Myqerem Tafaj: Nuk heqim dorë nga zgjedhjet e parakohshme

Flet për “Koha Jonë”, deputeti demokrat Myqerem Tafaj: Zgjidhje e arsimit është mbështetja e trajnimit të mësuesve dhe e fakulteteve të mësuesisë

Intervistoi: Redjon Shtylla – 

Ish-ministri i Arsimit dhe njëkohësisht deputet i Partisë Demokratike, Myqerem Tafaj, është prononcuar në lidhje me testimin e mësuesve, duke u shprehur se: “Ne e kemi kundërshtuar testimin, jo sepse jemi kundër masave për rritjen e nivelit profesional të mësuesve, por sepse jemi të bindur që kjo nuk është rruga e zgjidhjes”. Në një intervistë për “Koha Jonë”, z.Tafaj vlerëson punën dhe iniciativën e Ministrisë së Arsimit, por e kundërshton formën e aplikimit, duke theksuar se zgjidhja është mbështetja e trajnimit të mësuesve dhe e fakulteteve të mësuesisë. Më tej deputeti Tafaj është përgjigjur se çfarë ndodhi në mbledhjen e fundit të komisionit,  ku u prezantua projektligji për të drejtën e autorit dhe mbi procesin e detyrës së re, atë të reformës zgjedhore, ku shpreh pikëpamjen se qeveria aktuale erdhi me vota të vjedhura në pushtet edhe pse opozita është për një konsensus, Kryeministri Rama ka frikë nga demokracia. Edhe pse vendi po kalon në procese të vështira për reformimin e institucioneve dhe ri-formulimesh të disa ligjeve kjo për shkak të një ngërçi midis qeverisë dhe opozitës, z.Tafaj ka bërë thirrje se kjo maxhorancë nuk gëzon besimin e qytetarëve për të garantuar zgjedhje të lira dhe rruga e vetme është një qeveri teknike që do të sjellë zgjedhje të parakohshme.

Ministria po teston mësuesit, të cilët në përgjigjet paraprake kanë dalë me probleme dhe mangësi në mësimdhënie, si i komentoni këtë situatë, e cila lidhet me arsimimin e brezave të së ardhmes? A është skema e trajtimeve dhe e kualifikimeve zgjidhja më e duhur për sistemin tonë arsimor?  

Mësuesi është faktori kryesor që përcakton shkallën e suksesit të çdo reforme në arsim dhe cilësinë në çdo nivel të arsimit. Së këtejmi, rritja e nivelit profesional të personelit mësimdhënës është ndoshta sfida më e madhe për rritjen e cilësisë së arsimit. Kjo sfidë është identifikuar prej vitesh dhe vjen për shumë shkaqe. Gjatë periudhës së tranzicionit, profesioni i mësuesit ishte ndër profesionet më të goditura, në mënyrë të veçantë në zonat rurale dhe në qytetet e vogla. Të mos harrojmë se rreth 70 % e shkollave i përkasin këtyre zonave. Pagat e ulëta të mësuesve çuan në largimin nga sistemi arsimor të shumë mësuesve, madje, ndër më të kualifikuarit dhe kalimin e tyre në sektorë të tjerë, në mënyrë të veçantë në administratën publike, që nga komunat deri në ministritë e sektorëve të ndryshëm. Pagat gati qesharake i dekurajuan maturantët me rezultate të larta të ndjekin studimet universitare në drejtimet e mësuesisë. Rritja 2.2 herë e pagave të mësuesve, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, bëri që të rritet edhe interesi i maturantëve më të mirë për të vijuar studimet universitare në degët e mësuesisë. Një tjetër shkak madhor është shkëputja, thuajse totale, e shkollave dhe mësuesve nga fakultetet e mësuesisë, ndërkohë që, vendi ynë kishte një traditë të mirë, prej disa dekadash, të bashkëpunimit të ngushtë midis shkollave dhe fakulteteve të mësuesisë. Tradita e mirë e vendit ka qenë që kualifikimin e vazhduar të mësuesve e realizonin fakultetet e mësuesisë. Nuk mund të them sa të vërteta janë rezultatet e deklaruara nga testimi. Ne e kemi kundërshtuar testimin, jo sepse jemi kundër masave për rritjen e nivelit profesional të mësuesve, por sepse jemi të bindur që kjo nuk është rruga e zgjidhjes. Zgjidhja është mbështetja e trajnimit të mësuesve dhe e fakulteteve të mësuesisë. Reforma e mësuesisë ka filluar që në vitin 2010 dhe përfshinte reformimin e studimeve universitare të mësuesisë dhe të kualifikimit të vazhduar të mësuesve, sipas përvojës së vendeve më të suksesshme në arsim, sidomos Finlanda, si dhe zhvillimin e praktikës njëvjeçare profesionale e të Provimit të Shtetit si profesion i rregulluar, që ka filluar të zbatohet në vitin 2011. Për kualifikimin e vazhduar të mësuesve filloi ngritja e departamenteve të reja, pranë fakulteteve të mësuesisë, që do të organizonin dhe realizonin këtë proces. Ligji i ri i arsimit parauniversitar i vitit 2012 përcaktoi të detyrueshëm trajnimin e përvitshëm të të gjithë mësuesve, për përfitimin e kompetencave të reja si IT, aftësimin për metodat moderne të mësimdhënies, apo aktualizimin e njohurive shkencore në lëndët përkatëse.  Testimi i ndërmarrë nga kjo qeveri nuk është rruga e duhur për rritjen e nivelit profesional të mësuesve. U tha që do të bëhet pa emër dhe mbiemër, pra jo i personalizuar, thjesht për të përcaktuar nevojat për trajnim. Në fakt po bëhet i personalizuar dhe nesër rezultatet e testimit mund të keqpërdoren për vendin e punës, promovimin në funksionet drejtuese në shkollë, apo edhe për qëllime të tjera.

Në mbledhjen e fundit të komisionit, ministrja Kumbaro deklaroi se, kabineti i saj ka dy vite që punon për projektligjin e ri për të “Drejtën e Autorit”. Si e keni parë projektligjin?

Projektligji sapo ka ardhur në Komision. Ne e kundërshtuam si një projektligj etatist dhe që nuk garanton realisht rregullimin e kësaj fushe, e cila është shumë e gjerë dhe me një problematikë serioze, për shkak të piraterisë shumë të përhapur dhe mbrojtjes shumë të dobët të së drejtës së autorit.

Ambasadori  Lu është shprehur se në zgjedhje pamë gangsterë partish. Të mos i shikojmë më! Sa problematik është konstatimi i ambasadorit, mos ndoshta dhe simpatizantë të PD-së gjatë zgjedhjeve të fundit, kanë qenë pjesë e këtij përcaktimi?

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i demokracisë. Kjo maxhorancë mori një vlerësim negativ për zgjedhjet e fundit lokale, për shkak të shkatërrimit të standardit të zgjedhjeve. Për herë të parë, raporti ODIHR citon, e zezë në të bardhë, shitblerjen e votës, dukuri që u faktua qartë në zgjedhjet e kryetarit të Bashkisë Korçë dhe mori përmasa të gjëra në zgjedhjet e fundit lokale. Ambasadori Lu u shpreh kështu, sepse pa nga afër presionin e qeverisë mbi votuesit dhe dukurinë e blerjes së votave nga kjo maxhorancë. Është pozitive që filloi puna për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe që ka një dakortësi nga ana e maxhorancës, se reforma zgjedhore do të bëhet me konsensusin e opozitës. Z.Basha e deklaroi edhe në këtë konferencë, se kjo maxhorancë nuk gëzon besimin e qytetarëve për të garantuar zgjedhje të lira dhe rruga e vetme është një qeveri teknike që do të organizojë zgjedhje të parakohshme.

Populli të votojë me lista të hapura kandidatët“, a është mënyra më e mirë kjo, e propozuar nga z.Meta?

Është vetëm një propozim, i cili duhet të vendoset me konsensus. Ky model ekziston edhe në vende të tjera dhe mund të ishte një opsion. Unë mendoj se më e rëndësishme është përzgjedhja e kandidatëve, të cilët gëzojnë cilësitë dhe aftësitë, për të qenë përfaqësues të denjë të qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo njerëz me të kaluar të errët, siç i solli maxhoranca në Kuvendin e kësaj legjislature. PD zhvilloi një betejë të fortë politike për të bindur maxhorancën për miratimin e ligjit për dekriminalizimin. Dhe ky është një sukses i rëndësishëm i z.Basha dhe i PD-së. Tani që ky ligj u miratua, duhet një vullnet politik për zbatimin e tij. Basha e ka deklaruar se, PD-ja do t’i përmbahet, pikë për pikë, këtij ligji, në përzgjedhjen e kandidatëve për çdo post politik dhe në administratën e saj qeverisëse. Mbetet të shohim nëse PS dhe LSI do të jenë konsekuent në zbatimin e këtij ligji.

Reforma të hartohet nga një qeveri teknike, a është ky kusht i përshtatshëm për vendin tonë dhe për situatat e ndërlikuara që po kalon?

E thashë edhe më sipër, kërkesa e PD-së nënkupton një qeveri teknike, e cila do të ketë vetëm një detyrë: organizimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe garantimin e votës së lirë të qytetarëve.

A është referendumi zgjidhja në kushtet e mos gjetjes së një dakordësie politike për reformën në drejtësi?

Kryetari Basha e ka deklaruar në mënyrë të përsëritur, e deklaroi edhe në mbledhjen e së mërkurës, se PD-ja mbështet plotësisht reformën në drejtësi, mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe i bëri një ftesë publike Kryeministrit Rama për të pranuar konsensusin për këtë reformë.

Basha deklaroi në protestën e fundit se do të mbështesë qytetarët dhe do të riniste protestat që në ditët e para të këtij muaji. A mund të kemi një përgjigje se a do t’i rinisë PD-ja protestat?

Protesta e 8 Dhjetorit tregoi qartë se shumica e qytetarëve janë të bindur që kjo maxhorancë ka dështuar në të gjitha premtimet e saj. Prandaj, qytetarët kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Basha e deklaroi se PD-ja do udhëheq dhe po udhëheq protestat e qytetarëve, në Tiranë dhe çdo qytet apo rreth të vendit. Protestat po shtohen çdo ditë, sepse të gjitha shtresat e shoqërisë janë të prekura nga rritja e shpejtë e papunësisë dhe varfërisë, nga shtrenjtimi i jetesës, nga korrupsioni galopant dhe keqqeverisja e kësaj maxhorance, si dhe nga mungesa e shpresës. Mjafton të kujtojmë këtu valën më të re të eksodit masiv të shqiptarëve, sidomos të të rinjve, drejt Europës, që përbën një rrezik real për të ardhmen e vendit.

SHKARKO APP