Petrit Vasili: Ndryshimet në Kod, debat fiktiv dhe i panevojshëm

 

Z. Vasili, ndryshe nga reforma në drejtësi, për çështjen e dekriminalizimit duket se është arritur një farë konsensusi, por vetëm një pikë duket se ka mbetur pezull, ajo e çështjes së testit të drogës. Ku jemi në këtë pikë?

Përsa i përket këtij ligji për dekriminalizimin, përtej përmbajtjes së tij dhe përtej një debatit që kaloi përtej kufijve të problemit real, gjëja më pozitive në të ishte përvijimi i një logjike të ecjes në rrugën e konsensusit, e cila është shumë e vlefshme edhe për reformën në drejtësi që na pret, që është një proces më i gjerë. Por është shumë mirë që është pararendës ky veprim politik për të kuptuar që mundësitë e konsensusit janë dhe nismat që ndërtojnë mirëkuptime të gjera janë jo vetëm të domosdoshme, por jetojnë edhe në kohë. Sepse ne kemi pasur në politikë me dhjetëra nisma të mëdha, por të njëanshme, të cilat për shkak të ngjashmërisë së tyre kanë implikuar rishikimin e tyre të menjëhershëm, shpeshherë rrëzimin dhe shpeshherë edhe bërjen e tyre të pavlefshme. Në këtë pikëpamje, procesi ka qenë shumë transparent, sepse është ndjekur edhe nga ju në mënyrë të drejtpërdrejtë. Besoj se është ezauruar pothuajse pjesa më thelbësore e tij. Do të gjendet patjetër një zgjidhje dhe për të tejkaluar edhe një ngërç politik apo problematikë të fundit politike, siç është testi i drogës.

Ju çfarë prisni, të tërhiqet Partia Demokratike nga kjo kërkesë, z. Vasili?

Unë nuk paragjykoj asnjë lloj qëndrimi. Nuk e shoh të pamundur dhe të pakapërcyeshëm këtë moment. Duhet gjetur sigurisht një zgjidhje, e cila jo thjesht i kënaq të gjithë, por që i jep përgjigje kësaj çështjeje që opozita ngre, duke shfrytëzuar sigurisht modelin e ndërkombëtarëve. Absolutisht duhet t’u referohemi atyre. Në rast se edhe opozita i ka, duhet t’i vërë në dispozicion në mënyrë që të jetësojë procesin, dhe në mënyrë që as këtu të mos shpikim, por të ecim në rrugë të njohura, të cilat i japin këtij problemi një zgjidhje të qëndrueshme dhe serioze e të mos biem në një kurth politik që prodhon ngërçin e radhës.  

Z. Vasili, për sa i përket reformës në drejtësi, të gjitha palët e pranojnë që do të shkohet te prekja e Kushtetutës. Po flitet për ndryshim edhe në Kodin Zgjedhor. A tregon kjo se palët janë duke i çuar sinjale njëra-tjetrës që mund të arrijnë një kompromis?

Janë dy procese pa asnjë lidhje mes tyre. Reforma në drejtësi është një proces madhor. Jo rastësisht është një nga 5 kushtet që i janë vënë përpara Shqipërisë për t’i përmbushur për hapjen e negociatave në BE. Ka disa rekomandime të OSBE/ODIHR-it që janë shumë të qarta se ku duhet të përmirësohen. Ne kemi pasur parashikime dhe rishikime pa fund të kodeve elektorale. Kjo nuk është ngjarje. Nuk mund të jetë axhendë. Nuk mund të jetë një prioritet madhor. Ne kemi ecur në rrugën e zgjidhjeve, të cilat shkojnë gjithnjë e më shumë në përmirësimin sistematik të tyre. Kjo është një çështje, mënjane, e cila kur t’i vijë koha ashtu siç është diskutuar të gjitha herët e tjera, do diskutohet sërish. Kemi një raport të OSBE-ODIHR, që rrëfen qartë se çfarë duhet të bëjmë për të pasur gjithmonë e më shumë zgjedhje të mira. Reforma në drejtësi është një reformë krejtësisht tjetër, e një dimensioni jetik për vendin. Ne së bashku jemi këtu dhe diskutojmë për këtë reformë, sepse me mijëra qytetarë, edhe me miliona po të duam, presin një mënyrë se si ndryshon drejtësia, dhe si do të jetë drejtësia nesër pas kësaj reforme. Qytetarët do marrin përgjigje të drejtpërdrejtë. Do të qëndrojnë në dyert e gjykatave me vite, do të gjenden nën efektin e veprimeve korruptive të sistemit, do të shkojmë me mosbesimin e plotë se ne në këto dyer nuk do marrin drejtësi? Këto janë efektet e reformës në drejtësi, e cila ka efektuar zbatimin e ligjit në vend, mos funksionimin e ligjit në vend, ka prodhuar korrupsion dhe nuk ka bërë të mundur që dy probleme madhore, siç është lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit të marrë ato përgjigje sinjifikative na hapin rrugën ndaj Evropës dhe i bën të gjithë qytetarët të jenë të qetë në vendin e tyre. Shqetësimi i përhapur, se drejtësia nuk funksionon, reforma është e detyruar t’i japë përgjigje, ndaj edhe konsensusi sa më i gjerë është i domosdoshëm, sepse 90 për qind e shqiptarëve nuk besojnë në të dhe kërkojnë përgjigje. Ne do të orientohemi qartë dhe mirë në elementët parimorë të reformës. A do ndërtojmë një linjë të caktuar në gjithë sistemin e drejtësisë, që i jep mundësinë sistemit të kontrollohet, pra jo një sistem që për hir të pavarësisë së tij të jetë jashtë kontrollit? A do kemi kritere të qarta që masin performancën e sistemit? Pra, ka një fund kjo gjë. Sot nuk e ka një fund. Ne kemi çështje të mëdha, të veprave penale, që lidhen me krimin e organizuar në mënyrë të veçantë, edhe me korrupsionin, që edhe ju si grup mediatik e keni ngritur, paradoksin e veprimeve të shtrembra. Pra në të gjitha rastet, reforma e përqendruar në këto elementë parimore, ku sigurisht dakordësia nuk mund të mungoj sepse asnjë forcë politike, e majtë apo e djathtë nuk mund të thotë jo këtyre parimeve të shëndetshme. Në rast se ne jemi të dakordësuar me këto parime shtyllat e konsensusit qëndrojnë këtu. Instrumentet po. Këtu kemi mundësi të eksplorojmë.

Po përsa i përket debateve për ndryshime në Kodin Zgjedhor, cili është komenti juaj z. Vasili?

Ne kemi një axhendë shumë të qartë të përcaktuar nga OSBE/ODIHR, i cili ishte shumë i qartë në raport se ku duhet të ecet. Ky nuk është një problem as përcaktues dhe as madhor për Shqipërinë. Mazhorancat në Shqipëri janë krijuar gjithmonë nga vullneti i zgjedhësve dhe qëllimi i zgjedhjeve është që të respektohet vullneti i zgjedhësve dhe çdo votë e tyre të prodhojë pushtet dhe çështja të mbyllet këtu. Asnjë instrument nuk ka që të deformohet vullneti i zgjedhësve. Unë mendoj se ky është një debat fiktiv dhe i panevojshëm për arsyen e thjeshtë se ka një axhendë të patjetërsueshme vendi me të cilën përballet në mënyrë të përditshme. Patjetër duhet t’i japim përgjigjet çështjes së dekriminalizimit. Duhet mbyllur sa më parë kjo çështje sepse shoqëria shqiptare nuk është e dekriminalizuar, absolutisht jo. Dhe me mënyrën se si është krijuar procesi është krijuar ideja se shoqëria shqiptare është e dekriminalizuar. Nuk është kështu. Shoqëria shqiptare është një shoqëri që punon dhe që prodhon vlera. Prandaj i duhet dhënë sa më parë një përgjigje. Nga ana tjetër, reforma në drejtësi është bërë një domosdoshmëri, sepse sistemi në drejtësi është bërë një plagë që lëkund shtetin. Njëkohësisht kemi disa tregues që na bëjnë të jemi shumë të vëmendshëm dhe që në radhë të parë lidhen me biznesin. Nuk mund të kemi një shoqëri të zhvilluar nëse kemi një biznes që vuan. Prandaj duhen politika, të cilat e inspirojnë atë të ecë përpara. Duhet gjithmonë e më shumë që biznesi të trajtohet si partneri themelor për qeverisjen e vendit. Këto çështje duhet të kenë maksimumin e vëmendjes.  – "News 24"

SHKARKO APP