Raimonda Mosiu: Letërsia nuk funksionon si mallrat e tregut me shumicë

Intervistoi Zenepe Luka-Raimonda Mosiu ka mbërritur në qytetin e lindjes,në Korçën e serenatave për të shuar mallin, por edhe për të festuar ditëlindjen që e ka më 20 shkurt. Është rasti, që të radhisim disa rreshta për Raimondën, bijën e një familjeje të thjeshtë qytetare me tradita atdhetare e patriotike,që shumëkush e njeh dhe e vlerëson për kontributin qytetar, intelektual dhe aktivitetin krijues letraro-artistik e publicistik edhe në SHBA, në kryeqytetin e shtetit të Connecticut, Hartford, ku jeton me familjen.  Ajo shprehet për gazetën “Koha Jonë”, se ka ardhur të çmallet me qytetin e saj, të vendosë lule në varrin e vëllait dhe të nipit, që u ndanë para pak kohësh nga jeta, por edhe të kujtojë ditëlindjen, bashkë me nënë e saj. Lirinë, që çuditërisht kanë lindur në data të përafërta në muajin shkurt.

 Si nisi rruga e të shkruarit në fushën e poezisë dhe të publicistikës, për bërë një emër shumë i njohur si shkrimtare dhe gazetare?

Jam shprehur gjithmonë se të shkruarit është ndjenjë e fortë e brendshme që s’ka të bëjë me atë që shprehet rëndom, se të shkruarit është “zanat”. Oscar Ëilde ka thënë se të shkruarit është 10% dhunti, aftësi apo talent dhe 90% disiplinë. Pra edhe shkrimtarit, i duhet disiplinë për të shkruar  dhe nuk është detyrë e lehtë. Të jesh shkrimtar është një nga “zanatet” më vetmitarë në botë. Duhet të biesh në dashuri me të shkruarin dhe personazhin apo ç’ka je duke shkruar për të, kjo të bën t’i tolerosh vetvetes –vetminë e të shkruarit. Ky është gjykimi im, nuk e di si mund të shprehen kolegët.

Jetoni në SHBA, sa jeni e njohur me botimet që bëhen në Shqipëri dhe cili është mendimi juaj, duke veçuar krijuesit e rinj?

Nuk lëviz nga mendimi se ka një masivitet të madh të njerëzve që shkruajnë. Shumica vuajnë nga sindroma e përfitimit të parasë dhe nëpërmjet saj blejnë reputacionin dhe karrierën si shkrimtarë. Kjo racë shkrimtarësh që janë fenomene groteske, paralajmërojnë vulgaritetin dhe mediokritetin në letërsi, injorancën dhe paditurinë, vetëgjymtimin dhe vetëvrasjen intelektuale të shoqërisë. Sigurisht që, çdo shkrimtar jeton në një kohë të caktuar dhe i takon po një kohe e sistemi të caktuar dhe sigurisht krijimtaria e tij/e saj, do të jetë e angazhuar dhe është militant i problemeve të kohës në të cilën jeton.

Ajo, që unë kundërshtoj ashpër është se shkrimtari kurrsesi nuk është zëdhënës i një grupimi politik, por në opozitë me shtetin, qeverinë, partitë politike -që interferojnë gjithçka. Konstatoj, sikurse edhe ju e të gjithë ne, që ka tre kategori opinionesh për njerëzit që shkruajnë. Një kategori përbëhet nga lajkatarë, një tjetër nga smirëzinj e njerëz të rënë në dashuri me krijimet e veta, – të dyja janë ego vetëgjymtuese e vetëvrasje intelektuale. Kategoria e tretë është ajo e njerëzve të ndershëm, të pakët në numër e që sa vjen e po pakësohen. Zgjedhja ime në të treja zhanret për t’u rrëfyer në çdo kohë, varet nga tema e subjekti.

Shpresoj që gjërat vazhdojnë të ndryshojnë për mirë. Asnjë shoqëri nuk është statike. Krijimtaria letrare nuk duhet paragjykuar. Duhet kuptuar në kohën e kushtet, kur është shkruar, ajo ka një emër të shenjtë; arti i të shkruarit. Ndërsa shkrimtarët e vjetër shpalosën ide të mëdha që bota duhet të ndryshonte, për një kohë të re e me koncepte të reja, do t’jua kalojnë të rinjve stafetën, të marrin përsipër luftën për ndryshim që është një luftë e vazhdueshme.

 Krijuesit e rinj?

  Vitet e fundit po bëj një jetë midis Shqipërisë dhe Amerikës. Dua të shpreh keqardhjen, madje dhimbjen time për Lidhjen e Shkrimtarëve, që “vdiq”, para syve të njerëzve të letrave shqipe, dashamirësve të artit e letërsisë, gazeta njëqind vjeçare “Drita”, gazetë me prurje cilësore letraro-artistike, me të cilën jo vetëm unë u rrita, u edukova dhe mund të them se ajo ka pjesën e saj në eksplorimin e pasionit tim për të shkruar.

 Ndjek me vëmendje aktivitet letrare që zhvillohen në trojet shqiptare dhe lexoj rreth tyre në shtypin shqiptar, lexoj për librat që botohen nga shkrimtarë të vjetër e të rinj. Madje në disa aktivitete letraro –artistike dhe promovime librash kam qenë edhe vetë pjesëmarrëse në Shqipëri dhe Kosovë. Falë iniciativës private, janë bërë e bëhen shumë veprimtari në Shqipëri, Kosovë, Ballkan e Diasporë. Kjo është për t’u përshëndetur.

  Ajo që vëmë re,është se prurjet në letërsi janë të shumta, shtëpitë botuese të shumta, të cilat tashmë janë bërë në modë, duke e trajtuar literaturën, sikur të jenë mallra me shumicë, në një mjet përfitimi material, financiar dhe më shumë gjasa për përfitim moral e intelektual.

Nëse do të më pyesnit mua, jam për një lloj të caktuar të botimit të veprave, pra ngritja e një bordi letrar, ku kritika letrare të jetë parësore apo ngritjen e shtëpive botuese të organizuara.

  Po “vdesin” poetët!! Asnjë librari nuk pranon libra me poezi. Unë do ju drejtohesha kolegëve në Shqipëri e trojet shqiptare të hedhin sytë nga Letërsia Postkomuniste e Diasporës, që i përket periudhës së shtrirjes kombëtare jashtë kufijve të atdheut dhe idealizmit, pasionit dhe shprehjes për të gjithë njerëzit, që e jetojnë jetën me të vërtetat e saj, të cilët sollën zbulimin e një zëri të veçantë rreth veprave të Rilindjes të shpirtit shqiptar krijues të letrave shqipe, rreth ideve të artit si frymëzim shpirtëror dhe dimensionit estetik të natyrës, metaforës së rritjes dhe formimit fizik e intelektual, shpreh më së miri të vërtetën universale të artit ekspresiv për individin e shoqërinë

 Në Letërsinë post-komuniste të Diasporës, e cila tashmë është grupuar në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, që unë e drejtoj dhe ku aderojnë figura të njohura të letrave shqipe, veçoj se edhe aty kemi letërsi jo cilësore e artistike, artificiale, dashuri të rremë, vetëkënaqësisë mediokre, plagjiaturë e naivitet letrar.

 Mendoni se botuesit kanë përgjegjësinë e tyre, që gjithçka që shkruhet, botohet?

Jo gjithçka që shkruajnë është mjaft e mirë për botim. Botuesit janë biznesmenë njëlloj si bizneset në profesione të tjera. Ata nuk janë filantropistë, ata janë aty për të fituar para. Shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm, të botojnë veprat e tyre kur ato janë vlerësuar nga një bord letrar apo kritika e kohës për cilësinë dhe nivelin letrar e artistik dhe botuesit do të konkurrojnë pas tyre. Nëse shkrimtarët e rinj kanë pasionin dhe talentin e lindur në to, nuk ka rëndësi sa kohë merr, libri do ta shohë dritën e botimit, fundi e justifikon mjetin.

Biografia letraro-artistike e publicistike e shkrimtares Moisiu

Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane, SHBA, Anëtare e Klubit të shkrimtarëve e artistëve korçarë “Bota e Re”, Anëtare e Klubit të Shkrimtarëve e Artistëve vlonjatë “Petro Marko”, Vlorë, Anëtare e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Botës me qendër në Ohio, SHBA, Anëtare e Shoqatës se Poetëve të Botës, me qendër Larisa, Greqi. Anëtare e Shoqatës “Në dobi të gruas shqiptare”, Moderatore dhe bashkëthemeluese e Forumeve vvvvvv. panalbanianvvomennetvvork. org dhe Tefta Tashko Koço on line -Anëtare e “Familja & Media” Tiranë. Anëtare dhe Koordinatore e Rrjetit Mbarëkombëtar Global në SHBA.

Raimonda Mosiu është nominuar nga Bashkia e qytetit të Hartfordit me Official Citation si: “Gruaja e Vitit në komunitet”, dhe që prej vitit 2005 aderon në Partinë Demokratike Amerikane. Në kuadër të 100- vjetorit të Pavarësisë, Shkrimtarja shqiptaro-amerikane është përzgjedhur ndër personalitetet e Albanian Excellence – Candidates 2012. Po këtë vit ajo u nominua nga rrjeti Global Mbarëkombëtar me qendër në Londër me mirënjohjen; “Gruaja Shqiptare e vitit” dhe poezia e saj në Netët Poetike Ballkanike në Korçë u vlerësua me Çmimin më të lartë “Perëndesha e Dashurisë”!

Botimet letrare e publicistike;
-Jeta mes dy dashurive”, libër me prozë e publicistikë,“Dashuria nuk ka emër”. – Vëllim poetik, lirika dashurie, “Sikur s’më ke puthur kurrë”-Vëllimi poetik,Lirika dashurie. ”Lulëkuqja e Egër-Vëllimi poetik-Lirika dashurie-në katër gjuhë:Shqip, anglisht, italisht dhe greqisht. “Duke kërkuar Ardianën…”- libër me prozë dhe Esse!“Gërhitja e gjeneralëve”- Libër publicistik,“Pafajësia e Evës” – Roman,-“Gjëmimi i moshave”-Tregime,
-Maska e intelektit”

 -Esse & Publicistike
Letrat shqipe këtej & përtej Atlantikut-61 INTERVISTA -Libër voluminoz me 600 faqe. ”
-Është bashkautore në antologjinë në gjuhën rumune:-“Tempulli i fjalës”
Është bashkautore në antologjinë e botuar nga Fotjonart:- “Itaka e Fjalës”
Është bashkautore në antologjinë:- “Zemra Prindërore”, -nga forumi virtual “Mëmëdheu”.
Është bashkëautore në antologjitë me prozë:”Nëna”,- nga Forumi “Pan Albanian vvomen netvvork”. “Tregime”,- nga Shtëpia Botuese ADA, Tiranë.

Vlerësimi me çmime:
-Është fituese e Çmimit të Parë, për Rubrikën Reportazh nga “Fotjonart”.
-Fituese e Çmimit të Dytë-për Tregimin më të mirë-nga-Forumi Shqiptar.
Fituese e çmimit të tretë –“Kadmus” -Për rubrikën Intervista-nga Pelegrini -Athinë Greqi.
Fituese e “Çmimit të Parë Ballkanik”,për poezinë lirike, në “Netët Korçare të Poezisë”.
Fituese e Çmimit të Parë në poezi nga Redaksia e Gazetës “Nositi”, Pogradec
Fituese e çmimit “Petro Marko” në gjininë e Tregimit nga revista “Kuvendi” paraqitur në Ditën e Letërsisë Shqipe në Michigan.
Poezia me temë sociale e qytetare ; “Nuk munden më…”, u vlerësua si poezia më e mirë në: “Takimet e At’Gjeçovit 2009”-në Zym të Hasit, Kosovë.
Fituese çmimit më të lartë Ballkanik në poezi; “Perëndesha e Dashurisë” etj.

SHKARKO APP