Motra e Ziver Veizit: Qeveria i ka ndihmuar fëmijët e Ziverit, por ne duam drejtësi, jo lëmoshë

Motra e një prej viktimave të 21 Janarit, Trëndafile Veizi, pret që drejtësia për vrasjen e vëllait të saj, Ziver Veizit të vihet në vend.

Ajo shprehet për A1 Report se nuk kërkon lëmoshë, por drejtësi nga qeveria shqiptare.

Sipas Trëndafile Veizi drejtësia vijon të mbahet peng nga qeveria e vjetër, vazhdon të jetë në duart e ish-kryeministrit Sali Berisha “të cilit nuk i intereson të zbardhet ngjarja pasi është vetë vrasësi”.

Kanë kaluar katër vjet nga ngjarja e 21 janarit. Çfarë ka bërë drejtësia shqiptare në këto katër vite?
Në këto katër vite ne nuk kemi marrë ndonjë të drejtë, jemi në pritje të drejtësisë. Gjëja e parë që ne kërkojmë nga kjo qeveri është mbajtja e premtimit, dhënia e drejtësisë së vërtet për 21 janarin. Vëllai im ashtu si edhe shokët e tjerë Hekurani, Aleksi, Faiku ishin vërtet nevojtarë për punë, po më shumë ata ishin nevojtarë dhe të etur për një shoqëri dhe qeveri të drejtë. Dhënia e drejtësisë për vrasësit nuk është dhënë akoma, dua që të na plotësohen amanetet e katër dëshmorëve, të vëllait tim dhe tre viktimave të tjera. Kërkoj nga qeveria drejtësi të vërtetë jo vetëm për në, por për të gjithë shqiptarët. As më parë dhe as tani ne nuk kemi kërkuar ndonjëherë lëmoshë, por respekt shoqëror, politik, ne kërkojmë drejtësi për dëshmorët e 21 janarit.

Me ardhjen e qeverisë së re keni pasur kontakte?
Ne kontakte kemi pasur, na ka thirrur edhe kryeministri dhe na ka thënë se drejtësia do të vihet në vend, por se kur ende se dimë këtë gjë. Drejtësia pengohet, pasi drejtësia është ende në duart e qeverisë së vjetër, është në duart e Sali Berishës dhe Berisha nuk do që të japi drejtësi, pasi ai është vetë vrasësi.

Në këto katër vite a ka patur mbështetje familja e vëllait tuaj Ziver Veizit nga shteti për çdo nevojë?
Vëllai im ka lënë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Tani qeveria këta dy femijët i ka ndihmuar , i ka futur në shkollë, por ne familjarët kërkojmë vetëm drejtësi, jo lemosh e përsëris.

Çfarë duhet bërë që drejtësia të vihet në vend?
Duhet të bëhet reformë e thellë në drejtësi. nuk e kuptoj si i kanë mbyllur këta dosjet e 21 janarit. Prokurori i Përgjithshëm merret me hetimet pse u godit deputeti i PD Gent Strazimiri. Këtu humbën jetën katër njerëz në mes të Bulevardit, nuk na vjen mirë kur dëgjojmë me çfarë merret drejtësia, duke lënë pasdore ngjarjen e 21 Janarit. Sidomos rasti i vëllait tim, u vra para kryeministrisë me duar në xhepa, nuk e hap dot televizorin, se direkt do të shoh vëllain tim tek bie në shesh. Jam shumë e lënduar me drejtësinë, vëllain tjetër ma shtypi makina, ndërsa për tre ditë e nxorën nga burgu drejtuesin e automjetit. Më kanë ikur dy vëllezër nga 43-44 vjeç. Dua vetëm drejtësi asgjë më shumë.

Çfarë do të bëni nëse drejtësia shqiptare ju zvarrit çështjen?
Do t'iu drejtohemi ndërkombëtarëve, ashtu siç bëri bashkëshortja e Aleks Nikës.

SHKARKO APP