Moikom Zeqo: Ata që mungojnë, ata janë të pranishëm

Reforma në drejtësi, një bisedë me Moikom Zeqon. Pse ai është i bindur se ndryshimet do të kalojnë në Kuvend.

I nderuar Moikom, ju disa herë në shkrimet tuaja jeni shprehur i palëkundur në bindjen se pavarësisht luhatjeve dhe paqartësive, Reforma në Drejtësi do të votohet patjetër. Kanë mbetur ndoshta dhe 48 orë që të vërtetohet kjo gjë. Si mendoni ju, tashmë që kemi dhe një artikulim të zërit të intelektualëve, por dhe të shoqërisë civile shqiptare që thotë se Reforma në Drejtësi duhet votuar, ç’do të ndodhë me 140 deputetët e Kuvendit dhe si do të veprojnë partitë politike?

-Dilema a do të votohet Reforma në Drejtësi apo nuk do të votohet duket si një ankth, duket si “Natë Valpurgjike” e politikës shqiptare, duket si diçka e pazgjidhshme, e harruar, okulte dhe pa asnjë perspektivë, por në thelb nuk është aspak kështu. Është një çështje dritërisht e qartë. Mbas një të Enjteje në 21 Korrik do të vijë e Premtja. A do të jetë kjo e Premtja e Përhime, apo e Premtja e Zezë? Jam i sigurtë që do jetë e Premtja e aprovimit ligjor dhe realizimit votiv e Reformës në Drejtësi. Jam i sigurtë se mbas të Enjtes në 21 Korrik nuk do të kemi asnjë lloj Kohe Zero. Jam i sigurtë që Shqipëria do të fitojë diçka substanciale. Jam i sigurtë që dhe politika në të gjitha dimensionet do të fitojë, ndonëse do të ketë edhe humbësit e vet nominativë. Jam i sigurtë që populli shqiptar do të fitojë. Votimi i reformës në drejtësi është kalimi i Rubikonit të historisë aktuale të Shqipërisë dhe të historisë së saj strategjike. Është një moment i thugët dhe i jashtëzakonshëm historik. Ose do të bëhet tani, ose më vonë do të humbte kuptimi i gjithçkaje. Politika shqiptare e pati para vetes dilemën për konceptimin dhe votimin e reformës në drejtësi. Kjo lindi si domosdoshmëri historike dhe si një ringjallje konceptuale e vetë politikës. Asnjëherë nuk ka ndodhur që të ketë një debat kaq të zhurmshëm si këto muajt e fundit në Shqipëri; që të ketë patur kaq shumë marrëzira, kaq shumë analiza të alambikuara dhe të pakuptimta, plot aluzione, konspiracione etj.

Takëmi mediokër i të vetëquajturve opinionistë të shtypit të shkruar dhe të medieve elektronike e trajtuan idenë e reformës në drejtësi gati si enigmë e Sfinksit. Përherë dyshimtarë dhe me dituri sipërfaqësore, llafazanë dhe të neveritshëm. Ky lloj takëmi opinionistësh të cilët janë edhe klientelistë të fshehtë politikë më kujtuan fabulën e njohur të Gomarit të Buridanit i cili kishte edhe në të majtë edhe në të djathtë të tij diçka për të ngrënë, por i mbërthyer në dilemë nuk vendoste deri sa ngordhi nga uria. Për Gomarin e Buridanit thuhet shprehja: “Si l’ane avait choisi, il ne serait pas ane”, domethënë “Nëse gomari di të zgjedhë, s’është më gomar”. Në pozitën e Gomarit të Buridanit ranë edhe politikanët. Lloj-lloj hamendjesh, insinuatash, sprovash dhe deliresh për një gjë që ishte shumë e qartë. Çfarë nuk u tha dhe çfarë nuk është thënë për Reformën në Drejtësi…

Më kryesorja, e ashtuquajtura “humbje e sovranitetit”…

Po, pseudoargumenti më kërcitës dhe grotesk qe ai “i gjoja humbjes së sovranitetit”. Po të cilit sovranitet? Si ka mundësi të humbasë sovraniteti i një populli kur aprovohet ligjërisht një strukturë juridike për të dënuar krimin e organizuar, korrupsionin e llahtarshëm që i ka zënë fytin Shqipërisë?

Përkundrazi, dënimi i kësaj katrahure është një rikthim te sovraniteti i vërtetë konceptual i Shqipërisë.

Dua të kujtoj një paralele historike, ndonëse krahasimet nuk janë asnjëherë të plota. As të identifikueshme tërësisht. 17 vjet më parë në Konferencën e Rambujesë, Sekretarja e Shtetit Madlen Ollbrajt i lutej përfaqësuesve të delegacionit shqiptar që ta firmosnin Marrëveshjen e Rambujesë. Dhe atëherë dikush doli dhe foli me retorikë pompoze se gjoja “do të humbej sovraniteti”. Kurse Berisha tha frazën ogurzezë: “Mos e firmosni Rambujenë!” Por Marrëveshja e Rambujesë, siç është e qartë tashmë për të gjithë, çoi në çlirimin e Kosovës nga forcat e UÇK-së dhe të NATO-s dhe kështu u krijua Republika e Kosovës, një ngjarje kjo që ndodh 1 herë në 2000 vjet. Edhe sot mund të themi se politika shqiptare qe në lutjen dhe presionin e Ambasadorit Amerikan Donald Lu, por edhe të BE-së që të firmoset Reforma në Drejtësi.

Nga kjo fitojnë tërë shqiptarët e ndershëm dhe mund të ngjallet edhe një shpresë popullore (dihet se në popull skepticizmi dhe zhgënjimi është shumë i madh).

Pra po e përsëris metaforën e kalimit të Rubikonit. Në disa aspekte firmosja e Reformës në Drejtësi është po aq e rëndësishme ose ndoshta dhe më e rëndësishme sa edhe viti 1991, ku u kalua nga shteti totalitar në rendin demokratik.

Por këto 25 vjet treguan që klasa e ashtuquajtur politike e Shqipërisë gati e degradoi idenë e rendit demokratik. Këto 25 vjet korrupsioni ka arritur rekorde të pashembullta. Krimi i organizuar dhe mafia zotërojnë fatin e qytetarëve, dhe ato arritje që ka Shqipëria në këto 25 vjet, siç është futja në NATO dhe fitimi i vizës Shengen, janë më tepër elemente simbiozë të integrimit Euro-Atlantik, pra të stimuluara më tepër nga jashtë sesa nga brenda prej politikanëve. Kjo është e vërteta. Këtë të vërtetë e dinë të gjithë.

A mundet që të ndryshojë diçka thelbësore? A mundet të krijohet një kauzë e vërtetë ndryshimi pozitiv? A mundet të ndëshkohet e keqja? A mundet të zhvillohet demokracia autentike, normaliteti dhe zhvillimi? Pikërisht mbas 25 vjetësh klasa politike shqiptare, që unë disa herë në shkrimet e mia e kam quajtur klasa parapolitike shqiptare, ka më në fund provën e saj historike.

Le të kujtojmë këtu shprehjen e famshme “Hic Rhodus, hic salta!”, domethënë “këtu është Rodi, këtu kërce!” Në kuptimin figurativ kjo shprehje do të thotë: “Këtu tregoje nëse je i aftë”!

Kjo shprehje vjen nga fabula e Ezopit, “Mburraveci”. Flet për një njeri që delironte duke thënë se në ishullin e Rodit kishte bërë kërcime në lartësi të mëdha. Ky citat ka dhe kuptimin: “Këtu është trëndafili, këtu vallëzo!” Është përafërsimi i citatit të mësipërm (Rodos është emri i një ishulli, por do të thotë dhe trëndafil). Këtë citat e vë Hegeli në parafjalën e librit të tij të famshëm “Filozofia e së drejtës”.

Kjo ishte dhe prova e opozitës së sotme shqiptare. Është për të ardhur keq që Lulzim Basha u bë kalorësi i një logoreje të pafundme të pseudoargumenteve nga më të çuditshmet, nga më të papriturat, vetëm e vetëm për të mos e firmosur Reformën në Drejtësi. Si ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë? Si ka mundësi që deputetët e opozitës të tregojnë jo një fuqi arsyetimi dhe vetëdije të lartë, por sjellje dhe përshtatje të pranuara dhe apolitike, ose negativiste?

Reforma në Drejtësi si asnjë reformë tjetër gjatë këtyre 5 vjetëve është bërë kushti thelbësor për integrimin e Shqipërisë. Reforma në Drejtësi është ose porta e hapur, ose porta e mbyllur në raportet politike, strategjike dhe integruese me SHBA dhe BE. Reforma në Drejtësi kupton ose një vetmi provinciale dhe fatale për Shqipërinë, ose një ringjallje dhe integrim të pashmangshëm. Të gjithë shqiptarët e kuptojnë këtë gjë. Vetëm ca politikanë të zhveftësuar nga vetë politika, të vetëkastruar, të shurdhët dhe pa sy bëjnë figurën e Kalorësit të Vrerosur kundër mullinjve të Historisë.

Por siç thuhet “better late than never”, domethënë “më mirë vonë se kurrë”, janë dhe disa orë në dispozicion, pra lëvizja e kalendarit po bëhet diçka ose kërcënuese ose aprovuese, që deputetët e opozitës ta votojnë Reformën në Drejtësi. Unë them se do ta votojnë. Nuk ka asnjë arsye për të mos e votuar.

Kaq shumë është shkruar për Reformën në Drejtësi sa që nuk ka ndodhur ndoshta në asnjë rast tjetër në politikën shqiptare. Çfarë mendoni ju për argumentet dhe pseudoargumentet që janë përdorur në këtë debat? Pse vallë është ngulur këmbë kaq shumë për teza të dyshimta sidomos nga opozita shqiptare, vetëm e vetëm për të shmangur dhe për të vonuar Reformën në Drejtësi?

Në vijim të artikulimeve dhe debatit dua të shpreh gjithashtu sërish idenë se klasa politike shqiptare dhe në rastin më të keq këtë herë opozita politike tregoi pasiguri dhe një ambiguitet të pafalshëm.

Le të marrim sërish çështjen e sovranitetit.

Në politikën moderne çështja e sovranitetit nuk është një slogan. Vetë futja në NATO ose dhe kërkesa për t’u anëtarësuar në BE do të thotë që nën siglën e një integrimi të madh secili shtet lë diçka nga sovraniteti i tij në këtë integrim. Kjo është e qartë si drita e diellit.

Pra keqpërdorimi i sovranitetit është edhe injorancë, edhe një kulturë negativiste dhe retrograde politike.

Le të marrim tezën e konsensusit. Për cilin konsensus bëhet fjalë? Për atë parlamentar? Parlamenti është institucioni substancial për të votuar. Ky është atributi i tij i patjetërsueshëm.

Por konsensusi ka një kuptim akoma më të gjerë dhe më universal.

A e di Basha dhe të gjithë ata që e kundërshtojnë Reformën në Drejtësi se 92% e shqiptarëve, që përbëjnë në vetvete një mazhorancë të plotë janë për votimin e Reformës në Drejtësi?

Pra ky konsensus i madh popullor a nuk është shumë i rëndësishëm dhe absolutisht i pazëvendësueshëm?

Nëse Reforma në Drejtësi është një çështje thelbësore popullore, nga na dalin këta Homo Duplex që kanë guximin të flasin për minimin apo komplotin kundër konsensusit?

Si ka mundësi që këta deputetë ose politikanë që nuk kuptojnë substancën e fenomenit të kapen mbas gjoja detajeve, ta mitizojnë konsensusin dhe sipas thënies së lashtë “In hoc signo vinces”, domethënë “Me këtë shenjë do të fitosh” të kryesojnë një lloj lufte paçavure politike, e cila është jashtë parametrave të luftërave të vërteta mendore?

Po kështu dhe teza të tjera që u hodhën që mund të quhen tashmë të tejkaluara siç është teza e “zgjedhjeve parakohshme”, madje akoma më absurde e një “qeverie teknike” nuk mund të kenë në argumentim në vetvete për të vonuar në kalendat greke pikërisht Reformën në Drejtësi.

Të gjitha këto përpjekje qesharake mund të shprehen me proverbin “Nascetur ridiculus mus”, domethënë “Mali polli një mi”. Në këtë lak kohor mund të vihen re disa pikëpamje të reja që po burojnë brenda koncepteve politike të popullit. Së pari vetëdija politike e popullit është më e përparuar se sa e politikanëve. Të 140 deputetët e parlamentit shqiptar për shumë arsye të cilat shpesh i kemi analizuar, por që momentalisht do të kufizohemi thjesht me këtë konstatim, kanë qenë nën trysninë e idesë popullore të padiskutueshme për ta votuar Reformën në Drejtësi.

Dhe kjo Reformë patjetër që do të votohet. Nuk kam asnjë dyshim për këtë.

Ambasadori amerikan Donald Lu tha qartë me një gjuhë të prerë se nëse nuk votohet Reforma në Drejtësi, do ketë pasoja të gjata dhe të pariparueshme jo vetëm për deputetët që do të mbajnë një qëndrim negativ, por edhe për vetë politikën shqiptare në përgjithësi, pra këtë gjë do ta ndjejë në shumë kuptime edhe vetë Shqipëria në formën e kostove politike. Çfarë mendoni ju për të ardhmen dhe si do të ndikojë Reforma në Drejtësi?

-Reforma në drejtësi ka për të patur një ndikim të madh në jetën politike shqiptare.

Nuk do jetë vetëm ndëshkueshmëria ligjore. Nuk do të jetë vetëm një shpartallim dhe shkatërrim i qendrave të krimit të organizuar dhe korrupsionit, por do jetë dhe një terapi dhe shpresë grishëse, frymëzuese, dlirësuese. Kjo do të krijojë kushtet që në zgjedhjet e ardhme të përgjithshme politike vetvetiu të eliminohen, të largohen dhe të mos zgjidhen më shumë figura politike që kanë zotëruar këto 25 vjet. Ky do të jetë një spastrim i madh katarstik. Ka gjasa që për shumë politikanë të këtyre 25 vjetëve të bjerë “vdekja e bardhë politike”. E besoj se kështu do të ndodhë. Ka gjasa të kemi një përfaqësim të ri politik, cilësor, adekuat të elektorateve. Ka gjasa që të ndryshojë kushtetutshmërisht edhe ai deformim që iu bë ligjit themeltar në vitin 2008 në mënyrë të pandërgjegjshme dhe gati kriminale.

Kjo “vdekje e bardhë” e politikanëve është e nevojshme sepse në fund të fundit shumë politikanë janë emra anonimë por të bërë të dëgjuar për shkak të mandateve të pamerituara dhe të një farë publiciteti mediatik. Pra janë emra të harrueshëm përfundimisht.

Në darkën që u bë për 25 vjetorin e krijimit të PS-së ku më kishin ftuar dhe mua, u ngrita dhe thashë saktësisht këtë ide. Thashë se dua të përmend versetin biblik: “Ata që mungojnë, ata janë të pranishëm”. Të gjithë ngritën veshët. Ndonjëri kujtoi se mund të përmendja emra politikanësh. Ideja qe më e përgjithshme dhe më e ndryshme.

Ideja qe se nga viti 1991 deri në 2016 janë mbi 1000 vetë të promovuar, të katapultuar si ministra, deputetë, drejtorë të mëdhenj, kryetarë bashkish, njerëz me poste të larta, madje dhe shumë të larta, por tani mbas 25 vjetësh kur ata e kanë mbaruar mandatin dhe ndonëse janë pasuruar disa prejt tyre në mënyrë të marrëzishme për arsye substanciale historike, janë përsëri anonim dhe nuk i kujton më askush. Pikërisht ata që qenë të pranishëm, autoritarë, pushtetarë, arrogantë, njerëz “që sjellin  Diellin,shiun dhe erën”, absolutë, delirantë, por gjithmonë me dituri sipërfaqësore të mjerueshme, mbas 25 vjetësh janë dhe do të jenë mungesë.

Kurse ata që janë personalitete të vërteta të kulturës, që kanë refuzuar klientelizmin, servilizmin e ndyrë politik, që kanë mbetur dhe të varfër, por jo nga mendja ,sepse nga mendja janë shumë të pasur, ata që quhen se këto 25 vjet kanë qenë në mungesë, pikërisht ata do të jenë të pranishëm në histori.

Dhe kjo është loja inteligjente dhe madhështore, iluminuese e historisë, që në fund të fundit ka gjithmonë një drejtësi në formën e një vlerësimi në formën e vlerave të vërteta.

“Dixi et animam meam salvavi” – “Fola dhe shpëtova shpirtin tim”. – “Dita”.

SHKARKO APP