Petro Koçi: PS-LSI nuk kanë interes të ndahen

 

Kreu i PSV-91, Petro Koçi nuk sheh asnjë problem mes aleatëve kryesor të koalicionit të majtë. Sipas tij, " Nuk ka asnjë interes te PS-ja apo LSI-ja që kjo maxhorancë të vihet në pikëpyetje". Si ish-deputet i PS-së, Koçi bën dhe një krahasim me kryeministrave që ka nxjerrë e majta. Ai thotë se " Rama vendosi dinjitet kombëtar në qeverisje dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare". Në një intervistë për " Koha Jonë", Z. Koci flet për letrën e Spartak Barhos për destibalitetin e vendit. Sipas tij, "nuk ka sinjale apo informacione që dëshmojnë kërcënime për destabilizim të vendit apo institucioneve të veçanta". Gjithashtu Zëvendësministri i Mbrojtjes ka dhënë qëndrimet e Ministrisë për sa i përket çështjeve si: Spitali Ushtarak, ndërhyrja e Rusisë mbi Sirinë dhe pozicioni i Shqipërisë si pjesë e NATO-os.

Intervistoi: Redjon Shtylla

Mjekët e spitalit ushtarak para një muaji kanë kërkuar nëpërmjet një peticioni drejtuar Kryeministrit Rama, që spitali ushtarak të mos të rikthehet në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes? Çfarë është vendosur mbi këtë çështje të rëndësishme?

Zhveshja e Forcave tona të Armatosura dhe e Ministrisë së Mbrojtjes nga institucioni kryesor i përkujdesjes shëndetësore të personelit ushtarak ka qenë një akt që ka dobësuar kapacitetet tona të sigurisë. Procesi zyrtar i këtij akti ka patur një sërë shkeljesh dhe kapërcimesh që nënkuptojnë politikë të paracaktuar nga interesa jopublikë. Është në nderin e të gjithë shoqërisë korrigjimi i këtij akti. Personeli mjekësor do i nënshtrohet interesave publike dhe  interesit kombëtar të forcimit të sigurisë në vend. Spitali ushtarak u modernizua falë një ndihme të madhe nga vende partnere të NATO-os. E gjithë ajo ndihmë “ u shit” bërë llogarinë e standardeve të sigurisë dhe duke shkelur me këmbë mirënjohjen ndaj asistencës së pakursyer të dashamirësve të Shqipërisë.

Nga eksperienca juaj sa e mbrojtur është momentalisht Shqipëria nga ndonjë sulm jo vetëm nga grupet kriminale por dhe nga kërcënimet që vijnë nga grupet e ISIS?

Mbrojtja e Republikës së Shqipërisë garantohet nga standarde dhe detyrime të nivelit të NATO-os. Këtu kam parasysh jo vetëm gatishmërinë dhe cilësitë e strukturës tonë të mbrojtjes, por edhe  standardet e organizatës politiko-ushtarake transatlentike ku ne aderojmë me dinjitet dhe ku ne japim kontribute paqebërëse dhe siguri eksportuese. Për sa u përket potencave të rreziqeve nga ekstremizmi i dhunshëm Shqipëria ka një sërë agjencish dhe institucionesh që veprojnë në harmoni ligjore dhe partneritet ndërkombëtar për të garantuar qetësi dhe luftë të suksesshme ndaj krimit përfshi atë të motivuar nga organizata terroriste.

Situata gjeopolitike pas ndërhyrjes së Rusisë në Siri po ndryshon dita ditës. Cili është qëndrimi i Shqipërisë si pjesë e Aleancës së NATO?

Gjykimet tona dhe qëndrimet tona mishërohen në procesin vendimmarrës në Aleancë. Në këto vendime të rëndësishme ne kemi zërin, votën dhe kontributin tonë. Veprimet e Rusisë në krahun lindor të Aleancës dhe ndërmarrjet e fundit të Rusisë në Lindjen e Mesme janë në vëmendjen dhe shqetësimin e të gjithë partnerëve tanë me në krye SHBA-në. Qëndrimet tona janë në koherencë të plotë me aleatin tonë kryesor gjeostrategjik dhe të jeni të bindur se politikat e Rusisë që bien ndesh me interesat e vendosjes së paqes së qëndrueshme edhe në Lindjen e Mesme nuk mund të shkojnë larg.

 Z.Koci njëkohësisht ju jeni dhe Kryetar i PSV91, si do ta analizonit situatat në sferën politike, realizimet e reformave nga qeveria dhe qëndrimet e opozitës?

Qeveria ka ndërmarrë reforma pa llogaritur interesa afatshkutëra elektoralë. Kjo është kurajo në shërbim të interesit kombëtar të forcimit të shtetit si garant i funksionimit modern të shoqërisë. Vendosja e rendit ndërtimor, në marrëdhëniet mes klientëve dhe Kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë, lufta e fortë ndaj mbjelljes dhe tregtimit të drogës, kanë dëshmuar vullnet të maxhorancës për të ndryshuar realitete deri dje kryeneçe dhe demoralizuese. Nuk duhet harruar edhe reforma territoriale apo pastrimi i sistemit arsimor nga institucionet e mashtrimit masiv. Për të gjitha këto opozita ka qenë kundër dhe ka mbështetur fatkeqësisht gjyqësorin në aktet e veta të mbështetjes së korrupsionit në Bankën e Shqipërisë dhe në radhët e veta. Më shqetëson loja politike e Presidentit në harmoni të plotë me lojën politike të PD-së.

Jeni kryetar i PSV 91, por edhe një nga socialistët më të vjetër. Keni qenë afër të gjitha zhvillimeve politike dhe qeverisjeve të PS pas viteve 1990.  Në krahasim me qeverisjen e Nanos, Metës, Majkos, si do e vlerësonin qeverisjen e Ramës?

Rama vendosi dinjitetin kombëtar në qeverisje dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Qeverisja e tij flet shqip. Edhe në rastin e pamundësisë për të ndryshuar realitete socialekonomike të vështira për tu përmbysur në kohë të shkurtër apo për shkak të rrethimit nga vende në krizë. Qeverisja Rama ushtrohet në kushte krejt të ndryshme nga qeverisjet që përmendni ju, e në të cilat edhe ai ka bërë pjesë jo pak. Kriza thuajse globale ekonomike kushtëzon jo pak efektet sociale të qeverisjes. Por kurajoja për të ndryshuar, dallon te qeverisja Rama.

Në dy vitet e qeverisjes së të majtës po vihen re sherret brenda koalicionit, kam parasysh këtu zhvillimeve e fundit PS-LSI. Sipas jush është një “sindromë” e së majtës që ka probleme me ndarjen e pushtetit?

Mendoj se nuk mund të flasim dhe nuk kemi argument për ndonjë sherr PS-LSI në funksionimin e koalicionit. Nëse do ketë fërkime aty këtu kjo nuk përbën lajm në perceptimin tim, në një realitet vështirësish dhe alternativash përballë tyre. Nuk ka asnjë interes te PS-ja apo LSI-ja që kjo maxhorancë të vihet në pikëpyetje. Përpjekjet e opozitës për të bërë diversion duhen mirëkuptuar si taktika për të shmangur pesimizmin objektiv në PD-së për shkak të rezultateve të njëpasnjëshme humbëse në raundet zgjedhore.

 

SHKARKO APP