Negociatat në 2019, Ruçi: S’ka vend për festë, jemi në testim të gjithë pa përjashtim

Gramoz Ruçi konferencë për shtyp me gazetarët, mbi konkluzionet e Këshillit të BE-së, për hapjen e negociatave me Shqipërinë në Qershor 2019.

Në daljen tuaj të fundit ishit optimist për hapjen e negociatave. Tani që u shtynë pas 12 muajsh, a është ky një dështim? Pyetja: A ka një frymë anti-shqiptare në diplomacinë e disa vendeve të BE-së për çështjen e integrimit? 

Qoftë në daljen e parë, qoftë në këtë dalje, unë nga natyra nuk jam as euforik dhe as pesimist, por mundohem të jem realist, të jem neutral, të jem i ftohtë, të jem i qartë, të jem i saktë. Sigurisht, që vlerësimi mbetet për t’u bërë nga ju, komentet mund t’i bëni ju dhe opinioni publik që e përcjell. Të tillë e shikoja edhe kur doli raporti i komisionit, edhe tani që doli vendimi për qershorin e 2019-s. Lidhur me atë që ju parashtruat, nëse ka një frymë anti-shqiptare pasi Shqipëria është parë me lupë, qoftë në kohën e liberalizimit të vizave qoftë edhe tashmë, që jemi në përpjekjet tona integruese të Bashkimit Europian, unë e kam ndjerë veten shumë mirë, pasi në këto 27 vjet të jetës sime politike nuk kam parë asnjëherë një grupim kaq të fuqishëm pro shqiptar të qeverive të BE-së, që nuk ishin pak por ishin 25, të majtë e të djathtë, dhe në mazhorancë të djathta siç parashtrova në fjalën time. Ashtu sikurse edhe 3 vende që kishin rezervat e tyre për Shqipërinë, bëmë të mundur që në fund të mos ishin, në qoftë se do e vlerësoja sipas pyetjes suaj anti-shqiptar, por të tregoheshin shumë pro-shqiptar. Sa i përket asaj që ju me të drejtë e quani lupë, të gjithë shqiptarët pa përjashtim, si qytetarët, por në veçanti politikanët, duhet të jeni të qartë për një gjë: lupa, në përpjekjet tona integruese nuk ka për të na u ndarë deri në momentin e fundit, si ne, por edhe të gjithë vendeve që aspirojnë aderimin në BE. Në raportin e Komisionit Evropian, apo në konkluzionet e BE-së së ditëve të fundit, sigurisht që nuk ka kushte, por ne duhet të jemi të qartë që edhe kur të hapen negociatat, në qoftë se unë përmenda një shifër në rastin e Kroacisë, 684 ligje, të gjitha ato përbëjnë kushte, të cilat ne që aspirojmë për t’u integruar në BE, duhet të njësojmë legjislacionin dhe ky legjislacion të jetë  i implementueshëm dhe i zbatueshëm në vendet aspirante. Kështu që, unë jam i përgatitur, që kjo lupë e BE-së do të jetë akoma më e fuqishme.

Ju gjatë fjalës suaj i njohët arritjet kryetarëve të parlamenteve gjatë viteve, që i përkasin PS-së, PD-së dhe LSI-së, ndërkohë mund t’ju bëj një pyetje: ju ia njihni arritjet opozitës edhe këtë vit, që ka pasur debate mes jush? Ndërkohë kemi deklarata të kryeministrit Rama, që opozitën e quan mallkim që ju ka ndjekur pas. Së dyti, ne jemi në një vit zgjedhor tashmë dhe nga preçedenca e krijuar ndër vite kemi pasur shumë përplasje opozitë-mazhorancë, apo anasjelltas, me akuza herë të vërteta e herë të pavërteta, që ka krijuar një rrëmujë politike, që në sytë e ndërkombëtarëve mund të ketë krijuar një përshtypje tjetër për vendin. A do të jeni në gjendje ju, që këtë situatë që mund të krijohet, ta përktheni ndryshe në selitë e qeverive të BE-së për të arritur në qershor të 2019-s të keni një përshtypje akoma më pozitive për të marrë çeljen e negociatave. 

Në të gjithë fjalën time, siç e dëgjuat, nuk anatemova e përkundrazi vlerësova. Kur vlerësova të gjithë kryetarët e parlamenteve, këtë e bëra për arsye të funksionit që unë kam, por vlerësova edhe të gjitha qeveritë që kanë qenë ndër vite në Shqipëri, por edhe të gjitha opozitat që kanë qenë në Shqipëri. Të gjitha, në mënyrën e tyre, kanë vënë nga një gur. Apeli im,  deri te fjalia e fundit e parashtresës që unë bëra, ishte pikërisht ajo kërkesë që unë kam dhe që të gjithë ne bashkë duhet të kemi, që përpjekjeve tona integruese në BE t’i kërkohet shumëçka, por në radhë të parë u kërkohet që kur të jemi në dyert e BE-së, askush nga deputetët e parlamenteve evropiane, nga qeveritë evropiane, nga komisionet e Bashkimit Evropian, nuk duhet të dallojë se kush është në mazhorancë nga deputetët dhe kush është në Opozitë. Atje, gjykimi dhe vlerësimi im, është që duhet të flasin Shqipëria dhe BE-ja, as PD-ja dhe as PS-ja dhe BE-ja. Sigurisht, të gjithë kanë vend për të reflektuar dhe fryma reflektuese duhet të ndjehet në çdo veprim dhe në çdo hap që duhet hedhur si në pushtet, si në mazhorancë, ashtu edhe në opozitë. Lidhur me akuzat respektive, sigurisht që unë mendoj se debat politik do të ketë, akuza do të ketë, polarizim të këtij debati politik do të jetë se prandaj jemi parlament pluralist, por duke ruajtur caqet. Duke ruajtur caqet dhe në fund duke arritur për të miratuar ato gjëra që i shërbejnë dhe që janë në interes të gjithë vendit. Dhe unë do të mendja se pavarësisht nga polarizimi debatit politik, qoftë edhe në sesionin e kaluar, qoftë edhe këtë sesion, kur ka ardhur puna për të miratuar, duke filluar që nga ndryshimet kushtetuese, deri tek mjaft ligje dhe ngritje të organizmave të vetingut apo organet e tjera siç janë KLGJ-ja, KLP-ja, apo siç është Kodi i Sjelljes, apo siç janë dhjetë projektligje nga 46 ligje që ka miratuar parlamenti, apo siç janë rezolutat që ka miratuar parlamenti, janë miratuar me konsensus nga të gjitha palët. Pra unë dot të gjykoja se shembullin e kemi edhe ndërmjet nesh. Dhe unë do të inkurajoja që këto shembuj të shtohen, si për miratimin e 7 ligjeve, ashtu edhe për organet e tjera të sistemit të drejtësisë, për të vazhduar pastaj me reformën për kuadrin zgjedhor dhe kështu më tej për të vajtur deri tek shembull që duhet të jetë model për parlamentin shqiptar, tek modeli kroat ku mbi 600 mije janë miratuar me konsensus të plotë si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita.

Për të bërë të mundur pranimet e reja në Shkollën e Magjistraturës, po ashtu edhe për të emëruar 16 magjistrat që këtë vit duhet të diplomohet ju duhet një shumicë e cilësuar prej 84 votash. Në kushtet kur opozita është shprehur kundër këtij drafti, çfarë jeni ju të gatshëm, a mund të ndryshoni projektligjin për pjesën e emërimeve për të bindur LSI apo do të ndërhyni për të bindur të paktën 6 deputet për të miratuar këtë nismë?

Pyetje shumë interesant, me vend. Është një domosdoshmëri që të ndryshojë për arsye të domosdoshmërisë të funksionimi të shkollës së magjistraturës dhe për nevojën e madhe që kanë organet e sistemit të drejtësisë, veçanërisht tashmë që vetingu ka nxjerr mjaft probleme. Pyetja juaj është një shqetësim për klasën politike në tërësi dhe për grupet parlamentare në veçanti. Sot mund t’ju them se grupet parlamentare po negociojnë për këtë projektligj. Unë do ta inkurajoj këtë bashkëpunim dhe nuk do të kërkoja thjeshtë numrat për të miratuar këtë ligj, por do të kërkoja dhe do të inkurajoja një konsensus të gjitha forcave politike parlamentare që ta miratojnë një orë dhe më parë këtë ndryshime për shkollën e magjistraturës. Siç thash, nuk jam pesimist, nuk jam euforik, duke qenë realisht shpresoj dhe besoj që ky ndryshim është një domosdoshmëri që opozita shqiptare, shpresoj, të japë kontributin e saj në të ardhmen.

z.Ruçi, a është e ligjshme të bëjmë festë kur nuk ka një firmë për negociatat? A do të ishte mirë që mazhoranca në këtë proces të jetë e përulur dhe bashkëpunuese me opozitën dhe të mos tregoj forcë?

Faleminderit për pyetjet. Unë nuk shikoj se ku është festa. Nuk kam parë asgjëkund shampanjë, këngë, valle. Por përkundrazi edhe në fjalën që parashtrova, në mënyrë shumë realiste thash se çfarë ka bërë parlamenti dhe radhita një program pune se çfarë do të bëj parlamenti deri ditën që do të mblidhet Këshilli i Bashkimit Europian. Kështu që edhe kur ka dalë raporti i Komisionit Europian, nëse më kemi ndjekur në seancë plenare, kam thënë se vend për festë nuk ka, duhet të fillojmë menjëherë nga puna. Dhe sot këtu jam pikërisht për të filluar nga puna. Lidhur me atë që mazhoranca të rri kokulur, unë nuk mendoj se as mazhoranca dhe as minoranca nuk duhet të mbajnë kokën ulur. Përkundrazi, kjo është një fitore e të gjithëve, është një fitore për të gjithë. Të gjithë duhet të bashkohemi, mendjet, forcat, energjitë, të ndryshojmë sjelljen, të ndryshojmë qasjen për tu përbashkuar dhe për të realizuar dhe këtë realistet të gjitha objektivat dhe detyrimet që kemi ne, jo vetëm deri në qershor, por deri në momentin e anëtarësimit.

Një nga kërkesat në konkluzionet e raporti është tek dialogu dhe bashkëpunimi me opozitën. Si do ta ulni ju opozitën në tryezë duke parë se një nga kërkesat kryesore të saj është edhe largimi i Ministrit të Brendshëm. A është e gatshme mazhornca të largojë Ministrin e Brendshëm për të ulur opozitën në tryezë?

Unë e thash edhe në fjalën time që pavarësisht se ishte pika e fundit, thash jo më e parëndësishmja por më e rëndësishmja, të gjitha ato që unë thashë kërkojnë shumëçka por mbi të gjitha kërkojnë konstruktivitet dhe bashkëpunim politik. Dhe ky bashkëpunim politik do të jetë në qendër të vëmendjes dhe veprimtarisë time si kryetar parlamenti. Parlamenti është një nga shtyllat qeverisëse që është pluralist. E vetmja shtyllë qeverisëse në demokraci që është pluraliste. Për sa i përket kërkesave të opozitës, mua nuk më shqetëson fare, pasi ka një rregull në demokraci që çdo opozitë dhe çdo forcë politike që del në opozitë, që ditën që le pushtetin, bën dhe fillon përgatitjet për të marrë pushtetin se prandaj janë krijuar partitë politike. Dhe kërkesat janë të natyrshme që nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme deri tek mocionet e mosbesimit për qeverisjen në tërësi apo të ministrave në veçanti. Sigurisht që këto janë pjesë e luftës politike të një partie opozitare duke përdorur sigurisht rregullat dhe normat tashmë të njohura të demokracisë, instrumentet e saj nëpërmjet seancave të pyetjeve dhe seancave të interpelancave, nëpërmjet mocioneve të mosbesimit, dhe në fund ngelet vota e elektoratit, alternativë tjetër nuk ka. Unë nuk pres dhe kjo s’ka për të ndodhur jo në Shqipëri por në asnjë vend demokratik që kërkesa të herëpashershme për ministra të veçantë apo për qeverinë në tërësi, të Opozitës, të pushojnë të mos ekzistojnë.

Zoti Ruçi, Bashkimi Evropian ka dhënë dritën jeshile për fillimin e këtij procesi çfarë është vendosur në Luksemburg, sipas jush a është hapje negociatash apo nuk është hapje negociatash, këtu kemi kushti apo kemi detajim kushtesh të reja? 

Më duket se për pjesën e parë unë e thashë qartë dhe për mua secili do të paragjykohej qoftë nga pozita qoftë nga opozita, qoftë edhe unë si institucion si Kryetar i Parlamentit. Por jo pa qëllim unë citova dhe mund të vazhdoja citimet edhe në kryetar shtetesh, edhe në drejtues të Bashkimit Evropian, por përmenda modestish ambasadën e Bashkimit Evropian, ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmenda z. Kukan si një përfaqësues të së djathtës evropiane dhe si relator i të djathtës, i grupit parlamentar të Partive Popullore, ashtu sikurse përmenda edhe relatorin e Bashkimit Evropian, kështu që në funksion të përgjigjes së pyetjes tuaj mendoj që të katërta mesazhet që unë thashë, që janë jashtë PD jashtë PS jashtë institucioneve të Shtetit Shqiptar mendoj se e kanë brenda përgjigjen suaj. Ka kusht. Nuk ka asnjë kusht, nuk ka asnjë kusht të ri, por kushtet nëse Shqipëria i ka realizuar apo nuk i ka realizuar Bashkimi Evropian instrumente, dhe instrumenti i Bashkimit Evropian janë monitoruesit, është administrata, është komisioni. Besoj ky është laboratori më i saktë që vetë Bashkimi Evropian dhe konkluzioni i Komisionit në raportet e tij ishte hapja e negociatave me Shqipërinë pa kushte, dhe raporti i fundit nuk ka asnjë kusht përkundrazi ka përsëritje, inkurajim, të vazhdimit të rrugës së reformave me qëllim që vettingu të eci më shpejt, me qëllim që institucionet e drejtësisë të ngrihen sa më shpejt, me qëllim që reforma elektorale të eci më shpejt e tjera që i numërova në fillim të fjalës hyrëse.

Në grupin e tenderave të bashkimit Evropian ka tre vende të cilat njihen si më skeptiket për zgjerimin. A ka Parlamenti një strategji të veçantë pune për këto tre vende për të punuar më shumë pasi jemi 12 muaj para?

Faleminderit për pyetjen. Sigurisht që ka. Këtu funksionojnë grupet e miqësisë me vendet e Bashkimit Evropian siç janë edhe tre vendet skeptike, funksionon Komisioni i Integrimit, Komisioni i Stabilizim-asociimit dhe instrumenta të tjera siç është Komisioni i Jashtëm, ashtu sikurse edhe drejtuesit e parlamentit. Dhe për sa i përket strategjisë që ne kemi, atëherë pas daljes së Raportit të Komisionit dhe Raportit të Këshillit të 26 majit, po j ‘u njoftoj sot që e ftuara ime e parë për të vizituar Shqipërinë, jo më larg se në fillim të javës në datën 5 dhe 6, do të jetë Presidentja e Senatit të Holandës, dhe ne nuk i ndajmë në vende që kishin rezerva apo kanë skepticizëm Shqipërinë dhe në vende që janë avokate të Shqipërisë. Diplomacia parlamentare siç thashë do jetë shumë aktive pa përjashtim në 28 vendet e bashkimit Europian dhe 28 parlamentet e Bashkimit Evropian. Në fakt vëmendja është përqendruar tek Reforma në Drejtësi, tek Reforma Zgjedhore dhe lufta e krimit të organizuar dhe korrupsionit, por ndërkohë që në pikën 6 Këshilli përsërit që Shqipëria duhet të çojë përpara reforma që synojnë të rrisin konkurrencën dhe ndalojnë ekonominë informale, në përputhje me konkluzionet e përbashkëta të dialogut ekonomik dhe financiar midis BE dhe Ballkanit perëndimor, Këshilli inkurajon Shqipërinë të përmirësojë më tej mjedisin e biznesit dhe investimeve përfshirë garantimin dhe zbatimin e të drejtave të pronës, duke vazhduar fuqishëm konsolidimin fiskal dhe forcimin e administratës dhe taksave. Cili do të jetë roli i Kuvendit në këtë drejtim dhe çfarë duhet të presim në përfundim të periudhës një vjeçare të lënë në dispozicion nga Këshilli? Roli i Kuvendit do të jetë, e para çfarë përmirësime dhe ndryshime ligjore duhen bërë, e dyta zbatueshmëria e ligjit, dhe e treta kontrolli dhe monitorimi i institucioneve përkatëse për paragrafin që ju lexuat. Këto tre do jenë në funksion të Kuvendit.

Zoti Ruçi, po bëhen gati dy vjet që kur është miratuar paketa kushtetuese e Reformës në Drejtësi, sot vendi është pa gjykatë Kushtetuese dhe jashtë funksionit praktikisht është edhe gjykata e lartë. A keni ju si Kryetar i Kuvendit nisur edhe nga raportimet një ide se kur këto organe do të jenë në funksion, apo çdo gjë do të jetë në varësi të kompletimit të vetting-ut të gjyqtarëve dhe të prokurorëve? Se praktikisht drejtësia nuk është e plotë edhe kur bëhen disa muaj.

Absolutisht po, kjo nuk ka qenë e papritur, por e pritur nga ana jonë, e pritur në kuptimin që askush nuk do të dinte sesi do funksiononte, sa do të seleksiononte, sa do të penalizonte vettingu. Në këtë kuptim mund të mos ishin seleksionuar,kaq sa janë seleksionuar  por mund të seleksionoheshin edhe më shumë. Ne si Kuvend inkurajojmë dhe mirëpresim, që organi vetting-ut të eci më shpejt, jo për rutinë dhe të bëjë një seleksionim, për t’iu përgjigjur në radhë të parë institucioneve që kanë vakanca, që kanë krijuar vakumin institucional , siç është Gjykata Kushtetuese, anëtarët e KLGJ-së, anëtarët e KLP-së, inspektoratit. Pasi tashmë si Presidenti, edhe Kuvendi, po marrim Gjykatën Kushtetuese, e kanë përmbushur fazën e parë të aplikimit, kandidatët dihen se kush janë. As Presidenti, as Kuvendi, nuk mund të veprojë, pa kaluar hallka e vetting-ut. Kështu që ne shpresojmë dhe po bashkëpunojmë me parterët tanë ndërkombëtar, që janë në funksion të zbatimit të Reformës në Drejtësi, në Shqipëri dhe me përfaqësuesit që drejtojnë vetting-un edhe nëpërmjet Këshillit të Monitorimit që do të krijojë Kuvendi, që unë e parashtrova në fjalën time. Ky shqetësimi që ju ngritët me të drejtë, të jetë i përmbushur. Ky ishte dhe një nga detyrat e shtëpisë që Kuvendi, i përcakton vetes, në shqetësim të përmbajtjes së pyetjes tuaj.

Z.Ruçi ju thatë që grupet parlamentare po negociojnë për cështjen e ligjit “Për Magjistratët”. Po negociohet vetëm për këtë ligj apo edhe për ligje të tjera, në Këshillin e Legjislacionit të mbetura, si çështja e kompletimit të përshtatjes së ligjeve me interpretimet e Gjykatës Kushtetuese?

Janë një sërë ligjesh që kanë mbetur pa marrë drejtim, për shkak të konsensusit. Sigurisht që janë disa ligje, por me emergjencë është ligji “Për Magjistratët”, për të cilën unë edhe e thashë , që grupimet politike kanë nisur negociatat, shpresoj që ato të japin efektin e duhur, te gjendet gjuha, me qëllim që të mos pengohet hapja e shkollës dhe emërimi i tyre. Ashtu sikurse të 7 ligjet, unë edhe në fjalën time, por edhe  në punën e përditshme, do ti inkurajoj edhe grupet parlamentare, të ulen të diskutojnë në komisionet parlamentare, por edhe në tavolinat ndër-parlamentare midis grupimeve politike, të arrihet një konsensus për të siguruar mazhorancën e cilësuar.

SHKARKO APP