Nickola Shkreli: “Cash Only”, një metaforë për emigrantët

 

Aktori i njohur ndërkombëtarisht Nickola Shkreli tregon për “Koha Jonë” të gjitha detajet e filmit “Cash Only”, pjesë e TIFF, edicionit të 13-të të “Tirana International Film Festival”

Nickola Shkreli: “Cash Only”, një metaforë për emigrantët

Intervistoi: Sidorela Lepri

Nickola Shreli është aktori dhe producenti shqiptaro-amerikan, që karrierën e tij e ka zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nickola ka lindur në Detroit, nga një familje emigrantësh shqiptare nga Mali i Zi. Që në moshë të vogël, ai ka investuar në pasionin e tij për aktrimin,, duke marrë pjesë në dy teatrot e qytetit në Detroit dhe duke u i kapërcyer shkallët e karrierës gradualisht dhe vit pas viti.
Në vitin 2007, Nickola u shfaq në një episod të “Law & Order” me karakter kriminal, e më pas karriera e tij pasoi me të tjera role të rëndësishme, duke hedhur kështu hapa të sigurtë për në Hollivud. Në këtë mënyrë ai u bë shumë shpejt i famshëm me rolet e tij, duke fituar popullaritet dhe dashurinë e publikut. Kësaj radhe ai ka sjellur për publikun shqiptar filmin Cash Only, premiera e së cilit u transmetua ditën e premte në “Kinema Millenium”. 
Filmi është një pamje unike e jetës shqiptaro-amerikane në Detroit, një botë që kujdeset për veten, por po ashtu përballet me vulën e vet të dhunës dhe hakmarrjes. I ndërtuar në mënyrë të tillë nga regjisori Malik Bader, i njohur për filmin “Street Thief”, si dhe nga skenaristi, aktori Shkreli, filmi “Cash Only” konsiderohet një mikrokozmos magjepsës dhe i rrallë në skenën sociale të filmave amerikanë. Producenti i filmit është shqiptari Ilir Bardha.
Në një intervistë për “Koha Jonë”, aktori i njohur, Nickola Shkreli tregon detaje të reja lidhur me filmin, jetën e tij dhe angazhimet e ardhshme.

“Cash Only”, përse keni zgjedhur këtë titull Nickola?

Oh, kjo është një pyetje shumë e mirë. Fillimisht kisha menduar një titull tjetër për filmin që po realizonim. Para shumë kohësh ku punoja, më është dashur të punoj me njerëz jo të mirë dhe nisur nga kjo u frymëzova për titullin e parë që i vendosëm. Teksa po e editonim filmin, po vendosnim muzikën dhe të gjitha ndryshimet e tjera të nevojshme, ne e ndryshuam titullin dy herë.
Direktori i filmit të cilin e kam njohur në Hollivud, Malik Bader më propozoi titullin “Cash Only”, duke më pyetur sesi më dukej? Unë kam thënë “wow”. Ishte me të vërtetë një titull shumë goditës dhe i kapshëm. Mua më ngjiti që kur e dëgjoja për herë të parë. Gjatë gjithë filmit ju do të kuptoni edhe me saktë domethënien e “Cash Only”.
“Cash Only”, përpos pjesës metaforike, do të thotë edhe që në shumë raste paratë të duhen dëshpërimisht, sidomos kur je në një telash (qesh).

Kush ka qenë mbështetja kryesore për të realizuar filmin?

Unë do të thoja vetja ime, Ilir Bardha dhe Malik Bader, të cilët ishin edhe skuadra kryesore. Por ne kemi patur shumë ndihmë edhe nga njerëz të tjerë për të realizuar filmin, të cilat janë shumë nesë do ti përmendja. Kemi punuar në një kohë të shkurtër dhe mbi të gjitha me njerëz të mirë. Dua të them që të gjithë ishim skuadra e duhur bashkë.

Po përsa i përket kohës që është realizuar filmi?

Thuajse dy vite.

Çfarë nënkuptoni kur thoniqë ky film është realizuar me buxhet të ulët?

Nuk ishte një buxhet i ulët, ne kemi harxhuar shumë para. Ndoshta nuk kemi harxhuar aq para sa ne filmat hollivudianë. Kjo është e vërtetë, duke marrë parasysh harxhimet në filmat hollivudianë që janë tepër të majme. Ne kemi bërë një punë të madhe duke kursyer para, por prapë filmi ka kushtuar shumë.

Në qendër të këtij filmi është jeta e vështirë e një shqiptari në Amerikë. Është kjo historia juaj apo në tërësi e të gjithë shqiptarëve që kanë depërtuar në Amerikë?

Unë nuk kam qenë një student i mirë në shkollë dhe në një periudhë  të jetës sime, kam punuar duke rregulluar gjëra të vjetra, të cilat më pas i shisja me një çmim të caktuar në një zonë të Detroit ku mund të gjeje të gjitha llojet e njerëzve dhe kulturave. Teksa punoja në një zonë të tillë, kuptova që shumë gjëra nuk shkonin aspak mirë.
Doja të pasqyroja botën e një shqiptari brenda atij komuniteti dhe brenda filmit personazhi kryesor vjedh nga një person që nuk duhet të vidhte, ai i rrëmben vajzën dhe ai lufton që të rimarrë vajzën e tij. Ka elementë ballkanikë brenda tij, pasi në film luajnë aktorë shqiptarë. Aktori në rolin e Elvis Martini (unë) përplaset me aktorin serb, çfarë mund të ketë edhe një nënkuptim.
Për të iu përgjigjur pyetjes, është sikur të them po dhe jo. Nuk mendoj se flet tamam tamam për shqiptarët. Është një metaforë për emigrantët, veçanërisht emigrantët shqiptarë që i është dashur të durojnë shumë.

“Cash Only” është një ndër filmat më të komentuar në disa Festivale Filmi në botë dhe përshtypjet që ka marrë kanë qenë nga më pozitivet. Si ju bën të ndjeheni ky fakt dhe a do të ketë një projekt të radhës pas këtij?

Po e vërtetë. Filmi ka nisur me prezantimin në Montreal, ku pati një impakt pozitiv nga të gjithë ata të cilët e panë. Pas Kanadasë shkoi në Londër dhe jemi ftuar për të prezantuar në Çikago dhe Los Françisko. Kam edhe një ftesë për ta prezantuar në Beograd. Është ndjesi e papërshkrueshme kur vlerësohesh për punën që ke bërë. Kur ne kemi punuar për filmin, së bashku me direktorin, nuk e dinim sesi njerëzit do ta prisnin filmin, çfarë do të mendonin. Po kur kemi parë kaq shumë reagime pozitive, është një ndjesi e bukur. Është e vështirë ta shpjegosh, po aq sa të shpjegosh faktin që jam këtu në Shqipëri. Ky film po vendoset në Shqipëri dhe nga shqiptarë është vërtetë e papërshkryeshhme. Unë jam shqiptar, producenti po ashtu, filmi është për shqiptarët dhe kjo është e mrekullueshme.
Kur krijon diçka dhe vlerësohesh, është pafund ndjesi e bukur. Ne ishim pak të shqetësuar lidhur me faktin sesi do të pritej, do të pëlqehej apo jo, por të gjitha këto komente na kanë berë të kuptoj që kemi krijuar diçka të bukur këtu. Unë shpresoj shumë që të gjithë të rinjtë shqiptarë ta pëlqejnë filmin.

Do të ketë premierë edhe në Serbi filmi?

Po, sepse arti nuk ka lidhje me problemet. Kudo ka njerëz të mirë dhe të këqinj.

Në këtë film merr pjesë edhe aktori i njohur, Herion Mustafaraj. Nick, a njiheni prej kohësh me njëri-tjetrin dhe cili është roli i tij në këtë film?

Ne ishim duke kërkuar për një aktor, i cili do të luante rolin e Agronit në film. Nuk po gjenim ende dikë me këtë personalitet, energji dhe fiks si personazhi që ishim duke kërkuar. Kështu që unë kisha një mik në Shqipëri, që ishte aktor, Herionin. Kështu e përfshimë atë. Herioni na dërgoi një video dhe ne u mrekulluam nga ai. Ai luan rolin e Agronit në film, i cili është miku i ngushtë i Elvis (rolit që luaj unë),

Gjithashtu në këtë film është komentuar mediatikisht edhe pjesëmarrja e një aktori serb. Ka qenë e qëllimshme ideja për ta pasur pjesë të kastit, apo me të njiheni prej kohësh?

Origjinalisht jo. Kanë qenë shumë audicione për zgjedhjen e aktorëve dhe nuk po gjenim atë çfarë kërkonim. Ne po bisedonim dhe menduam që do të ishte interesante të merrnim një aktorë që të luante rolin e serbit. Kështu që kjo nuk ishte e qëllimshme. Unë dhe producenti im jemi shumë të kujdesshëm në këtë aspekt dhe nuk besoj se vendosja e një shqiptari dhe serbi në film do të ishte një gjë e keqe, pasi kjo nuk ka lidhje me marrëdhëniet midis vendeve. Në film, asnjëherë nuk thërritet serb. Ai është antagonisti, djali i keq, por ne nuk kemi bërë një film për marrëdhëniet serbo-shqiptare. Nuk ishte ky qëllimi ynë.

Kur e keni vizituar për herë të parë Shqipërinë?

Kam qenë për herë të parë në Shqipëri në vitin 2012 për Festën e Pavarësisë. Koha të rrëmben dhe sidomos jeta në USA, kaq shumë gjëra për të bërë dhe kaq pak kohë. Por Shqipëria është e mrekullueshme dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Do të doja që herën tjetër që të vija këtu moti të ishte disi më i mirë (qesh).

Na trego pak historinë e familjes tënde?

Babai im është nga Velipoja dhe kanë shkuar herët në Ulqin. Aty është takuar me mamanë time dhe janë dashuruar. Më pas kanë emigruar nga vitet 69 në Amerikë. Ato kanë udhëtuar për në Detroit për kushte më të mira ekonomike.

 

Gjatë qëndrimit tuaj këtu, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?

Gjithçka.  Këto ditë kam vërejtur transformimin total të Shqipërisë deri më sot, në një mënyrë që asnjë shtet nuk e ka bërë në histori, duke parë parasysh kohën e komunizmit. Tani çdo gjë duket mirë, që tek ndërtesat, njerëzit e çdo gjë. Jam i mahnitur sesi është transformuar Shqipëria dhe jam pafund krenar.

Vajzat shqiptare krahasuar me ato amerikane, një mendim?

Kjo është një pyetje e mirë. Unë mendoj se vajzat shqiptare janë më shumë respektueshme, inteligjente dhe të bukura. Mendoj se ka shumë shumë se çfarë mund të mësojmë vajzat amerikane nga ato shqiptare. Në Amerikë po mund ti gjesh të gjitha llojet e vajzave në çdo kuptim.  Shumica e vajzave shqiptare që kam takuar janë kaq inteligjente dhe të bukura e kjo është tepër pozitive.

 

SHKARKO APP