Myftiu Tërnava: Nuk kemi gjak të njomë për të ujitur shkretëtirat e arabëve

”Nuk besoj që shkaqet ekonomike kanë ndikuar qoftë edhe te një person që ta marrë atë rrugë [Sirisë dhe Irakut], kam bindjen se ata janë të mashtruar", thotë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava.

 

Myfti Tërnava, në Kosovë aktualisht janë rreth 135 persona që janë nën hetime, për shkak të dyshimeve për përfshirje në aktivitete terroriste. Në mesin e tyre ka edhe imamë, që dyshohet se kanë nxitur radikalizmin dhe rekrutimin e luftëtarëve në Lindjen e Mesme. Sa është numri i saktë i këtyre imamëve?

Së pari, se ka imamë në mesin e atyre, unë nuk e di, sepse këto janë vetëm disa të dhëna të cilat edhe unë i kam lexuar në shtyp. Mirëpo, nuk kam lexuar që ne mesin e tyre mund të ketë edhe imamë. Megjithatë, edhe kjo është e mundshme që në mesin e tyre të ketë edhe imamë. Por, kjo është punë që e bën shteti, që e bëjnë institucionet e shtetit dhe sigurisht që ato janë të thirrura dhe janë përgjegjëse për këtë që të shihet dhe të sigurojnë siguri brenda për brenda Kosovës, pavarësisht se kush mund të jenë ata.

Çdokush i cili tenton të destabilizojë vendin në çfarëdo mënyre qoftë ajo, edhe në aspektin tjetër fetar, siç kanë filluar tash të përdoren këto shprehjet “ekstremizëm, terrorizëm”…

Edhe ne si Bashkësi Islame, por edhe unë si myfti qëndroj pas asaj që ata njerëz duhet identifikuar dhe ata njerëz duhet që të shohin veprat e tyre të këqija që bëjnë në raport me shtetin dhe me ardhmërinë e vendit tonë dhe sigurinë e vendit tonë.

Bazuar në fenë dhe parimet islame, nuk lejohet assesi, në asnjë mënyrë, në asnjë kohë, asnjëherë që dikush në emër të fesë t’i bëjë keq vetes, t’i bëjë keq vendit të vet, t’i bëjë keq atdheut.

 

Çfarë masash mund të ndërmarrë Bashkësia Islame në këtë drejtim? A keni kontroll mbi imamët, mbi ligjëratat e tyre në xhamitë anekënd Kosovës?

Unë e kam thënë edhe më herët dhe po e ripërsëris edhe një herë se shtypi në Kosovë, ka shkruar shumë herë, dhe ka informuar opinionin për ata që po ndodh, edhe në këtë spektër. Por, unë mund të them më përgjegjësinë e plotë se Bashkësia Islame e Kosovës, ligjëratat të cilat mbahen nëpër xhami, e merr përgjegjësinë si Bashkësi Islame e Kosovës.

Derisa në jetën private të imamëve, nuk është punë e jona, se ku ata shkojnë, çka ata bëjnë pas orarit të punës. Ajo është punë që u takon institucioneve të shtetit. 

 

Është thënë shpesh se janë kushtet ekonomike dhe sociale ato që mund të kenë detyruar një numër të konsiderueshëm të qytetarëve të Kosovës t’ia mësyjnë Sirisë dhe Irakut, për të luftuar krahas Shtetit Islamik. Por, ka edhe të atillë që thonë se në pyetje është një ideologji që shkon përtej kushteve ekonomike dhe sociale. Ju si mendoni?

Unë nuk besoj që shkaqet ekonomike kanë ndikuar qoftë edhe te një person që ta marrë atë rrugë. Unë e kam ketë bindje si myfti i Republikës. Unë kam bindjen se ata janë të mashtruar.

Kanë marrë këtë hap nga injoranca, nga mos dija. Mirëpo, mundet që edhe ata të jenë mercenarë, të paguar me para dhe kanë mësyrë atë rrugë. Rrugë e cila nuk përkon fare, asnjëherë me normat islame. Feja islame, është kundër asaj që po ndodh në Irak, asaj që po ndodh në Siri.

Dhe asnjë dispozitë e islamit, nuk lejon vëlla-vrasjen mes vete. Këto tortura, dhunime, krime që po ndodhin atje janë anti-njerëzore.

Janë anti-natyrës së njeriut, pavarësisht besimit që i takon, a në veçanti besimi islam që është paqe, i cili thërret gjithë herë në bashkëjetesë mes besimeve mes njerëzve, pa dallim ngjyre, pa dallim race, pa dallim gjuhe, pa dallim vendi, ngase islami thërret në bashkëpunim të njerëzve mes veti.

Duke pas para sysh se i madhi Zot thotë: “ O ju njerëz”, pra është fjala pa dallim gjuhe, ngjyre, feje, pa dallim vendi, që të gjithëve “ju kam krijuar nga një mashkull dhe nga një femër”. 

“Ju kam bërë kombe, ju kam bërë fise të ndryshme, që ju të njiheni mes vete, të bashkëpunoni mes vete”, këtu është fjala, e jo të luftohet mes vete.

Sipas islamit, vrasja e një njeriu të pafajshëm është sikur me e vra tërë njerëzimin. Dhe bërja që të jetojë një njeri është sikur të kishe bërë që të jetojë mbarë njerëzimi.

Andaj të gjithë ata të cilët tentojnë që këto që po ndodhin atje t’i identifikojnë me islamin, ata gabojnë dhe nuk e njohin islamin.

Pra, këta janë disa të ashtuquajtur myslimanë, të cilët keqpërdorin, keqinterpretojnë islamin, për interesat e tyre individuale, grupore, klanore, ku ta di unë çfarë. Ekstremizmi, terrorizmi, fundamentalizmi, nuk ka të bëjë me islamin si fe.

Islami është krejt tjetër, kjo që po ndodh atje është krejt tjetër. Sepse, vetë fjala islam do të thotë paqe, lumturi, ardhmëri, progres, prosperitet, gatishmëri për bashkëpunim, mirëqenie. Të gjitha këto i ngërthen në vete fjala islam.

 

Këta persona të cilët kanë shkuar në vatra të luftës, nga kush mendoni se janë mashtruar ose po mashtrohen?

Këtë punë nuk e di. Mirëpo kushdo qofshin ata, kjo është punë e shtetit që duhet ta hulumtojë. Ai i cili ka ndikuar dhe ndikon në shkuarjen dhe humbjen e jetës së një të riu tonë atje, ndaj tij duhet të merren masa, qoftë ai edhe myftiu i Kosovës, qoftë ai edhe imam, qoftë ai edhe kryetar shteti, kryeministër, ministër. Kushdo qoftë, sepse mbi interesin e shtetit dhe të vendit nuk ka asgjë. Këtë duhet ta kuptojmë të gjithë.

 

Shteti, organet e drejtësisë, a po bëjnë sa duhet në ketë drejtim? Përfshirë edhe juve si Bashkësi Islame?

Ne jemi munduar me ato kompetenca që i kemi. Nuk mund të dalim nga lëkura jonë, siç thotë populli. Ne kemi bërë atë që është në kompetencën tonë për ta bërë.

Ndërsa, këto punë nuk janë punë që mund t’i kryejë Bashkësia Islame. Këto janë punë të shtetit.

 

A po i bën shteti këto punë?

Shteti është duke bërë diçka. Mirëpo, jo ajo që pritet të bëhet sa duhet dhe si duhet. Ka mundësi që të bëhet edhe më shumë, të punohet edhe më shumë në ketë drejtim. Për shembull, ne jemi pjesë e Evropës dhe unë besoj që Kosova duhet të marrë edhe modele se si kësaj çështjeje iu kanë qasur edhe shtetet tjera të Evropës, sepse numër i konsiderueshëm i atyre që marrin pjesë në këto luftëra në këto masakra janë nga të gjitha shtete e Evropës, e botës marrë përgjithësisht.

Kemi disa shtete që iu kanë qasur këtij problemi shumë mirë. Për shembull, po e marrim Danimarkën. Danimarka është një shtet në të cilin ata që janë kthyer nga ajo luftë, ka marrë dhe për çdo njërin ka caktuar nga një këshilltar – ta quaj kushtimisht kështu – nga një psikolog që të merret me ta dhe kanë bërë ri-integrimin e tyre në shoqëri.

Kjo është një punë e madhe, është një punë e mirë. Këto hapa duhet ndjekur edhe shtetet e tjera. Sigurisht edhe aprovimi i ligjit në parlamentin e Kosovës, që ata të cilët marrin këtë rrugë i pret edhe dënimi, është një ligj që unë dhe Bashkësia Islame e ka përkrah, sepse ne nuk kemi gjak të njomë që të ujisim shkretëtirat e arabëve.

 

Shkuarja e shtetasve të Kosovës në vatrat e luftës në Siri dhe Irak, a mendoni se mund ta vë në rrezik bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare në Kosovë?

Ne jemi model që duhet ta ndjek bota mbarë sa i përket respektit ndërfetar në mes një kombi, siç është kombi shqiptar. Kushdo që tenton në këtë drejtim, qysh në hapin e parë është i dështuar. 

Bashkësia Islame e Kosovës në këtë drejtim është një portë e hekurt mbi të cilën nuk mund të kalojë askush asnjëherë për të prishur marrëdhëniet ndërfetare, të cilat ekzistojnë jo vetëm në Kosovë, por brenda kombit shqiptar, kudo që ata jetojnë, brenda trojeve tona etnike shqiptare, por edhe në mërgatën e largët.

Ne do të bëjmë të pamundshmen që asnjëherë këto marrëdhënie tona të mira të mos lëkunden, edhe nëse dikush tenton t’i lëkund. Dhe unë jam shumë krenar që deri sot si myfti i Kosovës mund të them se nuk kemi dëgjuar asnjëherë që ne mesin tonë kemi pasur qoftë edhe ndonjë mosmarrëveshje të vogël ndërfetare.

E ajo që po ndodh se po shkojnë atje, e thashë edhe më herët, janë çështje me të cilat duhet të merret shteti. 

 

Ju sapo jeni kthyer nga një konferencë ndërkombëtare të mbajtur në Mekë, për të diskutuar luftën kundër terrorizmit. Cilat janë përfundimet e konference; sfidat me të cilat përballen sot shumë vende në botë?

Lidhja Botërore Islame edhe vitin që shkoi, por edhe në këtë vit, ka pasur këtë konferencë të nivelit botëror, më të njëjtën temë “ Luftimi i Ekstremizmit, Terrorizimit dhe Fundamentalizmit” anekënd botës, kudo që paraqitet ky lloj ekstremizmi apo terrorizimi.

Duke u bërë me dije edhe në konkluzionet e fundit të kësaj konference katër ditore ku morën pjesë afër 100 shtete, u nënvizua mbledhja e tërë potencialit intelektual që ekziston në botën islame, por jo vetëm në botën islame, po kudo qoftë ai për të ndikuar te këta të rinj, të cilët janë mashtruar dhe e kanë keqinterpretuar dhe keqkuptuar islamin.

Duhet ushtruar ndikim tek ata që të largohen nga bindjet e tyre, të largohen edhe nga mashtrimet e mundshme që mund t’ua bëjë dikush, duke potencuar se kjo që po ndodh vërtetë nuk ka të bëjë fare më islamin.

“Europa e Lirë”

SHKARKO APP