Nard Ndoka: Reshjet “përmbytën” qeverinë në Tiranë
Kreu i PDK-së, flet për “Koha Jonë” lidhur me situatën e fundit politike në vend
Nard Ndoka ka qenë ministër i Shëndetësisë gjatë mandatit të parë të qeverisjes së djathtë, e më pas ai kaloi në opozitë. Aktualisht, është kryetari i Partisë Demokristiane dhe në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, flet lidhur me situatën më të fundit politike në vend, protestat e mjekëve, si edhe përmbytjet e ndodhura në jug të Shqipërisë…
Intervistoi: Sidorela Lepuri
Si ish-ministër i Shëndetësisë, çfarë mendoni për protestën e mjekëve?
Protesta e mjekëve është një e drejtë e tyre legjitime, por në këtë rast e provokuar nga qëndrimet dhe vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë. Ministri Beqja po vazhdon të provokojë dhe të ushtrojë presion ndaj bluzave të bardha me forma të ndryshme dhe aspak serioze. Nisma e fundit për testimin e mjekëve nuk është reformë, por një masë shantazhuese dhe diskriminuese. Reforma ka një logjikë dhe një kuadër ligjor, sistemi shëndetësor ka një strategji kombëtare të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2007. Reformë, e cila është zbatuar nga të gjithë ministrat e shëndetësisë, ndërsa Beqja kërkon të “rilindë” sistemin shëndetësor duke hedhur poshtë ligjin, standardet e vendosura, sistemin e referimit, akreditimin dhe karrierën profesionale të çdo mjeku. Të marrësh vendime të pakonsultuara dhe të panevojshme, krijon konfuzion në sistem, pasiguri dhe presion tek mjekët. Ndaj reagimi i mjekëve, protesta e tyre dhe kundërshtimi i të gjithë specialistave ndaj kësaj mase shtrënguese dhe diskriminuese ka qenë i drejtë.
A ju duket e drejtë testimi i tyre?
Testimi i mjekëve nuk ka sens, nuk është parashikuar një gjë e tillë në ligj dhe nuk ka ndodhur asnjëherë. Vendimet e ngjarjet e fundit janë ofenduese e diskriminuese për personelin mjekesor.
Një testim i pa igjshëm, arbitrar kërkon të krijojë terror mbi ata.
Eshtëmbi vazhdën e politikave të gabuara dhe klienteliste sektoriale të sistemit shëndetësor, që veçse po përkeqësojnë gjendjen çdo ditë e më tepër duke vazhduar me demagogji pa fund. Korupsioni ekzistues nuk luftohet duke denigruar personelin mjekësor, ai luftohet duke ndryshuar format manaxheriale të sitemit, financuar denjësisht atë, duke vazhduar rritjen e pagave të personelit shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë konfirmon fillimin e një procesi të tillë “testimi”, denigrues dhe të jashtëligjshëm.
Ata që nuk do ta “fitojnë” këtë “provim”, do të humbin vendin e punës. Kjo iniciativë nuk është e bazuar në ligj, apo në praktikën ndërkombëtare. “Testimet” e tilla tingëllojnë abuzive, jo profesionale dhe bien ndesh me të drejtat e profesionistëve dhe të njeriut. Personeli ynëshëndetësor provohet dhe testohet në procesin e diplomimit, në provimin e shtetit, nëpërmjet edukimit të vazhdueshëm, akreditimit, konkurseve, referimit, pjesëmarrjes në aktivitete profesionale kombëtare dhe rajonale etj.
Moti i keq i ditëve të fundit ka shkaktuar përmbytje në pjesën më të madhe të vendit, dëmet e së cilave duken të parikuperueshme. Këto përmbytje u shkaktuan nga natyra apo mendoni se qeverisja me anë të ndërhyrjes së saj mund t’i kishte evituar?
Përmbytje ndodhin në të gjithë botën, natyra tregohet e ashpër dhe kësaj radhe në jug të vendit. Qeveria ka për detyrë që së pari, të merrte të gjitha masat për ta parandaluar sa të jetë e mundur, duke ndërtuar diga, argjinatura, ura, hapur dhe pastruar kanale kulluese etj. Qeveria aktuale nuk ka bërë asnjërën nga këto, përkundrazi, në raport me qeveritë e mëparshme e ka ulur ndjeshëm financimin në këtë fushë. Së dyti, qeveria duhej të ishte në terren, të shpallte gjendjen e emergjencës, të bashkëpunonte ngushtë me pushtetin lokal dhe të gjitha institucionet. Shiu që ra përmbyti jugun e Shqipërisë, por edhe qeverinë në Tiranë. Qytetarët vërejtën një qeveri demagogjike që tallej me ta, që fajësonte opozitën dhe jepte deklarata me kollare dhe në majë të kodrës me lumin ne sfond. Reagimi i qeverisë ndaj përmbytjes ishte tregues, se kjo qeveri nuk është e aftë tui japë zgjidhje problemeve, por është vetë problemi.
Në cilët sektorë duhej të ishte ndërhyrë për t’u paraprirë përmbytjeve, apo qoftë edhe për t’i minimizuar sadopak?
Sektorët që duhet të ndërhyhet janë shumë, por kryesori është vetë qeveria. U vërejt pa aftësi, papërgjegjshëri dhe demagogji totale, si nga kryeministri, ashtu edhe nga të tjerët poshtë tij. Financimi i sistemit të kullimit, kanaleve, argjinaturave, disiplinimi i shtrateve të lumenjve, si dhe një vëmendje e madhe ndaj këtij fenomeni, duhej të ishte puna e duhur. Qeveria uli financimin dhe vazhdonte të akuzonte qeveritë e mëparshme për mungesë financimi, tallej me qytetarët duke deklaruar, se sikur “rilindja” mos të kishte pastruar disa kanale, përmbytja do të ishte katastrofale.
Po afrojnë zgjedhjet lokale, partia juaj do të jetë pjesë e ndonjë koalicioni apo do të marrë pjesë e vetme në këto zgjedhje?
Ne jemi pjesë e koalicionit opozitar, por akoma nuk ka kontakte me Partinë Demokratike për formën dhe mënyrën e daljes në këto zgjedhje. Partia Demokristiane e Shqipërisë ka filluar procesin e përcaktimit të kandidaturave për kryetar bashkie dhe këshilltar bashkiak. Dëshira dhe interesi jonë si parti politike është testimi, të vetëm në këto zgjedhje, por nisur nga Kodi Zgjedhor dhe forma e këtyre zgjedhjeve na detyron të shkojmë si pjesë e një koalicioni.
Sa të suksesshme do ta cilësonit qeverisjen e koalicionit të majtë?
Megjithë dashamirësinë që mund të tregoj, është vështirë të gjesh një reformë të sukseshme të kësaj mazhorance të majtë. Kjo qeveri ka tentuar të zbatojë ligjin në mënyrë të dhunshme dhe me masa shtrënguese duke traumatizuar qytetarët e saj. Situata ekonomike është shumë e rëndë, mjerimi dhe varfëria po rritet çdo ditë, bizneset po falimentojnë dhe shumë të tjerë po largohen nga vendi. E vetmja arritje e kësaj mazhorance është se shoku Edi dhe shoku Ilir, po shkojnë shumë mirë së bashku.
Sipas këndvështrimit tuaj, që prej ardhjes në pushtet të koalicionit të majtë, cilave fushave duhej t’u kishin dhënë prioritet më shumë në raport me fushat e tjera?
Problemet janë madhore në të gjitha fushat, kudo duhet të ndërhyhet, kudo duhet të ndjehet dora e shtetit. Infrastruktura duhej të ishte prioritet i kësaj mazhorace sepse një investim në rrugë e kthen investimin 1 me 8 në ekonomi, impakti është i menjëhershëm dhe këtë e realizoi Berisha në qeverisjen e tij. Mazhoranca aktuale beri të kundërtën, nuk po financon asnjë rrugë dhe ka bllokuar edhe vazhdimësinë e investimeve të nisura. Aktualisht, po financon sheshe qytetesh duke i “rilindur” dhe duke i bërë lekët e taksapaguesve ‘përshesh’ dhe ‘palma’. Sistemi shëndetësor falas është një demagogji e madhe, një turp i madh. Duhej të kishte një financim më të madh, jo për ta ofruar falas se kjo mbetet një ëndërr “rilindase” ndër shekuj, por për ta përmirësuar sistemin shëndetësor dhe shërbimet ndaj pacientëve. Financimi i sistemit shëndetësor aktulisht është më i ulëti i këtyre dhjetë viteve të fundit. Bujqësia duhej të ishte në vëmendjen e qeverisë, financim për nxitje prodhimi, në bujqësi, blegtori, pemtari etj. Çfarë kemi? Nënfinancim! Qeveria nuk ka financuar aty ku duhet, por aty ku impakti demagogjik është më i lartë.
A besoni se në përbërjen e parlamentit aktual ka elementë të kriminalizuar?
Kodi Zgjedhor aktual, politika konfliktuale, mungesa e konsensusit politik, kanë prodhuar një parlament që ka një përbërje ndryshe nga herët e tjera. Në parlament ka deputetë të kriminalizuar, problematikë për sot dhe për të ardhmen. Ky parlament ka deputetë që janë marrë me drogë, prostitucion, vjedhje, deri edhe në krime (vrasje). Të vjen turp kur mendon, që ky fenomen është një realitet dhe që ti je pjesë e këtij realiteti mizor. Dy rrugë ka, pastrimi i politikës nga ky fenomen, ose largimi me dorëheqje, në të kundërt të gjithë po bëhemi pis.
Duke bërë një paralelizëm mes qeverisjes së majtë në këto dy vite dhe qeverisjes së djathtë në dy vitet e para të qeverisjes së saj, cila prej tyre mendoni se ka qenë më e frytshme dhe efektive?
Nuk mund të krahasohet, ndryshimi është aq i madh dhe i dukshëm, sa edhe treguesit zë për zë. Qeveria e djathtë luftoi dhe vuri para drejtësisë të gjitha bandat, sot qeveria e majtë bandat i ka kthyer në parlament, institucione, polici dhe gjithandej. Qeverisja e djathtë ulje taksash, e majta rritje. Qeveria e djathtë ndërtim infrastrukture, rrugë, ujësjellsa, shkolla, spitale, qëndra shëndetësore (vetëm kur unë kam drejtuar ministrinë e Shëndetësisë janë ndërtuar dy spitale moderne, QSUT e Kavajë dhe 380 qendra shëndetësore), qeverisja e majtë ka mbjellë palma në rrugë dhe pemë në QSUT! Qeverisja e djathtë ka ndërmarrë një sërë reformash dhe ka miratuar strategji kombëtare, në drejtësi, arsim, shëndetësi, bujqësi, ambient, transport, ekonomi etj, qeverisja e majtë vetëm masa shtrënguese, gjoba, bllokim mjeteve të transportit, bllokim ndërtimit, burg për të gjithë, tritol ndërtimeve me leje dhe pa leje, masa shtrënguese për nëpunësit civilë, për sistemin e drejtësisë, për mjekët etj. Me pak fjalë, krahaso ditën me natën!
Së fundmi u arrestua kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika për një vepër penale që organi i akuzës pretendon se e ka kryer gjatë qeverisjes së djathtë. A është ky një tregues se në qeverisjen e majtë po vendoset shteti ligjor?
Ky është një sinjal për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga mazhoranca, që mund të penalizohen, shantazhohen, dhe dhunohen sa herë që pushteti reagon ashpër ndaj tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë apo me interferime. Rasti i Gjikës nuk është i vetmi, po jetojmë në kohë të vështira. Kryeministri na ka paralajmëruar të gjithëve: “Nuk keni parë gjë akoma”! Ai po e mban këtë premtim, që e ka thënë në Kuvend për të gjithë ne.