Petrit Vasili: Koha e fshehjes pas gishtit ka mbaruar

 

Z. Vasili, pse Lëvizja Socialiste për Integrim vendosi që të ndërmarrë një nismë për të bërë publike çdo shpenzim dhe financim të saj?

Në raportin e fundit të OSBE-ODIHR-it ringrihej çështja e financimit të partive politike. Kryesia e LSI-së, duke mos dashur të pajtohet me një klimë të tillë ku të gjitha partitë politike marrin të njëjtën masë, për të qenë shumë të qartë me publikun, mori një vendim shumë të qartë dhe të prerë që çdo fond për partinë dhe mënyra se si këto shpenzohen do të jenë onlinë në faqen e LSI-së. E rëndësishme është që edhe aktivitetet që do të zhvillohen do të kenë detyrimin që dy ditë pas mbajtjes së aktivitetit secili ka mundësinë të shikojë se si është përballuar, sa ka kushtuar aktiviteti, në mënyrë që t’i japim fundit edhe thashethemeve pafund. Ne kemi marrë këtë vendim për t’i dhënë një përgjigje kësaj çështjeje për sa na takon si forcë politike. Sigurisht është një gjetje transparente, e re, e drejtpërdrejtë dhe besojmë se në këtë mënyrë i kemi dhënë përgjigje këtij shqetësimi, lidhur me atë që e kritikojnë ndërkombëtarët politikën shqiptare. Sigurisht që ky është një standard i dobishëm për të tërë. Në fund të fundit LSI pa asnjë kompleks jep një mënyrë të drejtpërdrejtë se si funksionon dhe kjo gjë besoj se u bën mirë të gjithëve.

Ndërkohë që LSI ka shprehur edhe vullnetin e saj pro zgjidhjes sa më parë të çështjes se dekriminalizimit

Vullnetin për dekriminalizimin e kemi shprehur qartë dhe prerë. Kryetari i LSI ­së me një metaforë politike shumë të gjetur ka thënë që ligji duhet të ishte miratuar dje, domethënë që jemi vonë. E gjithë struktura politike e LSI-së ka të njëjtën bindje. Ne e afirmojmë këtë në një platformë politike për t’i dhënë një shtysë me tej politikës, e cila nuk duhet të humbasë më shumë kohë për ta bërë këtë gjë sepse e çliron shoqërinë, e cila nuk është e tillë, por për mënyrën se si u trajtua kjo çështje duket sikur ne vuajmë të gjithë nga kjo. ndërkohë që nuk është kështu. Për ata që kanë një problem të tillë ne kemi një qëndrim të prerë që nuk mund të vazhdojnë të jenë pjesë e politikës dhe nuk mund të kenë atribute të përfaqësimit qytetar. Njëkohësisht për të zhvilluar një politikë të çliruar nga çdo lloj kompleksi keqinterpretimi ne kemi adaptuar një qëndrim politik lidhur me një raport të ri më funksionues ndërmjet pjesës aktive të biznesit në politikë dhe biznesit si biznes. Duke ditur impenjimet e mëdha që njerëzit e biznesit kanë, edhe mundësitë e mëdha për keqinterpretime lidhur me konfliktin e interesit, ne kemi adaptuar një normë të kufizimit sa të jetë e mundur e përfaqësimit në mënyrë që bota e biznesit të zhvillojë sa më mirë punën e saj dhe sa më të pakta të jenë përfshirjet me politikën aq më mirë do të jetë.

Ndërkohë që një reformë tjetër shumë e rëndësishme është reforma në drejtësi, për të cilën z. Meta tha se është e vonuar. Në çfarë pike jemi?

Reforma në drejtësi ka marrë një vëmendje të jashtëzakonshme. Jemi në atë moment kur më së fundmi kjo reformë do të kërkojë përgjigjet e saj. Tashmë pas shumë diskutimesh ka ardhur momenti që ta konkludojmë atë. Dhe çdo ditë e humbur në miratimin e reformës në drejtësi sigurisht që është një akumulim i negativiteteve. Një reformë e vendosur mbi shtylla parimore, efektive, që qytetarët të marrim drejtësi, procesi i hetimit dhe i gjykimit të ecë shpejt dhe mjaft solid, që raportet brenda sistemit të jenë të tilla ku edhe ndëshkimi për ata të cilët nuk janë korrekt në zbatimin e punëve të tyre në sistemin e drejtësisë dhe për këtë arsye krijojnë dhe mosbesim te qytetarët, kjo reformë duhet të eci në këtë rrugë dhe njëkohësisht duhet konkluduar shpejt. Edhe përfshirja e Komisionit të Venecias është një kontribut shumë i rëndësishëm që e afron edhe mazhorancën me opozitën më afër njëra-tjetrës.

Ambasadori Lu, duke folur sot për reformën në drejtësi, përmendi edhe disa raste ku e vuri përgjegjësinë edhe mbi struktura të tjera ligjzbatuese. Si i komentoni ju këto deklarata?

Gjëja më e rëndësishme që ambasadori ka thënë, edhe në vijim të komunikimit të tij shumë të drejtpërdrejtë, është që të mos flasim më për problemet në përgjithësi, por të flasim me emra konkretë. Ambasadori Lu ka dhënë sot shembullin e ndarjes së politikës nga demagogjia dhe vënie së gishtit në plagë. Ai ka thënë që plagë të tilla kanë nevojë për shërim, plagë të tilla kanë autorë dhe përgjegjës dhe ata duhet të përgjigjen. Një shqetësim i tillë i SHBA-ve për ne duhet të jetë një tërmet i madh. Amnisti nuk ka për kërrkënd që ka detyruar SHBA të flasë edhe me emra të përveçëm. Ky është një rast unikal që nga dita kur Shtetet e Bashkuara u rikthyen në Shqipëri në fillim të pluralizmit. Të gjithë duhet të kuptojmë që koha e fshehjes pas gishtit ka mbaruar. Mesazhi i tij ka qenë që “mos mendoni që gjërat nuk dihen, mos mendoni që gjërat nuk thuhen”. Dhe cilado qoftë ajo pjesë e sistemit që mundëson që personazhe të tilla të jenë shembulli se si ligji nuk zbatohet, shembulli se si ka të mbrojtur dhe të privilegjuar dhe qytetarë të diskriminuar etj, të gjitha këto bëjnë që ky mesazh të perceptohet me shumë seriozitet dhe besoj që sot, më shumë se asnjëherë tjetër më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndihmuar siç duhet Shqipërinë.

Z. Lu inkurajoi edhe ekspertët apo prokurorët që të angazhohen seriozisht. Si e konsideroni këtë deklaratë, duke pasur parasysh që Ministria e Drejtësisë drejtohet nga LSI.

Ju e dini që Prokuroria e Përgjithshme është një institucion i pavarur kushtetues, i pavarur nga Ministria e Drejtësisë. Pra kemi detyra të ndara. Cilësia e hetimit, cilësia e ndërtimit të dosjes për çdo kriminel është një vlerë fondamentale e cila e minimizon shumë gjallimin e korrupsionit në Gjykatë. Mungesa e dosjes së plotë bën që kriminelë apo trafikantë t’i shpëtojnë drejtësisë. Ndaj edhe ambasadori Lu qëndron me të drejtë tek figura e prokurorëve. Prandaj edhe reformimi i sistemit duhet të ketë një nga fokuset e tij më themelorë punën e prokurorisë dhe procesin e hetimit. Kështu që edhe në këtë drejtim mesazhi i Shteteve të Bashkuara është absolutisht shumë i rëndësishëm dhe e orienton edhe reformën në drejtësi te një pikë mjaft delikate siç është edhe problemi i cilësisë dhe thellësisë së hetimit.

Kryeministri Rama ka dhënë disa mesazhe qetësuese lidhur me marrëdhënien me biznesin. Si i shikoni këto?

Ne gjithmonë kemi biseduar, edhe në këtë studio, për këtë çështje, madje kemi sjellë edhe termin e një paketë fiskale inteligjente, që do të thoshte edhe një qëndrim praktik por edhe pragmatik në raport me pamjen ekonomike të vendit. Pra, pas një skanimi fiskal që u bë u pa se ky është fiskaliteti shumë i rreptë duhet të funksionojë, ku elasticiteti duhet të ketë kufijtë e tij dhe ky mirëkuptimi duhet të ishte më i madh. Kjo është një qasje shumë e mirë dhe një përgjigje shumë realiste për situatën në të cilën ndodhet vendi. Reflektimi i qeverisë është i mirëpritur. Njëkohësisht edhe heqja e elementit të kontrollit obsesiv nuk është se krijojnë një klimë të mirë apo krijonte të ardhura të reja. Edhe kjo është një qasje për tu përshëndetur.

Si e lexoi LSI progres-raportin e Komisionit Evropian?

Për mënyrën se si është ndërtuar ky progres-raport për një seri treguesish është më të vërtetë një nga progres-raportet më pozitive. Kjo është një e dhënë objektive. Po flasim për mënyrën se si Evropa vlerëson të gjithë segmentet e shtetit në tërësinë e tij. Përveç vlerësimeve sigurisht që ky progres-raport kishte adresuar qartë edhe çështje për të pesë prioritetet që duhet të kenë një ecuri me ritëm të lartë, duke e mbajtur të veçantë te prioriteti në fushën e drejtësisë që është kyç për hapjen e negociatave. Progres-Raporti duhet parë me sy objektiv, nuk duhet të ekzaltohesh nga fjalët e mira dhe nuk duhet të dëshpërohesh nga vërejtjet. Është një udhërrëfyes shumë i mirë për një qeveri e cila do të ecë drejt suksesit. 

Intervistë e zëvendës-kryetarit të LSI-së, Petrit Vasili, dhënë për televizionin “News 24”

SHKARKO APP