Moisiu: Si na humbi Nano pas zgjedhjeve të 2005-s dhe biseda me Ruçin
Ish-presidenti i vendit, Alfred Moisiu, rrëfen një prej momenteve më të vështira në ushtrimin e detyrës. Kur pas zgjedhjeve të 2005-s u krye rrotacionipolitik, Fatos Nano u largua pa lënë asnjë adresë. Moisiu sqaron se për rreth dy muaj e gjysmë i është dashur që të mbajë përveç detyrës së Kryetarit të Shtetit, edhe atë të koordinatorit me qeverinë, për shkak të largimit të papritur të Nanos. Ish-Presidenti tregon dhe kontaktin me Gramoz Ruçin, për të zgjidhur ngërçin e krijuar në atë kohë dhe caktimin Namik Dokles, që të drejtonte qeverinë deri në kalimin e pushtetit tek demokratët. Në një intervistë për “Vizion+”, Moisiu rrëfen për herë të parë dhe orët e gjata të bisedimeve për rreth dy netë, me krerët e të gjitha partive parlamentare, me pica dhe çaj, për të gjetur një zgjidhje politike, për marrjen pjesë të opozitës së asaj kohe në zgjedhje.
Si e morët vendimin për të qenë mes Berishës dhe Nanos?
Për mua ka qenë e papritur. Pavarësisht se emri im ishte përfolur, por siç e kemi ne që nxjerrim 30-40 emra dhe asnjëri prej tyre të mos zgjidhet. Unë e mora në mënyrë të befasishme, sepse ka qenë e shtunë, 21 qershor. Të dielën në mëngjes më merr nëtelefon Fatmir Mediu dhe më thotë: Ku je? Unë isha në një aktivitet familjar, fejesë. Më thotë se dua të takoj urgjentisht. Unë isha diku nga rruga “Hoxha Tahsim” dhe ai më priti te “Pazari i ri”. Më tha që do të vemi të Kuvendi. Në fakt, në darkë, rreth orës 24:00 të natës, mua më mori një miku im dhe më tha mos u tërhiq. Mua dhe më shkoi mendja, por dhe jo. Kur shkova, shikoj ulur Fatos Nanon, Sali Berishën, Gramoz Ruçin, Genc Pollon etj.
Fatos Nano më thotë që: Z. Moisiu, ne jemi mbledhur të gjithë dhe kemi menduar të propozojmë që ju të vini kandidaturën për President.
Në këto raste nuk ke çfarë thua, por i falënderova. Gjithsesi, njeriu në moshën 72-vjeçare nuk rrëmbehet kaq lehtë. U thashë: “Unë dua t’ju them që është mirë që jeni ulur bashkë dhe që një përplasje juaja këtu lart, atje poshtë kthehej në përplasje me armë”. Armët ishin sheshit në atë kohë. “Unë kam një prejardhje familjare, një formim profesional, që nuk pranoj ndërhyrje në punët e mia”, u thashë.
Fatos Nano tha: E morëm mesazhin.
Po Berisha?
Nuk u ndje. Kur dal poshtë, gazetarët e kishin marrë mesazhin dhe më pyetën pse pranova. Thashë pranova se vendi nuk mund të ecte kështu dhe njëri do ta marrë. Klasa politike e kuptoi se nuk mund të ecet kështu përpara dhe unë do të përpiqem që këtë pjekuri që ka arritur klasa politika ta çoja përpara.
Cilin quan momentin më të vështirë gjatë presidencës suaj?
Momente ka pasur shumë, se vareshin nga zhvillimet. Dy janë momentet kur unë kam ndjerë përgjegjësi të madhe. Ka qenë viti 2005, pas zgjedhjeve dhe u duk qartë që kishte fituar PD, por ende pushteti nuk kishte bërë kalimin. Mua m’u desh gati një muaj e gjysmë që të bëj jo vetëm detyrën e kryetarit të shtetit, por të merrem edhe me qeverinë, sepse dihet që në sistemin e ekonomisë së tregut, çdo gjë mbahet me taksa. Partia Demokratike për zgjedhje kishte bërë disa propozime që do ulim taksa, do heqim taksa, siç bëhen. Njerëzit nuk dinin atëherë kush do rrinte e kush do qëndronte. Kam marrë atëherë kontakt me ministrin e Financave, Arben Malaj, që e thërrita unë, me drejtorin e policisë, për të mbajtur rregull, sepse për fat të keq, kryeministri si duket u mërzit dhe u largua. Ne nuk e gjenim dot.
Nuk e gjenit dot z. Nano?! Tentuat që ta kontaktoni?
Tentuam sigurisht, po jo, nuk e gjenim dot. Kishte ndërruar telefonin. Kam kontaktuar me Gramoz Ruçin dhe i kam thënë mirë se kryeministri duhej, por të paktën caktoni një njeri që të mbajmë kontakt. U zgjodh z. Dokle që ishte zv/Kryeministër dhe që e thërrisja dhe bisedonim. Pra ishte një detyrë vërtetë e vështirë. Ana tjetër, Partia Demokratike bënte presion, sepse donte të merrte pushtetin menjëherë, por shteti ka ligje. KQZ akoma nuk kishte nxjerrë vendimin. Mirëpo politikanët i harrojnë ndonjëherë ligjet edhe pse i kanë bërë vetë ato. Kjo ishte periudhë e vështirë. Nga qershori, deri në fillim shtatori, ishin rreth 2 muaj e gjysmë. Momenti i dytë ka qenë janar 2007, kur do bëheshin zgjedhjet vendore dhe opozita nuk pranonte që të hynte në zgjedhje. Ne mund të shpalleshim një shtet i falimentuar, sepse një shtet që nuk bën dot zgjedhje, ai nuk është shtet. M’u desh që të bëja gjithë ndërhyrjet e mundshme, por nuk arrija dot të bindja palët. U detyrova dhe i thirra të gjithë palët e partive politike parlamentare në Presidencë, me përjashtim të Sali Berishës, që ishte kryeministër dhe dërgoi nënkryetarin Bamir Topi. Ndenjëm dy netë aty, me çaj dhe pica.
A janë të vërteta këto konfliktet? Sepse ka një perceptim që bëjnë sikur zihen, por i bëjnë sa për fasadë dhe në vetvete u shkon gjithçka fjollë?
Ka një gjë. E para është reale, që është lufta për pushtet. Është pjesa e dytë, për të mbajtur në tensionelektoratin e tyre, radhët e tyre. Më kujtohet njëherë z. Nano, që i them pse duhet patjetër të shkoni në ekstremitete, në sharje?
Nano më thotë: “Z. President, sepse na thonë se kështu na pëlqejnë ata poshtë. Ishte në formë shakaje, por ishte e vërtetë”.