“Ne ballkanasit dimë mirë vetëm si të zihemi”
Intervistoi Ben Andoni
Jovan Nikolaidis: Ne ballkanasit dimë mirë vetëm si të zihemi
Ju shquheni për një shikim interesant të Ballkanit. A është ky gadishull burim i vërtetë ushqimi, që do t’ia kishte zili çdo shkrimtar?
“Absolutisht! Në këtë botë të ngopur me gjithëfarë lloj ofertash konsumizmi, e përmbytur me oferta t’pafundme për çdo gjë, ushqime sintetike dhe pije, ku ekstrakti i një fryti reklamohet si një avantazh i dorës së parë, ndërsa ushqimi organik si të ishte suksesi i zbulimit të Amerikës, apo kur në SHBA dhe në Evropë fara të modifikuara gjenetikisht janë tashmë standarde të mbrojtura me ligj në prodhimin e ushqimit, ku kemi një të vërtetë virtuale më shumë se atë syresh që është lakuriq, dhe ku informacioni është duke u bërë më i rëndësishëm se sa vetë lutjet te Perëndia për shëndetin, ne, në Ballkan, jemi gjithsesi rehat me veten, pasi në të gjithë këtë botë të tjetërsuar tregojmë atë që ata e kanë harruar: pra, jeta s’është vetëm dhuratë e Perëndisë, por edhe forma më e madhe e lirisë. Dhe, në këtë të vetmen liri, ne pajtohemi të jemi skllevër. Liritë tona janë të shfrenuara, të egra, anipse ato flasin për përparësitë e përgjithshme të Ballkanit mbi vdekjen e gëzimeve të vërteta të botës prej Perëndimit. Ne do zihemi me njëri-tjetrin, ngandonjëherë edhe duke ia vendosur thikën në fyt, ne bërtasim dhe mallkojmë, fshijmë hundën me mëngë, hamë me gishta (sepse mu atëherë ajo gjellë është më e shijshme!), ndodh që në zemërim e sipër vrasim dhe të afërmin, djegim sanën e fqinjit, por, sak në momentin tjetër, do qajmë sepse u treguam të ashpër ose do të përqafojmë vëllamët krejt në hidhërim pse atij i lëshuam at’ fjalën e keqe. Askush tjetër në botë nuk mund të urrehet aq shumë, e as fal aq shumë, sa ne ballkanasit. Ne jemi ekstremi i ekstremeve. Ky është hapi i parë i epërsisë së Ballkanit në lidhje me standardet strikte, rregullat dhe mënyrën sesi jeton Perëndimi. Njeriu do t’ishte zog në qoftë se do mund të fluturonte. Popujt e Ballkanit mendojnë se janë të aftë për të fluturuar. Ndaj ndodh që humbjet e tyre janë më të dhimbshme sesa disfatat e njerëzve në zonat e tjera të këtij planeti t’trazuar. Ama, ëmbëlsinë e jetës që kemi ne, e kanë shumë pak të tjerë në botë.
E gjithë kjo, dhe ajo që ende më tepër e ruan Ballkanin, është një burim i pashtershëm, një burim mistik për çdo shkrimtar. Për shkrimtarinë duket aspak reale dhe fantastike por në të vërtetë dalin tema të mira dhe zgjedhje. Problemi është se gjuhët tona janë të vogla, që janë si brirë në një thes, e që nuk kemi një strategji të përbashkët në kulturën, që politikanët tanë mendojnë fare pak për ato që humbasin, ndërsa më shumë bluajnë në mëndje për ato që ende nuk kanë marrë, dhe kur i marrin, do të thotë që del një e Tretë gjë, nuk na pyesin nëse ishim të kënaqur me atë që na dhanë, apo atë që na imponohet. Arti dhe letërsia në përgjithësi në lidhje me këto ekstreme që do vijnë, duhet të kujdeset t’i parashikojë dhe të ketë një përgjigje të qartë. Letërsia e Ballkanit është një sfidë për një energji të re ndaj kulturës së lodhur të Evropës. Le ta shfrytëzojmë atë”.
Si e shikoni letërsinë që bëhet sot në Ballkan. A mund të jetë kjo letërsi një burim për letërsinë evropiane, siç ka qenë vite të shkuara?
“Për të qenë i qartë: askurrë bota nuk na ka parë ndryshe qoftë si burim por edhe si model. Sa i përket kulturës ballkanike, Bota e ka marrë thjesht si një Panteizmi ekzotik dhe mistik, folklorist dhe si zbukurim. Kemi qenë dhe mbetëm thjesht një geo-hapësirë e barabartë dhe njësoj me çdo lloj gjeografie tjetër koloniale. Ballkani është pjesa tjetër e botës (si për Perandorinë Osmane dhe Austro-Hungarinë) më së shumti një lloj hapësire që thjesht duhet të shfrytëzohet apo abuzohet.
Nëse ju mendoni për trashëgiminë helene dhe pasuritë tona të këngëve epike panballkanike, kjo po, por Evropa, helenizmin tonë e ka 'vjedhur'. Ne nuk kemi qenë në gjendje për ta formësuar atë për veten tonë, edhe pse ajo ishte pjesë e brendshme e qenies sonë. Po ashtu edhe pasuria e madhe e kulturës arabe dhe letërsisë, poezisë sufiste, misticizmit të dervishëve, format pagane të shprehjes dhe lirika e Koinesë malore iliro-dukljanskog , ne, po ashtu, nuk kemi ditur për t’i mbajtur për veten tonë.
Letërsia e Perëndimit ishte konstantja jonë në letërsi, shkrimtarë e Ballkanit e kanë marrë si model, e më shpesh si bazë për tema. A kemi qenë më së shumti epigonë dhe anakronikë?
Ne kemi nevojë dhe duhet të gjejmë një emërues të përbashkët. Që seicila pjesë të ruajë integritetin e saj (në çdo fushë të jetës shoqërore), dhe që me strategji të qarta ta ndërtojmë performancën në botë si një të tërë. Tërësinë e Ballkanit. E integruar dhe e vetëdijshme për vlerat e saj individuale dhe kolektive që t’i jepimi botës si një thesar i përbashkët. Kjo është rruga e letërsisë së Ballkanit, kjo është një mundësi që ne mund dhe duhet ta vlerësojmë”.
Ka shumë urrejtje në Ballkan. Ndërkohë, në një nga pjesët tuaja një personazh i rrëfen botanistit të madh Baldaçi se vetëm të vdekurit janë “Soj i mirë”. A është e vërtetë që ballkanasit flasin mirë vetëm për të vdekurit?
“Eh, miku im Ben! Nëse do ta dije (dhe unë jam i sigurt se ti e di!) sesa shumë, kushdoqoftë qoftë: irlandez e urren anglezin; fshatari frëng punëtorin gjerman; baskët spanjollët; kalabrezët ata italianët, që janë nga rajoni i Komos; polakët rusët; racistët e bardhë të Misisipit të zinjtë; teksanët meksikanin. Pra, ballkanasit tanë janë mjaltë dhe qumësht.
Evropa dhe Amerika e rrisin kultin e vdekjes dhe jo ne Ballkani. Nëse s’do të ishte nacional- socializmi serb dhe klero-fashizmi që solli lufta, në Ballkan dhe në hapësirat e tij s’do të mund të kishte as edhe një pikë të vetme nevralgjike. Kemi qenë gjithmonë e vetëm thjesht viktima të turbulencave historike të imponuar nga lart. Kur themi: "Ballkani është një fuçi baruti", menjëherë dua të përgjigjem: "se cili rajoni i botës vallë nuk është 'fuçi baruti"? Nuk ka moment që t’i të mos dëgjosh të shtëna dhe vrasje nga të gjitha anët e botës. Vrasja dhe lufta është një karakteristikë e përgjithshme e njeriut. Njerëzit e Ballkanit janë të përfshirë në të, si gjithë të tjerët në planet. Është e vërtetë se në Ballkan vdekjet përsëriten rregullisht, ky është një lajtmotiv i jetës tonë dhe historisë tonë, por mos harroni: për të shkaktuar vdekje, veçanërisht ato kolektive, ka qenë edhe puna e Evropës. E kjo madje prej shumë kohësh.
Kush e krijoi fashizmin dhe nazizmin? Krimet e serbëve në Srebrenicë janë të 'mësuara' nga vdekja në Auschwitz. Evropa i çoi Kryqëtarët për të pushtuar varrin e Krishtit por gjatë rrugës ata bastisën çfarë mundën. Në Spanjë, bërtisnin "Viva la muerte! Stalinizmi, nga ana e tij, ka vrarë miliona njerëz. Dy luftërat botërore janë produkt i përçarjes evropiane rreth kapitalit. Kurse amerikanët sot vriten që nga Lindja e Mesme dhe deri te Lindja e Largët.
Kë kemi sulmuar ne ballkanasit? Ne, përgjatë të kaluarës vetëm jemi mbrojtur nga e keqja e të Mëdhenjve. Dikur jemi mbrojtur madje edhe nga vetja jonë. Ne jemi të zotët vetëm të grindemi me fqinjët dhe të vrasin ata që i kemi të afërt. Ne nuk kemi bërë kurrë Luftëra të Mëdha”.
E ndërrojmë temën. Nga e merr më shumë impulsin për të shkruar?
“Ndikimet e mia letrare janë: në prozë prej Marguerite Yourcenar, Borislav Pekiç dhe Nikos Kazanzaqis, kurse në poezi nga e gjithë trashëgimia e poezisë sufiste. Marguerite Yourcenar-së më ka mësuar të jem i qartë në çdo fjali dhe të kujdesem për atë që unë them: se në letër duhet të jetë 'e pastër'. Borislav Pekiç më ka zbuluar hapësirën e pafund të jetës dhe kulturës së Ballkanit, që nga bizantinët, turqit, serbët, grekët e rinj, ciganët dhe shqiptarët, në labirintet jugore sllave në shekullin e njëzetë. Pekiç është sigurisht shkrimtari më i madh i Ballkanit në Ballkan. Nikos Kazanzakisit i jam mirënjohës sepse më tregoi se çfarë është liria dhe pathosi për njeriun. Dua të udhëtoj ashtu si deshi në të gjallë Kazanzaqis dhe t’i respektoj popujt e Ballkanit ashtu si Nikos i vlerësoi. Ndërsa ndjeshmëri sufiste dhe fshehtësia në poezinë e tyre është e barabartë me të miat”.
Flitet për bashkëjetesë fetare, por përfaqësuesit e thjeshtë të komuniteteve fetare në vendin tonë, qëndrojnë shumë larg. A mendon se Ballkanin, në përgjithësi, e ka vështirësuar edhe më shumë kjo përbërje heterogjene fetare?
“Unë nuk mendoj kështu dhe shpresoj se kam të drejtë. Bashkëjetesa fetare, qoftë në Shqipëri por edhe në Malin e Zi, ndoshta nuk mund të jetë ideale, por ajo sigurisht që është një matricë e kënaqshme për tolerancë dhe unitet. Kur nuk e përzien me çështjen dogmatike, kur myslimani, ortodoksi, katoliku dhe protestanti, e lë vendasin të kryejë 'pikëpamjet e shpirtit dhe botës' së tij fetare, dhe kur asnjëri prej tyre nuk do ndërhyjë në punët e shtetit, atëherë na mjafton kjo tokë, ku ne të gjithë vuajmë dhe sfilitimi, pa marrë parasysh se çfarë feje dhe njerëzish jemi. Pasi, jeta e sotme shoqërore është realisht si ferr.
Janë të njohura shmangjet që feja i zbaton sot, e unë i di shfaqjet ekstreme. Unë e kam të qartë tashmë në këtë shekull ku po jetojmë, se ndryshe nga shekulli i njëzetë (kur Zoti ka "vdekur") tani ai është ngjallur, madje më keq në mesin tonë, dhe feja është nganjëherë më e rëndësishme se jeta. Megjithatë, nuk duhet shumë përpjekje dhe as shumë durim për të arritur nivelin, ku do jetë e mundur që të gjallët të jenë krah njëri-tjetrit, të ketë ekuilibër multi-etnik dhe unitet në diversitet. Vetëm se të gjithë duhet të zbatojnë atë që shprehin librat e shenjta për vëllazërinë mes njerëzve, le të rilexojnë disa pasazhe prej atyre që bektashiu Naim Frashëri shkroi në "Letrat e një Bektashiu ", disa politikanëve në Ballkan u duhet ndaluar ta përdorin fenë (krimin) për të arritur politikat e tyre destruktive dhe disa prej priftërinjtë dhe hoxhallarëve të mos flasin për atë që s’është zeje e tyre –vetëm atëherë do të jetë një lule e shëndetshme dhe e ndryshme në kopshtin qiellor të Ballkanit”.
“Tespihet…” tuaja kanë pasur përcjellje të mirë në Shqipëri. A mund të thuhet se në dejet e Jovanit rrjedh gjak shqiptari apo i gjithë Ballkani është një familje e madhe?
“Ne jemi një familje e madhe, e fortë, e bukur dhe e zgjuar, ne jemi vëllezër në pikëllim dhe në gëzim, ne kemi një shans të mirë që në Evropën e Bashkuar të jemi një komunitet i shëndetshëm dhe i fortë. Ne kemi një territor të mrekullueshëm. E ardhmja jonë është e mirë. Vetëm se ndonjëherë ne ndalojmë para se t’nxitojmë për të vendosur dorën para gojës kur duhet të bërtasim. Shpejtësia është e mirë kur konkurron, por jo e mirë kur do të martohesh.
Në genin tim ekzistojnë pjesë të geneve shqiptare dhe unë gjithmonë ndjehem edhe më mirë me këtë dhuratë gjenetike në vetvete, e nuk ka rëndësi sesi e gjeta atë. Përpos në mesin e shqiptarëve, unë ndihem edhe i gëzuar”.
Ku e ndjen shprehjen më të mirë letrare Jovani, tek poezia apo proza?
“Në prozë jam poet, në poezi realist, në esetë jam filozof. Megjithatë më e mira është të mbash një narrativë të pastër. Me këtë mësoj të ardhmen”.
A flasim diçka më ndryshe. Letërsia juaj pretendon të shkojë shumë drejt një këndvështrimi filozofik të jetës. A është kjo qëllim në vetvete?
“E lemë. U përgjigja njëherë Ben…”.
Tek libri juaj për identitetet shtrohen pyetje të ndryshme për njeriun e Ballkanit. Cili është identiteti i përbashkët i një ballkanasi?
“Nuk është e lehtë për t'iu përgjigjur pyetjes tuaj, përderisa marrëdhënia ime me identitetin është krejtësisht indiferente edhe pse kam shkruar shumë për këtë fenomen. Identiteti nuk është konstant, ai ndryshon. Në të, ka ndikim historia, kultura, feja, ideologjia. Në këtë lloj mënyre edhe identiteti përshtatet.
Nëse garantohen të drejtat e njeriut dhe zhvillohen mirë liritë civile, historia e identitetit është e panevojshme. Çdo qenje në vetvete e di se cila është, çfarë është, i kujt është dhe nga cila është. Përndryshe, ne jemi duke hyrë në fushën e spekulimeve dhe identiteti bëhet një karikaturë sociale.
Pesëdhjetë vjet më parë identiteti ynë ka qenë i përcaktuar nga ideologjia dhe ne të gjithë, pak a shumë, ishim proletarë, komunistë kontrakomunistë, internacionalistë, kozmopolitë, edhe pse gjithashtu ishim shqiptarë, malazezë, grekë, serbë, turq, kroatë. Kjo e fundit për ne ishte më pak e rëndësishme se e para. Ne ishim Gnostikë, Agnostikë apo dhe ateistë. Edhe më përpara identiteti ynë ishte i lidhur me përkatësinë fetare. Si pjesë e njërit apo një populli tjetër, më parë se përkatësia etnike, ne pranonim faktin se jemi myslimanë, ortodoksë apo katolikë. Banorët e Tiranës, të themi, sot janë shqiptarë, por papritmas dhe Ballkanas, dhe do të jenë dhe evropianë. Nëse arsyetojmë më tej, është pakufi ajo hapësirë në të cilën mund të përcaktohet identiteti i njeriut.
Problemet fillojnë atëherë kur identiteti rreshtohet me ekstremizmin, me nacionalizmin dhe shovinizmin ndër ne, e njerëzit i japim përparësi në lidhje mbi gjërat e tjera dhe … kjo nuk ka më fund. Dhe gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë identitetit është fakti i trishtuar, i cili u vërtetua në luftën e fundit në ish-Jugosllavi: se identiteti bëhet shkak dhe pasojë e gjakderdhjes, shkatërrimit dhe persekutimit. Atëkohë i tërë populli u kërcënua, më së pari nga ata që kishin identitet të ndryshëm. Dhe mu atëherë, identiteti ynë qëndron vetëm me tufën e vet, pasi për veten e vet, ai mund të mos rritet. Identiteti ynë atëherë vrau Njeriun. Çfarë na duhet identiteti ynë, nëse jemi – kriminelë?
Unë jam me fat që në ADN-në time ekzistojnë katër identitete, por mua s’më intereson askush në veçanti, pasi individualizmi është identiteti im i vetëm. E rëndësishme për mua është ajo që jam UNË – nuk më intereson fare – NE. Por as edhe nuk kam nevojë për çoban, sepse Bariu s’është i nevojshëm për askënd. Këtë Dikushi e di dhe kush është dhe ku do shkojë. Bariun e thërrasim kur duhet të mbajë tufën. Këtu po e mbyll: Nuk e di nëse isha në gjendje t'iu përgjigjesha cili është dhe çfarë është – identiteti ballkanik?!”
Është e vështirë të jesh shkrimtar bilingue? Si i vinë, më së pari, mendimet shkrimtarit Jovan?
“Unë mendoj në të gjitha gjuhët, të cilat pretendoj se njoh dhe të gjitha mendimet e mia janë njësoj të rëndësishme. Unë shkruaj, megjithatë, në një gjuhë që është kombinim i gjuhëve sllave të Jugut, të cilat njihen tani si malazeze, kroate, boshnjakisht dhe serbisht. Kjo është gjuha serbo-kroate, me të cilën jam kultivuar si shkrimtar.
Kurse në gjuhën shqipe arrij e u shkruaj letra miqve. Ata kurrë s’më fajësojnë nëse përdor fjalët e gabuara ose shkruaj ngandonjëherë në ndonjë fjali një apo dy fjalë – sllave. Por unë besoj dhe shpresoj , që një ditë të shkruaj me një gjuhë të pastër shqiptar. Edhe pse jam boll i vjetër – jeta është para çdo gjëje ajo që dua dhe respektoj”.