Muhedini: PDIU nuk ka vendosur ende për koalicionin me PS-në

Intervistë me Presidentin e Nderit dhe deputet i Partisë për Drejtësi, Integrim, Unitet,Tahir Muhedini: Kur komisioneri Hahn ngre tonin, politikanët shqiptarë nuk duhet të ulin zërin

Intervistoi: Marjana Doda

Tani që Parlamenti Europian po e ngre zërin për zgjidhjen e Çështjes Çame ndërmjet dy shteteve, shteti shqiptar dhe gjithë politika shqiptare nuk duhet t’i ulin tonet. Këtë mendim ka Tahir Muhedini, deputet i Partisë për Drejtësi, Integrim, Unitet lidhur me debatin e fundit për Çështjen Çame. Gjatë një interviste për “Koha Jonë”, ai pohon se, në këto momente kur Çështja Çame është ndërkombëtare, duhet të jemi të gjithë bashkë e të ulemi ne dialog me Greqinë. “Qëndrimi ynë dhe i gjithë politikës shqiptare duhet të jetë i drejtpërdrejtë. Ne nuk duhet të jemi inferior dhe nuk duhet të kemi asnjë emocion negativ për atë që z.Kotzias thotë se Çështja Çame nuk ekziston”,- thotë ai. Muhedini shton se më tepër se çështje pronash, Çështja Çame është çështje dinjiteti . “Ne duam riatdhesim në shtëpitë tona. Kur komisioneri Hahn ngre tonin, nuk u shkon politikanëve shqiptare të ulin tonet”,- tha Muhedini. Ndërsa lidhur me zgjedhjet e vitit 2017, ai ka pohuar se, PDIU ende nuk ka përcaktuar se me kë do të jetë në koalicion…

Z.Muhedini, Komisioneri i Zgjerimit të Bashkimit Europian Johannes Hahn e shtroi Çështjen Çame si çështje të diskutueshme mes Shqipërisë dhe Greqisë. A jeni optimist në rolin që duhet të luajë ky union në të drejtën juridike të kësaj çështje?

Siç e kemi thënë edhe më parë, fjala e z. Hahn, ka përcjellë një gëzim të madh jo vetëm tek çamët, por tek i gjithë kombi shqiptar, pasi e gjithë kjo punë kolosale shkoi deri tek Komisioneri. Ai konfirmoi që Çështja Çame duhet të zgjidhet ndërmjet vendeve dhe padiskutim ai duhet falënderuar për ngritjen e kësaj çështje. Nuk është puna që ne si forcë politike PDIU apo si shoqatë “Çamëria” që ka bërë një pune shumë të madhe për këtë çështje, të marrim ndonjë kupe. Përkundrazi, unë dua të falënderoj të gjitha forcat politike, të cilat kanë dhënë kontribut për zgjidhjen e Çështjes Çame. Komuniteti Çam politikisht nuk ka pasur përfaqësues , por vetëm një shoqate nga të parat fare nga viti 1991-2004. Nga viti 2004, PDI atëherë dhe sot PDIU së bashku me shoqatën “Çamëria” kanë punuar intensivisht për dokumentizimin dhe kombëtarizimin e Çështjes Çame. Të jemi të ndërgjegjshëm, shqiptarët nuk e njihnin mirë Çështjen Çame. Por është puna jonë që ta bëjmë të qartë për shqiptarët, për kombin shqiptar dhe faktorin ndërkombëtar, si Parlamenti Europian, Këshilli i Europës, Departamenti Amerikan. Kongresi Amerikan, të cilët nuk kanë pasur asnjë relacion për këtë çështje. I vetmi relacion nga viti 1945 deri në vitin 2008 është relacioni i bërë nga Ministria e Jashtme e asaj kohe me z.Lulzim Basha dhe zv/ministrja e asaj kohe znj.Edith Harxhi, i cili ka qenë një relacion shumë koherente dhe konform gjithë standardëve. Ky relacion i ka shkuar KE-së dhe Departamentit të Shtetit Amerikan.

Është për të ardhur keq që shteti shqiptar, mirë në sistemin e kaluar që nuk u fol kurrë për çamët, por sot në demokraci duhet të ishte bërë një përpjekje më e madhe, ashtu siç ka qenë dëshira dhe pritshmëria jone nga forcat e mëdha politike për zgjidhjen e Çështjes Çame, e cila ka të bëjë vetëm me liritë dhe të drejtat e njeriut.

Ligji i Luftës me Shqipërinë (2636/40) i Parlamentit grek,është akoma në fuqi me pretendimin se Shqipëria ka ndihmuar pushtuesit gjermane. Ndërkohë që, nuk miratuan ligje të tilla kundra vetë Gjermanisë. A mos ishte ky ligj për ta shndërruar Çamërinë në “tokë të djegur”, dhe a është normale që të ekzistojë ky ligj për dy vende që aderojnë në NATO dhe kontribuojnë për paqen në botë?

Ligji i luftës është vendosur në vitin 1940. E kam thënë dhe do ta them, ky ligj është vendosur nga Greqia shtetit shqiptar. Ligji i Luftës nuk ka lidhje me Komunitetin Çam. Në vitin 1940, popullsia çame ka qenë me shtetësi greke dhe kombësi shqiptare. Pra, ky ligj i është vendosur shtetit shqiptar. Është për të ardhur keq pasi themi gjithmonë që kemi marrëdhënie të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, por realisht nuk ndodh kështu. Unë mund t’ju them fare mirë se në demokraci në vitin 1994, me dekret të z.Berisha, president i asaj kohë u njoh gjenocidi grek ndaj popullsisë çame. Ndërsa në vitin 1996 është bërë një traktat miqësie ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë për zgjidhjen e këtij problemi. Por sot 20-vite më pas, asgjë nga ky traktat i nënshkruar nuk është biseduar. Ky traktat ka shërbyer vetëm për problemet që ka pasur shteti grek me Shqipërinë, por problemet e shtetit Shqiptarë ndaj Greqisë nuk janë zgjidhur. Përmend këtu varrezat që u ndërtuan në Kosinë të Përmetit, pra varret e fshatarëve, i quajtën ushtarë grekë. Po ashtu në Boboshticë. Ndërsa në Çamëri, që janë vrarë me mijëra gra e fëmijë të pafajshëm, aty ku ka ndodhur gjenocidi duhej vendosur varreza monumentale, por shteti shqiptarë nuk e ngre zërin. Ne si forcë politike kemi dalë në konferencë për shtyp, duke bërë një deklaratë drejtuar ministrit të Jashtëm z.Lulzim Basha dhe Kryeministrit të asaj kohe z.Sali Berisha, që përpara se të bëjmë varreza imagjinare në Shqipëri, duhet të bëjmë varreza reale, aty ku ka ndodhur gjenocidi i popullsisë çame në krahinën e Çamërisë.

 

A ka ardhur momenti që parlamenti shqiptar të reagojë konform të gjitha normave dhe konventave ndërkombëtare, lidhur me Çështjen Çame?

Në të vërtetë, mendoj se koha për trajtimin e kësaj çështje nga Parlamenti ynë ka ardhur shumë kohë më përpara, jo tani. Megjithatë, tani që Parlamenti Europian po e ngre zërin për zgjidhjen e Çështjes Çame ndërmjet dy shteteve, shteti shqiptar dhe gjithë politika shqiptare duhet ta ketë parasysh këtë fakt. Në këto momente kur çështja është ndërkombëtare, të jemi të gjithë bashkë, të kontribuojmë bashkërisht e të ulemi në dialog mes dy vendeve. Por ju e dini që ky dialog ka një gjenocid ndaj popullsisë çame për t’u trajtuar  dhe ne si forcë politike dhe si shoqatë “Çamëria” kemi bërë përpjekjet maksimale për të dërguar shtetin grek në Gjykatën e Hagës. Gjykata e Hagës nuk po vepron me pretendimin se ajo është krijuar në vitin 1949, ndërsa gjenocidi grek ndaj popullsisë çame ka ndodhur në vitin 1944. Por ne kemi dokumentizuar çështjen ndaj gjithë faktorit ndërkombëtar si në Europë dhe SHBA për problemin që ka popullsia çame.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, z.Kotzias,në një letër drejtuar Komisionerit Hahn,ka thëne se Çështja Çame,nuk ekziston,duke u shprehur më tej se përpjekja për të hapur një çështje të tillë do të përkeqësonte seriozisht marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Greqisë. Cili është qëndrimi juaj?

Qëndrimi ynë dhe i gjithë politikes shqiptare duhet të jetë i drejtpërdrejtë. Ne nuk duhet të jemi inferiorë dhe nuk duhet të kemi asnjë emocion negativ për atë që z.Kotzias thotë se Çështja Çame nuk ekziston. Ne kemi vite që e dëgjojmë një refren të tillë nga përfaqësues të ndryshëm të politikës greke në Shqipëri. Bakojanis në vizitat zyrtare në Shqipëri është shprehur që nuk ekziston çështja çame. Më pas ka thënë, drejtohuni Gjykatës greke dhe Strasburgut etj., gjithmonë për ta çuar në kanalet greke këtë çështje. Ne si force politike dhe si shoqatë “Çamëria” duam që Çështja Çame të zgjidhet politikisht me dialog. Çështja çame ekziston,  sikundër ekzistoj dhe unë. Jam biri i një prindi të lindur në Paramithi, Çamëri. U dha urdhër që asnjë mysliman të mos ekzistojë, gjyshërit, xhaxhallarët e mi u vranë nga greket sikundër shumë të tjerë, por fatmirësisht babai im dhe të tjerë shpëtuan dhe ja ku jemi. Jemi ne dhe kërkojmë dinjitetin tonë. Kërkojmë liri dhe të drejtat tona.

Nuk është puna tek pronat, pasi popullsia çame është popullsi punëtore. Me pune, popullsia çame edhe në Shqipëri është shtrese e mesme që ka edhe ajo përparësitë e veta në ekonominë shqiptare. Çështja Çame është çështje dinjiteti. Për këto mijëra njerëz a do të përgjigjet ky shtet Europian, a do të kërkojë falje, për gjenocidin e ndodhur në atë kohë. Kjo popullsi, unë dhe patriotet e mi, a kemi leje të shkojmë të vizitojmë tokat tona, shtëpitë tona. Ne duam riatdhesim në shtëpitë tona. Gjithashtu, do të shtoja dhe diçka tjetër. Nuk është në nderin e shtetit grek që të ketë si hero kombëtar gjeneralin famëkeq Napoleon Zerva . Greqia është pjesë e NATO-s, ne po ashtu pjesë e NATO-s, Greqia është pjesë e BE-së, ne jemi kandidatë i BE-së. Pra shteti grek duhet ta mendojë mirë për imazhin që tregon , që pas 72-vitesh ka një kriminel për hero kombëtar.

 

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në vizitën zyrtare në Greqi është pritur nga ministri i Jashtëm i Greqisë, Kotzias, të cilët diskutuan për Çështjen Çame. Ndër të tjera Meta theksoi se problemet e së kaluarës nuk do të jenë me pengesë në të ardhmen për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Çfarë nënkupton kjo për ju?

Ministri i Jashtëm grek mbajti qëndrimin e shtetit grek . Ndërsa atë që tha z.Meta dua ta përkufizoj kështu: Të gjithë politikanet shqiptarë duhet të jene të vëmendshëm në këto momente. Kur komisioneri Hahn ngre tonin, nuk i shkon politikaneve shqiptarë të ulin tonet. E kam theksuar dhe do ta theksoj, në qoftë se ekziston popull shqiptar që kërkon që marrëdhëniet tona të jene të mira, ai është populli çam. Duam që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të jene të shkëlqyera . Nëse marrëdhëniet do jenë të shkëlqyera, do të thotë që do të ketë dialog dhe Çështja Çame zgjidhet. Por kur themi që kemi marrëdhënie të shkëlqyera për hipokrizi, ndërkohë që kemi një ligj lufte në mes, kjo nuk ka vend.

 

Ka pasur mjaft kritika për qëndrimin e kreut të Kuvendit nga deputetë të PDIU. Ndërkohë që, të njëjtën gjë nuk e kemi parë ta bënin kur Rama apo Bushati kanë takuar homologët e tyre zyrtarë të lartë grekë. A po përdoret Çështja Çame dhe për rivalitet politikë në Tiranë?

E thashë më parë, Europa ngre Çështjen Çame dhe e thotë publikisht, të ulemi me dialog e t’i zgjidhim problemet. Ne kemi qenë gjithmonë për dialog për problemet e mbartura ndërmjet dy vendeve. Kjo nuk ka të beje as me kryeministrin, ministra, apo të tjerë. E gjithë politika shqiptare duhet të përshëndes komisionerin Hahn që e ngriti si çështje. Nuk shkon që politikanët tanë të ulin tonet ndaj kësaj çështje. Ndërkohë ministri i Jashtëm grek jo vetëm ngre tonet, por na quan kriminel e fashistë. Madje dhe mua personalisht që kam lindur në Tiranë, me quan kriminel. Por kjo nuk duhet të na pezmatoje. Ne do të vazhdojmë punët tone. Qëndrimet e politikaneve tanë, nuk na emocionojnë. Ne do të mbajmë qëndrimin tonë të palëkundur ndaj çështjes çame. Dua të siguroj shqiptaret, se të gjithë forcat politike në Shqipëri, janë ideologji. E vetmja force politike në Shqipëri që ka një kauze, ka një çështje kombëtare, është PDIU. Me këtë do të kuptojmë përgjigjen e pyetjes suaj. Nuk merrem me emra, por ideologji nuk duhet të bëjmë kundra çështjeve kombëtare.

 

  1. Muhedini, marrëveshja PS-PDIU është konkretizuar me marrjen e disa drejtorive dhe Bashkisë së Dibrës. Kur do e marrë PDIU një ministri dhe cila duhet të jetë ajo?

Ne kemi bërë marrëveshje politike me Partinë Socialiste, dhe sot jemi pjesë e maxhorancës. Fillimisht doja t’i bëja një falënderim Kryeministrit të Shqipërisë në lidhje me Çështjen Çame. Kjo për vetë faktin se, kur shteti grek kërcënoi se do t’i prishim marrëdhëniet nëse vendosni si zv/kryetar të parlamentit shqiptar, z.Shpëtim Idrizi, për herë të parë kam parë që Kryeministri t’i thotë shprehimisht Greqisë “mos hyni në punët tona të brendshme”, ne kemi marrëdhënie reciproke, por mos ndërhyni në politikat e brendshme të Shqipërisë. E njëjta gjë ndodhi dhe me zv/ministrin e Jashtëm. Ne nuk jemi koloni e shtetit grek, jemi shtet sovran shqiptar dhe duhet të kemi dinjitet. Edi Rama në Kongresin e PDIU-së, mbajti një qëndrim që ne duam ta falënderojmë. Unë personalisht kam qenë skeptik për koalicionin e bërë përpara 2013 me PS, pasi thashë që z.Rama do ta përdorë  Çështjen Çame duke e futur në programin e saj për interesin e forcës së vet politike duke marrë dhe elektoratin e Komunitetit Çam. Por qëndrimi i z.Rama ndaj Çështjes Çame është për t’u falënderuar. Ne do jemi gjithmonë mirënjohës ndaj kujtdo që ndikon pozitivisht në Çështjen Çame dhe jemi të hapur për bashkëpunim. Por, nga ana tjetër është për të ardhur keq që një post ministri nuk e kemi marre ende. Duhet ta kishim marrë që para dy vitesh dhe jo sot. Sot jemi me vonese shumë. Pra, nuk kanë qenë korrekte marrëdhëniet mes dy forcave tona politike. Posti i ministrit duhet të ishte marre para dy vitesh , sikundër dhe zv/ministra , por gjithçka është marrë me vonesë.

Forca juaj politike ka kërkuar në foltoren e Parlamentit heqjen e titujve si heroi i popullit dhe dekoratave të sistemit të kaluar. Cili është mendimi juaj?

Si gjithë populli shqiptar, edhe ai çam, ka qenë popull vital dhe pjesëmarrës në përmbysjen e atij sistemi. Me ardhjen e demokracisë, programi i çameve ka ndërmarrë një çështje kombëtare, siç është Çështja Çame dhe nuk duhet të merremi ne si forcë politike, por forcat politike kryesore dhe historianet me këtë çështje. Qëllimi dhe puna jonë ishte përmbysja e sistemit të diktaturës dhe kjo u arrit. Programi ynë ka karakter shumë të rëndësishëm kombëtar. Personalisht e kam shprehur këtë mendim edhe brenda forcës time politike që të merren të tjerët me këtë pune dhe jo ne. Ne duhet të bashkëpunojmë me të gjithë aktorët politikë që të jemi bashkë në kauzën tonë kombëtare, në zgjidhjen e Çështjes Çame. Përfitoj nga ky moment t’u bëj thirrje të gjithë çameve dhe patriotëve të ndershëm shqiptare që fitoren dhe gëzimin tonë duhet ta përforcojmë akoma më shume duke punuar me intensitet të larte që të bindim dhe faktorët ndërkombëtar që ne jemi në të drejtën tonë.

Me afrimin e zgjedhjeve të vitit 2017 pritet të rishikohen dhe një herë marrëveshjet për koalicionet. Konkretisht çfarë duhet të rishikojë PDIU në raport me PS?

Forca jonë politike ka filluar të punojë për zgjedhjet e ardhshme dhe jemi entuziastë, pasi elektorati ynë rritet çdo ditë e më shumë. Madje i falënderoj të gjithë ata patriotë shqiptarë që afrohen në partine tonë për të dhënë kontributin për Çështjen Çame. Ne, deri dje ishim kontributor për vëllezërit kosovar në marrjen e pavarësisë. Tani ka mbetur një krah tjetër që është krahina e Çamërisë . Unë personalisht i bëj thirrje politikës shqiptare të ndikojë pozitivisht, të bashkojmë forcat tona, duke qenë  kështu të fortë dhe zëri ynë të jetë më i fuqishëm. Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes tuaj nëse do jemi ose jo me PS, them se përcaktimi i saj është shumë herët.

Do të ulemi e do të bëjmë analizat tona, duke shikuar të mirat e të këqijat. Pra jemi në një moment shumë më përpara në kohë që të diskutojmë se me kë do shkojmë në koalicion. Ne si forcë politike nuk kemi diskutuar ende se me kë do të shkojmë në koalicion në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

 

 

 

 

SHKARKO APP