Petrit Vasili: Koalicioni qeverisës, LSI korrekte

“Sikurse edhe ju jeni pjesë e këtij realiteti ku ne jetojmë sëbashku, ne po përjetojmë një moment ku Shqipëria e tëra është përfshirë në një moment të një intensiteti turistik të jashtëzakonshëm, e cila ka përfshirë edhe fuqi dhe energji, por njëkohësisht dhe një mobilizim të gjithë atyre resurseve, fuqive, bizneseve dhe infrastrukture që lidhet me këtë aktivitet tashmë mbarë kombëtar. Por thënë e gjithë kjo, ky moment i cili është pozitiv, i cili ka shënuar sigurisht frytet e mira pozitive të një politike promovuese të mirë për Shqipërinë turistike, ku jo vetëm mijëra e mijëra turistë vendas janë tashmë frekuentues të bukurive turistike shqiptare, por dhe një numër shumë i rëndësishëm të huajsh ndodhen në Shqipëri për të pushuar. Kjo imponon sigurisht një qëndrim dhen një qasje të re lidhur me çështjen sepse njëherazi janë verifikuar edhe problematika, që në momente të caktuara sigurisht e kanë bërë të pakëndshëm qëndrimin në disa zona të caktuara, por njëkohësisht dhe shqetësues. Ndaj ne jemi sëbashku këtu për të evokuar një bashkëpunim shumë më intensiv mes pushtetit qendror, por edhe atij lokal, i cili sapo u formësua sipas një mënyre të re shumë më efikase pas 21 qershorit për t’u përballur me këto probleme, në mënyrë të veçantë ato që kanë të bëjnë me furnizimin me energji elektrike ku mungesa të shumta janë vërejtur nëpër mjaft qendra turistike, por gjithashtu edhe problemi që ka lidhje me furnizimin me ujin e pijshëm, por dhe të trajtimit problematik tashmë të mbeturinave,  por dhe një fenomen tjetër i vjetër dhe i ri, por që në mjaft momente është verifikuar të jetë serioz, atë mbi shkarkimet e pakontrolluara të ujërave të zeza të cilat kërkojnë një përballje të menjëhershme, të përditshme, 24 orëshe, si përgjigja më e mirë për një Shqipëri që bëhet gjithmonë e më atraktive dhe e cila synon që të ketë sezone të gjata turistike. Kjo do të thotë në radhë të parë dhe mbi të gjitha, të ardhura shumë më të mëdha nga ky sektor strategjik.

Gjithashtu ne do të tërhiqnim vëmendjen dhe do të kërkonin konstituimin sa më të shpejtë dhe të plotë të gjithë njësive të tjera të qeverisjes vendore të dala pas 21 qershorit, sepse çdo vonesë në konstituimin e tyre do të thotë shërbime më pak, apo shërbime të munguara në shërbime të gjata, por edhe afatshkurta, të domosdoshme, të përditshme për qytetarët, të cilat nga mungesa e konstituimit rezultojnë të jenë munguese. Ndaj, në tërësinë e vet, ne do të thoshim me pak fjalë që Shqipëria sot në këtë moment intensiv turistik ndahet në një mori mijëra njerëzish që kanë të drejtën të pushojnë dhe ta përfitojnë, por edhe në një grup tjetër që duhet të sakrifikojë për këtë mbarëvajtje të këtij turizmi kombëtar i cili e ka të pamundur të pushojë e duhet të jetë në krye të detyrës. Në radhë të parë trupat e inspektimi në territor të të gjitha formave dhe njëkohësisht një intensifikim i një forme të re, i një ritmi të ri mes pushtetit qendror dhe atij lokal në mënyrë që qëndrimi në Shqipëri të jetë vetëm një moment i pëlqyeshëm dhe një arsye për t’u rikthyer përsëri dhe jo një moment për të mos u kthyer më. Kështu, që në këtë moment kjo ishte edhe një nga konkluzionet madhore që ne nxjerrim dhe ku duam të tërheqim fort vëmendjen edhe të qeverisë, por edhe të opinionit të gjerë publik.

Duke iu referuar një deklarate që ka dhënë Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta në një intervistë për “Albania Daily News” ku kritikonte në njëfarë mënyrë taksat, a po sheh LSI mundësinë që në sesionin e ri parlamentar t’i propozojë aleatit të saj kryesor, PS-së, një rishikim të taksave në kushtet kur kohët e fundit po flitet madje dhe për rritje të tyre? Kujtojmë mundësinë për të taksuar pagat nën 30 mijë lekë.

Pyetja e dytë lidhet me një deklaratë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, z. Edi Paloka i cili tha se PD nuk do të bashkëpunonte kurrsesi me LSI, shtuar këtu edhe disa akuza të tjera. Besoj se ju jeni njohur me këto. A keni një reagim?

Me mirëkuptimin tuaj po e fillojmë nga e dyta dhe shkojmë tek e para, sepse besoj se pyetja e dytë që lidhet me deklaratën e z. Paloka është edhe më relaksuese. Unë e kam përcjellë këtë deklaratë të kolegut tim dhe Kryetarit të Demokratëve në Parlament z. Paloka për komente mbi një aleancë të mundshme midis LSI-së dhe PD-së dhe nga leximi i vëmendshëm i saj nuk mbetet gjë tjetër veçse ta mbështes plotësisht atë çka ai ka deklaruar, me gjithë mirëkuptimin parlamentar që na shoqëron edhe në sallën e parlamentit.

Së dyti, lidhur me pyetjen tuaj që është tepër e rëndësishme. Komentet e z. Meta janë të lidhura dhe qëndrojnë mbi një shinë të vetme dhe një lajtmotiv, që sistemi i taksave e gjithë politika fiskale në Shqipëri është dhe duhet të jetë e duhet të orientohet thjeshtë dhe vetëm nga një objektiv themelor dhe të patjetërsueshëm, që ky është zhvillimi ekonomik dhe rritja ekonomike  e qëndrueshme. Pa një rritje ekonomike të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, të gjithë e kanë shumë të qartë, që jo vetëm një mori problemesh të tjera të karakterit infrastrukturor, të karakterit të shërbimeve të tjera nuk mund të marrin përgjigje, por mbi të gjitha, një mori e madhe problemesh sociale delikate nuk mund të marrin përgjigje pa një rritje të qëndrueshme ekonomike. Ndaj, edhe vëmendja është që edhe çdo ndryshim eventual në politikat e taksave, duhet të matet ne efikasitetin e tyre vetëm me një tregues, prodhojnë apo jo rritje ekonomike të qëndrueshme. Së dyti, janë stimuluese dhe krijojnë frymëzim për biznesin që ai të investojë e të rrisë volumin e biznesit dhe njëkohësisht në mënyrë alternative të rritet edhe volumi i konsumit. Në rast se këto dy çështje të mëdha, por mbi të gjitha e para rritja ekonomike e qëndrueshme marrin përgjigje pozitive, sistemi i taksave me ndryshimet qofshin të mundshme që mund të propozohen të cilat janë tagër i Ministrisë përkatëse, e cila siç të gjithë e dinë punon ngushtësisht e lidhur në mënyrë të vazhdueshme me FMN-në, pra me një institucion tepër autoritar e prestigjioz, do t’i japë përgjigje gjithmonë e  më pozitive kësaj çështje. Sigurisht ne jemi në rrugën e duhur. Sa i takon komenteve që janë përcjellë intensivisht në shtypin e ditës, unë nuk kam pse të shkoj më tej nga komentet që Ministria e Financave ka bërë, ku e ka konsideruar thjeshtë dhe vetëm çështje diskutimesh teknike të cilat konsumohet mes konsulentë përkatës financiar që vijnë nga FMN-ja dhe Ministrisë së Financave dhe njëkohësisht garancisë që ajo ka dhënë, që nuk do të ketë një prekje të tatimit mbi të ardhurat për pagat që janë nën 30 mijë lek të reja. Besoj që edhe ky prononcim i Ministrisë së Financave është pozitiv dhe duhet përshëndetur sepse ky qëndrim social i mbajtur nga mazhoranca në marrjen e mandatit në 2013-n, ka qenë një qëndrim pozitiv dhe me efekt social pozitiv dhe jo e kundërta, ndaj dhe mendoj se duhet të ecet në këtë rrugë. Sigurisht çdo ndryshim në politikat e taksave, nuk duhet të priret në asnjë rast nga pamjaftueshmëritë që vërehen në funksionim dhe që lidhen me evazionin fiskal, me administrimet më efikase apo të dobëta apo me korrupsionin, por duhet të priren nga qëndrime vizionare, të cilat nënkuptojnë që këta elementë janë të përmirësueshëm dhe që janë në dorën e qeverisë, të tjerët janë element që kanë të bëjnë me orientimin e biznesit dhe të ardhmen e tij.

Në vazhdën e pyetjes së koleges, tashmë është fakt që tatimet dhe doganat nuk kanë realizuar planin. A ka LSI një propozim për ta ndryshuar këtë situatë?

Gjatë këtyre ditëve nëse shikojmë komentatorët politik të shumtë e kanë përqendruar vëmendjen e tyren në një valë shkrimesh ku flasin për një çarje të koalicionit, për një ftohje të koalicionit, për një largim të ministrave të LSI-së. Cili është qëndrimi juaj zyrtar për të tilla komente përsa i përket koalicionit qeverisës ku dhe ju jeni pjesë?

Përsa i takon asaj që ju thoni, besoj se është në analizën e qeverisë gjithçka që duhet përmirësuar në tatime dhe në dogana dhe besoj që edhe akti normativ i përpiluar ecën nën dritën e një analize të kujdesshme, shumë të vëmendshme dhe gjakftohte të çdo fenomenologjie të karakterit administrativ e cila duhet perfeksionuar. Besoj se kjo analizë e kujdesshme u bën mirë të gjithëve, pasi asnjë qeverisje nuk është perfekte dhe çdo qeverisje përmirësohet dhe perfeksionohet në rrugë e sipër. Kjo ambicie për t’u përmirësuar sigurisht që është edhe ambicia më e mirë dhe më modeste që çdo qeveri duhet të ketë. Çdo kryelartësi apo edhe vetëkënaqje do të na çonte në një rrugë të gabuar. Shikimi me vëmendje dhe me sy kritik është një veprim shumë pozitiv dhe sigurisht që çdo reflektim që qeveria do të bëjë, qoftë me ndryshimet përkatëse, qoftë me rritjen e efikasitetit në dogana, në tatime, në mekanizmat e mbledhjes së të ardhurave, janë të gjitha të përshëndetura. Sigurisht që qëndrimet tona janë sinkron brenda mazhorancës dhe nuk kemi qëndrime të ndara përsa i përket rritjes së efikasitetit të funksionimit të administratës fiskale në tërësi.

Përsa i takon komenteve të tjera, sigurisht unë nuk mund të mbaj qëndrime zyrtare për komente jo zyrtare sepse komentet janë normale, pjesë normale edhe e konsumit mediatik të lirë dhe të pakufi, i hamendësimeve të lira dhe të pakufi, i fantazive të lira e të pakufi që mund të bëjë media dhe analistë të tjerë, njerëz të nisur nga motive të shëndosha, njerëz të nisur nga motive jo të tilla. Këta të gjithë ushtrojnë lirinë e tyre.

Marrëdhënia jonë është një marrëdhënie që ndërtohet mbi mekanizma politikë, ecën nën udhën e një konstruktiviteti tashmë evident për të tërë. Të një korrektese e cila ka dhënë prova të pafundme të respektimit të saj përsa i takon Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe besoj që konstruktiviteti dhe korrektesa janë dhe duhet të jenë shinat ku mund të vazhdojë të qëndrojë në mënyrë solide si deri më tani, një aleancë, një bashkëpunim politik, por njëkohësisht dhe ndërtimi i një modeli politik bashkëpunimi i cili çon përpara jo thjesht e vetëm aleancën, por çon përpara në radhë të parë ato objektiva të mëdha për qeverisjen e vendit që aleanca i ka vënë vetes.

 

Z. Vasili sa i takon deklaratës së z. Meta për sistemin e taksave. Përveçse sipas z. Meta nuk po rezulton zhvillimi ekonomik dhe punësimi i shpresuar, a është një opsion rikthimi në taksën e sheshtë?

E dyta sa i takon këshillit bashkiak në Bashkinë e re të Pogradecit. Ka pasur sot akuza nga PD për një pengesë të qëllimshme nga ana e mazhorancës në konstituimin e këtij këshilli bashkiak. A  është përgjegjëse LSI në lidhje me këtë çështje?

Së treti, Presidenti Nishani sot ka kthyer ligjin për turizmin në parlament. Ju shprehët disa vërejtje porsa i përket turizmit. A do ta mbështesni këtë iniciativë të Presidentit të Republikës?

Sa i takon çështjeve që kanë të bëjnë me sistemin e taksave etj, unë u përpoqa të jem shterues në përgjigjet e dy kolegëve tuaj që pyetën. Besoj që matja e indikatorëve të përditshëm të ecurisë së treguesve themelorë, qoftë atyre financiarë, qoftë të atyre të punësimit, është një mënyrë normale dhe e vetmja e një qeverisje serioze. Dhe kudo ku ka një nevojë për shtysa të tjera, sigurisht që këto shtysa duhen ndërmarrë dhe besoj janë të mirëpritura edhe për aleancën, por edhe për opinionin publik i cili çdo reflektim lidhur me këto çështje të mëdha i mirëpret. Ne jemi të gjithë sëbashku seriozë dhe të preokupuar që ecuria të jetë gjithmonë në rrugën e duhur dhe të mos humbasim kohë dhe në çdo vend ku ka nevojë për korrigjime, ato të bëhen shpejt dhe pa hezitim duke bërë në çdo rast një analizë të situatës të kujdesshme, të vëmendshme, sepse vetëm kjo analizë mund të prijë drejt vendimeve të drejta. Çdo vendim i marrë pa një analizë të kujdesshme, sigurisht që do të riciklonte problemet e mëparshme.

Së dyti, ju më pyetët për një çështje që ka të bëjë me këshillin bashkiak të Pogradecit. Sinqerisht ju them pa asnjë lloj polemike, por as nervozizmi, nuk kam të mundur të interpretoj emocionalitetet e PD-së në atë këshill bashkiak për të arritur sa më parë të ndërtojë atë që ajo do të ndërtojë me insistim. Këshilli bashkiak është atje. Numrat janë atje, flasin vetë. Votimi brenda këshillit bashkiak i zgjidh problemet pa asnjë vështirësi. Nuk mendoj se ka vota jashtë këshillit  që do të shkojnë të votojnë përveç anëtarëve të këshillit. Kështu që besoj se ta mbyllim këtë pyetje me këtë përgjigje. Besoj se më tepër se kaq do të mbivlerësonim një problem që është fiktiv.

Sa i takon kthimit nga Presidenti, nuk i njoh në këtë moment arsyet pse e ka kthyer ligjin për turizmin Presidenti. Që të isha korrekt edhe me opinionin  publik, edhe me Presidentin përpara se të bëja çdo koment pozitiv dhe negativ, do të duhet t’i njihja ato përpara  për të parë nëse kishte elemente konstruktiv  apo jo të tilla. Nuk dua ta paragjykoj kthimin e vazhdueshëm të ligjeve nga ana e Presidentit e cila nuk ka qenë një rast i shkëputur, por tashmë për fat të keq ,është kthyer në një rutinë e cila përveçse ka humbur në shumë raste kohë të vlefshme, pasi ato janë rivotuar dhe kanë hyrë në fuqi, megjithatë nuk dua të jem paragjykues. Nuk është as në natyrën e LSI-së, por as timen si politikan që të paragjykoj. Kështu që do ta lexoj me shumë vëmendje dhe atë çfarë ka. Megjithatë do të theksoja që ligji i turizmit ishte një akt i domosdoshëm ligjor për të rregulluar e stimuluar një sektor. Një nga sektorët e mëdhenj, perspektiva e të cilit për të krijuar edhe një rritje të mëtejshme ekonomike më të madhe është dhe mbetet vetëm turizmi. Të jeni të bindur se është një nga sektorët më pak të eksploruar në kuptimin e mirë të fjalës për ta kthyer në një industri të vërtetë dhe ku potencialet e Shqipërisë janë të jashtëzakonshme dhe të pafundme. Të jeni të bindur se në momentin kur Shqipëria do ta konceptonte ndryshe turizmin, dhe falë një ligji të ri dhe të mirë sigurisht kjo gjë mund të ndodhë, ne do të kishim zhvillime të tilla të cilat nuk do të na çudisnin, siç na çudisin fqinjët tanë si Greqia apo dhe Mali i Zi që ka dimensione më të vogla në pikëpamjen natyrore se sa ne, por të cilët krijojnë të ardhura dhe e kanë kthyer në një sektor strategjik. Kështu që unë këtë ligji e kam parë në dritën e kësaj çështje dhe kam menduar që miratimi sa më shpejt dhe futja në fuqi do t’i bënte mirë edhe Shqipërisë, edhe mazhorancës, edhe opozitës edhe Presidentit.

 

Ju thatë që marrëdhëniet me PS-në janë në bazë të një bashkëpunimi politik ku LSI është korrekte. A e shihni të njëjtën korrektësi nga PS ndaj LSI-së?

Unë nuk bëj vlerësime për partnerët. Njeriu dhe një forcë politike është përgjegjëse dhe korrekte të përgjigjet për të gjithë detyrimet që ka për detyrë të mbajë dhe që duhet t’i mbajë, por besoj që ecuria e deritanishme, por dhe rezultatet e fundit elektorale të zgjedhjeve të 21 qershorit, treguan që konstruktiviteti, prodhoi një rezultat edhe politik spektakolar, por mbi të gjitha prodhoi dhe zgjedhje me standarde. Besoj se aleanca kaloi një provë të suksesshme dhe ku korrektesa bëri të sajën dhe e dha një provë më shumë pozitive dhe jo një provë më pak.

A është e kënaqur LSI nga performanca e pesë ministrave të saj? A mendoni se ka nevojë për ndryshime në qeverisë, të paktën sa i takon pjesës që LSI ka në kabinetin qeveritar?

Absolutisht nuk është as foltorja e LSI-së, dhe as unë si Nënkryetar i LSI-së dhe Kryetar i Grupit Parlamentar njeriu që mund të bëjë vlerësimin e performancës së qeverisë. Ekipi qeverisës është i qartë kushtetueshmërisht, por edhe politikisht që e drejton kryeministri. Ai është monitoruesi i përditshëm i punës së qeverisë dhe punës së çdo ministri përkatës dhe është i vetmi që mund të masë këtë performancë dhe ta vlerësojë atë pozitivisht apo negativisht. Nuk kam unë tagër të vlerësoj punën e ministrave të veçantë. Por se do të thosha me bindje që performanca e të gjithë ministrave është në sytë tuaj, edhe përgjegjshmëria, edhe serioziteti, edhe përkushtimi i tyre i matur në situata të zakonshme dhe në situata të jashtëzakonshme dhe sigurisht kjo është ajo që mund të perceptojmë dhe këtë opinioni publik mund të perceptojë. Sa i takon përballjen me matricën e punës qeverisëse që ata kanë dhe e cila është një kontratë marrëveshje politike për rezultate me kryeministrin është detyra dhe tagri i kryeministrit ta vlerësojë dhe ta bëjë. Megjithatë, rezultatet e qeverisë janë të qarta dhe të dukshme dhe unë nuk kam parë ndonjë problematikë, nga ajo distancë që unë kam me këtë çështje. Megjithatë ju keni mundësinë edhe në konferenca të shkurtra dhe të gjata që organizon Kryeministri, dhe mund ta pyesni gjerë e gjatë edhe për këtë çështje.

* Konferenca e sotme për shtyp e kryetarit të Grupit parlamentar të LSI-së

 

 

SHKARKO APP