Princ Leka: Referendumin për monarkinë do e kërkojnë vetë qytetarët

Por  familja mbretërore qëndroi në mërgim për një kohë të gjatë prej 63 vitesh, derisa ra diktatura komuniste. Më pas, ata u kthyen në Shqipëri në qershor të vitit 2002. Tashmë i vetmi që ka mbetur prej familjes mbretërore është Princ Leka II. Ai ka lindur në Afrikën e Jugut, ndërkohë që aktualisht, prej vitit 2002 ai është vendosur në atdhe. Gjatë kësaj periudhe kohore e deri në momentin që flasim, ai ka punuar si këshilltar në ministrinë e Jashtme, më pas edhe në Ministrinë e Brendshme. Jo vetëm kaq, por Leka II ishte edhe këshilltari politik i Presidentit Bujar Nishani, deri në momentin që ai vendosi të shkëputej për t’iu përkushtuar rolit që mban, si kreu i familjes mbretërore. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” trashëgimtari i vetëm i fronit mbretëror tregon për marrëdhëniet e tij me Partinë e Legalitetit si mbështetëse e Familjes Mbretërore, politikën shqiptare në tërësi, si edhe angazhimet e tij si këshilltar në disa prej institucioneve më të rëndësishme në vend. Po ashtu, Princi në këtë intervistë shpreh edhe qëndrimin e tij për reformën territoriale, si edhe atë lidhur me debatin për rishkrimin e historisë sonë kombëtare…


Sot jeni trashëgimtari i vetëm i fronit mbretëror, ndërkohë që Partia e Legalitetit është mbështetëse e Monarkisë dhe e restaurimit të saj në Shqipëri. Si janë marrëdhëniet tuaja me të?

Padyshim që marrëdhëniet e mia me Partinë e Legalitetit, mbështetëse e Familjes Mbretërore, kanë qenë dhe janë shumë të mira, por duhet theksuar se kjo parti mbështet politikisht sistemin e monarkisë kushtetuese e rrjedhimisht, edhe Familjen Mbretërore. Siç po e tregon realiteti i sotëm, ky sistem politik qeverisës sot në Europë është më i suksesshmi dhe më i qëndrueshmi.

A keni menduar për ndonjë referendum popullor për rikthimin e monarkisë në Shqipëri?

Përsa i përket referendumit për rikthimin e monarkisë në Shqipëri, nuk është thjesht një çështje që u takon “ambicjeve” të mia personale, si trashëgimtar i vetëm i Familjes Mbretërore. Mendoj se ky është një problem shumë më i gjerë, jo thjeshtë personal, por popullor, ashtu siç quhet edhe vetë Referendumi Popullor, pra do të jetë vetë populli ai, që pasi ka kaluar dhe po kalon disa sisteme qeverisëse në një moment të caktuar do të kërkojë ndryshimin e sistemit të sotëm kushtetues. Kam bindjen se kjo nuk do të jetë kohë e largët. Sot më tepër se kurrë, po rizgjohet në përmasa të mëdha ndjenja kombëtare. Këtu e kam fjalën jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, por kudo që ata ndodhen dhe simbol i unitetit kombëtar për të gjithë ne, është flamuri kuqezi. Gjykoj se mbartëse më e mirë e këtij uniteti do të ishte Familja Mbretërore, e theksoj në vendin dhe kohën e duhur.

Është hapur debati për rishkrimin e historisë. Jeni shprehur kundër kësaj nisme. A ka vend për rishkrim historia jonë kombëtare?

Unë jam shprehur kundër politizimit të historisë nëpërmjet historianëve të politizuar, që në sistemin e diktaturës komuniste nuk bënë gjë tjetër, veçse i thurën lavde diktatorit dhe vetë atij sistemi, duke përbaltur çdo gjë që ishte kundër komunizmit. Sigurisht këta historianë nuk gëzojnë kredibilitetin e duhur për të qenë të paanshëm dhe aq më keq, kur një pjesë aktive e tyre kanë qenë dhe janë në krye të partive politike të majta, kryetarë dhe nënkryetarë të tyre. Mendoj se rishkrimi i historisë sipas bindjeve politike, nuk do t’i shërbente askujt dhe nuk do te ishte në interes të popullit dhe të mbarë kombit.

Kohë më parë i jeni drejtuar gjykatës për rikthimin e dy pronave tuaja që sot njihen si Pallati i Brigadave dhe Biblioteka e Librit të Huaj. Keni besim se do t’i merrni këto prona?

Problemi i pronave nuk besoj të jetë objekt i kësaj interviste, pasi ai është shumë i gjerë dhe i kalon kufijtë e personales. Tashmë ai është kthyer në një problem shoqëror, i cili ende nuk po gjen zgjidhje në pothuajse pjesën më të madhe të pronarëve të ligjshëm. Unë shpresoj se proceset demokratike nuk do të ndërpriten, aq më tepër që vendi ynë po aspiron për t’u bërë pjesë e pandashme e BE-së, por për këtë duhet të zgjidhet dhe të zbatohet një nga parimet esenciale demokratike, siç është ai i pronës.

Ç’mendoni për reformën territoriale. Jeni pro apo kundër kësaj?

Reforma territoriale padyshim ishte e nevojshme, por po kaq “padyshim” ishte e nevojshme edhe bashkëpunimi midis forcave politike, pozitës dhe opozitës. Termi “gjithpërfshirës” është i domosdoshëm për çdo lloj reforme, aq më tepër për reformën territoriale. Mungesa e parimit të gjithpërfshirjes mendoj se ia zbeh vlerat kësaj reforme dhe e bën atë të paqëndrueshme në kohë.

Keni punuar si këshilltar në Ministrinë e Jashtme, më pas në Ministrinë e Brendshme e për të përfunduar si këshilltar politik i Presidentit Bujar Nishani, ndërkohë që u tërhoqët për t’iu përkushtuar rolit tuaj si kreu i familjes mbretërore. Tani që ka kaluar koha, si i vlerësoni këto eksperienca?

Puna në institucionet e mësipërme më ka shërbyer si një eksperiencë e vyer dhe për këtë u jam shumë mirënjohës personave që m’i kanë besuar këto detyra. Pozicioni që unë mbaj kërkon së pari të njoh nga afër si politikën e jashtme, problemet e rendit, marrëdhëniet institucionale të Presidencës etj. Nëpërmjet këtyre pozicioneve kam zgjeruar rrethin e marrëdhënieve zyrtare dhe jozyrtare brenda e jashtë vendit, rrethin e shoqërisë dhe miqësisë, pra kam përfituar një përvojë të domosdoshme për veprimtarinë time të mëtejshme.

Familja mbretërore është e pavarur nga politika. Si janë marrëdhëniet tuaja me politikën përgjithësisht?

Pikërisht këtu qëndron edhe prioriteti i Familjes Mbretërore si mbartëse e unitetit kombëtar. Familja Mbretërore nuk është apolitike, por ka si busull të vetme politikën kombëtare, e jo politikën e ditës. Deviza e Familjes Mbretërore është “Paqe, bashkim, vëllazërim”. Marrëdhëniet me partitë politike sigurisht që i kemi normale.

E keni menduar ndonjëherë të bëheni pjesë e ndonjë grupimi politik apo do t’u qëndroni larg këtyre?

Familja Mbretërore është mbi partitë politike dhe nuk mund të bëhet pjesë e tyre, ndryshe ajo nuk mund të luante rolin dhe funksionin e saj si mbartëse e unitetit kombëtar.

Për të mbyllur këtë intervistë. Ngjarja e fundit, saktësisht ndeshja Serbi-Shqipëri dhe komentet e ndryshme qofshin këto brenda vendit por edhe ndërkombëtare. Cili është qëndrimi juaj mbi të gjithë këtë situatë?

Për këtë çështje unë jam prononcuar që në fillim: thirrjet raciste dhe dhuna janë të papranueshme dhe të dënueshme, pavarësisht se nga gjykimi i parë i UEFA-s çuditërisht nuk u dënuan. Sidoqoftë, mendoj se nuk është diçka rastësore ajo që ndodhi në këtë ndeshje futbolli. Është një akumulim dhe shpërthim i ndjenjave raciste të atyre serbëve që deri dje ishin pjesë e krimeve monstruoze në Kosovë e Bosnjë. Për mua, kjo është shumë më e dhimbshme, sesa rezultati i një ndeshjeje futbolli.

 

SHKARKO APP