendjes, rëndimin e situatës me ndërtime të paligjshme, aq sa UNESCO kishte vënë këmbanat e alarmit. Kjo ishte arsyeja pse vendosëm menjëherë moratoriumin për pezullimin e ndërtimeve në zonat e trashëgimisë dhe specifikisht në Gjirokastër. Rivendosëm menjëherë urat e këputura me UNESCO dhe organizuam forcat e punës, për të përballuar emergjencën, duke u përpjekur të shpëtojmë banesat e shumta (mbi 700) shekullore, të braktisura nga pronarët, të pambajtura prej banorëve, të pakujdesura nga shteti për 25 vjet, të abuzuara financiarisht. Amortizimi i tyre, nuk ndodh as në një vit e as në dy, por në dhjetëra vite harrese. Pasi frenuam të gjitha ndërhyrjet e paligjshme, përmirësuam kuadrin ligjor me rregulloren e re të administrimit të Qendrës Historike, ndërtuam planin e ndërhyrjes mirëmbajtëse në bashkëpunim me UNESCO, dhe për të gjitha këto morëm një vlerësim shumë pozitiv nga Komiteti Botëror për Trashëgiminë, i cili në mbledhjen e fundit në 2 korrik 2015 në Bon, e nxori Gjirokastrën nga gjendja e rrezikut dhe përgëzoi qeverinë shqiptare për ecurinë e lavdërueshme në reformat e sistemit të trashëgimisë. Po ruajmë nga shembja pjesën dërrmuese të banesave, siç vepruam me ndërtesën gjashtëkëndore te Qafa e Pazarit, me shtëpinë e ashtuquajtur e Çabejt, me banesën Papadhopudhi, me banesën Demiri, në banesën Koçi, Beqiri, Zeko, e kështu me radhë.

Por ky është objektivi minimal, dhe nuk mund të jetë afatgjatë, sepse siç e kanë treguar edhe periudhat e reshjeve të forta, kur u rrëzua një pjesë e murit të banesës së braktisur Lolomani.

Gjirokastra ka nevojë për një operacion frontal dhe të organizuar në nivel të lartë dhe një fond të fuqishëm investimi. Kjo është arsyeja pse pas analizave dhe përgatitjes së fishave teknike shtëpi më shtëpi, pas shumë shkëmbimeve me donatorë potencialë, në fund të vitit 2015 është ndërtuar e filluar tashmë plani strategjik, i cili përfshin disa partnerë:

– Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Fondacionin Amerikano-Shqiptar të Zhvillimit, kanë nisur tashmë punën për projektin e restaurimit të Qafës së Pazarit dhe të një numër banesash, projekt që do të jetë gati në fund të pranverës për të vijuar më pas me kantierin e restaurimit.

– Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Atelier Albania dhe financim të qeverisë shqiptare, organizuan konkursin ndërkombëtar për unazën e Qendrës Historike, me qëllim që pas restaurimit ajo të kthehet në këmbësore, projekti do të përfundojë në të njëjtën kohë me projektin e restaurimit, dhe kantieret do të ecin paralel.

– Ministria e Kulturës ka filluar bashkëpunimin që prej më shumë se një viti me agjencinë turke TIKA për rilevimin dhe përgatitjen e projekteve të kalldrëmeve të tjera të Gjirokastrës dhe të Kalasë, projekti ka mbaruar, pritet që agjencia turke të fillojë punimet.

– Ndërkohë Ministria e Kulturës, siç dhe e bëri të njohur Kryeministri gjatë ceremonisë së hapjes së Shtëpisë Kadare, ka filluar punën për projektet e restaurimit të 12 banesave, më të rrënuarat e më të rrezikuarat, monumente të kategorisë së parë, të braktisura nga pronarët, për t’i rijetëzuar në një rrjet shtëpish me funksion social kulturor e hotelier dhe për të krijuar kështu një tjetër guidë të qytetit të gurtë. As Roma s’u ndërtua në një ditë, por e rëndësishme është që MK, IMK dhe DRKK punojnë çdo ditë.

  1. A keni “vizituar” pas sinjalit të dhënë nga media, për këtë situatë, qytetin?

Po të ndjekim raportimet e Ministrisë së Kulturës, të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe të Drejtorive Rajonale, kuptohet fare mirë itinerari dhe kalendari i inspektimeve, jo vetëm të specialistëve, po edhe të miat personalisht. Unë vetë kam qenë 4 herë në Gjirokastër, që kur ka filluar ky vit. Ju siguroj që inspektojmë sitet e trashëgimisë çdo ditë dhe nuk presim sinjalizimet e medias, se përndryshe do të ishte tepër vonë. Por nga ana tjetër, pohoj me kënaqësi se çdo sinjalizim në rrjetet sociale, edhe kur është i pasaktë, edhe kur është i rremë, është një zile alarmi me vlerë, që tregon se ka vëmendje dhe se nga ana tjetër mirëmbajtja e monumenteve, nuk është vetëm detyrë e specialistëve, por e gjithë shoqërisë.

Kur do ta ketë fjalën e saj Ministria e Kulturës për të ndërhyrë në zonën muzeale, projekt konkret?

Besoj e dhashë këtë përgjigje më sipër.

Në fakt, banesat e Gjirokastrës sot, janë braktisur nga pronarët, duke e lënë lagjen-muze, pa jetë. Në këtë rast, specialistët flasin për një ndërhyrje më komplekse, jo thjesht si ndërhyrje fizike restauruese. Ky qytet e ka rrënimin prej vitesh, dhe jo tani, shpesh është folur sidomos prag fushatash politike për rijetëzim të tij, por asgjë. Ja ku jemi dhe kërkojmë një përgjigje nga ju, nëse ekziston në Ministri një vizion, strategji shpëtimi; pse asnjëherë nuk është organizuar një debat për këtë temë, me aktorët dhe të interesuarit, meqë ju nuk ia dilni dot vetë, si Ministri (siç po e tregon koha)? Alarmi është: Janë limitet e emergjencës.

Edhe kësaj pyetjeje iu përgjigja më sipër. Por po shtoj gjithashtu se jemi në bashkëpunim të ngushtë me bashkinë e Gjirokastrës. Jemi në kontakt edhe me komunitetin. Unë vetë kam shkuar dy herë në Gjirokastër për takime të tilla, në njërin prej tyre, së bashku me Kryeministrin Rama. Dhe sërish jam kthyer në komunikime me banorët, gjatë organizimit të konkursit të unazës së Qendrës Historike për të prezantuar idetë e sipërpërmendura. Ndërkohë për të prezantuar projektet konkrete, kemi parashikuar dëgjesa me grupe të ndryshme të interesit dhe me publikun.

Është shumë e rëndësishme të kuptohet që qytetet historike nuk mund të mirëmbahen vetëm nga shteti. Kurrsesi. Duhet një pjesëmarrje e gjerë nga banorët, biznesi, shoqëria. Indiferenca e shkatërron monumentit më shumë se sa mungesa e investimeve. Nuk mund t’ia falim pronarit të banesës gjashtëkëndore te Qafa e Pazarit, që në katin përdhes jep mjedise me qira dhe një kat më sipër, nuk hedh asnjë qindarkë për mirëmbajtje, duke menduar se do vijë shteti t’ia mirëmbajë. Kjo qasje më duket mizore dhe duhet të ndryshojë. Prandaj do bëjmë dëgjesa publike.

Një situatë e ngjashme është dhe shtëpia e Flamurit në Korçë, kur para tri viteve, Ministria pati premtuar se do ta rindërtojë. Gjendja vazhdon, dhe pak ditë më parë Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, e ka bërë kauzë kryesore për 2016, ndërsa pritet reagimi i zyrtarëve të lartë të qeverisë, të cilët nuk po guxojnë të shprehen, pse? A do të keni sërish fjalë premtuese? Konkretisht!?

– Jemi angazhuar qysh në fillim, se pavarësisht se qeveria pararendëse jo vetëm s’u kujdes, por edhe kontribuoi në shkatërrimin e monumenteve, siç është rasti i Shtëpisë së Flamurit në Korçë, ne do merrnim masat që ajo të rindërtohet. Ky natyrisht nuk është më restaurim, por rindërtim i një kopjeje të ndërtesës së parë. Për këtë përgatitëm në IMK, projektin e plotë të rikonstruksionit, si një model identik të shtëpisë origjinale. Filluam negociata shumë të gjata me pronarët e truallit, të cilët u angazhuan dhe premtuan se do e rindërtonin duke e rijetëzuar ndërtesën.

Tashmë ne jemi të mendimit se pronarët kanë gënjyer dhe kanë hequr zvarrë premtimin për rindërtim të shtëpisë. Kjo është arsyeja pse Ministria e Kulturës ka filluar prej disa kohësh procedurën e shpronësimit të truallit, procedurë e cila do marrë kohën e vet prej disa javësh. Në fund të saj, shteti do të marrë përsipër ndërtimin si një muze të Flamurit, siç edhe ka qenë para disa dekadash.

Kisha e Dervenit në Fushë-Krujë, kisha në Malin e Robit, dhe mjaft raste të tjera, po paraqesin probleme degradimi, si nga koha, natyra ashtu dhe indiferenca institucionale për t’i mbajtur e konservuar. A ka menduar Ministria, çfarë do të bëjë me këto raste?

Kisha e Dervenit, e cila ka një pozicion delikat, sepse është në nivel shumë të ulët dhe mbledh ujë, sidomos në periudhë reshjesh, është rasti tipik që tregon se sa keq është administruar trashëgimia kulturore në vite. Pa asnjë koordinim, Instituti i Arkeologjisë ka kryer gërmime në vitet 2006-2008, pa kryer konservim, pa u organizuar me IMK ose MK për të planifikuar buxhetet përkatëse, pa asnjë plan drenazhimi, dhe ca më keq asnjëherë Ministria e atëhershme e Kulturës nuk pat ndërhyrë për ta parandaluar këtë gjë. Drejtoria Rajonale Durrës, ka ndërhyrë, me pompë po bën tharjen e vendndodhjes, drenazhimin, pastrimin, si dhe riparimin e strehës mbrojtëse.

Më tej kjo do të ndiqet nga një projekt restaurimi.

Sa herë bëhen denoncime, që vijnë nga specialistë dhe forume të ngritura së fundi për mbrojtjen e trashëgimisë, është vënë re se ju nuk keni ndjeshmërinë për t’u përgjigjur së paku përmes njoftimeve për shtyp për fatin e tyre, pse  nuk reagoni në kohë reale për këto situata?

Nuk ndaj aspak të njëjtin mendim. Ministria e Kulturës, dhe unë personalisht, u përgjigjemi brenda ditës të gjitha pyetjeve, kërkesave për intervista apo për informim që vijnë qoftë nga mediat, qoftë nga qytetarët apo subjekte të ndryshme të interesuar. U përgjigjemi të gjitha mesazheve që vijnë individualisht apo formalisht, personalisht apo publikisht dhe falënderojmë çdo qytetar që na sinjalizon çdo merak. Janë po ashtu të shumtë specialistët që na kontaktojnë ose na shkruajnë dhe me të cilët jemi rregullisht në komunikim.

Nga ana tjetër, në faqet tona zyrtare dhe në rrjetet sociale, ka çdo ditë informacion të bollshëm për të gjitha punët që kryejmë, si për ato rutinë, si për kantieret e planifikuara, ashtu edhe për ndërhyrjet e emergjencës. Edhe për pyetjet që ju bëni në këtë intervistë dhe që i gjej me shumë interes, po të kërkoni në faqet tona do t’i gjeni edhe më shumë informacion nga sa thashë më lart, ndërsa mbetemi të hapur për çdo temë tjetër.

Dua të theksoj se është në interes të trashëgimisë kulturore, që e gjithë shoqëria të jetë e sensibilizuar dhe të komunikojë me realizëm dhe dëshirë për të bashkëpunuar. Natyrisht, çka nuk është bërë në 25 vjet nuk ndreqet në dy vjet e gjysmë, por asnjëherë nuk është punuar me këtë intensitet dhe vizion prioritetesh. Jemi gjithashtu në fazën finale të hartimit të ligjit të ri për trashëgiminë, i cili do të sjellë ndryshime themelore në sistem dhe kushte të favorshme për një mbrojtje dhe vlerësim më cilësor dhe të qëndrueshëm të trashëgimisë.

Si po funksionojnë aktualisht hallkat e monumenteve, atelietë, drejtoritë rajonale, pasi një arsye vjen prej tyre për shkak të nivelit të diskutueshëm të restaurimit. Çfarë do të bëhet në këtë drejtim, do të vazhdojnë t’u jepen leje firmave që bëjnë llaç e beton dhe jo punë restauruese, dhe të pambikëqyrur?

Së pari, duhet saktësuar se asnjë punim në këto dy vite, nuk kryhet pa mbikëqyrje të specialistëve tanë. As edhe një. Dhe në asnjë raport teknik apo inspektim nuk rezultojnë të tilla citime.

Së dyti, le të lexojmë ligjin për prokurimin publik dhe ligjin për trashëgiminë kulturore, se ka një kornizë ligjore që përcakton qartësisht rregullat dhe kriteret e prokurimit publik në përzgjedhjen e ndërmarrjeve, të cilat duhet të jenë të pajisura me licenca restaurimi.

Së treti, MK ka rishikuar dhe forcuar rregullat e dhënies së licencave në fushën e restaurimit.

Së katërti, konstatojmë me keqardhje që në 25 vjet nuk është bërë asnjë investim në formimin as të vazhduar dhe as fillestar në fushën e restaurimit.  Kjo ka sjellë pasojat e veta, duke krijuar një boshllëk në brezat e njëpasnjëshëm të restauratorëve, dhe bash për këtë ne vazhdojmë të ruajmë me fanatizëm marrëdhëniet me vullnetmirët e restauratorëve të brezit të pjekur, si: Piro Thomo, Emin Riza, Mustafa Arapi, Aleksandër Meksi etj., me të cilët këshillohemi.

Ndërkohë përfitoj nga kjo intervistë për të ndarë me ju një tjetër front pune që sapo e kemi hapur: Kemi filluar tashmë punën për hartimin e një programi intensiv formimi, për të gjallëruar qendrën e trajnimeve në IMK. Jemi në bashkëpunim me Universitetin Politeknik, për të harmonizuar formimin e vazhduar me atë fillestar për Restaurimin. Natyrisht ky është një kantier afatgjatë dhe do t’i japë frytet e veta në vitet në vijim. Ndërkohë kemi dy vjet që organizojmë kurse trajnimi për sektorë të ndryshëm të restaurimit, me punonjësit që ndodhen në sistemin e trashëgimisë, por edhe për pjesëmarrës nga rajoni, në bashkëpunim me UNESCO dhe me Institucione homologe ndërkombëtare. E sigurt është që ka filluar kthesa e madhe në administrimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Intervistoi: Violeta Murati, “Mapo”

SHKARKO APP