Reagojnë komunistët, Muharrem Xhafa: Mos e prekni Enverin

Intervistoi: Sidorela Lepuri

Pak ditë më parë, kryetari i Shoqatës së Bashkuar të Veteranëve, Rrahman Parllaku i ka dërguar një kërkesë Kuvendit për heqjen e dekoratave Enver Hoxhës. Nga ana tjetër, Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, Muharrem Xhafa ka reaguar në lidhje me këtë kërkesë, duke e cilësuar si një prej marrëzive të radhës.
Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” Xhafa thotë se figura e Enver Hoxhës nuk duhet prekur. Sipas tij, “për të rrëzuar Enverin duhet të përmbysësh, duhet të rrëzosh, duhet të shkatërrosh Shqipërinë dhe popullin shqiptar”.

Shoqata e Veteranëve i ka dërguar një kërkesë Kuvendit për heqjen e dekoratave për Enver Hoxhën. A duhet miratuar një kërkesë e tillë?

Kërkesën e Rrahman Parllakut drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e dekoratave Enver Hoxhës, unë e lexova në gazetën "Koha Jonë". Ju doni të dini mendimin tim, nëse duhet të miratohet apo jo një kërkesë e tillë. Së pari, dua të them se marrëzitë në Shqipërinë e sotme nuk kanë fund. Dhe kërkesa e Rrahmanit, me gjithë respektin për të, është njëra prej marrëzive të radhës. Mua kjo gjë nuk më çudit aspak, sepse jetojmë në një vend ku lufta kundër komunizmit zhvillohet nga pozita fashiste, pikërisht nga ata që kanë qenë komunistë e në udhëheqje të partisë, të ushtrisë e të shtetit shqiptar. Ajo çka më tërheq vëmendjen është që marrëzinë e radhës e bart, e hedh në treg, një ish-anëtar i KQ të PPSH-së, një ish-gjeneral i graduar nga Enver Hoxha, një Hero i Popullit i dekoruar me miratimin e Enverit. Po ç’ti bësh Rrahmanit!
Ju më pyesni: A duhet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë kërkesa e Rrahman Parllakut për heqjen e dekoratave të Enver Hoxhës? Mua më vjen keq që gjithë ai ish-gjeneral shkruante në intervistën e tij se kush ka thënë që Enver Hoxha ka qenë Komandanti i LANC-it?! Se luftën e kanë udhëhequr Spiro Mojsiu, Dali Ndreu etj?! Sa duket, kjo qorollepsje e papërgjegjshmëri i vjen atij edhe për shkak te moshës që po e lë, edhe për shkak të vrerit kundër Komandantit, që (Rrahmani) betohej edhe në burg për të. Mora e lexova revistat “Rruga e Partisë”, revistat e gazetat e ushtrisë, fjalime të Rrahmanit . Çfarë pashë? Deri në bezdi, Parllaku citonte Komandantin e Përgjithshëm, Enver Hoxhën, si udhëheqësin suprem të LANC-it e të socializmit, të pushtetit të diktaturës së proletariatit! Do t’i thosha z.Rrahman, kush i ka firmosur urdhrat për të shkuar ti komandant i Brigadës së Tretë Sulmuese në Kosovë e Jugosllavi e më pas Komandant Divizioni e me radhë, Daliu, Mehmet Shehu? Apo Enveri? Me tej Parllaku thotë se me heqjen e dekoratave e titujve Enver Hoxhës duhet të nisë edhe proçesi i dekomunistizimit të vendit? Po përse o zoti Rrahman Parllaku, gradat, titujt, dekoratat e Enverit qenkan ato të cilat mbakan gjallë komunizmin në Shqipëri? Jo, jo, komunizmin e mbajnë gjallë, bie fjala, hidrocentralet, veprat industriale, të bujqësisë, të arsimit e kulturës së Enverit, e mbajnë gjallë heronjtë e dëshmorët e Atdheut, populli, kombi shqiptar, arritjet historike të socializmit. Gjeneral, ndaj populli e kërkon  Enverin. Hiqjani kur të doni dekoratat prej hekuri a floriri, po nuk i hiqni dot dekoratat e vlerësimet që i ka dhënë dhe i këndon populli në dasma e gëzime.

Po ashtu zoti Parllaku thotë se në listën e heqjes së dekoratave duhet të jenë dhe persona të tjerë që kanë kryer krime. Si do t’i komentonit këto kërkesa?

Po, Gjeneral Parllaku thotë se ka edhe shumë të tjerë, të cilët kanë bërë krime në socializëm dhe u duhen hequr dekoratat. Pa dyshim që Parllaku e di se Shqipëria ka pasur shumë gra e burra të tjerë të shquar të LANC-it e të socializmit përkrah Udhëheqësit, që “meritojnë të nderohen” duke u hequr dekoratat. Se kështu,  z.Rrahman ata nderohen e radhiten edhe më të nderuar përkrah Komandantit e udhëheqësit të vet, Enver Hoxhës. Se çfarë do t’u duheshin atyre dekoratat pa Komandantin? A mund të jetë i qetë një dëshmor që prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në bazë të rregullave të miratuara nga Komandanti, ndërsa Komandanti e komandantët e tjerë heronj të popullit zhvarrosen natën në errësirë nga kriminelët? Parllaku duhet të thotë më parë se kush është ai apo ajo, cili është organi kompetent në Shqipëri, i cili na paska tagër të percaktoka se ky apo ai tjetri person paskan bërë krime? Po vetë Rrahmanin, nuk mbaj mend saktë, Enveri a ia  hoqi me vendim gjykate dekoratën më të lartë të Heroit e gradën e gjeneralit? Nëse po, gjyqi e dënoi Rrahmanin për çfarë meritonte,  kur ishe gjallë, jo pas vdekjes, siç i kërkon ai të bëhet për Enverin pas vdekjes.  Ja, Sidorela, kështu do t’i përgjigjesha kërkesës së Gjeneral Parllakut duke shtuar se  kjo që ka bërë është krejt e panevojshme, për Heroin e Popullit, Rrahman Parllaku.

Sipas jush, duhet miratuar një kërkesë e tillë duke pasur parasysh se Hoxha është përgjegjës për shumë krime, siç thoshte dhe vet Parllaku?

Mund të kenë ndikuar disa gjëra. Në një anë, mbase, është pleqëria  e tij. Në anën tjetër, është mllefi i Gjeneralit kundër Enver Hoxhës pas vdekjes, të cilin Enveri e fali dhe nuk e dërgoi me shokët e tjerë të grupit puçist në ushtri, sepse Gjeneral Parllaku bëri “auokritikë” të thellë dhe u lehtësua sepse ua la “dobiçin”  të tjerëve. Shkoni e lexoni (kush ka dëshirë të shkojë e të lexojë) dosjen (në mos e paçin hequr) çfarë ka thënë Rrahman Parllaku në gjyq për Enverin e për pushtetin popullor. Çfarë superlativash ka thënë më vonë për to, kur ishte në burg. Rrahmanit ia do misioni të flasë ndryshe dhe ai po e luan mirë rolin e tij, ndonëse nuk ka pasur aspak nevojë të zhytej më tej në llumin e vet. Sidorelë, kufoma thoshte Lenini duhet varrosur sepse qelb dynjanë. Për turpin e vet, kështu po bëjnë, për të përfituar ndonjë kërmë të qelbur, jo pak nga ata të cilët u dënuan me hak për krime kundër popullit e socializmit, tani që gjenden nën mbrojtjen e pushtetit të borgjezisë. Komunizmi ka bërë krime, thonë sot kriminelët. Jo, jo, socializmi (se nuk kemi qenë në komunizëm) nuk ka bërë krime përkundrazi, ai i ka dënuar kriminelët, i ka dënuar dhe ka bëre mirë që i ka dënuar ata të cilët në atë kohë bënë krime duke shkelur ligjet e shtetit e duke u vënë në shërbim të të huajve. Se kush ka bërë krime?  Socializmi që vrau vrasësit e heroinave të Mirditës, Bardhok Bibës, Ndrec Ndue Gjokës e Babe Rexhës etj.,etj. Apo këta që lyen duart me gjakun e bijëve më të mirë të popullit dhe janë shpallur sot “Nderi i Kombit”, në fakt, turpi i kombit?!

Si do t’i përgjigjeshit kësaj kërkese të dorëzuar tashmë në Kuvend?

Gjithë kjo që thashë është një përgjigje. Kuvendi, PD-ja, PS-ja, Qeveria do të vendosin për heqjen e dekoratave heronjve e udhëheqësve të luftës e të socializmit? Kjo është absurde. Po Rrahmani vetë a do të përcaktohet njeri ndër ata që kanë bërë krime në vitet e socializmit, sepse ka qenë në funksione e detyra shumë të larta në Parti, në ushtri, në shtet. Unë e kam thënë edhe më parë që shteti i borgjezisë të ngrejë një Gjykatë dhe ta nisë punën për të përcaktuar e për të dënuar në bazë të ligjeve të asaj kohe, jo të sotme, të gjithë, cilindo, që ka kryer krime, duke filluar me mua, Muharrem Xhafën, që kam qenë Shef i Sektorit të Edukimit e Propagandës në KQ të PPSH e duke vazhduar me Rrahman Parllakun, që ka qenë Drejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë (drejtori e KQ), pa përmendur funksionet e tjera të larta.  Gjeneralit “ishallah” Kuvendi ia zbaton kërkesën për t’i hequr dekoratat Enver Hoxhës dhe shokëve të tij, se do të jetë kjo, siç e thashë,  një “tjetër dekoratë” për Enverin e për shokët e vet.

Nëse Kuvendi do të vendoste për heqjen e dekoratave për Enver Hoxhën, a do të ishte kjo hakmarrje politike ndaj figurës së tij?

Gjatë gati 25 viteve Kuvendi i Shqipërisë, i borgjezisë, ka bërë shumë turpe e shkelje masive të të drejtave të njeriut, të popullit, sa nuk ka lumë t’i lajë padrejtësitë e tij. Kuvendi i Shqipërisë, i borgjezisë, nuk ka të drejtë t'i heqë dekoratat Enver Hoxhës, sepse Enveri ka 30 vjet që është ndarë nga jeta. Nuk ka të drejtë edhe për faktin që s’është Kuvendi i borgjezisë ai që ua ka dhënë Enverit e të tjerëve dekoratat e medaljet. Se, a ka krim më të madh sesa të zhvarrosësh eshtrat e Komandantit të Përgjithshëm të LANC-it, siç bëri pushteti gjakatar i Berishës? Ç’janë medaljet para këtij krimi të shekullit? Hiqini nesër se “i bëni nder”.

Qeveria e kaluar vendosi të rikthejë bustin e Ahmet Zogut. A mendoni se edhe qeveria në pushtet duhet të vendosë rikthimin e bustit të Enverit në Tiranë?

A do të lejojë qeveria e sotme të ngrihet monumenti i Enverit, pse qeveria e Berishës ngriti më parë monumentin e Zogut? Kësaj pyetje unë do t’i përgjigjesha shkurt: Jo! Se qeveria e Berishës ishte edhe më antikombëtare se mbretëria e Zogut dhe po aq profashiste sa qeveria e mbretit. Ndërsa qeveria socialiste është antikomuniste, as ka lidhje me komunizmin dhe, po, prej frikës së opozitës fashiste hesht e është dakort të ngrihen buste e monumente edhe për qentë e rrugëve, por jo për Kryeheroin e Kombit, Enver Hoxhën, ndonëse e di që pa Enverin nuk do te ishte as kjo Shqipëri që është sot. A ka nevojë Enver Hoxha për monument a muze, për dekorata e tituj për ta vlerësuar borgjezia? Aspak. Enver Hoxha është vet monument, është vetë historia e lavdia e kombit. I tërë Atdheu ynë nga veriu në jug e nga lindja në perëndim është monument i Enverit, është muze i Enverit është vepra e Enverit, është mendja e Enverit. Kombi ynë e ka Enverin në zemrën e tij, në qendër të kulturës e të ndërgjegjes së tij.
Budallenjtë kujtojnë se Enveri është harruar? Jo, jo, Enveri rron, Enverin e kërkon populli jo për ta parë si monument a portret, po për ta udhëhequr, për ta mbrojtur, për ta nxjerrë nga humnera ku e ka zhytur borgjezia antikombëtare.  Më 11 prill 2015 bëhen 30 vjet që Enveri është ndarë nga jeta e gjallë. Ne komunistët me popullin bashkë do ta nderojmë Komandantin atje te kompleksi gjigant i varrezave të popullit, që e rrethon e i bën nder. Çudi, borgjezia përsëri trembet prej Enverit. Për të rrëzuar Enverin duhet të përmbysësh, duhet të rrëzosh, duhet të shkatërrosh Shqipërinë dhe popullin shqiptar.

SHKARKO APP