Nishani: Nënë Tereza, dhuratë që kombi shqiptar i bën mbarë njerëzimit
Intervistë e Presidentit e të Republikës dhënë për “Radio Vatikanin”
Gjatë vizitës së tij në Vatikan Presidenti Bujar Nishani pati takime me Atin e Shenjtë, Papa Françesku dhe Sekretarin e Përgjithshëm Kardinalin Parolin. Detaje nga këto takime Kreu i Shtetit Shqiptar i zbardhi në një intervistë për Radio Vatikanin, ku foli edhe për figurën e Shën Terezës. “Nënë Tereza, dhuratë që kombi shqiptar i bën mbarë njerëzimit”- shprehet kreu i shtetit. Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, për tre ditë ndoqi kremtimet për shenjtërimin e Nënë Terezës deri në Meshën e fundit, atë të falënderimit dhe në emër të shqiptarëve shprehu nderimin dhe devocionin për bijën më të shquar të kombit dhe trojeve shqiptare.
Intervista e plotë
Dom David Gjugja, Përgjegjës i Programit Shqip pranë “Radio Vatikanit”: Presidenti i Shqipërisë, Sh.T.Z. Bujar Nishani, përfunduan tre ditë historike me kremtime, të gjitha për të thënë që Nënë Tereza është e shenjtë, një shqiptare u shpall Shenjt nga Papa Françesku, një e shenjtë shqiptare u konfirmua sot nga Sekretari i Shtetit si simbol dhe shembulli më i mirë i fisnikërimit dhe vlerave njerëzore me një përmasë botërore. Ju ishit i pranishëm në të gjitha këto momente, nuk deshët të mungonit dhe ishte një dëshmi e jashtëzakonshme e përfaqësimit të popullit shqiptar pranë Nënës sonë, shembullit tonë të lartë. Ju lutem dëshminë tuaj nga gjithë këto kremtime si President i Shqipërisë!
Presidenti Nishani: Së pari do të desha të nënvizoj aty ku ju e nisët pyetjen tuaj, ceremonitë u realizuan, ceremonitë zyrtare u kryen në këto dy ditë, por ajo që do të mbetet në gjithë memorien e jetës sime përsa kohë të jem i gjallë në këtë jetë është pikërisht emocioni i papërshkruar që unë ndjeva në mesin e atyre dhjetëra e dhjetëra mijërave pelegrinëve të ardhur nga të gjithë anët e botës që më tregoi dhe më rikonfirmoi faktin e forcës së madhe që ka besimi tek njeriu, besimi tek njeriu pavarësisht statusit social, statusit shoqëror, politik që mund të ketë një njeri i caktuar në momente të caktuara të jetës së tij. Mesha e shenjtërimit të Nënë Terezës tregoi që të gjithë njerëzit janë të barabartë para Zotit dhe të gjithë duhet të jenë të bashkuar dhe t’i luten Atij për të njëjtat vlera, për të njëjtat parime dhe për atë që është më thelbësorja te njeriu, për besimin. Pavarësisht se ceremonia ishte e përmbledhur në një kohë të caktuar, memoria e kësaj ceremonie të këtyre ditëve në kujtesën time personale do të jetë dhe do të udhëtojë me mua gjatë gjithë jetës sime që më ka mbetur. Së dyti, tashmë Shenjti Nënë Tereza pas kësaj ceremonie që zgjati dy ditë, por ajo do të jetë një shenjt i përjetshëm tani për njerëzimin dhe për botën. Por, të qenit shenjt i përjetshëm për Shën Terezën e Kalkutës, Nënë Terezën siç ne e quajmë dhe do ta mbajmë gjithmonë në mendjet dhe zemrën tonë dhe referimin tonë do të përcjellë përjetësisht atë shenjtëri të brendshme dhe modelin e shenjtërisë që përcillte Nënë Tereza qëkur ishte gjallë. Kam ndjekur këto ditë me dhjetëra në mos me qindra, pa ekzagjeruar, referime të njerëzve të thjeshtë që thonin që Nënë Tereza ishte një shenjt para se ajo të shpallej zyrtarisht e Shenjtë, sepse parimi dhe vlerat që përcillte Nënën Tereza ishin ato të shërbimit më fondamental ndaj atyre që e kishin më shumë të nevojshme dhe çdokush tjetër shërbimin, ndihmën dhe dashurinë, më të varfërit e të varfërve, më të munduarit e të munduarve, më të sëmurët e të sëmurëve, më të përvuajturit e të vuajturve dhe Nënë Tereza ishte midis tyre. Sot Shën Tereza tregoi që u jepte atyre besimin, forcën për të rezistuar nga ato vuajtje që ndoshta shumica e njerëzve nuk mundet do t’i përfytyrojë, nuk mundet do t’i perceptojnë, nuk mundet dot t’i përjetojnë sepse atë vuajtje e përjeton dhe e vuan vetëm ajo qenie njerëzore që e ka dhe Nënë Tereza kuptonte më mirë se kushdo tjetër në këtë botë, se çdo qenie humane në këtë botë sesa e madhe ishte vuajtja e tyre dhe sa e nevoshme ishte ndihma që duhet t’u jepte atyre. Jo çdokush u afrohej më të përvuajturve, më të varfërve, më të pamundurve, të sëmurëve për të dhënë qoftë dhe një dorë shprese, një dorë përkëdhelje apo dhe një dorë ndihme për ta çuar nga aty ku vuante, në rrugë pa asnjë shërbesë, në një shtrat, vërtetë një shtrat i thjeshtë pa luks, pa salltanete, pa teknologji të lartë, por një shtrat i cili jepte qetësi shpirtërore për të luftuar me të keqen që e kishte pushtuar qoftë sëmundje, varfëri, pamundësi fizike dhe gjëra të tilla që një qenie njerëzore përsa kohë është në këtë botë mund të ndeshet dhe mund ta mbajë mbi supe, mbi jetën dhe fizikun e tij të përditshëm.
E bëra ndoshta këtë parantezë kaq të gjatë për të treguar sesa të mëdha dhe sa të forta ishin emocionet e mia personale, të bashkëshortes sime, por jam i bindur të të gjithë atyre që ishin në sheshin e meshës, por e të gjithë atyre njerëzve që jam i bindur që kanë qenë me miliona në të gjithë botën që kanë ndjekur me shumë dashuri, respekt dhe shumë përkushtim atë meshë të djeshme. Për ta përfunduar këtë përgjigje të kësaj pyetje të parë që ju bëtë është pikërisht fakti që ceremonitë ishin shumë dinjitoze, në mënyrë perfekte të organizuara, ceremonitë nga pikëpamja formale kanë gjithmonë një kohë të caktuar për t’u nisur dhe mbyllur dhe ajo që do të mbetet tashmë e përjetshme, për ne që jemi kalimtarë në këtë botë deri diën e fundit të jetës sonë krenaria që ishim pjesë e kësaj dite historike që ishim pjesë e këtij momenti historik dhe gjithë ato gjenerata që ishin dhe përjetuan këtë moment historik janë me fat dhe nga ana tjetër bota, njerëzimi do të ketë në mënyrë të përjetshme një Shenjt, që do të inspirojë gjithmonë tek ata një model, i cili është një model paksa i veçantë edhe në rastet e tjera.
Ju falënderoj për këtë zhytje në shpirtin e Nënë Terezës që ishte esenca dhe motorri i gjithë asaj vepre që ajo arriti të bënte, lidhja me Zotin, lidhja me njeriun, dashuria me Zotin, dashuria me njeriun. Zoti President, edhe si shqiptar kam qenë i ngazëllyer dhe i emocionuar këto ditë kur shikoja figurën e Shën Nënë Terezës në ballin e Bazilikës së Vatikanit që shkëlqente me buzëqeshjen e saj hyjnore dhe gjithë bota që kalonte me respekt, nderim, lutje, pastaj ju si President, Presidenti i Kosovës, pëfaqësuesit e gjithë trevave shqiptare dhe flamujt e një numri të madh shqiptarësh, besimtarë të të gjitha feve që valëvitnin flamujt e tyre, fytyrat e qeshura, zemrat plot gëzim për një ngjarje që i kalon çdo lloj imagjinate, përmase dhe i bashkon, afron sidomos shqiptarët.
Pa dyshim për ne është një moment krenarie. Ne prej kohësh referohemi dhe me shumë të drejtë dhe për fat të madh, referohemi si kombi që nxori Nënë Terezën, si kombi që i dhuroi botës një shërbëtore si Nënë Tereza, si kombi që ka brenda saj njerëz të cilët i përkasin pjesës së njerëzimit që është aq shumë e lidhur me dëshirën që të ndeshet me të keqen, ta mund të keqen dhe të kurojë me dashuri dhe me forcën hyjnore që merr nga besimi dhe Zoti pasojat që le e keqja. Nënë Tereza është shembulli më i shkëlqyer i kësaj dhe me të drejtë shqiptarët, të cilët për fatin e tyre jo fort bujar kanë përjetuar ndër shekuj momente shumë të vështira, momente të cilëve u është dashur që të luftojnë dhe të rezistojnë për ekzistencë dhe për të ruajtuar identitetin e tyre kombëtar, për të ruajtur dhe përçuar trashëgiminë mijëravjeçarë të identitetit të tyre kombëtar. Tashmë jetojmë në disa kohëra më fatlume dhe akoma më të lumtur jemi që në këto kohëra më fatlume kemi dhe personalitete hyjnore tashmë të tilla siç është Nënë Tereza, Shën Tereza, me të cilën shqiptarët dhe brezat që do të vijnë jam i bindur do të jenë akoma më krenarë dhe do të zhyten më thellë sesa brezat aktualë në historinë që bëri Nënë Tereza në radhë të parë në shërbim të njerëzimit, humanizmit, të Kishës Katolike, por edhe në promovim dhe prezantim të gjakut dhe identitetit të saj, për të cilën ne jo vetëm do t’i lutemi Shën Terezës, por dhe do t’i përkulemi me nderim dhe me shumë respekt gjithmonë.
Ju edhe në meshën e kanonizimit, në meshën historike të 4 shtatorit që e kremtoi Papa Françesku, edhe në meshën e falënderimit për kanonizimin e Nënë Terezës të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, ju kenipasur takime edhe personale pas këtyre ceremonive. Keni pasur çaste edhe për të shprehur e për të biseduar me Papa Françeskun, e pastaj edhe me Kardinalin Parolin: Dy fjalë nga këto takime që keni pasur?
Jam shumë i lumtur, i nderuar dhe i privilegjuar nga përshëndetja dhe takimi i shkurtër që pata dje me Atin e Shenjtë, me Papa Françeskun para nisjes së meshës së kanonizimit dhe ajo që më lumturoi si njeri, si një qytetar dhe si shqiptar, ishte fakti i mesazheve dhe i fjalës që më adresoi gjatë atij takimi të shkurtër Ati i Shenjtë, i cili rikujtonte ditën e vizitës së tij në Shqipëri sikur ajo të kishte ndodhur vetëm para pak ditësh dhe me një vlerësim e me një mirënjohje të madhe për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për kombin shqiptar dhe për vlerat e tij. Besoj se do herë që do të kemi fatin dhe shansin ta takojmë Papa Françeskun, jam i bindur që mesazhet që Ai dha gjatë vizitës së Tij në Tiranë, prania e Tij, ajo ndjenja shpirtërore që Ai përcolli, do të jenë të pashlyeshme dhe të pazëvendësueshme.
Takimi i sotëm i shkëlqyer dhe shumë miqësor me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Parolin ishte një çast shumë i veçantë, që do të mbetet një mbresë e imja e pashlyer nga mikpritja dhe mirësia e tij, dhe ne në fjalorin tonë, ne shqiptarët, konceptin e mirësisë e kemi fort të ngulitur e të nënvizuar si një vlerë. Dhe atë e gjeta sot fort të shprehur tek takimi që më ofroi Kardinali Parolin, i cili adresoi një vlerësim shumë të madh për kontributet që kombi shqiptar dhe shqiptarët kudo ku ndodhen, posaçërisht ata në Ballkan, në Shqipëri, në Kosovë dhe në vende të tjera japin për sa i takon dimensionit njerëzor. Sot bota ka sfida shumë të mëdha, sfida të cilat kërcënojnë më shumë se çdo gjë tjetër njerëzimin dhe sfidat me të cilat mund të përballet më shumë se me çdo gjë tjetër, përmes përballjes me dimensionin njerëzor, pra shqiptarët e ofrojnë këtë kontribut të tyre përmes dimensionit njerëzor dhe kontributeve të tjera.
Në përfundim një mesazh që ju dëshironi t’ua transmetoni shqiptarëve me pak fjalë nga ky takim. Kur ju erdhët, Nënë Terezën e gjetët të lumturuar. Tani po ktheheni me Shën Terezën në Shqipëri.
Këto janë momente historike, që ndoshta ndodhin një herë në shekull me kombe të caktuara, ndoshta edhe më gjatë, kështu që gjeneratat tona që jetojmë sot jemi me fat. Dhe unë i them çdo shqiptari kudo ku ndodhet, që jemi një brez me fat që arritëm të jetojmë dhe të shikojmë nga afër një ëndërr që bëhet e vërtetë përmes identifikimit të një shenjti në rang botëror me gjak shqiptar siç është Nënë Tereza, Shën Tereza. Fati ynë i madh që i jemi në këtë brez duhet të shndërrohet dhe të përkthehet në një frymëzim, pasi modeli i Nënë Terezës, modeli i vlerave të saj, ishte pikërisht frymëzimi për të qenë gjithmonë i gatshëm për t’u ndeshur gjithmonë me vështirësinë që ke përpara, sado e vështirë të jetë ajo, sado e pamundur që të duket, sado larg dëshirës tënde për t’u ndeshur me të mund të duket. Në fund të fundit, frymëzimi duhet të lindë tek njeriu për njeriun në raportet e mirësisë. Dhe ky besoj se ishte edhe mesazhi i Nënë Terezës, sepse shpesh herë edhe në ciklin global ku jetojmë sot, nuk para jemi të kënaqur me dimensionin e raporteve njerëzore mes njerëzve. Dhe këtu besoj rrjedhin dhe dalin sfida shumë të mëdha për njeriun, prandaj bëhet edhe më i rëndësishëm mesazhi dhe portreti, vlera dhe simboli i Shën Terezës sot, sepse ajo frymëzoi ofrimin e ndihmës dhe të raportit humanist dhe të dhembshur. Dhimbsuria që ekziston si koncept dhe si pjesë e leksikut tek ne shqiptarët vjen nga brenda njeriut, vjen nga shpirti i tij dhe ne kur themi e ndiejmë me shpirt dhe ne kur e japim ndihmën, e japim atë megjithë shpirt. Këtë dimension e kemi të lidhur me shpirtin në mënyrë njerëzore. Nënë Tereza e shenjtëroi këtë raport midis njeriut, mes atij që ka mundësi të ndihmojë dhe atij të pamundurit, që është vlera më e madhe dhe prova më e madhe që duhet të kalojë njeriu në jetën tokësore. Kjo është prova më e madhe. Nëse njeriu e kalon në mënyrë të suksesshme këtë provë të madhe të jetës tokësore, pra të më fortit ndaj të pamundurit, për të ofruar atë mundësi që ka tek më i pamunduri, te më i varfri, te i sëmuri, ky është një moment, i cili të dyja qeniet njerëzore: atë që e ka dhe atë që nuk e ka për shumë arsye, i bën të mundur për t’i kaluar pastaj vështirësitë së bashku. Besoj se bota pastaj ka nevojë sot për këto mesazhe, më shumë se çdo herë tjetër, për të përballur të gjitha llojet e sfidave. Për të përballuar urrejtjen, luftat, përplasjet, ndasitë, cmirën dhe makutërinë. Pra të gjitha këto janë të lidhura me dimensionin njerëzor. Po e përfundoj këtë përgjigje, sepse dua ta nënvizoj atë që e thashë edhe më lart: prandaj ne shqiptarët dhembshurinë, ndihmën kur e japim, e japim me gjithë shpirt, sepse e ndiejmë, sepse është e lidhur me botën. Dhe bota dhe ndjeshmëria janë padyshim të frymëzuara nga besimi në Zot.
Ju falënderoj shumë! Edhe ju urime në misionin që keni!
Edhe unë ju falënderoj ju personalisht dhe jam shumë i nderuar që isha te “Radio Vatikani” dhe dua të bëj një nderim e një homazh të posaçëm për “Radio Vatikanit” për një mbajtje gjallë të frymës së lirisë te qytetarët e mi, te vendi im, edhe në momentet më të errëta e më të vështira që ai kaloi nën diktaturë. Ishte “Radio Vatikani” që bashkë me miqtë e tjerë të Shqipërisë e mbajti gjallë këtë shpresë dhe ne do të jemi gjithmonë mirënjohës. Ju faleminderit!