Në PD mungon gjaku i “Lëvizjes Studentore”

Flet për “Koha Jonë”, studentja e grevës në 90’-tën, Mimoza Ferraj

 Intervistoi: Redjon Shtylla

Një labe e fortë sot, por edhe para 25-së vitesh. Fjala është për studenten e Dhjetorit të ‘90-ës, Mimoza Ferraj, ku së bashku me bashkëmoshatarët e saj rrëzuan bustin dhe regjimin e diktatorit Hoxha. Në një intervistë për “Koha Jonë”, duke marrë shkas nga 25- vjetori i grevës së studentëve, Ferraj që tashmë jeton në Amerikë, në këtë intervistë risjell në vëmendjen e një brezi që nuk ka përjetuar luftën për të sjellë demokracinë, momente dhe pakënaqësitë e politikës. Këtë të fundit e ka cilësuar si shkaktaren e largimeve të Shqiptarëve. Në PD-në mungojnë intelektualët është shprehur Ferraj, “PD-ja nuk diti të mbajë në gjirin e saj, gjakun e Lëvizjes Studentore”. Rinia e brezit të saj, luftonte për idealin e sakrificës për kombin dhe për brezin e ri të demokracisë me keqardhje studentja rebele e ‘90-ës, e ka paralelizuar me një rini që ka probleme të mëdha sociale. “Po bëhen mish për top, për kondrabanduesit e shumtë dhe për trafikantët po behën mish për top për luftërat fetare dhe po sakrifikohen për ideale, të cilat në të vërtetë nuk kanë asgjë të bëjnë me nderin dhe karakterin shqiptar”. Më tej ajo shpjegon për idenë e Bashkimit Kombëtar përpara se Shqipëria të jetë pjesë e BE-së dhe për krijimin e një gjykate administrative.

25 vite nga greva e studentëve. Historikisht është e vetmja lëvizje studentore e madhe që Shqipëria ka parë, a mund ta quajmë pa frikë si greva e urisë kurbane për demokraci? Çfarë ka ndryshuar që nga ajo kohë, çfarë ndryshimesh solli ajo grevë?

Ajo grevë ka shënuar historinë, ka bërë një klik për të nisur e për të punuar rrota e demokracisë në Shqipëri, edhe nëse mendojmë se ishte kurban ishte kurban i demokracisë për të cilën kishte lënguar gjatë vendi. Natyrisht nuk jemi të kënaqur me zhvillimet e demokracisë që më pastaj janë zhvilluar, demokracia vazhdon të lëngojë nga kleptokratët që më shumë kanë zhvatur vendin se sa kanë menduar për të mirën e Shqipërisë, por shpresa duhet kthyer në vendin e shqiponjave. Ata që kanë bërë deformimet do paguajnë me çmimin që di ta bëjë forca e ligjit dhe drejtësisë. Shqiptarët duhet të bëhen gati për ndërrimet, të cilat do vijnë shumë më shpejt se çfarë në të vërtetë mendojnë se do të ndodhin, shqiptarët kanë garancinë e SHBA-ve se përmes reformës gjyqësore do shohin në bankën e të akuzuarve ata që për vite klithën se kanë qenë demokratë, por që në të vërtetë ishin hajdutë që vjedhin dhe vranë shpresën e këtij vendi.

PD-ja erdhi si e vetmja parti pas rrëzimit të diktaturës. Ajo rini luftoi për jetë të lirë të brezit të ri. Si do ta vlerësoni ecurinë e kësaj partie ndër vite? Cilin lidership do ta gjykonit që uli poshtë fuqinë e demokracisë dhe cili ka qenë i duhuri në këtë parti?

PD-ja ka vulën blu të demokracisë dhe ky është fakt që nuk mund të mohohet. PD-së i kishte rënë barra e lokomotivës për bërjen e demokracisë në Shqipëri dhe e paguan dhe më gjatë nga ditët e para të demokracisë. PD gjatë ecjes së saj bëri gabime fatale, duhet të kuptonte rolin e saj të djathtë besoj, në zot, familje dhe në atdhe nga një vend që kishte lënguar gjatë nga diktatura më e rëndë në Europë. A e bëri, rolin e saj PD-ja? Unë them se jo! PD-ja nuk diti të mbajë në gjirin e saj, gjakun e Lëvizjes Studentore, nuk diti të marrë në lidershipin e saj figura të Lëvizjes studentore që ishin në gjendje të sakrifikoheshin për një Shqipëri demokratike. Pa bërë ndonjë bilanc të thellë të lidershipit, PD-ja do të duhej sot të kishte një formacion të intelektualëve, të cilët do të ishin në gjendje të kuptonin se fati i Shqipërisë është para se gjithash në duart të shqiptarëve dhe po të kishte një lidership të tillë të PD-ja, sot nuk do të kishim një të majtë kaq të fuqishme në Shqipëri. Lidershipi i PD-së sot më parë se të drejtojë gishtin në drejtim të keqqeverisjes së të majtës do të duhej të drejtojë gishtin te vetja. Kjo PD që është sot nuk është ajo e fuqishme për të cilën Shqipëria ka nevojë, për sfidat dhe kërkesat e kohës. Unë besoj, se PD-ja do të kuptojë këtë, të hapet e të thërrasë djemtë dhe vajzat brenda e jashtë Shqipërisë për të bërë vendin e mbushur me shpresë, besim dhe krenari!

Një rini e viteve ‘90 që synonte sakrificën për kombin dhe një pjesë që dëshironin shkollimin në perëndim. Sot a duhet të futet e njëjta ideologji dhe a duhet ndjekur? Si do ta cilësonit rininë shqiptare, krahasuar me atë të viteve ‘90-të, kemi ecur mbi idealet e duhura?

 Jo, jo! Idealet e rinisë së viteve ‘90 nuk ecën mbi idealet e duhura! Ne kishim një mendim dhe besonim në kauzën se do jetë brezi i fundit i kombit që do të sakrifikohet për kombin dhe më pas të tjerët do gëzojnë Shqipëri me mirëqenie! Reformat në arsim nuk shkuan kurrë si duhet dhe të jenë të thella për të pasur një mësim cilësor dhe të barasvlershëm të paktën me vendet në rajon! Rinia e sotshme e Shqipërisë nga problemet e mëdha sociale po bëhen mish për top, për kondrabanduesit e shumtë dhe për trafikantët po behën mish për top për luftërat fetare dhe po sakrifikohen për ideale, të cilat në të vërtetë nuk kanë asgjë të bëjnë me nderin dhe karakterin shqiptar. Ikja nga atdheu vazhdon të jetë “universiteti” më joshës i rinisë në Shqipëri. Kjo gjende është barometri më i mirë për të pasur përgjigje që kombi ynë të jetë edhe me pjesëtar i së keqes botërore të pjesëmarrjes së të rinjve në ISIS. E mendoni, pse politika e shqiptare nuk ka përgjigje për këto?! Ngaqë ata e dinë se shqiptarët në ISIS janë pasojë e një qeverisje të keqe të vendit për këto vite të demokracisë, pasojë e varfërisë së madhe që mbetën djalëria shqiptare. Rinia shqiptare vazhdon nga varfëria të ketë të thyera ëndrrat dhe vazhdon mjerisht të gjejë nëpër botë shpëtimin duke përfshirë pjesëmarrjen edhe në luftërat fetare në ISIS, atje po bëhen kurban që të ushqejnë familjet e tyre!

Korrupsioni mbetet ende një pikë e pa kontrolluar e qeverive shqiptare, si e keni parë ju luftën ndaj korrupsionit, çfarë ka shkuar mirë dhe çfarë e pengon drejtësinë në vendin tonë?

Të bësh një komb që ka krenarinë e saj, që ka civilizimin, që ka lakmi në botë siç janë Pellazgo-Iliro-Dardanët Arbrin e fisëm dje, të bësh këtë popull të identifikohet si kombi më me korrupsion në Europë, vetëm një pikë ndërgjegje po të kishin klasa politike në Shqipëri do të duhej të tërhiqet. Por jo, këto zhvatës të fatit të Shqipërisë moderne nuk tërhiqen por duhet të munden të thyhen, duhet të shkelen me vullnetin e demokracisë për mes votë, të detyrohen të ulen para drejtësisë për kancerin e korrupsionit që i bënë vendit. Nuk duhet të kemi hamendje se një klasë e korruptuar që mbolli korrupsionin për të pasuruar veten dhe për të varfëruar vendit dhe të luftojë korrupsionin. Është koha të dëgjohet zëri i SHBA-ve si miku më i madh shqiptar, është koha të merret më seriozisht mbështetja amerikanë për të pasur reforma të mirëfillta gjyqësore që Shqipëria të ketë institucione kredibile që do luftojë njerëzit e korruptuar. Koka e peshkut në Shqipëri është ngritur dhe ka bërë karrierë në korrupsion. Shqiptarët, duhet të zgjohen, të shkunden dhe të besojnë se kjo e keqe është detyrë shtëpie, e të luftojnë korrupsionin.

Si pjesë e Gjykatës së Lartë të shtetit në Nju Xhersi, keni hedhur idenë e një gjykate administrative, si një projekt i qeverisë amerikane. Ku është sot ky projekt, dhe a do të ktheheni në Shqipëri për të sjellë eksperiencën tuaj?

SHBA-të është shtylla e mbijetesës së kombit shqiptar dhe në dy momente kritike të historisë kemi pasur mbështetjen që ka përcaktuar edhe mbijetesën tonë si komb. Ishte Presidenti Uillson që shpëtoi Shqipërinë dhe Presidenti Klinton që shpëtoi Kosovën. Tashti si në Nëntorin e Tretë, SHBA-të afron mbështetjen për Shqipërinë për të pasur një sistem gjyqësor, i cili do shpëtonte fatin e kombit. Një Gjykatë Administrative e mbështetur fuqishëm nga SHBA-të do të ishte përgjigjja më e mirë për të shpëtuar këtë vend, nga dallkaukët, kopukët përvetësuan meritat, pushtetin, paranë. Ata po mbajnë peng Shqipërinë e shqiptarët. Protagonistët e vërtetë, antikomunistet e vërtetë, demokratët e vërtetë nuk kanë nevojë të duartrokiten nga Parlamenti i qelbësirave të kuqe e blu. Një reformë e gjyqësorit do kthente kursin, e të kemi një Shqipëri siç ne shqiptarët e meritojnë. Unë jam gati t’i bëhem kurban rrugës që nisëm me Lëvizjen Studentore në ‘90 , Shqipëria do të bëhet ashtu si duan shqiptarët!

Keni thënë se së pari duhet të ndodhë bashkimi i shqiptarëve mandej Bashkimi Europian. I qëndroni ende këtij mendimi? Gjatë këtyre viteve sa kanë punuar qeveritë, nën këndvështrimin tuaj sa përpjekje janë bërë për t’i arritur këto dy bashkime?

Bashkimi i kombit duhet të ndodhë para se gjithash për arsye biologjike. Kosova ka barrën e formimit të kombit modern shqiptar që zë fill në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe Isa Boletinit që ndihmoi Plakun e Vlorës për të shpallur pavarësi. Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkohen para se gjithash për arsye biologjike, për të mbijetuar, për të pasur një treg më të madh, për të pasur një Ballkan më të qetë më të sigurt dhe për të pasur SHBA-të një aleat që do të qëndronte krenar në gjeopolitika botërore. Gjatë luftës së Kosovës populli dëgjoi zërin e zemrës dhe hapi shtëpitë për vëllezërit kosovar. Ne nuk duhet të lëshojmë rastin historik të hyjmë të ndarë në BE. Ne duhet të bindim miqtë amerikanë dhe europianë se kombi shqiptar më parë duhet të bashkohet dhe si një komb i konsoliduar ka çfarë t’i ofrojë vlerave universale si një komb me harmoni fetare, si një komb që kurrë në historinë e saj nuk sulmoi, por vetëm mbrojti mbijetesën e saj. Shqipëria dhe diplomacia e saj duhet të dëshmojë të qënurit nëna e kombit e Kosovës i mbetet të dëgjojë zërin e saj për bashkim që ka të bëjë me mbijetesën dhe zhvillimin përbrenda kufijve etnik.

SHKARKO APP