Mustafa Nano: Much Nano’s Show, jo një provokim fetar
Pas shfaqjes në Akademinë e Arteve të Bukura gazetari interpreton atë që vetë vuri në skenë
Të premten e shkuar, në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura nuk priteshin gjëra ‘të mira’. Mustafa Nano, një publicist, kritizer, ateist dhe antiberishist, do të shfaqej në një rol të ri, njëfarë teatri të monologut që njihet ndryshe si ‘stand up’. Shfaqje për jofetarë, shkruhej nën nëntitullin e shfaqjes së titulluar Much Nano’s Show. A mos ishte libri Pax Albanica, botuar para pak nga Nano, në një variant teatral? Më shumë se një libër, u duk se në pjesën e Nanos u ‘vunë në skenë’ të gjithë librat, të gjitha leximet e tij. Provokimi, megjithatë, siç thotë me të drejtë autori i intervistuar, ishte te risia dhe jo te qëllimi për të provokuar. Monologu mori disa herë të qeshura. Natyrisht, jo për batutat banale, sesa për atë lloj të qeshuri që vjen nga mendimi ose grotesku i ngjallur prej manovrimit me mendimin.
Ka pasur shumë mendime në kokat e atyre që e panë shfaqjen e Nanos. Më poshtë gjeni çka mendon autori vetë i cili, sipas meje, ka themeluar në Shqipëri me show-n e para një jave atë që në botë njihet si ‘intelektuali publik’. Shumë mund të mos e pëlqejnë, as termin dhe as faktin se ky na u shoqëruaka me Muçin. Who cares.
Intervistoi: Alfred Lela
A mund ta marrim si provokim shfaqjen tuaj Much Nano’s Show? Në dy rrafshe, edhe pse ngacmoni në fe e Kanun, por edhe se bëni diçka të herës së parë këtu te ne…
Në këtë kuptimin e fundit, po. Por nuk e di se sa është e drejtë, Lela, që një risí ta quash provokim. Sidoqoftë përsëris: Është ok ta quajmë provokim; nuk më prish punë. Ndërsa opinionin, sipas të cilit unë me këtë show provokoj në lëmin e besimeve, nuk e pranoj. Kushdo është i lirë ta shohë edhe kështu, por unë nuk jam nisur të bëj një provokim. Qëllimi im është të bëj një diskutim kulturor e publik mbi fetë; dhe këtë ta bëj nga pozitat e një jofetari, siç jam unë.
Pastaj, në sallë gjatë premierës pati shumë besimtarë, dhe asnjë prej tyre nuk u ndie i provokuar; aq më pak, i lënduar. Ah po, pati njerëz që s'qenë dakord me ato që unë thashë gjatë show-t, ose të paktën me ndonjë ide të hedhur aty, por kjo është gjëja më normale në botë. Profetët kanë pretendimin se thonë gjëra të padiskutueshme. Ndërsa unë, e ti, e gjithë të tjerët, nuk jemi profetë. Ne themi veç gjëra të diskutueshme.
A nuk ju duket megjithatë një klishe zgjedhja e tematikës së show-t? E cili nuk e di se feja dhe kanonet sociale konservatore janë një pre e lehtë?
Tematika e show-t mund të jetë një cliche, por mënyra e trajtimit që unë i kam bërë kësaj tematike nuk më duket hiç cliche. Dhe kjo është e rëndësishme, sipas meje. Ndërsa lidhur me fetë si një pre e lehtë, më duhet të bëj dy vëzhgime. Së pari, unë nuk mendoj se ato janë pre e lehtë. Kulturalisht mund të jenë një pre e lehtë. Është e vërtetë, se ne "njerëzit e shkencës" mund t'i hedhim poshtë ato me një të rënë të lapsit. Mund t'u themi besimtarëve: "Keni prova që virgjëresha Marie ka mbetur shtatzënë me Frymën e Shenjtë? Keni prova se Zoti ka zgjedhur si profet të Tij të fundit Muhametin? Keni prova se Librat e Shenjtë janë me të vërtetë të Shenjtë? Nuk keni prova. Prandaj, rrini urtë!" Mirëpo, në planin e një ballafaqimi praktik, ne "njerëzit e shkencës" e kemi davanë të humbur. Fetë janë gjallë e do të jenë gjallë në çdo kohë.
Dhe së dyti, këtë diskutim unë nuk e bëj për t'i mposhtur fetë. As dua ta bëj këtë gjë, as mundem ta bëj. Në ndryshim nga jofetarë të tjerë, unë nuk jam i sigurt që bota do të ishte më e mirë e më e paqtë, sikur të kishim mundësi t'i zhduknim fetë nga faqja e dheut.
Keni qenë aktiv kohët e fundit dhe jo vetëm me inkursione gazetareske, por edhe me libra që janë diçka më e rëndë, më impenjative. Tani ky show. A mos po mundoheni të themeloni intelektualin publik në Shqipëri?
Unë bëj gjërat që di t'i bëj, ose që më rren mendja se di t'i bëj. Këtë gjë bëjmë të gjithë. Nuk është pra se synojmë të luajmë një rol të caktuar. Ne bëjmë gjërat që dimë të bëjmë, dhe më pas vijnë etiketat. Siç është dhe kjo e intelektualit publik, të cilën e pranoj dhe e mbaj me qejf, nëse më jepet.
E di, Lela? Për këtë aventurë të re kam pasur dyshimet e pasiguritë e mija. Nuk isha i bindur se mund të thëthija vëmendjen e një salle të mbushur me spektatorë për një orë e një çerek pa ndërprerje. Mirëpo ia dola, e me këtë munda dhe ndërdyshjet e pasiguritë e mija.
A mos ju neverit kjo fjala ‘intelektual’? Çfarë dmth intelektual për ju?
Jo, jo, nuk më neverit. Pse duhet të më neverisë? Është e vërtetë se është abuzuar me këtë term këtej nga anët tona, por termi "intelektual" është i fisëm.
Tani, çfarë kuptoj unë me "intelektual"? Intelektuali është, sipas meje, një shpirt i trazuar, një mendje kritike e një njeri aktiv në jetën publike. Merret vesh, lashë të nënkuptuar që intelektuali është një njeri i pasionuar pas dijes e kulturës.
‘One man show’ është një model amerikan i marrë edhe nga vende të tjera me sa di unë…
"One man show" është një formë komunikimi që gjendet kudo në botën e sotme. Rëndom, parapëlqehet nga komikët, dmth me funksione argëtimi. Ndërsa sprova ime është e një natyre tjetër. Argëtimi nuk përjashtohet, por si rregull spektatorët nuk vijnë në show-n tim me shpresën se unë do t'i bëj për të qeshur. Ata vijnë aty me shpresën se unë do t'i "vë të mendojnë". Ky është qëllimi im, të paktën.
E në këtë kuptim, nuk kam pasur ndonjë model në kokën time. Ndokush mund të shohë, ndoshta, George Carlin-in, si një model i tillë, por George Carlin kishte aftësi të mëdha aktoriale dhe, përveç të tjerash, të shkrinte së qeshuri. Ai ishte shumë komik, pra. Kështu që bie si model. Nuk kam modele. Përsëris atë që thashë më sipër: Unë bëj atë që unë di të bëj.
E mbyllnit, edhe pse me fjalë të tjera, me motivin e njohur ‘feja e shqiptarit është shqiptaria’. Mos ratë në klishe? Të paktën jo në fund…
Cliche apo jo cliche, kjo është një gjë që e mendoj. Madje deviza "Feja e shqiptarit është shqiptaria" është nga ato që do kisha dashur shumë ta kisha shpikur unë vetë. Gati-gati, jam xheloz që këtë gjë e ka thënë Vaso Pasha. Dhe ky i fundit nuk është se e ka thënë këtë për të eklipsuar rëndësinë dhe rolin e feve. Jo, ai thjesht i ka bërë leximin e duhur realitetit shqiptar të fundshekullit XIX. Dhe ka menduar pak a shumë kështu (jo vetëm ai, të shumtët e rilindësve tanë kanë menduar në të njëjtën mënyrë):
"Të gjithë kombet ia kanë dalë, ose po ia dalin të krijojnë shtetet e tyre, dhe për këtë bazohen ose/edhe tek një kulturë e përbashkët, ose/edhe tek një gjuhë e përbashkët, ose/edhe tek një histori e përbashkët, ose/edhe tek një fe e përbashkët. Në këtë botë ekziston edhe soji i shqiptarëve, të cilët po njësoj mund të krijojnë shtetin e tyre. Mirëpo në këtë mes ka vështirësi. E vetmja gjë qartazi e përbashkët është gjuha dhe një vetëdije, s'ka gjë se e mjegullt dhe e paqartë, e një identiteti të përbashkët. Mirëpo këtyre përpjekjeve u bëheshin pengesë fetë armike, apo rivale. Të gjithë ata që duan krijimin e shtetit/kombit shqiptar duhet t'i bëjnë llogaritë me këtë pengesë. Pa bërë të mundur këtë yshtje, çdo përpjekje do të ishte e kotë, e tepërt. Nëse shqiptarët do të vënë në plan të parë fetë, kombi/shteti shqiptar nuk do mund të krijohej".
E prandaj, fraza "Feja e shqiptarit është shqiptaria" ishte një mantra shpëtimtare, një "abracadabra" e gjetur për bukuri. Kuptohet, kjo ka logjikë të thuhet, e të besohet, nga ata që janë me idenë se është bërë mirë që është krijuar shteti/kombi shqiptar. Për ata që mendojnë se kjo e fundit ha diskutim (ndonjëherë edhe unë mendoj kështu), deviza "feja e shqiptarit është shqiptaria" mund të ngjajë me një idiotësi.
Kur ju shkrepi në kokë se donit të bënit një shfaqje të tillë?
S'e kam idenë. Di që në një moment i thashë shoqes, me të cilën bashkëjetoj: "E di? Dua të bëj një show. Një one man show". Ajo në fillim shqeu sytë. Por kur ia shpjegova, e sidomos kur i dhashë tekstin e përgatitur për ta lexuar, më "dha ok-in". Madje, më nxiti që ta bëja se s'bën.
"Mapo"