Ramush Haradinaj: Askush nuk mund të shfajësohet për gjendjen në Kosovë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se askush nga udhëheqësit politik dhe institucional nuk mund të shfajësohet për shkallën e lartë të korrupsionit në Kosovë. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ai tha se bisedimet Kosovë – Serbi tashmë duhet të përqendrohen vetëm në çështjen e njohjes së ndërsjellë dhe  se partia e tij nuk do të ketë më rol të drejtpërdrejtë në këtë proces por do të kërkojë llogari nga koalicioni qeverisës, i cili, sipas tij nuk u përgjigjet nevojave të shtetit dhe shoqërisë së Kosovës.

Zoti Haradinaj, Kosova po mbyllë një vit të përshkuar me bllokadë të gjatë politike së cilës ju dha fund ndryshe nga ajo që kishit paramenduar ju. Si prisni të funksionojë qeveria e re dhe si do të funksiononi ju me të?

Mendoj në Kosovë ka shpërpushje të dinamikave të temave. Pra, krijohen shumë tema, lindin shumë kërkesa dhe është një shoqëri shumë e gjallë, e dalë nga lufta, nga tranzicioni, shtet i ri me probleme të shumta. Për të ecur Kosova suksesshëm, ata që i marrin përgjegjësitë, pra qeverisja në këtë rast, duhet të sigurojnë një dinamikë adekuate për një vend si Kosova që ka tema të akumuluara. Për bindjen time, vazhdimi i qeverisjes, ta zëmë i logjikës qeverisëse, ashtu si është qeverisur vendi nga zoti (Hashim) Thaçi, e tani edhe shtesa me zotin (Isa) Mustafa, nuk i përgjigjet shoqërisë sonë, vendit, dinamikave të vendit, kërkesave të vendit dhe shoqërisë sonë. Nuk shoh se do të kemi një vit të suksesshëm ose një vit që të paktën do të mund të përballet me gjithë këto dinamika të brendshme që ka vendi.

Por ju si opozitë di do të funksiononi me të? Si e shihni rolin tuaj në këtë raport forcash?

Nuk është një pozicion i lehtë fare për bërjen e opozitës në vend, meqenëse në Kosovë si një vend i ri, qeverisja Thaçi ka depërtue nëpër poret e jetës. Ndryshe, ajo që një pjesë e jona e quajmë “kapje të shtetit”, po konsolidohet. Pra është e vështirë opozitë bërja, është vështirë që zëri alternativ të depërtojë në institucione për shkak edhe të numrit të vogël të deputetëve që kemi. Por, ajo që është interesi im dhe i AAK-së është të paktën me ndihmue që në ato tema që janë emergjente për vendin, me e ballafaque qeverisjen, me i kërkue llogarinë për veprimet që i bën apo mosveprimet. Pra, nga pozicioni opozitar me ndihmue që shumë tema në vend me gjetë zgjidhjen e duhur

I keni kritikuar partnerët e koalicionit të ri, e posaçërisht kryeministrin Mustafa për shkak të prishjes së bllokut tuaj të përbashkët politik. Por, ai thotë se me gjithë dëshirën nuk kishte mbetur mundësi për vënien e tij në jetë. Sipas jush si do të mund të sendërtohej një qeveri e bllokut me situatën që ishte krijuar?

Për mua është e dhimbshme që nuk ka ndodhur ndryshimi në Kosovë. E kam thënë dhe e përsëris: do të ishte ndihmesë për gjithë spektrin politik, për vendin, për botëkuptimin tonë se si qeveriste në demokraci. Kemi lindë si shtet i ri para disa viteve, jemi qeverisur nga një subjekt politik, PDK dhe zoti Thaçi, një rotacion do të ishte shumë i shëndetshëm. Do ta ruante shpresën e qytetarëve dhe në rrethanat çfarë është Kosova, një ndryshim, cilido qoftë, do të ishte më i mirë sesa një status-quo. Për mua i dhimbshëm është kombinimi i sotëm sepse kuptohet, ata që kanë qeverisur dy mandate, në të tretin nuk mund të sjellin energji kush e di sa të reja e sa të mira. Por edhe logjika qeverisëse apo kualiteti qeverisës i zotit Mustafa në Prishtinë nuk ka qenë e suksesshme. P.sh kemi Prishtinën me qindra mijëra banorë më shumë probleme dhe nuk ka mundur as buxhetin e alokuar ta shpenzojë. Nuk po flas ta shpenzojë koti, por duke ju përgjigjur kërkesave të qytetarëve. Në rast se behët fjalë për këtë kualitet dhe atë që ne e kemi synuar, një ndryshim i plotë, pra një mundësi me i dhënë qytetarit me besu se Kosova në rotacion politik krijon energji të reja, dinamika të reja, zgjidhje të reja për problemet që janë të vjetra shumica, por edhe ato që vijnë. Pra, këtu ka qenë shpresa e madhe që të krijojmë një momentum në Kosovë, të cilit i besojmë, që në fakt u krijua me marrëveshjen e dhjetë qershorit. Dihet se është festuar rrugëve të Prishtinës, rrugëve të Kosovës, një entuziazëm i paparë i simpatizantëve, i qytetarëve të partive të ndryshme. Më vjen keq që ajo nuk ka ndodhur, sepse gjendja e sotme flet për humbje të shpresës. Pra, shohim njerëz duke ikur nga Kosova dhe nuk ka një entuziazëm që është i nevojshëm për me i ruajt energjitë e brendshme, me i gjenerue ato, me besu njerëzit se në vendin e tyre po ndodhë zhvillimi, po ndodhë një qeverisje e mirë.

Zoti Haradinaj, keni paralajmëruar ndryshime duke filluar nga vetvetja. Çfarë ndryshimesh behët fjalë?

Shpresa ime ka qenë që këto ndryshime të ndodhin në qeverisje, në shtet. Pra të fillojmë të trajtojmë në mënyrë direkte çdo temë që e preokupon njeriun tonë, Rendi dhe ligji ka rënë. Besimi në rend e ligj, në gjyqësorin në shumë aspekte të jetës sonë ka rënë. Janë rritur veprimtaritë jo të ligjshme. P.sh kemi rritje të veprimtarisë së fajdeve në Kosovë, që është shumë tragjike për qytetarët e vendit ajo që ndodhë me fajde. Kemi rritje të veprimtarive të reketimit, të haraçit, kemi rritje të krimit në të gjitha drejtimet, përfshirë narkotikët, trafikun njerëzor etj. Qëllimi im ka qenë që kur vij në qeverisje me fillue përballjen me to. Kemi rritje të radikalizmit fetar, të fundamentalizmit islam në Kosovë, por kemi edhe rritjen e varfërisë e problemet që i kemi të zhvillimit ekonomik. Meqenëse nuk e kam mundësinë që këto ndryshime t’ia jap secilit qytetar të Kosovës përmes institucioneve, të paktën e ndjej obligim që Aleanca, mos të bëhet pjesë e këtij kontaminimi shoqëror. Pra, t’i japim Kosovën, atëherë të paktën një subjekt politik që është i shëndoshë, që e ka mundësinë me e ndihmue ndryshimin duke ndryshuar veten, Kam thënë se do të fillojë edhe nga vetja.

A nënkupton kjo ristrukturim të partisë?

Reforma edhe të politikave tona, të organizatës sonë dhe të njerëzve në tërësi. Pra kemi dhënë edhe mesazh publik edhe kritere publike kush është i preferuari ynë si anëtar i Aleancës, i zgjedhur në nivelet më të para, në vendbanime, në lagje e deri këtu. Pra, ne kemi treguar edhe kush nuk bën me qenë i zgjedhur në Aleancë ose me qenë pjesë e saj. Të gjithë ata që e shkelin ligjin, nuk kanë vend në Aleancë. Të gjithë ata që merren me aktivitete kriminale, nuk janë të mirëpritur, nuk i duam në Aleance, nuk kanë qenë Aleancë, s’do të jenë kurrë. Pra, kemi shkuar bindshëm dhe qëndrueshëm me i tregue sot votuesit të Aleancës, qytetarit, aktivistit tonë, atje ku unë nuk jam, se për kë duhet të votojë. Pra, i kemi dhënë porosi të qartë edhe publike edhe organizative: mos lejoni të infiltrohet brenda strukturave të Aleancës, cilido që merret me veprimtari të jashtëligjshme.

Deri tash ju keni mbështetur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke qenë i përfshirë në proces edhe me përfaqësuesin tuaj. Çfarë do të jetë qëndrimi juaj kundrejt këtij procesi tash e tutje?

E para, ne e ndjejmë nevojën e normalizimit të mëtejmë të marrëdhënieve me Serbin, ashtu si me të gjithë fqinjët. Pra, ka ende mundësi të bëhet me shumë edhe me Malin e Zi, në këtë rast avancimi i marrëdhënieve. Mirëpo, kontributi ynë ka ardhë në një kohë tepër të ndjeshme. Kur koalicioni qeverisës i kryesuar prej zotit Thaçi kishte mungesë të përkrahjes në parlament, pra nuk kishte as numrin e nevojshëm të një shumicë prej 61 deputetësh, shumicën e kohës është qeverisë Kosova me 57 deputetë. Meqenëse ishte një temë kaq jetike, ne kemi marrë pjesë direkt dhe e kemi kontributin tonë në këtë temë. Në rrethanat e reja të krijuara të një situate në parlament me dy të tretat, nuk shohim rol direkt në dialog. Pra, nuk e kanë edhe nevojën tonë, thënë më ndryshe. Përpos kësaj, tani ne kontributin tonë nga kontribut dhënës, jemi në kërkim llogarie. Pra, u kërkojmë llogari institucioneve të vendit për dialogun. Sugjerimi ynë është se dialogu ka mbërri në një temë të vetme, një temë ka mbetur e pa përmbyllur në dialog, ajo është njohja. Pra, fokusimi i institucioneve të Kosovës duhet të shkojë drejt njohjes. Ne s’kemi kontribut direkt, nuk marrim pjesë në dialog. Ne e përkrahim pozicionin opozitar të kërkim llogarisë për ata që janë bartës të dialogut dhe kërkojmë që të fokusohen vetëm në njohje.

Disa nga sfidat që e presin Kosovën kërkojnë një shkallë konsensusi të gjerë, si ta zëmë themelimi i Gjykatës së posaçme. Cili është qëndrimi juaj ndaj kësaj çështjeje, e kam fjalën për votën tuaj në parlament?

Kosova ka problem serioz me kualitetin e gjyqësorit ne vend. Dhe ne mendojmë që arsyeja pse nuk na është besuar që ato raste, apo ato aktakuza që dalin nga hetimet e prokurorit (Clint) Williamson, të gjykohen në Kosovë, është për shkak se ka rënë kualiteti i gjyqësorit dhe besimit në institucione të vendit. Ne meritor për këtë e shohim zotin Thaçi dhe qeverisjen e PDK-së. Pra, ne e ndjejmë vetën të lënduar që nuk na është dhënë mundësia, ashtu siç u është dhënë vendeve tjera, që vazhdimin e rasteve, qoftë për krime lufte apo krim tjetër të shqyrtohen në Kosovë. Meqenëse, koalicion qeverisës ka dy të tretat plus, ne nuk shohim rol direkt dhe nuk e shohim votën tonë si ndihmesë për gjykatën speciale. Ne do të kalojmë në pozicionin e kërkimit të llogarisë për institucionet e vendit, për kualitetin e këtij procesi në vazhdimësi dhe njëkohësisht do të shtojmë presionin tonë që të përmirësohet gjyqësori në vend. Sepse, edhe pse do të gjendet një zgjidhje për këto raste, ne vuajmë nga një kualitet i dobët i gjyqësorit.

Në vazhdën e sfidave është edhe shqetësimeve që nxitë tash e një kohë përfshirja e shqiptarëve në luftën në Siri. Sa janë serioze këto shqetësime dhe çfarë po bëjnë institucionet e Kosovës për t’u përballur me to?

E para, ne do të votojmë, e mirëpresim ligjin në parlament. Do ta votojmë menjëherë ligjin për luftëtarët e Kosovës në luftëra të huaja. E dyta, më vjen keq se në këtë kualitet qeverisës të vendit po krijohen shumë vakuume që janë shfrytëzuar nga këto lëvizje radikale, lëvizje shumë të dëmshme për vendin. AAK dhe unë do të jemi përkrahës që të mos lejojmë që Kosova të bëhet strehë e këtyre lëvizjeve dhe që të mos lejojmë që qytetarët tanë të bëhen pjesë e këtyre lëvizjeve. Pra, do t’u japim përkrahje pa rezervë institucioneve të vendit, mekanizmave të vendit, që Kosova të mos infektohet më tutje, të mos kontaminohet më tutje nga këto lëvizje.

Kosova është radhitur në mesin e vendeve me të korruptuara në rajon. Ku qëndrojnë problemet që ajo nuk po përballet dot me luftën kundër kësaj dukurie?

Është e dhimbshme të thuhet në këtë mënyrë, por duhet filluar nga të parët e institucioneve. Për mua, çdo udhëheqës i institucionit është përgjegjës për gjendjen në vend, përfshirë edhe  partitë politike, secilën edhe ne. Mirëpo, përgjegjësia shkon në bazë të hierarkisë. Për mua, përgjegjësitë kryesore për një rritje të korrupsionit në vend, vjen nga përgjegjësit e parë institucional. Dhe nuk mundet askush të amnistohet nga përgjegjësit e institucioneve. Është lehtë me një fjalim vjetor, si rasti i djeshëm i zonjës presidente, por ajo ka bashkë qeverisur me zotin Thaçi gjatë gjithë këtij mandati. Ajo është dashur me herët dhe më kohe të ballafaqohet me një gjendje ne vend. Kemi ardhë në një moment kur në Kosovë plot njerëz provojnë shfajësimin. Ose ua bartin përgjegjësitë bashkësisë ndërkombëtare dhe miqve në këtë rast, ose provojnë me dalë nga ekipi që është përgjegjës. Është më mirë me i marrë përgjegjësitë secili, është më mirë me u nisë nga vetja. Nëse fillojmë me u nisë nga vetja dhe ne rast se e kemi guximin me u thënë qytetarëve të vendit se ne e kuptojmë që gjendjen në vend e kemi shkaktuar ne udhëheqësit institucional e politike, atëherë vetvetiu mundesh me dhanë shpresë se mundemi me e ndryshue. Por, ne rast se ne, klasa politike që e kemi shkaktuar këtë gjendje në vend, fare nuk i ndjejmë përgjegjësitë personale, por vetëm i adresojmë tek të tjerët, mendoj se nuk është lajm i mirë.

Misioni më i madh i BE-së që ishte paramenduar të ndihmonte luftën kundër korrupsionit është tronditur nga pretendimet për korrupsion brenda radhëve të tij. Si po ndikon kjo në luftën kundër kësaj dukurie?

Nuk është një lajm i mirë për krejt proceset e brendshme, nuk është një lajm i mirë fare. Do të ishte me rëndësi që mekanizmat përgjegjës në këtë rast ta zgjidhin këtë situatë dhe ta pastrojnë në radhë të para para qytetarëve të Kosovës. Jo vetëm para taksapaguesve evropian dhe udhëheqësve në BE, por ta pastrojnë para qytetarëve të Kosovës. Sepse ky mision është i ftuar nga Kosova për të ndihmuar një temë. Në rast se ky mision, në vend të ndihmesës ka mbërri të bëhet pjesë e problemit, ata duhet të dhënë sqarime para qytetarëve të vendit.

Viti 2014 nuk ishte shumë i lehtë për Kosovën. Por, sipas jush vitit 2015, si mund të pritet të jetë?

Në parametrat real të asaj si e shohim ne, nuk është një vit i lehtë. Nuk ka filluar në mënyrën më të mirë sipas kalkulimeve tona të gjendjes. Problemet sociale po thellohen më shumë, luksi qeveritar po thellohet. Është një gabim p.sh në mesazh. Njerëzve mundesh mos me u sjellë menjëherë bukën e ujin e gjëra të tjera, por të paktën një porosi të mirë ua dërgon. Kur kemi një qeveri me numër rekord të ministrive, do të thotë është rritë numri i ministrive në këtë qeveri dhe tani paralajmërohet edhe numri rekord i zëvendësministrave, është një gabim i madh, një mesazh i keq për qytetarët e vendit. Sikurse, ta them në gjuhën e popullit “nuk është se i bën qerak”, por të paktën po ua di dertin nëse thua që në vend të dy zëvendësministrave, bëjmë vetëm një. Dhe ato të holla, pra atë kursim buxheti e drejtoj qoftë për të rinjtë që synojnë me krijue vende pune, qoftë raste sociale, qoftë për temë të caktuara. Pra, mesazhet nuk janë të mira në nisje.

SHKARKO APP