“Referendumi, plan B për drejtësinë”

Raporteri i Shqipërisë në PE, Knut Flekenshtajn e sheh referendumin si një mundësi zgjidhjeje për reformën në drejtësi. Në një intervistë për Vizion Plus ai thotë se kjo reformë është shumë e rëndësime për t’u vënë në pikëpyetje.

Z.Flekenshtajn, ju dhe kolegu juaj Eduard Kukan ishit negociatorët e PE-së për marrëveshjen për dekriminalizimin. Si e komentoni zbatimin e saj dhe çfarë duhet bërë për arritjen e qëllimit final?

Ligji për dekriminalizimin e ka arritur qëllimin e tij pas një viti. Por tani fillon puna e vërtetë, te zbatimi i tij. Sepse të shkruash diçka të mirë në letër është një gjë. Tashmë të gjithë i dinë rregullat dhe ato duhen zbatuar. Prandaj mund te them se puna është bërë pjesërisht.

 Kur flisni për kohë, nënkuptoni shumë kohë apo pak jave?

Jo, në pak javë është e pamundur. Nëse të gjitha palët vërtet dëshirojnë dhe kanë vullnet për këtë ligji, atëherë zbatimi i tij nuk do të zgjasë shumë. Por mos më pyesni për afate konkrete, sepse unë nuk mund t’ia u them një gjë të tillë.

Si e shikoni ju reformën në drejtësi?

Së pari dëshiroj të theksoj se reforma në drejtësi është reforma më e rëndësishme për këtë shtet. Kjo nuk bëhet për ne. Nëse vërtet dëshironi të jetoni në një vend me më pak korrupsion dhe krim të organizuar, atëherë duhet implementuar kjo reforme në drejtësi. Nëse klasa politike nuk arrin një marrëveshje, pse mos të mbahet një referendum? Por kjo i takon klasës politike dhe njerëzve këtu në vendin tuaj. Kjo reformë është shumë e rëndësime për t’u vënë në pikëpyetje. Deri më tani, unë nuk kam takuar askënd që e diskuton atë.

 Siç thatë dhe ju, reforma në drejtësi është sfida më e madhe e politikës shqiptare. Çfarë përftuat pas takimeve me Ramën, Metën dhe Bashën?

Unë shoh një qasje të përbashkët të krerëve politik në Shqipëri sa i takon hartimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi. Ka ende disa çështje të hapura, specifike që duhen trajtuar. Duhet të presim raportin final të Komisionit të Venecias dhe mendoj se atë duhet t’a mbajë si një pikë orientimi sesi të vijojmë punën e mëtejshme. Shpresoj që në fund të mos mbetemi vetëm te fjalët, por t’a realizojnë, të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe t’a miratojnë në parlament.

Vizion Plus: Le të mbetemi te reforma në drejtësi. Mendoni se KE do të rekomandojë hapjen e negociatave me BE-në, nëse miratohet reforma në drejtësi?

Këshilli i ka kërkuar Komisionit një raport të ndërmjetëm për Shqipërinë dhe unë mendoJ realisht se nëse miratohet reforma në drejtësi, kjo do të ishte një shenjë e mirë për Komisionin dhe unë shpresoj që negociatat do të nisin së shpejti.

Kur?

Unë vërtet besoj se kjo do te ndodhte brenda këtij viti.

Ne vere?

Me shume gjasë pas verës, por unë nuk jam këshilli dhe nuk mund të them saktësisht,  por logjikisht do të ndodhte pas verës, sepse Komisioni rekomandon, këshilli bën të njëjtën gjë dhe parlamenti ka qenë gjithnjë përkrah shqiptarëve, ne i duam negociatat sa më shpejt të jetë e mundur.

Ju keni folur për një mision monitorimi. Çili është qëllimi i tij dhe ku do të përqendrohet?

Ne do t’i kërkojmë Komisionit të dërgojë një grup monitorues për zbatimin e reformës në drejtësi. Sepse ne të gjithë e dimë që të shkruash ligje në letër është njëra anë, por t’i zbatosh ato është një punë e vështirë. Mendoj se ne duhet t’a mbështesim këtë punë me një grup monitorimi. Por le të shohim a do të ndajë dhe Komisioni të njëjtin mendim.

BE po përballet me krizën e refugjatëve. Mendoni se kjo vale mund të prekë dhe Shqipërinë?

Aktualisht nuk e shoh ketë problem. Por nëse BE nuk gjen gjuhën e përbashkët, nëse kufijtë do të vijojnë të mbyllen, kjo do të ishte një hap pas për ne. Ne i jemi shume mirënjohës qeverise shqiptare për angazhimin qe kanë marrë për këtë çështje, për gatishmërinë për këtë situatë. Por unë shpresoj që zgjidhja të gjendet brenda Sirisë dhe në Turqi. Njerëzit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

SHKARKO APP