Petro Koçi: Shqetësues për Shqipërinë, kthimi i luftëtarëve që luftojnë për ISIS
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi nga ministeriali i Natos, i mbajtur më 24-25 qershor, në një intervistë të shkurtër me gazetaren e Tema, Jonida Hitoveizi tha nga Brukseli se kthimi i luftëtarëve që kanë shkuar të luftojnë për ISIS në Siri dhe Irak do të jetë një problem i madh për vendet e origjinës.
Megjithatë Koçi u shpreh se Shqipëria po bashkëpunon ngushtë me shtetet e tjera për t'iu përgjigjur siç duhet çdo lloj reagimi që vjen nga elementë të tillë me natyrë terroriste.
Koçi gjithashtu vlerësoi edhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në forcën pararojë të Natos per vitet 2016-2018.
Mund të na thoni se çfarë iu kërkua Shqipërisë nga ministeriali i NATO-s, ( i fokusuar tek kriza në Ukrainë)?
NATO është shumë e shqetësuar lidhur me zhvillimet në Ukrainë, sepse Rusia nuk iu përmbajt marrëveshjes së Minskut. Edhe Shqipëria është pjesë e këtij shqetësimi dhe natyrisht ne deklaruam edhe njëherë kontributin tonë për Ukrainën, me ndihma në veshje ushtarake, por edhe në mënyrë modeste me fonde monetare, tek fondi i besimit i NATO-s dhe sigurisht edhe me misionarë vëzhgues në kuadrin e OSBE-së.
Shqipëria deklaroi pjesëmarrjen në forcën pararojë të NATO-s për vitet 2016-2018, çfarë parashikohet konkretisht për këtë gjë?
Në kuadër të samitit të Uellsit edhe ky ministerial verifikoi zhvillimet përshtatëse të NATO-s duke ju përgjigjur sidomos zhvillimeve në lindje, pra qëndrimin agresiv të Rusisë jo vetëm ndaj Ukrainës por siç duket qarazi edhe ndaj stabilitetit të paqes dhe qëndrueshmërisë ndaj Europës apo ndaj vendeve anëtare të NATO-s. Në këtë kuadër NATO është angazhuar për një forcë reaguese të konsiderueshme dhe ka zhvillime konkrete në lidershipin e sekretarit të përgjithshëm në këtë fushë, por edhe përgatitje konkrete për një forcë e cila quhet Forca e Bashkuar e Reagimit të Shpejtë, në të cilën edhe Shqipëria do të kontribuojë me një numër të konsiderueshëm trupash përgjatë tre viteve të ardhshme 2016, 2017-2018.
Një nga pikat e rëndësishme të këtij ministeriali ishte dhe lufta ndaj ISIS-s. Shqipëria po projektohet si një vend ku ka te themi celula apo grupime terroriste, NATO vetë parashikon ndonjë projekt lidhur me këtë problem që ka Shqipëria?
NATO është e shqetësuar edhe për zhvillimet në jug të aleancës, pra në vendet e lindjes së mesme. Natyrisht që Shqipëria ka një ndjeshmëri më të veçantë lidhur me ato zhvillime për shkak të fenomenit të luftëtarëve të huaj, të cilët janë pjesëmarrës në veprimet agresive dhe terroriste të Shtetit Islamik. Sigurisht që ne për këtë jo vetëm jemi të vëmendshëm, por jemi edhe duke vepruar për fenomenin e luftëtarëve të huaj që veprojnë në kuadrin e ISIS-it, të cilët me kthimin e tyre në vendet e origjinës me siguri do të krijojnë probleme të mëdha për stabilitetin dhe sigurinë e vendeve ku ata janë shtetas. Të gjitha agjencitë që garantojnë sigurinë brenda vendit, por edhe kontributet tona në kuadër ndërkombëtarë janë të gatshëm për të vepruar ndaj çdo lloj reagimi që vjen nga elementë të veçantë apo dhe të organizuar, të cilët mund të jenë pjesë e këtyre ideologjive terroriste.
Edhe diçka për trupat tona në Afganistan të cilët do të jenë sërish pjesë e NATO-s?
Ne jemi të angazhuar për të vazhduar ndihmën ndaj Afganastanit. Sigurisht që NATO është e angazhuar për të vazhduar bashkëpunimin me Afganistanin, në mënyrë që i gjithë investimi ndërkombëtarë që është bërë atje për të garantuar qetësi, siguri dhe demokraci të mos shkojë dëm. Në këtë kuadër edhe Shqipëria me kontribute modeste do të jetë shumë aktive, sidomos nëpërmjet bashkëpunimit që ajo ka me vendet anëtare të NATO-s, siç është Turqia apo dhe me Gjermaninë në një zonë tjetër të Afganistanit.