Rama: Kush bëhet Kryebashkiak, hap rrugën për Kryeministër

Gjatë qëndrimit në Itali, Kryeministri Edi Rama ka gjetur pak kohë për të dhënë edhe një intervistë për gazetën “Corriere della Sera”. Kreu i qeverisë shqiptare është pyetur për shumë tema ndërsa interesante ishte pyetja nëse është më mirë të punosh si kryebashkiak apo si kryeministër. Rama thotë se “të bësh punën e kryebashkiakut është një hap i mbarë për tu bërë kryeministër”. Të ketë pasur në mendje veten e tij dhe kryeministrin Renzi apo është një “frikë” për kryebashkiakun Basha? Më poshtë një pjesë e intervistës së Ramës për “Corriere della Sera”

 

Për të luftuar ISIS duhet ndërhyrje ushtarake?

 

“Ajo që është bërë deri tani është e drejtë që të vazhdojë. Ata kërcënojnë qytetërimin tonë. Por në këtë pikë duhet zgjidhur çështja e atyre që për një përfitim politik kërkojnë të përçajnë dhe jo të bashkojnë duke u thënë njerëzve se problemi janë muslimanët. Është një kërcënim joni i përbashkët”.

 

Europa duhet të përballet me një tjetër krizë: atë me Rusinë.

 

“Nuk është një sfidë e lehtë sepse sot kemi të bëjmë me Europën e frikës, një projekt i paplotë, pa një lider dhe pa kurajë. Një projekt i pafuqishëm përballë vështirësive të mëdha. Na kanë sjellë në një Europë taktike, të lidhur me projekte elektorale dhe peng të interesave të veçanta. Me Rusinë është parë mungesa e një Europe të madhe dhe strategjike.

 

Duke parë këto, Shqipëria është akoma e interesuar të hyjë në BE?

 

“Europa është një ëndërr. Për ata që shohin përpara, Shtetet e Bashkuara të Europës janë e vetmja rrugë që garanton brezat e ardhshëm”

 

Si shihet Italia nga shqiptarët?

 

“Italia është gjithmonë Italia. Nuk është ajo e 25 viteve më parë, por qëndron akoma një objektiv për shumë gjëra, duke nisur që nga ndërtimi i cilësisë. Vendi juaj është një realitet që na përket nga pikëpamja shpirtërore dhe kulturore”.

 

Ka nga ata që thonë se ju rrezikoni të dëmtoni ekonominë italiane duke ftuar investitorët e huaj…

 

“Duhet të na shihni si pjesë të Italisë nga ana ekonomike. Shqipëria është një vend ideal për çdo sipërmarrës italian. Gjeni te ne atë që nuk e gjeni në Itali, por kjo nuk e dëmton fqinjin tonë.

 

Kush ka të drejtë Tsipras apo BE për borxhet e Greqisë?

 

“Ajo që mund të them është që të dy palët duhet të plasin për të gjetur një marrëveshje. Europa duhet të shohë ku ka gabuar në këtë pikë për të gjetur rrugë më të mira për të dalë nga kriza.”

 

Në Beograd folët për pavarësinë e Kosovës. Homologut serb nuk i pëlqeu. Si janë tani marrëdhëniet mes dy vendeve?

 

“Janë shumë të mira. Mbetet të mësohet se nëse vendet e Ballkanit nuk bashkëpunojnë me njëri tjetrin, janë më të dobët përpara Brukselit.

 

Më mirë kryeministër apo Kryetar Bashkie i Tiranës?

 

Të jesh Kryetar Bashkie është një fillim i mirë për tu bërë Kryeministër. Sigurisht që të duket më e thjeshtë të bësh kryeministrin nëse ke qenë më parë kryetar bashkie. Nëse më parë ke qenë “qytetari i parë” nuk mund të bësh vetëm politike dhe asgjë për qytetarët.

 

Jeni shumë aktiv në rrjetet sociale, edhe ministrat tuaj…

 

“Kjo është një qeveri e re. Rrjetet sociale janë një hapësirë e natyrshme për të lëvizur. Nuk humbet kohë me rrjetet sociale, përkundrazi, komunikohet më shpejt.

 

Me opozitën keni një përplasje prej muajsh. Kur do të bëni paqe?

 

Në këtë pikë jemi njëlloj si Italia. Edhe këtu ka një jetë politike luftarake. Tek ju, janë komikët që bëjnë luftën, në Shqipëri të paktën, komikët bëjnë komikët”

 

Më duket se nuk ju pëlqen Beppe Grillo…

 

Komikët janë të nevojshëm për tu tallur me qeverinë, por të votosh për komikët që të qeverisin është si të tallesh me veten tënde.

 

Çfarë mendoni për Matteo Renzin?

 

Prezanton një Itali të shpresës që më në fund është një vend që flet për të rinjtë dhe rilindjen.

SHKARKO APP