PS, Peza:Vendimi për Vettingun? Djalli vishet me togat e zeza

Alfred Peza nënkryetar i Komisionit të Medias dhe deputet i Partisë Socialiste i ftuar në emisionin ”45 minuta” të Denis Mingës në Report Tv ka folur për aktualitetin në vend duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Vettingun, dhunën online dhe zgjedhjet e ardhshme.

Peza u shpreh se nuk ishte çudi që Kushtetuesja pezulloi Vettingun sepse ky vendim është një aleancë frike mes gjyqtarëve dhe PD në kurriz të shqiptarëve dhe reformës në drejtësi. Peza tha se shpresonte që Komisioni i Venecias ti japë një përgjigje të shpejtë kësaj kërkese dhe se po punohet edhe nga mazhoranca për këtë gjë.

Sa i përket dhunës online Peza është shprehur se Komisioni i Ligjeve ka depozituar në Komision e Medias iniciativën e Majlinda Bregut për këtë çështje e cila do të shqyrtohet dhe më pas do të mbahet qëndrim.

Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme Peza është shprehur se Partia Socialiste është një makinë që qëndron gjithmonë në lëvizje dhe takimet e kryeministrit dhe figurave të tjera të partisë me qytetarët në të gjithë Shqipërinë e tregojnë këtë.

E prisnit vendimin e Kushtetueses për të pezulluar ligjin e Vettingut?

Reforma në drejtësi mund të frenohet por nuk mund të ndalet. E prisja. Sapo mora vesh lajmin thjesht m’u kujtua filmi dhe libri “Djalli vishet me Prada”,por sot “Djalli vishet me toga të zeza” është versioni shqiptar i këtij vendimi. Është aleancë e atyre që kanë frikë në kurriz të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Është një film i parë edhe më parë.

Kushtetuesja nuk është sulmuar nga asnjë prej palëve , por po thoni që i trembet vettingut me këtë vendim?

Sigurisht sepse thjesht vendimi është shprehje e frikës dhe panikut në të cilin ndodhet një pjesë e gjyqësorit shqiptar. Kjo gjykatë është niveli më i epërm që duhet të ishte teorikisht gardiani i ligjit themelor të shtetit. Mesa duket e keqja ka shkuar shumë thellë. Në një farë mënyre me këtë vendim Gjykata Kushtetuese i ka shpallur luftë SHBA dhe BE. Kjo sepse ambasadori amerikan ka pasur deklaratë të fortë ndaj PD duke lënë të nënkuptohet se kush është pro dhe kundër reformës. PD dhe anëtarët e kushtetueses u bënë një dhe rrëzuan vullnetin e pjesës dërrmuese të parlamentit dhe ndërkombëtarëve.

Në rastin e ligjit për pronat gjykata kushtetuese iu drejtuar komisionit të Venecias por pa e pezulluar ligjin ndërsa këtë herë ka vepruar ndryshe , iu drejtua Venecias por duke e pezulluar ligjin, a ka standard të dyfishtë të gjykatës?

Sigurisht që po, sepse Komisioni i Venecias ka noterizuar të gjithë elementët që përbënin paketën për ligjin në drejtësi. Kaq mjafton për të kuptuar pse është marrë ai vendim.Por shpresoj që Komisioni i Venecias do ti japë një përgjigje të shpejtë kësaj kërkese dhe po punohet edhe tani për këtë cështje.

Gjykata Kushtetuese sot është është në ngërç sepse ka 8 anëtarë dhe në një situatë hipotetike vendimet mund të jenë 4 vota pro 4 kundër, si e zgjidh Parlamenti këtë vakuum?

Pavarësisht kalkulimeve dhe analizave kjo zgjidhje e riformatimit të trupës së anëtarëve të kësaj gjykate do të jetë pjesë e reformës në drejtësi. Mendoj se kjo çështje do të zgjidhet në këtë kuadër.

Si e gjykoni politikisht këtë vendim?

Situata nuk është e thjeshtë por nuk është e pashpresë. Këto janë përpjekjet e fundit por që nuk do mund ta ndalin dot reformën.

A mund të jetë i zbatueshëm ligji për SPAK me këtë vendim?

E gjithë paketa prej 7 ligjesh është e lidhur dhe e ndërvarur me njëra-tjetrën dhe direkt ose indirekt ndikojnë. Mungesa e njërës prej tyre do bënte që e gjitha të çalonte.

Ligji për KLGJ dhe KLP do jetë me konsensus apo vetëm me votat tuaja?

Ne s’heqim dorë nga përpjekjet për të pasur konsensus për çdo ligj jo më për këtë ligj madhor. Nëse do të ndodhë që për arsye të paarsyeshme të mos votohet me konsensus do të mundohemi të procedojmë me votat e mazhorancës dhe 3 nëntori është afati i fundit.

Të flasim për nje temë tjetër, për dhunën online, pra fyerjet dhe sharjet online ndaj individit. Kryetarja e dhomës së deputetëve të Italisë Boldrini që vizitoi Shqipërinë pak ditë më parë e ka ngritur në Këshillin e Europës dhunën online duke kërkuar që ajo të dënohet njësoj si të gjitha llojet e tjera të dhunës. Çfarë është iniciativa e Bregut dhe a e zgjidh këtë problem?

Të gjithë jemi objekte dhe subjekte të komenteve sidomos kur je personazh publik. Kushdo mundet të vendosë një maskë online dhe të të prishë humorin apo të bëjë fyerje e shpifje. Sa i përket nismës së Bregut pati heshtje dhe më pas ka kaluar në shqyrtim. Në momentin që komisioni i ligjeve kërkoi ndihmën edhe të organeve ndërkombëtare për këto problematika gjatë diskutimit me kolegët është parë e udhës që të mos shikohet thjesht si një çështje e vecuar ligjore por edhe si një çështje që lidhet me median dhe lirinë e saj. Jemi në fazën kur sapo ka ardhur në komision. Jam relator i çështjes nga ana e mazhorancës, jemi duke studiuar dhe do fillojmë që ta shqyrtojmë. Kjo është një çështje që po debatohet në të gjithë botën dhe jo vetëm në Shqipëri. Duke qenë se nuk ka pasur ligje që e rregullojnë punën në këtë fushë disa vende kanë marrë iniciativa. Ne do njihemi me praktikat më të mira.

Kur do të merret ky vendim në komisionin e medias?

Është shqyrtuar nga komisioni i ligjeve dhe ka ardhur në komisionin tonë. Ne në ditët në vijim do të japim mendimin tonë duke thirrur edhe inisiatoren, Majlinda Bregun.

Si mendoni se zgjidhet kjo cështje ku problem nuk janë vetëm komentet fyese mbi shkrimet por vetë shkrimet pa emër në portale ku askush nuk mban dhe jep përgjegjësi?

Numri i mediave është jashtëzakonisht i lartë, por ashtu siç janë të lira ka edhe tendenca për ta shkelur këtë liri. Thelbi i kërkesës së zonjës Bregut lidhet që administratorët e faqeve online të fshijnë komentet fyese, por nëse ka përsëritje të merren masa të tjera. Në të drejtën universal është e drejta dhe liria e të shprehurit por e tillë që kjo të mos cenojë lirinë e të tjerëve. Edhe kjo nismë është një mënyrë për të rregulluar deformacionet.

Dikush mund të hapë një portal dhe të bëjë një shkrim të pavërtetë pa emër dhe të mos mbajë përgjegjësi, a duhet rregulluar edhe në aspektin legjislativ media online?

Unë mendoj që duhet trajtuar në tërësi fenomeni dhe nuk duhet të ndalemi në aspekte të veçanta. Mund të themi se produktet online janë të tilla që po marrin trajtat e biznesit për aq kohë sa reklamat po zhvendosen aty.Për herë të parë këtë vit reklamat në mediat online kanë kaluar vlerën e reklamave në gazeta dhe revista në Shqipëri. Mund të vijë një moment që të kërkohet të regjistrohen edhe ata që drejtojnë media online. Janë procese që do ndiqen hap pas hapi, Shqipëria ka pasur problematika që në 90 me revistat dhe gazetat të cilat janë rregulluar gjatë viteve. Kemi pasur vakuum për pronësinë televizive, për të drejtën e autorit dhe të gjitha janë rregulluar me kalimin e viteve. Akoma kemi iniciativa për të bërë korrigjime të herëpashershme të ligjeve. E njëjta gjë po vjen edhe për këtë fenomen të ri. Në Angli sot që po flasim reklamat në internet ja kanë kaluar reklamave televizive gjë që në Shqipëri është larg por gjërat janë drejt asaj.

A ka mazhoranca synim ta rregullojë këtë treg brenda këtij mandati?

Ende nuk ka një nismë konkrete për të rregulluar në terësi dhe në gjithë kompleksivitetin e vet këtë treg të ri të medias online por gjithsesi mbetemi të hapur për cdo rregullim.

Si e gjen PS-në faza përgatitore e zgjedhjeve?

Shqipëria është një vend që duket sikur ka moto të jetës: “ Nga luftërat vijmë në luftë shkojmë”, apo “ Nga zgjedhjet vijmë, në zgjedhje shkojmë”. Gjithmonë diskutohet për zgjedhje. PS ka përshtatur organizimin e partisë sipas reformës territoriale. Është një makinë që është gjithmonë në lëvizje.

Pjesa më e madhe e drejtuesve në 12 qarqe ishin ministra, pse kjo zgjedhje?

Ministrat presupozohen të jenë pjesë e trupës më të zgjedhur të një partie politike nga të gjitha pikëpamjet dhe është normale që prej radhës së tyre të vijnë udhëheqësit politik afër zgjedhjeve.

Si e gjykoni deklaratën e Metës se LSI ka një rol të qartë në të ardhmen, ose do të jetë një forcë edhe më e rëndësishme qeverisëse ose do të jetë forca kryesore opozitare në Shqipëri?

Absolutisht cdo lider politik e ka të domosdoshme të motivojë trupën e vet politike. Dhe të vendosësh objektiva duke i deklaruar publikisht është motiv për të gjitha anëtarët e një partie. Më duket krejt normale që të ketë ambicie të pretendojë që të ketë më shumë pushtet.

Meta president, është ambicie që do ta vinte në siklet PS?

Nuk ka lidhje konteksti i deklaratës së djeshme me çështjen e presidentit, por është normale që të ketë ambicie çdokush që është në politikë.

Kanabisi të luftohet edhe nga ushtria, qëndrimi juaj?

Është pjesë e treguesve të gradëve të lirisë dhe demokracisë në të cilën funksionon ky koalicion ku çdokush ka të drejtë të thotë mendimin e tij. Zoti Manjani është një politikan që vjen nga radhët e shoqërisë Civile dhe gjithmonë është më i lirshëm në deklaratat e tij.

Ku do ta keni aktivitetin tuaj në raport me zgjedhjet e 2017?

Angazhimet e mia kanë qenë në Tiranë. Nuk është sekret që unë vitin e ardhshëm do të jem në listën zgjedhore të qarkut Tiranë.

SHKARKO APP