Nikolin Gurakuqi: Njeriu duron edhe të padurueshmen

Z. Gurakuqi sapo keni publikuar librin tuaj “Skenarist i qiellit të uzurpuar”. Pse ky titull?

Titulli i librit është një nga poezitë e Marsidit (djalit, i cili është ndarë nga jeta, katër vite më parë, pas një sëmundje të rëndë), me të njëjtin titull ku ai dialogon me krijuesin duke e akuzuar si dhunuesin e ëndrrës së lirisë qiellore të individit dhe uzurpator të hapësirës blu qiellore.

-Libri është në bashkëpunim, mes jush dhe djalit tuaj, dy persona, tashmë në “botë” të ndryshme…

Libri vërtetë ka dy autorë, një të gjallë, babai, dhe një të vdekur, djali, por e rëndësishme është që jemi bashkë në një libër si bashkautorë dhe këtë unë e thashë në promovim, më në fund pas katër vjetësh bashkë, nuk ka rëndësi se si, dashuria i zhduk kufijtë e jetë-vdekjes. E shkrova librin tim të tretë si vazhdim i poezisë së tim biri, dhe të dy si autorë jemi në sintoni të plotë, me ndryshime të vogla që rrjedhin nga diferencat e përvojave jetësore. Ky është një botim krejtësisht i veçantë dhe unikal në llojin e vet, që ne të gjallët dhe ata të vdekurit mund të jemi bashkë, jo atje ku do shkojmë të gjithë një ditë, por këtu në jetë edhe se në forma të ndryshme ekzistence. Ne jemi bashkë njëlloj si dikur brenda faqeve të dijes njerëzore.

-Çfarë ndjesish keni përjetuar gjatë përgatitjes dhe kujt i drejtohet ky libër?

Libri është shkruar në verën e 2014-s dhe ka qenë i mundimshëm, por edhe i magjishëm deri sa dritën e botimit, e këtu dua të falënderoj botuesen e poeten e shkëlqyer Rita Petro për përgatitjen e botimit, por edhe për analizën që i bëri librit në promovim. Ky libër i drejtohet një publiku të gjerë të të gjitha moshave, me mesazhet e dinjitetit njerëzor, përbuzjes së shëmtuarës, himnizimit të natyrës e lirisë së individit, e mbi të gjitha dashurisë së pakufishme prindërore.

-Z.Nikolin, djali juaj u nda nga jeta në moshën 26-vjeçare. Jeni i zemëruar me Zotin?

Kur mora lajmin e humbjes së djalit sigurisht që u zemërova me të, madje kam thirrur me sa kisha në kokë “A ka zot në këtë botë”, por me kalimin e kohës ky zemërim më ka kaluar. Tani herë-herë dialogoj me të.

-Një fëmijë kur humb babain mbetet jetim. Po një baba si mbetet pa djalin e tij?

Një baba që ka humbur djalin, është vetëm një gjysmë, që jeton me një plagë, por besomëni, njeriu duron edhe të padurueshmen, dhe në rastin tim është shndërruar në një vullkan frymëzimi kreativ regjisorial dhe letrar.

Po e kam një peng, sakrificën e jashtëzakonshme që bëra për t’ia plotësuar dëshirën e shkollimit jashtë të materializuar në një bibliotekë prej 1500 librash të blerë të gjithë në Itali që tani kërkojnë të zotin, por s’e kanë.

-Marsidi ishte një djalë që shkruante, a mund t’ju pyesim nëse i keni shkruar ndonjë citat mbi varr?

“Bota nuk ka nevojë për bindje të palëvizshme, bota ka nevojë për pyetje”, janë fjalët e fundit të studimit të Marsidit “Arti dhe Ideologjia”, fjalë që i kam vënë mbi varrin e tij. Duke i bërë pyetje kësaj bote merr edhe përgjigje. Marsidi i ka dhënë shumë përgjigje asaj.

-Z.Nikolin, për nga natyra burrat janë më të fortë për të përballuar dhimbjen, ndërsa nëna, besoj e ka më të vështirë (edhe pse mund të mos jetë kështu). Po bashkëshortja juaj, si e ka përballuar këtë situatë të vështirë?

Ime shoqe e përballoi më mirë se unë goditjen dhe u bë motori i ruajtjes së familjes. Ndërsa unë disa muaj isha i pamundur për punë, por me ndihmën e saj kaloi dhe tani bëjmë një jetë normale në bashkëjetesë me një dhimbje të lehtësuar.

-Ju keni dhe një djalë tjetër, por një vajzë, a ju ka munguar në jetë…?

Po, kam edhe një djalë tjetër që është regjisori Enkel Gurakuqi, një djalë që e dua shumë e më do shumë, por një vajzë më mungon, të jem i sinqertë. Nëna ime e quante Marsidin goca e shtëpisë se ai ishte shumë i dashur.

-A ju bëri humbja e djalit poet, apo ju shkruanit edhe më parë?

Unë kam shkruar edhe më parë por pa qëllimin për të botuar, ndërsa humbja e djalit ma nxori të tërën jashtë dhe tani vazhdon në një presion që nuk mund ta mbaj më. Në vitet e ardhshme do kemi botime të tjera.

-Z.Nikolin, ndalemi pak te ju,  si ka qenë fëmijëria juaj dhe sa ka ndikuar kjo periudhë e jetës në atë që ju jeni sot?

Fëmijëria ime ka qenë e shkëlqyer mes gjyshërish të mrekullueshëm që linin kokën për mua, mes librash, lulesh e pemësh frutore, mes prindërish e kushërinjsh të kulturuar maksimalisht për kohën, mes një dashurie të paanë ngado që ta ktheje kokën. Rrënjët atje janë në fëmijëri tek gjyshërit e prindërit njerëz të artit skenik e muzikor, letrar e gazetaresk.

-Ju keni bërë art në dy kohë, para dhe pas ’90-s. Çfarë ka ndryshuar nga sot dhe cila është ajo shfaqje që do të donit  ta vinit në skenë dhe ende nuk keni mundur?

Unë jam emëruar në opera në vitin 1978. Atëherë gjeta një teatër me artistë të mëdhenj, por fatkeqësisht teatri vuante mungesën e repertorit të kompozitorëve të mëdhenj botërorë. Bënim vetëm repertor kombëtar me ndonjë përjashtim. Kontrolli ishte i rreptë, dhe cilësia e dobët artistike nuk tolerohej. Kishte disiplinë të rreptë pune, por teatri ishte larg zhvillimeve ndërkombëtare sepse ishte i izoluar, ndaj dhe mbeti prapa. Por duhet thënë se atëherë kishim një trupë me 40 solistë të të gjithë zërave, kishim një kor me 80 pjesëtarë me vokale të shkëlqyer, ndërsa tani janë vetëm 12 solistë 5 nga të cilët janë të parë. Imagjinoni një teatër ku gjatë gjithë vitit këndojnë 5 vetë, megjithë respektin e madh që kam për ta, ndaj dhe publiku është larguar ndjeshëm nga opera sidomos muajt e fundit! Sot kemi një teatër më të hapur karshi zhvillimeve ndërkombëtare me struktura e kritere artistike e ligjore perëndimore, por akoma jemi larg perëndimit. Teatri vuan krizën e këngëtarëve. Të rinjtë kanë hyrë, por i duhet shumë punë të marrin fatet e teatrit në dorë. Jemi ndoshta i vetmi teatër ku nuk zbatohet e drejta e autorit edhe pse ligji ekziston. Arsyet nuk i di, por artisti nuk ka pronë tjetër përveç artit që bën. Shfaqje pafund filmohen, por ne nuk shohim para me sy.

-Cila është ajo shfaqje që do të donit ta vinit në skenë dhe ende nuk keni mundur?

Unë kam vënë në skenë një pafundësi shfaqjesh, por do kisha shumë dëshirë të vija në skenë Makbethin e Verdit dhe disa opereta të kompozitorit francez Ofenbach. Janë të shkëlqyera.

-Z.Nikolin, a jeni ndjerë i vlerësuar në gjithë këto vite punë?

Mendoj se jam i vlerësuar edhe nga mediat, edhe nga shteti, edhe nga teatri. Unë jam mbajtës i një titulli dhe teatri më ka nderuar duke festuar ditëlindjen time të 60-të.

-Për çfarë ju vjen keq më shumë në Shqipëri dhe thoni: si ka mundësi që kjo gjë nuk ndryshoi?

Për shumë gjëra më vjen keq. Tek ne lulëzon tmerrësisht shpejt e keqja, korrupsioni, por ajo që më shqetëson më shumë është mentaliteti oriental shqiptar që është i ngurtë,  gati i pandryshueshëm dhe që përpiqet t’i imponohet Evropës me budallallëkun e tij fshataresk.

-Keni menduar ndonjëherë të largoheni nga ky vend?

Nuk kam menduar kurrë të largohem nga Shqipëria. Mund ta bëja në 1991 e në vazhdim, por jam kthyer në shtëpi. Nuk kam qenë kurrë emigrant dhe për këtë jam i lumtur. Jeta e emigrantit nuk më ka pëlqyer kurrë.

-Sa i rëndësishëm është ambienti, shoqëria, familja, për një krijues?

-Ambienti, familja, shoqëria, janë shumë të rëndësishme për mua, dhe për artin që unë bëj. Frymëzimin artistik e gjej ngado, mjafton të vëzhgoj realitetin me imtësi.

-Teksa ju shoh, keni një hije të patriotit Luigj Gurakuqi. Di që keni një lidhje me të?

Patrioti Luigj Gurakuqi është djali i xhaxhait të Kin Gurakuqit, stërgjyshit tim, babai i Kolë Gurakuqit gjyshit tim. Unë i ngjaj babait, i cili ishte një burrë i pashëm dhe i ditur, i cili i ka ngjarë të parëve të tij.

-E keni menduar ndonjëherë të bëni aktorin?

E kam bërë edhe aktorin, por atë operistik, ndërsa atë të filmit apo të prozës jo. Është im bir Enkeli që ka luajtur edhe në film, edhe në teatër edhe se është regjisor. Tani e ka ai fjalën në këto gjini. Mua më mjafton opera dhe poezia. Aty zhytem e shpesh herë humbas. – “Dita”. 

 

SHKARKO APP