Petrit Vasili: Ja ç’ndodhi në 3 orë bisedime Rama-Basha

Pse duhej të takohej Meta me Bashën?

I gjithë komunikimi mediatik i kryetarit të Kuvendit ka qenë shterues në motivet e dhëna për këtë takim. Kushdo besoj e ka kuptuar qartë sesa i rëndësishëm është procesi i ndryshimeve kushtetuese që duhet të jetë një proces i qartë, transparent dhe me standarte. Tani jemi në luftë me kohën, sepse koha që kemi për ta mbyllur është deri brenda korrikut, kur mbyllen dhe punimet e parlamenti. Por, procedurat parlamentare kërkojnë kohën e tyre që nuk mund të shkelen. Duhej sqaruar dhe një keqkuptim fare i panevojshëm lidhur me përfshirjen në Kuvendit të ndryshimeve kushtetuese. Ky veprim ishte një keqkuptim, ndaj duhej davaritur çdo lloj hije dyshimi në raportin zyrtar mes opozitës dhe Kuvendit.

Ndryshimet kushtetuese janë futur apo jo në kalendar meqë koha ju ka vendosur të gjithë palëve nën presion?

Nuk jam këtu për ta thënë këtë, sepse kjo edhe dihet. Por, keqkuptimi erdhi, pasi çdo gjë që hyn në diskutim në Parlament vendoset në mbledhjen e konferencës së kryetarëve. Kjo nuk u diskutua, por gabimisht ishte futur më vonë në materialet e Kuvendit. Sqarimet rreth këtij keqkuptim ishte më mirë që të bëheshin sy më sy sesa me ndërmjetës. Ilir Meta edhe në këtë rast luajti rolin e njeriut që respekton institucionet, sepse nuk ka qenë në konferencën e kryetarëve, meqë ishte në SHBA, Konferenca u drejtua nga zonja Leskaj, por pas keqkuptimit të krijuar, i cili krijoi një tension akut politik duhej një sqarim i plotë institucional që garantonte moscënimin e procedurave.

Tani a është në kalendar kjo çështje?

Nuk është futur akoma.

A u sqarua gjë tjetër në këto bisedimet e fundit?

Çështja e reformës në drejtësi mbetet më e rëndësishmja aktualisht në të gjitha planet. Nuk ka asnjë ditë që nuk mund të flitet për këtë reformë. Meta ka të drejtë dhe është plotësisht në rolin e tij kushtetues, kur premton një proces me integritet, legjitim dhe që plotëson standartet lidhur me miratimin e kësaj reforme.

Meta të dielën ishte dëgjues apo negociator?

Unë nuk kam qenë pjesëmarrës në këtë takim. Meta të djelën ishte në cilësinë e kryetarit të Parlamentit, ndaj u shoqërua nga shefiم i kabinetit të tij zoti Dervishaj. Mundësia për t’u ulur në tryezë siç është ajo e reformës në drejtësi u evidentua një moment, të cilin opozita e quan të rëndësishëm nga ana e saj për dhënien e miratimit të reformës në drejtësi dhe ku Basha u shpreh qartë dhe demostroi edhe vullnet për të ecur me reformën, si dhe dakordësi për shumë elementë nga ana tjetër, po Basha shprehu mosdakordësinë me mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesve të disa institucioneve siç do të jenë disa këshilla. Sistemi i drejtësisë është një pushtet i pavaruar që ka një tjetër raport me shtetin. Rindërtimi i një arkitekture të re të sistemit të drejtësisë dhe ngritja e disa institucioneve të reja është ky thelbi i një reforme në sistemin e drejtësisë. Në arkitekturën e re privilegjohen profesionistët.

Flasim për vendet e rezervuara që janë rekomandim i Komisionit të Venecias apo jo?

Po është në rekomandimin 88, parashikohet si formulë që përdoret në momentet, kur nuk ka dakordësi mes palëve. Vendet e rezervuara nuk është e vetmja formulë e ofruar nga Komisioni i Venecias, formulat për këtë janë, për të afruar palët.

Kryeministri deklaroi se ne është dakord me 2/3. A kanë kuptim vendet e rezervuara, kur 2/3 e afrojnë një garanci të këtillë?

Çështja këtu nuk është për të debatuar ndërmjet një zgjidhje dhe një tjetër, por për të gjetur zgjidhjen që do të marrë konsensusin maksimal. Mbi 91 përqind e shqiptarëve thuhet se mbështet reformën në drejtësi. Këta nuk janë të gjithë mbështetës të mazhorancës, prandaj kryerja e një reforme me bazë sa më të gjerë shton besimin tek vetë reforma

Kur Meta ishte në SHBA ju vetë pse u përfshitë në takimin Rama-Basha?

Ishte një kërkesë e vetë kryeministrit. Këtë e ka sqaruar edhe vetë Rama. Ai e bëri të ditur se për shkak të mungesës së një pjestari të planifikuar për takim, zotit Fino, u pa e me vend ndryshimi dhe ftesa ndaj meje.

Unë e kuptoj këtë, por ka patur zëra që kanë thënë se Meta e Berisha kishin kështu në atë tavolinë njerëzit e tyre…

Këto janë konfiguracione pa interes për mua. Në takime të tilla, pavarësisht ecurisë së tyre, e rëndësishme është se çfarë prodhoi ai takim. Ka disa procese që janë shumë të rëndësishme dhe pa kthim për shkak të rëndësisë që kanë.

Je njësoj optimist sot si disa muaj më pare, siç ishe për ligjin e dekriminalizimit?

Reforma në drejtësi kam bindje se do të ecë përpara. Dy shinat ku ka hyrë procesi janë: interesi publik që ekziston tek shumica e shqiptarëve që e duan këtë reform dhe që procesi i integrimit europian e ka këtë reformë kusht për rekomandimin pozitiv. Moskapërcimi i kësaj reforme do të thotë ngadalësim i këtij procesi integrimi. Pikërisht për këto dy motive kërkohet dhe lëvizja nga “llogoret” e mungesës së dakordësisë.

Takimi Rama-Basha ishin 3 orë bisedime apo “hidhje e pritje batutash”?

Ishte një bisedë politike. Biseda, megjithëse nuk dha zgjidhje kishte edhe momente debati, por ishin brenda etikës.

Pas takimit Rama-Basha palët ishin larg, pas takimit Meta-Basha palët a janë më afër?

Nuk e them dot këtë. Meta informoi kryeministrin lidhur me bisedën që ka të bëjë me futjen e ndryshimeve kushtetuese në rrjedhën parlamentare, pasi nëse nuk jemi shumë rigorozë në procedura, nuk ka legjitimitet, integritet dhe standard. Këto i duhe reformës dhe prandaj Meta i bën shërbim pa kompromis që këto tre elemenetë të mos cënohen për asnjë arsye për të mos u kontestuar më pas.

A e kanë kuptuar liderët e forcave të mëdha politike se kanë krijuar një monstër në vitin 2008 me ndryshimet kushtetuese? E ndani këtë bindje?

Ndryshimet kushtetuese atëherë u bënë jo transparente. Negociatat u bënë jashtë syve të publikut dhe u votuan në mënyrë të rrufeshme në kuvend. U ngrit një komitet për mbrojtjen e kushtetutës, ne bëmë një tubim të madh, ku kemi thënë që kushtetuta kërkon ndryshime të mendura mirë. Sot i vuajmë problemet që kanë ardhur nga ato ndryshime. Në atë kohë ne kërkuam me forcë ndaljen e atij procesi që ishte dëshpërues. Ai proces u ngjiz e lindi keq ndaj dhe solli efekte negative.

A po ndodh sot e njëjta gjë për hir të reformës në drejtësi?

Një ndër gjërat që mbase dhe informalisht që na është thënë nga Venecia këto kohë është: “ Shumë mirë që na pyetët, po pse nuk na pyetët dhe në 2008?!”. Procesi i sotëm ka diferencë. Institucioni më i mire, të cilit i jemi referuar edhe ne është Komisoni i Venecias, por bashkëpunimi ka qenë thelbësor dhe me dy misione të rëndësishme si OPDAT dhe Euralius. Procesi ka qenë interaktiv me propozime nga të gjitha palët, ka patur dëgjesa publike, pra është një proces shumë më i ndryshëm se ai i 2008. Sistemi i sotëm synon kritere shumë më të forta në përzgjedhjen mes profesionistëve.

Meta e takoi Bashën pas një deklarate shumë të ashpër nga ambasada amerikane dhe Bashkimi Europian. Duket se iu dha një alibi Bashës me takimin me Metën?

Çfarë alibie?! Vetë kryeministri e tha që do të pritet opozita deri në momentin e fundit.

Procesi do të vazhdojë me të tjera takime?

Nuk është në tagrin tim ta them këtë, sepse nuk jam kryetar i asnjë force politike.

Ju pyeta për ndryshimet kushtetuese të disa viteve më parë jo vetëm për reformën në drejtësi, por edhe për reformën zgjedhore. Pas reformës në drejtësi a duhet një proces i hapur për reformën zgjedhore?

Ky proces ka nisur tashmë dhe për hir të së vertetës ka nisur shumë më shpejt se herët e tjera, kur është folur për reformë zgjedhore. Duhet theksuar se votimi elektronik, kusht ky i opozitës, nuk ka patur mosdakordësi, por nuk u bë për pamundësi teknike. Duhet parë mënyra sesi ta bëjmë teknikisht në mënyrën më të mirë dhe të besueshme dhe hajde ta bëjmë.

Nuk do të ishin mirë që në këtë reformë të flitej dhe për listat e hapura?

Një propozim është edhe ky. Por, për mua problemi më i madh është administrimi korrekt. Të gjitha vërejtjet e zgjedhjeve të 2013 dhe 2015 rendisin si problem administrimin dhe numërimin e votave. – TVSH.

 

SHKARKO APP