Nard Ndoka: Kuvendi është kthyer në një garnizon ushtarak

 

Flet për "Koha Jonë" Kryetar i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka në lidhje me protestat e PD-së dhe dekorimin e persekutonit të At’ Zef Pëllumbit

Intervistoi: Redjon Shtylla

Kryetari i Partisë Demokristiane në Kuvend, Nard Ndoka shpreh qëndrimet në lidhje me zhvillimet e fundit në vendin tonë. Në intervistën dhënë për “Koha Jonë”, Ndoka komenton dhe protestën e PD-së. “Protesta ka sens, kur qytetarët e kërkojnë opozitën në shesh, por jo kur opozita i kërkon qytetarët në shesh për të rrëzuar qeverinë",- u shpreh Ndoka. Sipas tij, protesta kaloi me maturi nga klasa politike dhe qytetarët protestuan pa "revolucion". Në seancën e fundit plenare, deputeti Ndoka akuzoi Ramën për dekorimin që ju bë persekutonit të At’ Zef Pëllumit, i cili shpreh edhe një herë qëndrimin e tij të fortë, duke shtuar se: "Do organizoj dhe thërras për një reagim më të fortë, parti të tjera, shoqata, grupe shoqërore, individë të ndryshëm, duke e detyruar Kryeministrin që të tërhiqet nga ky akt edhe me pahir".

Partia Demokratike protestoi për rrëzimin e qeverisë aktuale. Pse në Shqipëri pas çdo 2 vitesh nisin protestat që kërkojnë rrëzimin e qeverisë?

Protestat janë një reagim qytetar dhe politik, ku opozita teston veten dhe realitetin aktual politik, se sa thellë ndjehen plagët e reformave dhe masave shtrënguese të qeverisë, ndaj biznesit, grupeve të interesit dhe shtresave në nevojë. Protesta ka sens, kur qytetarët e kërkojnë opozitën në shesh, por jo kur opozita i kërkon qytetarët në shesh për të rrëzuar qeverinë. Gjithsesi, nuk mund dhe nuk duhet të ketë më 21 Janar, por protesta demokratike, paqësore, për t’i kujtuar qeverisë premtimet e saja dhe për ta penguar atë në vazhdën e gabimeve të saj. Një shoqëri që nuk reagon, që nuk proteston, që nuk organizohet e meriton ta qeverisë një qeveri e keqe. Për fatin e keq nuk është krijuar një kulturë reagimi qytetar për çdo padrejtësi dhe në çdo kohë. Ne durojmë e durojmë pa fund, pastaj shpërthejmë deri në luftë. Shpresoj që protesta e djeshme të jetë kaluar me një maturi të klasës politike dhe të qytetarëve në mënyrën e të protestuari pa "revolucion".

Në protestën e djeshme u përfshinë elementë si dhuna dhe shkatërrimi i ambienteve institucioneve dhe shkatërrim i bunkerit pranë Ministrisë së Brendshme, a ishin normale sipas jush këto akte?

Dhuna është e papranueshme, por protesta është mjet demokratik, qytetarët protestojnë, por edhe shfryjnë dufin dhe zemërimin e akumuluar nga keq qeverisja. Prishja e bunkerit nuk konsiderohet akt dhune, por çlirim dhe pastrim i ambienteve publike nga emblema të diktaturës. Një ministër trim si Tahiri, duhet të qëndronte në bunker për ta mbrojtur.

Keni kërkuar tërheqjen e dekorimit të persekutonit të At’ Zef Pëllumbit, duke e cilësuar si një akt i gabuar, i turpshëm dhe provokues. Pse keni arritur në këto rezultate dhe çfarë prisni në ditët në vazhdim?

 Dekorimi i persekutonit është një akt që duhet të tërhiqet nga propozuesit ose të zhbëhet nga Kryeministri. Heshtja e Kryeministrit ndaj këtij akti e bën atë dyfish përgjegjës dhe fajtor. Nëse Kryeministri nuk tërhiqet nga ky dekorim, unë si deputet dhe kryetar i Partisë Demokristiane do të radikalizoj qëndrimet e mija politike, por do organizoj dhe thërras për një reagim më të fortë, parti të tjera, shoqata, grupe shoqërore, individë të ndryshëm, duke e detyruar Kryeministrin që të tërhiqet nga ky akt edhe me pahir.

Z.Ndoka ju jeni në listën e deputetëve që nuk jeni në Kuvend, falë një grupi parlamentar, si një deputet i pavarur si e shihni gjendjen aktuale të PD-së, PS-së dhe LSI-së në poltronat e Kuvendit?

Për fat të keq, Kuvendi është kthyer në një garnizon ushtarak dhe grupet parlamentare si toga në rresht. Mungon debati politik, i cili është zëvendësuar me sharje dhe luftë, mungojnë idetë dhe nismat, mungojnë alternativat politike, por ka toga deputetësh që përsërisin të njëjtat gjëra duke kopjuar kryetarët e tyre. Unë jam jashtë grupeve parlamentare, deputet i pavarur në Kuvend dhe përfaqësues i alternativës Kristiane. Kuptohet, se kam shumë më tepër liri në mendim dhe vendimmarrje, se kolegët e mi që renditen në rreshtin e grupeve të partive.

Në thelb partia juaj është ngritur mbi vlera fetare. Si i shihni rreziqet që vijnë nga terroristët dhe luftën kundër refugjatëve. Shqipëria si po përballet me këto dy çështje që janë me rëndësi?

Partia Demokristiane e Shqipërisë nuk është krijuar mbi baza të besimit fetar, por mbi vlera të alternativës Demokristiane Europiane. Jemi pjesë e partive Kristiandemokrate Europiane dhe promovojmë të njëjtat vlera politike dhe programore si ato. Terrorizmi aktual është një luftë midis krimit dhe lirisë universale, jo një luftë midis kulturave apo besimeve fetare. Asnjë besim fetar nuk predikon dhunë, por grupet terroriste po manipulojnë duke kryer akte terrorizmi duke përhapur panik dhe duke dëmtuar lirinë tashmë të fituar dhe të pazëvendësueshme në asnjë rrethanë.

Nisur nga qëndrimet tuaja, cilat nga nismat e maxhorancës kanë dështuar në mënyrën se si janë realizuar?

Qeveria është përpjekur të marrë disa masa shtrënguese në zbatim të ligjit, ndërtimeve pa leje, pagesat e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm, si dhe informalitetit. Unë jam dakord dhe e mbështes qeverinë në këtë sipërmarrje, por nuk jam dakord me mënyrën se si qeveria dhe institucionet kanë vepruar. Duke terrorizuar biznesin dhe qytetarët, duke i penalizuar ato, pa krijuar më parë një besim dhe ndërgjegjësim për masat shtrënguese. Kemi parë një qeveri, agresive, të palogjikshme në të shumtën e rasteve duke krijuar një hendek mosbesimi me taksa paguesit dhe qytetarët në tërësi. Kjo qeveri ka nevojë për reflektim ose duhet të largohet, unë kam qenë dhe do të vazhdoj të jem një zë oponent në Kuvend dhe në opinion.

A janë partitë e vogla alternativa të duhura dhe të përgatitura, për një qeverisje të vendit, sikurse ju keni deklaruar se populli është i zhgënjyer nga të dyja forcat?

Dy forcat politike kanë vite që zhvillojnë një luftë të egër politike, duke cenuar qeverisjen, cilësinë e saj, duke dëmtuar institucionet e shtetit, duke dëmtuar imazhin e vendit dhe duke rritur në nivele alarmante nivelin e korrupsionit qeveritar. Prezenca edhe e alternativave të tjera politike është një garanci e madhe institucionale, që garanton një kontroll me të madh parlamentar dhe qeverisës, që garanton institucione më të forta dhe më të sigurta. Prezenca e disa alternative zbut dhe pengon përplasjet dhe luftën politike, garanton qeverisje më cilësore dhe gjithë përfshirëse, garanton ekuilibra qeverisës dhe respektim maksimal të shtetit ligjor. Pluralizmi politik merr vlerë dhe fuqi në mbrojtje të sistemit që në promovojmë, kur ka më shumë se dy ose tre parti politike.

SHKARKO APP