Pjerin Ndreu rrëfen 21 janarin dhe thotë se tani radhën e ka drejtësia

Deputeti Pjerin Ndreu tregon ngjarjet e “21 Janarit” dhe të gjithë atë që i ndodhi para syve. I ka parë nga afër t’gjitha dhe është munduar të pengojë me sa të mundet direkt e në terren tollovinë dhe pastaj përmes studiove lëvizëse turmat e ngatërruara, kur pa se situata po agravonte frikshëm. Por ishte vonë, pasi situata kishte shkuar keq dhe 4 demonstrues shtriheshin pajetë në bulevard. Beson se tani e ka radhën Drejtësia të tregojë veten, kuptohet nëse lirohet nga borxhi ndaj Berishës…

Nga Ben Andoni, JAVA

Mes turmës së 21 janarit 2011 një burrë qëndron i alarmuar. Mundohet të mos e japë veten. Çfarë armësh janë? Po qëllojnë? Po na vrasin! E pyesin nga të gjitha anët. Po ju ç’bëni?-ia presin aty-këtu. Kush e bëri këtë? Ai hesht dhe u shpjegon të gjithëve nga pak, por nga ana tjetër, mundohet të gjejë mundësi të mbajë turmën, që po rrëshket. Nuk ka tagër të urdhërojë, por gazetarëve u drejtohet si ndihmë më e parë. “Po qëllojnë me fishekë…Është kjo lloj arme”. Shpjegon teknikisht, por ndërkohë gazetarëve u kërkon mundësi të flasë. Mesazhi përmes valëve televizive është i vetmi, që mund të ç’tensionojë situatën. Zhurma. Krisma. Situata del jashtë kontrollit. Pak vite më parë, në një situatë, akoma më të vështirë, e kemi parë në Bajram Curri. Sot, e katër vjet më vonë, Pjerin Ndreun, me të cilin kemi ndërruar fjalë atë ditë, e takojmë sërish. Por, jemi në kushte krejt të tjera. Është vërtetë 21 janar por …2015. Ai është deputet. Çështja është e pazgjidhur, kurse katër demonstrues, që ai i kish para syve më 2011, janë nën dhè.

Juve keni qenë ndër të paktit njerëz të pozitës së sotme mes turmës që keni bërë përpjekje reale për qetësim dhe teknikisht keni treguar të gjithë kalvarin e ditës. Si ju vjen sot në kujtimet tuaja?

Ka qenë një ditë e paparishikueshme. Kisha me vetë djalin 17 vjeç në atë kohë. Përrallat për gjoja paraorganizim janë çorba me bajatë që artikulon Berisha me shokë. Në kohën kur jam afruar  në qendër para 2 Kullave kam vënë re një tension mes skalionit të parë të turmës dhe policisë. Menjëherë ka hyrë makina e ujit për të shpërndare protestuesit, çka përbën një gafë profesionale të drejtuesve të policisë nën urdhrat politike. Intensiteti i tensionit nuk e justifikonte ndërhyrjen e policisë në atë moment. Pastaj gjendja ka dale jashtë kontrollit. Më zuri paniku, se më humbi djali, isha keq.

Vëllai im e kishte parë dhe e kishte tërhequr me vetë. Pastaj u shënua gafa e dytë e policisë, hedhja e gazit lotsjellës, çka bëri të mundur të shpërndante turmën, por shpërndau dhe policët, të cilët po ashtu ishin të pambrojtur. Ky veprim dekonspiron përpjekjet për të shitur gjoja informacione paraprake së do bëhej nami ! Atëherë lind pyetja, meqë e dinin së do bëhej rrëmujë pse e sollën policinë të papërgatitur e të pambrojtur para turmës ?! Pse u lanë makinat e oficerëve të policisë të pambrojtura në vende të dukshme ?! Unë, Artan Gaçi, Arben Çuko, Paulin Stërkaj, Besnik Bare e shumë të tjerë jemi përpjekur të qetësojmë turmën deri kur kërcitën armët. Nuk e di se kush e në ç’kushte u dha urdhri për përdorimin e armëve në një moment kur protesta po binte ! Ishte e tmerrshme !

Më vonë mësova së brenda ndërtesës kishin zbarkuar ca civilë, gangsterë që në një moment kishin debatuar dhe me gardën. Ata morën komandën, si duket e bënë atë që quhet njolla më e zezë e historisë tonë, vrasja nga shteti e njerëzve të pafajshëm. Unë isha krejt afër në momentin që ra Hekuran Deda, jam sulur i pari për ta kapë, por një protestues ndërhyri duke me thënë: ik ti së merrem unë me të, pastaj ra një tjetër, përsëri një tjetër…i alarmuar kam shkuar të furgoni i Ora-Neës dhe kam kërkuar publikisht në Tv live që të ndalohet zjarri së po vriteshin njerëz të pafajshëm. Ishte tmerr.

Mësova më vonë se u bënë përpjekje të mëdha për të na gjetur disa nga drejtuesit e protestës si njerëz që kanë organizuar dhunën ! Për fatin e keq, të atyre që shpresonin në çdo filmim në dilnim në rolin e qetësuesit e asnjëherë në atë të nxitësit apo organizatorit!

E megjithatë, ju kishit mundësi që të zgjidhnit shumë gjëra, gjatë kohës në pushtet. Shqipëria ka avancuar shumë më tepër në këtë vite dhe me emrin e saj lidhen disa anëtarësime, që bëjnë historinë e re të vendit, e megjithatë misteri i asaj dite mbetet krejt i pazgjidhur. Pyetjen, ia shtrojmë sërish politikanit dhe njërit prej protagonistëve të vërtetë të asaj dite, që ndryshe nga shumë njerëz të PS-së që rrinin fshehur nëpër kafene dhe mundoheshin të bënin protagonistin, Ndreu ishte mes turmës bashkë me pak njerëz duke bërë realisht thirrje për qetësim…

Pak vjet pas 21 Janarit 2011 ende çështja mbetët e pazgjidhur. Çfarë e pengon hedhjen dritë të saj?

“I vërtetë ky konstatim. Është një plagë e hapur në trupin e brishtë të demokracisë shqiptare. Më e keqja është së ngjarja ka autorë ekzekutorë me emër, ka organizatorë e ndihmësa. Pra, gjithkush e di autorësinë e saj përveç drejtësisë tonë, e cila është e kapur diku nga një segment i politikës së ish-kryeministrit Berisha vazhdon të luaj rëndë me gjakun e 4 njerëzve të pafajshëm. Është në përgjegjësinë tonë që kësaj ngjarje ti jepet rruga e zgjidhjes. Ata që u vranë atë ditë nuk ishin as kontigjente kriminale, as nuk u evidentuan të ushtronin dhunë e as nuk kishin ndonjë rol drejtues, por ishin qytetarë të ndershëm, të qetë, dhe të varfër. Se me cilin moral politika e asaj kohe krekoset sot nën ombrellën e gjoja dekriminalizimit kur vranë njerëz të pafajshëm këtë askush nuk e di e nuk ka për ta kuptuar kurrë”.

Por nëse kuptohet përgjegjësia, sa e mundur e ka maxhoranca e sotme që të ndikojë për fajtorët të vihen para drejtësisë. Pak orë më parë, kolegu i tij Bare, si një prej protagonistëve të protestës së 21 janarit 2011, e thekson vullnetin e qeverisë për të zbardhur dhe për të vënë para ligjit urdhëruesit dhe zbatuesit e tragjedisë. Por, asgjë s’ka ndodhur. Njësoj, edhe ai e quan të papranueshme që për një ngjarje të tillë, ku faktet janë të pakontestueshme, ende nuk ka një person që të jetë shpallur fajtor. Dhe ideja është e thjeshtë, sipas Bares: “çështja e 21 janarit mund të mbyllet vetëm përmes drejtësisë së plotë, e cila mund të vijë përmes prokurorëve të huaj ose reformimit të drejtësisë, si një nga prioritetet kyçe të Bashkimit Evropian për vendin tonë”.

Madje di të vendosë dhe gishtin e fajtorit te Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm i atëhershëm, respektivisht Berisha dhe Basha, të cilët shkelën ligjin dhe urdhëruan përdorimin e armëve ndaj popullit. Por a mundet vallë realisht kjo maxhorancë? Këtë e pyesim.

A mundet, sipas jush, që sistemi i sotëm i drejtësisë të ngrihet mbi përfoljet për të dhe t’i shërbejë demokratizimit të vendit?

Po mundet. Por duhet të zhvishet nga fatura e borxhit, që i ka politikës së shkuar e të vejë vetën në shinat e zbatimit të ligjit. Kanë vdekur 4 njerëz të pafajshëm dhe duhet të vihet drejtësia në vend. Nuk kuptoj së për çfarë drejtësie mund të flasim kur shteti vret njerëzit e pafajshëm në bulevard dhe askush nuk gjendet fajtor ! Është një turp që duhet të shlyhet menjëherë dikë venë para përgjegjësisë ligjore ideatorët, organizatorët dhe ekzekutorët e kësaj ngjarje të shëmtuar. Por është në përgjegjësinë tonë si mazhorancë që të gjejmë mënyrën që drejtësia të vihet në vend. Nuk ka më kohë e as justifikime”.

Ende ka shumë për të thënë, por mjaftohemi këtu. “21 Janari” pret verdiktin e vet, që tashmë dergjet në kalendar.

SHKARKO APP