Mjeku Kristi Morcka, 45 vjet në shërbim të njerëzve

 

Intervistë me Prof. Assoc. Kristi Morcka, Drejtor Mjekësor, Shef i Internit (Patologjisë), Urgjencës dhe Reumatologjisë në Spitalin “HYGEIA” në Tiranë

Me 45 vjet punë, Kristi Morcka është një nga ata njerëz që ka lënë gjurmët e veta në shëndetësinë shqiptare. Jo vetëm duke shpëtuar jetët e pacientëve të tij, por edhe si profesor dhe mjek që ka nxjerrë qindra e mijëra studentë të cilët sot janë mjekë në gjithë vendin. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Kristi Morcka flet për problemet që ka sistemi shëndetësor sot në Shqipëri dhe çfarë duhet bërë për përmirësimin e tij. Kështu, ai thotë se mjekët shqiptarë kanë përgjithësisht nivel të mirë profesional. Kjo gjë dëshmohet dhe nga fakti se një pjesë prej tyre punojnë edhe jashtë vendit në institucione të njohura mjekësore. Por nga ana tjetër, profesor Morcka shprehet se “disa specialistë dhe specialitete kanë mbetur pas me zhvillimet e shkencës, ndoshta dhe për arsye të mungesës në investime në fushat përkatëse”. Gjithashtu, Morcka ndalet edhe në debatin e muajve të fundit lidhur me testimin e mjekëve nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas tij, testimi është i domosdoshëm. Ai shprehet se në çdo 3-4 vjet, vendet kryesore të shefave të departamenteve duhet të jenë të lirë për të konkurruar kandidatë të tjerë, nëse shefi i mëparshëm nuk e ka çuar përpara specialitetin e tij dhe se është detyra e shefave për të testuar mjekët e sektorëve të tyre. Në kohën që diskutohet edhe për një skemë të re të shërbimit shëndetësor në vend, profesor Morcka shprehet se duhet një menaxhim më modern. “Shëndetësia për buxhetin shtetëror është mjaft e kushtueshme. Pra, mendoj se ka ardhur koha që në spitalet shtetërore, menaxhimi të bëhet me kriteret e kostos dhe përfitimit”,- shprehet Kristi Morcka…

Profesor Morcka, Ju rridhni nga një familje shumë e njohur në Tiranë dhe po bëni 92 vite në kryeqytet. Babai juaj, Jovani, në vitin 1923 mbas mbarimit të studimeve të International në Springfield Massachusets dhe Columbia University New York, vjen si Drejtor Ekonomik në shkollën amerikane “Harry Fultz”. I thashë të gjitha këto për të bërë një pyetje që na mundon të gjithëve: A vuajmë  ne si komb nga mungesa e kulturës dhe e shkollimit ndër breza për të prodhuar gjenereta të kualifikuara në shërbim të qytetarëve?

Mendoj se në Shqipëri, njerëzit kanë nivel të mirë shkollimi dhe kultura nuk është mbrapa e krahasuar me vende të tjera. Ajo që u mungon shqiptarëve është edukata qytetare, e cila përmirësohet me evolucion, pra kërkon shumë kohë. Gjithashtu, në Shqipëri mungojnë intelektualët, të cilët kanë për detyrë të prodhojnë ide të reja, të japin mendime për zhvillimin e së ardhmes, të reflektojnë për realitetin e shoqërisë dhe të propozojnë zgjidhje për normat e shoqërisë.

Nocioni ‘intelektual’ në shqip përdoret gabimisht për njerëzit e arsimuar, po në të vërtetë ka shumë të arsimuar, por nuk ka intelektualë. Në gjuhën greke të lashtë dhe të re, këto janë dy nocione të ndara, d.m.th intelektuali nga i arsimuari. Mendoj që në gjuhen angleze po përdoret nocioni “think tank” (organizma që prodhojnë ide për zgjidhje të problemeve shoqërore). Kjo është ajo që i ka munguar dhe i mungon akoma kombit tonë.

 

Pas një eksperience të gjatë, tashmë jeni shef i një departamenti në spitalin “Hygeia” në Tiranë. Pse zgjodhet spitalin në fjalë, apo se ka pagë më të lartë?

Eshtë një pyetje që ma kanë bërë edhe të tjerë. Përgjigjia është e thjeshtë. Këtë grup spitalesh e njoh mjaft mirë në Athinë. Spitali “Hygeia” që u hap në Tiranë funksionon me rregullat bazë dhe kriteret e spitaleve më të mira amerikane. Kjo më jep mundësinë të realizoj dhe të vë në praktikë  shumë nga dijet e mia të fituara deri tani, që në spitale të tjera do ta kisha të pamundur ose të vështirë që t’i zbatoja në praktikë. Përsa i përket pageses, ajo lëviz në bazë të të sëmurëve që vizitoj, të rezultateve në punë, sepse në spitalet private paguhesh në baze të rezultateve në punë, sipas kategorive të caktuara mjekësh (mjekë që paguhen me rrogë dhe mjekë që paguhen në bazë të rasteve).

 

Realisht, si mendoni se është niveli i mjekëve shqiptarë në raport me shtetet e rajonit të Ballkanit?

Mendoj se mjekët shqiptarë, në përgjithësi kanë nivel të mirë. Fakulteti i Mjekësisë në Tirane ka tashmë traditë. Fakti është që ish-studentë të mi, të cilët mbaruan këtë fakultet janë mjekë të shquar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë dhe Amerikë. Disa specialistë dhe specialitete kanë mbetur pas me zhvillimet e shkences, ndoshta dhe për arsye të mungeses në investime në fushat përkatëse.

 

Testimi që po tenton të kryejë ministria e Shëndetësisë, a është normal apo shikoni tendencë?

Testimi i mjekëve në vetvete është i domosdoshem. P.sh. në çdo 3-4 vjet, vendet kryesore të shefave të departamenteve duhet të jenë të lirë për të konkurruar kandidatë të tjerë, nëse shefi i mëparshëm nuk e ka çuar përpara specialitetin e tij dhe është detyra e shefave për të testuar mjekët e sektorëve të tyre. Mënyra se si duhet të testohet mjeku ka një metodikë të caktuar dhe mendoj se nuk është momenti për ta shpjeguar.

 

Po të ishit Ju ministër Shëndetësie, çfarë punësh do të zgjidhnit në shëndetësinë shqiptare, natyrisht duke patur parasysh edhe “thesin e lekëve” të buxhetit të shtetit?

Shëndetësia për buxhetin shteteror është mjaft e kushtueshme. Pra, mendoj se ka ardhur koha në spitalet shtetërore, që menaxhimi të bëhet me kriteret e kostos dhe përfitimit. Në këtë mënyrë, do të ketë kursim në materialet e konsumit, ditet e qëndrimit, xhiron e shtratit, burimet njerëzore, kështu që përfitimi për të sëmurët do të ishte i madh. Po të menaxhohet në këtë mënyrë, të gjitha burimet njërëzore të punësuara në sistemin shëndetësor do të punojnë me efiçencë të plotë.

 

Për cilat specialitete ka nevojë më shumë mjekësia shqiptare që të specializohen jashtë shtetit?

Çdo specialitet ka peshën e tij në praktikën e përditshme, por meqënëse duhet të bazohemi në vdekshmërinë më të lartë dhe sëmundshmërinë më të lartë, natyrisht që vendin më të rëndësishëm do ta zënë onkologjia, kardiologjia dhe patologjia (sëmundje të brendshme, specialitet i cunguar prej vitesh dhe i pamjaftueshëm për vendin tonë).

 

Nëse do të kërkonim një listë me 10 mjekët më të mirë shqiptarë të sotëm, pra që janë gjallë dhe një listë të tjetër po prej 10 vetash, ku të futen edhe mjekët që janë në këtë botë, edhe ata që nuk jetojnë më, kë do të na e rendisnit, sipas jush?

Po më bëni një pyetje mjaft të vështirë, pasi më kufizon në numër, kur e vërteta është që ata janë shumë dhe mund të lë pa përmendur rastësisht ndonjë mjek shumë të mirë, që mund të mbetet jashtë listës që kërkoni ju. Por unë asnjëherë nuk mund të harroj Frederik Shirokën, Kadri Kërçikun, Bedri Zymën, prof. Gjatën, Shefqet Ndroqin, Josif Adhanin, Koço Poron, Ferdi Papariston, Koço Gliozhenin, Petrit Selenicën, me të cilët pata fatin t’i njoh nga afër dhe t’i respektoj si themelues të Fakultetit të Mjekësisë. Ndërsa për brezin më të ri nuk kam ç’të them, pasi kam munguar në sistemin shëndetësor për afro 22 vjet.

 

Për çfarë të ka mbetur peng se nuk ke realizuar në jetë?

Jeta ime profesionale 45-vjeçare më ka dhënë dhe më jep kënaqesi pa fund për diagnozat dhe metodat bashkëkohore që i kam vënë në dispozicion të të sëmurëve. Puna me të sëmurin mua më ka plotësuar, gjithashtu edhe jeta ime familjare me dy fëmijët dhe katër nipër e mbesa. Kur mos të kem detyrime me të sëmurët, dëshira ime është të merrem me letërsi.

 

Profesionin e mjekut e ke të trashëguar në familje, apo ke menduar se “mjafton një mjek në shekull” nga fisi im?

Një mjek në rrethin familjar e ndryshon dhe e rrit cilësinë e jetës së familjes. Në familjen time, jam i vetmi mjek. Unë kam dy vajza, të cilat nuk janë mjeke, por do të dëshiroja që njëri nga nipat e mi të vazhdonte profesionin tim, i cili i jep një kuptim jetës.

SHKARKO APP