Monika Kryemadhi: Ja pse u tërhoqa nga gara për Bashkinë e Tiranës

Monika Kryemadhi rrëfeu për emisionin “Tonight Ilva Tare” arsyet se përse u tërhoq nga kandidimi për kryetare e Bashkisë së Tiranës.

“Sepse do të thonin burri kryetar Parlamenti, kjo kryetare Bashkie”, tha me shaka ajo.

Zonja Kryemadhi u përfolët për Tiranën, se mund të ishit ju kandidatja për postin e kryetarit të Bashkisë, por u tërhoqët? 

Po sepse do të thonin burri kryetar Parlamenti, kjo kryetare Bashkie. Jo jo bëj shaka.

Atëherë ky është kompromisi që keni bërë herë pas here?

Unë do të kisha shumë dëshirë që në krye të Tiranës të ishte një grua, por e rëndësishme është që ai që do të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës, t’i kthejë qytetin qytetarëve. Në jetën e përditshme, në administratën shtetërore vetëm 70 mijë veta punojnë, por 3 milionë të tjerë e fitojnë bukën e gojës në bizneset e tyre private, në fermat e tyre, kështu që është shumë e rëndësishme që qyteti të jetë për qytetarët. Është shumë e rëndësishme që politika të vendosë që t’ia kthejë qytetin qytetarëve, jo ta mbajë për vete.

A ka ndodhur që bashkëshorti të thotë se tani është momenti im i karrierës dhe t’i mund të rrish pak në hije?

Nuk ma ka thënë asnjëherë, por në gjëra të rëndësishme ka raste që tërhiqesh. Unë kam dashur të flas, qoftë kur kam dashur të flas në Parlament, qoftë kur ai sulmohet prej meje, apo unë prej atij, jam e detyruar të tërhiqem sepse çdo gjë që unë do të them do t’i vendoset atij dhe kjo në një farë mënyrë është si një marrëveshje e brendshme midis nesh, për arsye se ne akoma nuk ia kemi arritur të kemi emancipimin në politikën shqiptare që t’i japim pavarësinë e vet çdo vendimi që merr.

A duhet t’u bëjmë thirrje grave që hyjnë në politikë të mos tërhiqen nga vështirësitë?

Sigurisht, do jetë e vështirë. Askush mos mendojë se do e presin me tufa me lule, që nuk do të kalojë orët e veta të paragjykimit apo dhe të betejes. Ajo që unë them dhe që është shumë e rëndësishme, është vendimi që ne marrim brenda vetes sonë për të mos u ndalur dhe për të ecur përpara. Vendimi për t’i prishur këto barriera që na dalin herë pas herë, në momente të caktuara që vijnë edhe nga ne vetë. Ndonjëherë, ne krijojmë një kompleks brenda vetës sonë, sepse themi mos bëjmë gabim këtë, mos bëjmë gabim atë dhe faktikisht bëjmë një gabim shumë më të madh duke mos e ngritur zërin për gjërat që kemi. Sigurisht asnjëra prej nesh nuk ka ardhur rastësisht këtu. Ka ardhur më punën e vetë, me mundime me sakrifica. Ashtu siç është për çdo njeri që ka arritur diçka. Unë gjithmonë kam qenë partizane se bashkëpunëtore të sfidave të grave, janë burrat. Edhe kur bisedojmë për problemet e grave, nuk duhet diskutuar vetëm gratë me njëra­ tjetrën, sepse ne I dimë çfarë problemesh ka. Nuk mendoj se do më thotë dikush se e ke rrugën të hapur, nuk e kam pritur dhe nuk e kam menduar këtë, kushdo qoftë ky. Edhe bashkëshortët, jo gjithmonë janë të hapur për të krijuar ty mundësinë për të bërë disa gjëra

SHKARKO APP