Ndriçim Kulla dëshmon mbi raportet e Ismail Kadaresë me Enver Hoxhën
Pjesë e kolanës së veprave të shkruar për Ismail Kadarenë është edhe libri i studiuesit dhe publicistit Ndriçim Kulla, “Ylli i Shkrimtarit”. Kjo qasje rreket të na ballafaqojë me disa të vërteta të panjohura rreth Kadaresë që nga koha e diktaturës e sot.
I lindur në Gjirokastër në një familje me tradita, që i jepte krahë fantazisë, me një lidhje të përfolura fisnore me ish-diktatorin Enver Hoxha, për të cilën nuk flisnin të dyja palët, me një gjeni krijuese që do spikaste shumë herët, Kadare do të “shkruante” librin e jetës së tij si askush tjetër. Ai na zbulohet përmes biografisë voluminoze “Ylli i shkrimtarit”, me autor studiuesin Kulla. Një nga momentet më të rëndësishme të këtij libri është raporti i tij me diktatorin Enver Hoxha, disidenca e përfolur dhe mjaftë e debatuar e Ismail Kadaresë, fëmijëria e tij dhe ndikimi i kësaj periudhe në veprat e tij të famshme, qyteti i lindjes, Gjirokastra si dhe jeta e tij nën diktaturë.
Kur lexuesi merr në dorë një biografi të Ismail Kadaresë, ai mendon se bëhet fjalë ose për një libër që i thur lavde shkrimtarit, ose për një libër ku ai anatemohet. Në cilën anë e gjen veten ky botim?
Ky libër, mendoj, nuk i përket asnjërit prej këtyre llojeve. Për Kadarenë është shkruar shumë në të dy mënyrat, kështu që tjetër libër i tillë nuk do të sillte ndonjë gjë të re. Unë e di se shumë lexues do të kërkojnë që në parathënie të gjejnë se nga anon autori i librit, pra për të parë çfarë është ai: ithtar i Kadaresë apo kundërshtar i tij. Si biograf unë nuk mund t’ia lejoj vetes një qëndrim të tillë. Kjo do të thotë se libri duhet shkruar në atë mënyrë që të ndihet se ka marrë në konsideratë argumentet pro dhe kundër Kadaresë, si akuzat e kundërshtarëve të tij, ashtu dhe përgjigjet e këtij të fundit. Gjithsesi, unë si shkrues i këtij libri jam i vetëdijshëm se në rastin e shkrimtarit ka një tjetër gjykues suprem që është koha. Këtij gjykimi suprem do t’i nënshtrohet edhe libri im “Ylli i shkrimtarit”. Gjatë gjithë këtij libri unë jam munduar ta kem ndërmend edhe këtë gjykatë supreme që është koha.
Për Kadarenë janë shkruar libra nga shumë të huaj, spanjollë, francezë, holandezë, anglezë (kjo e fundit nga Peter Morgan, botim i Oksford-it), por jo nga shqiptarë. A është ky një avantazh?
Për këto libra të shkruar nga të huajt duhet thënë se ato kanë të gjitha dy të meta serioze të përbashkëta, për të huajt që shkruajnë për Shqipërinë e kohës së komunizmit. Duke mos qenë njohës të gjuhës shqipe, autorët e këtyre librave nuk kanë mundur të shfrytëzojnë shumë hollësi nga ato që janë shkruar për shkrimtarin në atë kohë. E meta tjetër është se autorëve të këtyre librave u mungon njohja e plotë e atmosferës në të cilën ndodhnin gjërat për të cilat ata shkruajnë dhe që nuk mund ta kuptojë një njeri që nuk ka jetuar në Shqipërinë e asaj kohe, sado studiues i aftë që të jetë. Por unë kam pasur dhe një avantazh tjetër. Avantazhin tim të veçantë personal. E kam ndjekur Kadarenë në të gjitha veprat e tij si lexues, në të gjitha fazat e moshës time, duke filluar që nga fëminia ime, kur lexova për herë të parë poemën e tij për fëmijë “Princesha Argjiro”. Madje, në këtë drejtim kam krijuar kalendarin tim në lidhje me ato që mendoja se mund të shkruaja për shkrimtarin. Duke gjykuar për të qenë më objektiv nuk u përfshiva kurrë në debatet që u bënë mbi Kadarenë në këto 26 vjet, pro ose kundra tij, por i kam ndjekur sistematikisht me një ndjeshmëri të lartë, duke u përpjekur të fitoj asnjë gjykim sa më racional mbi to.
- Po për autorët shqiptarë?
Përsa u përket autorëve shqiptarë, me thënë të drejtën, e kam pritur që ta shkruajnë më së shumti kundërshtarët se sa ithtarët e tij, sepse kundërshtarët me këmbëngulje të palodhur ia kanë shqyrtuar jetën me mikroskop, kështu që duhej pritur që ndonjëri prej tyre t’ i përmblidhte në një libër të gjitha “zbulimet” e bëra. Ndërsa për ata qe mund të thonë se është dhënë që në fillim një shenjë sesi do të jetë ky libër, shpresoj që të zhgënjehen pas leximit të tij. Ky libër nuk është një apologji për Kadarenë. Madje, një nga gjërat që nuk është anashkaluar është pikërisht këndvështrimi i kundërshtarëve. Shprehimisht çështja qëndron kështu: Kadare kishte mundësi të zgjidhte midis të qenit një shkrimtar disident dhe të qenit një shkrimtar siç do t’ i pëlqente regjimit komunist. Me fjalë të tjera të zgjidhte midis “kurorës me gjemba” dhe “kurorës me dafina” të shkrimtarit zyrtar. Vetë shkrimtari ka pohuar se nuk ka mbajtur asnjërën prej tyre. Po të flitet për kurorë, ai ka mbajtur një kurorë të tretë, atë të artit.
- Njëra nga pikat më të debatueshme të jetës dhe veprës së Kadaresë është disidenca e tij? Si trajtohet ky problem në biografinë shkrimtarit?
Diskutimi për disidencën ose jo të Kadaresë vazhdon jo vetëm në Shqipëri, por edhe në planin ndërkombëtar, kryesisht në rrethe majtiste. Për opinionin e gjerë publik shqiptar ai ka qenë disident në mos me akte publike, që ishin të pamundura në Shqipëri, me shumicën e veprave të tij. A nuk është një vepër thellësisht disidente “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, poemthi “Laokonti”? Nuk do të thotë të mbash anën e Kadaresë që ta konstatosh faktin se kundërshtarët e shkrimtarit janë një minorancë në Shqipëri dhe më gjerë në krahasim me ithtarët e tij. Edhe kundërshtarët e shkrimtarit e pranojnë këtë gjë si nën zë dhe ia lenë fajin për këtë të ashtuquajturit glorifikim të Kadaresë që nga koha e regjimit komunist. Natyrisht se, me këtë tezë nuk mund të shpjegohet vlerësimi për Kadarenë në botë. Në shtypin anglosakson sidomos ka një qëndrim të përhapur që shkon edhe më larg, duke e shtruar çështjen se disident ose jo, Kadareja është ai që është, një nga më të mëdhenjtë shkrimtarë të kohës dhe, si i tillë, s’ ka nevojë për klishetë e lartpërmendura. Cila është e vërteta? Kjo është një prej pyetjeve që unë jam munduar t’i jap përgjigje në këtë libër. Disa gjëra janë të pamohueshme dhe s’ mund të anashkalohen në asnjë biografi të Kadaresë. Ky shkrimtar është ai që është kritikuar më tepër se cilido shkrimtar tjetër në Shqipëri në kohën e komunizmit. Kritikat për të zënë fill që nga mosha shtatëmbëdhjetëvjeçare. Një gjë tjetër është e pamohueshme për atë që studion dokumentet: Këmbëngulja e këtij shkrimtari për të vazhduar të bëjë po ato “gabime” për të cilat është kritikuar. Këto janë fakte. Kur një biograf i pasqyron ato në librin e tij, nuk do të thotë se ai është pro Kadaresë. Do të thotë thjesht se ai i vendos faktet në bazë të librit të vet.
- Megjithëse në këtë libër janë trajtuar shumë çështje të jetës së shkrimtarit, që nuk kanë të bëjnë me raportin e tij me Enver Hoxhën, për nga pesha që ka kjo marrëdhënie në ecurinë e jetës së shkrimtarit. Boshti i librit duhet të jetë raporti shkrimtar-diktator. A mund të na e shpjegoni këndvështrimin tuaj mbi këtë?
Ndryshe nga shumë shkrimtarë të shquar rusë, të cilët ishin shkrimtarë disi të njohur që para se Stalini, madje edhe Lenini të vinin në pushtet, Kadareja, për shkaqe natyrore (koha kur lindi), nisi të shkruajë dhe të botojë në kohën kur Enver Hoxha ishte ndërkaq në fuqi. Por edhe pas rënies së regjimit komunist, kur duhej menduar se jeta dhe vepra e shkrimtarit do të çlirohej më në fund nga komplikimi që i kishte sjellë diktatori komunist, ka ndodhur një fenomen i çuditshëm. Kundërshtarët e shkrimtarit çuditërisht u bënë aleatë me diktatorin e vdekur duke e tërhequr, nuk mund të them pa sukses, shkrimtarin në kurthin e të harxhuarit të pjesës më të madhe të kohës së tij dhe të shkrimeve të tija, për të shpjeguar pozicionin e vet. Ishte kjo një mënyrë shumë djallëzore për të përjetësuar praninë imponuese të diktatorit në jetën dhe veprën e shkrimtarit. Pa dyshim, diktatori do të ishte një nga temat e rëndësishme të rrëfimeve të Kadaresë në intervistat dhe veprën e tij letrare, por kundërshtarët e shkrimtarit ia dolën që ta kushtëzojnë angazhimin e shkrimtarit në liri duke i marrë atij një pjesë të kohës që mund të ishte përdorur për vepra të tjera. Me pak fjalë ia dolën të gjenerojnë diktaturën për shkrimtarin.
Por megjithatë loja e kundërshtarëve të Kadaresë u kthye në boomerang për ta, se ata u bënë shkak njëfarësoj që diktatori komunist Enver Hoxha të zinte më shumë vend në veprën e Kadaresë pas vitit 1990 se në atë para vitit 1990. Kjo është një temë që kundërshtarët e shkrimtarit nuk duan ta prekin se e ndjejnë se në ç’ konkluzione mund të çojë.
- Ç’mendon autori i “Ylli i Shkrimtarit” për vlerësimin e Ismail Kadare me çmimin “Nobel”?
Juria e çmimit “Nobel” duhet të ketë një ndjenjë faji ndaj Kadaresë që ky shkrimtar është ndëshkuar prej saj me pa të drejtë për shkak të angazhimit të tij për një çështje të drejtë dhe thellësisht humanitare si ajo e Kosovës. Që nga çasti që Kadare nisi të shkruajë dhe të botojë, ai, ndërsa jetonte në diktaturë, ka parë se si çmimin “Nobel” në letërsi e kanë fituar shumë shkrimtarë, të cilët duke jetuar në vende të lira refuzuan lirinë dhe u bërë himnizues të totalitarizmit me veprën e tyre. Mes tyre kishte jo pak shkrimtarë komunistë, madje stalinistë. Refuzimi i lirisë ishte një zgjedhje e tyre e lirë. Ndërsa Kadare, i cili jetonte në diktaturë, nuk pati mundësi të zgjidhte lirisht nëse do të jetonte në liri apo në tirani. Ai refuzoi tiraninë dhe kërkoi lirinë, me aq sa ishte e mundur për një shkrimtar që jetonte në diktaturë. Akordimi i “Nobel”-it për Kadarenë do të ishte një gjest emancipues për vetë jurinë e “Nobel”-it, e cila me këtë do të çlirohej nga prangat e refuzuesve të lirisë që i ka vënë vetes, duke i nderuar ata me shumicë me çmimin e lartë. Unë besoj shumë se kam shkruar biografinë e një nobelisti të ardhshëm dhe se kjo gjë do të vërtetohet në vitet që do të vijnë. Megjithatë si do që të ndodhë, Kadare mund të qëndrojë shumë mirë edhe në grupin e atyre shkrimtarëve të mëdhenj që nuk e morën kurrë çmimin “Nobel”, siç ishte Leon Tolstoi, por dhe shumë të tjerë gjenial, aq më shumë kur tashmë është bërë e dukshme se, mjaft çmime të tilla që janë dhënë nga kjo juri janë larg, shumë larg kalibrit letrar të Ismail Kadaresë.
Intervistoi: Albert Vataj