Reforma territoriale, Shoqata e Bashkive: Të shkojë në 90-të numri i bashkive

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali kërkon shtimin me 30 njësi të tjera vendore

Intervistoi: Herion Mesi

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali, kërkon shtimin me 30 njësi të tjera vendore. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Haxhimali flet me rezerva për pushtetarët vendorë, sipas të cilit, duhet të ishin më kërkues dhe të drejtpërdrejtë në takimet me përfaqësuesit e qeverisë, e cila ka ndërhyrë në thuajse në të gjitha projektet vendore dhe lokale, duke filluar që me programin për Rilindjen Urbane. Duke u përfshirë në debatin më të fundit politik që sapo ka nisur lidhur me rishikimin e ndarjes administrativo-terrirotiale  Haxhimali teksa nuk preferon ta quajë si të dështuar reformën e tre viteve më parë, bën një pasqyrë të të gjitha problemeve që janë hasur në këto vite në funksionimin dhe menaxhimin e pushtetit vendor.

Zoti Haxhimali, reforma e shumëpërfolur administrative-territoriale duket se nuk ka dhënë frutet e asaj që u argumentua nga qeveria, fakt ky që po pohohet ditët e fundit nga të gjithë aktorët politikë që u përfshinë në procesin e 3 viteve më parë. Si i shihni këto zhvillime?

Faktin që kjo reformë do kishte këto probleme ne i kishim parashikuar me kohë. Pasi edhe në fillimet e zbatimit u pa që ishte një reforme jo shumë funksionale. Pra, në 2,5 vitet e para të zbatimin të saj kanë dalë në pah një seri problemesh të mos funksionimit dhe të mos përshtatjes me nevojat dhe për shpërndarjen e shërbimeve publike në zona urbane po edhe në zona rurale që mbetën më të disfavorizuara. Por lajmi këtu është se edhe vetë maxhoranca që e solli në jetë këtë reformë si më të suksesshme, tani po e kupton që ka shumë probleme. Unë këtë e shikoj si gjë pozitive që do shtyjë maxhorancën të bëj “up grade”-n e sistemit të qeverisjes vendore dhe të rishikojë ndarjen territoriale në funksion të harmonizimit të shërbimeve dhe cilësisë së shpërndarjes së tyre.

Sipas jush, pse po i rikthehen palët sërish këtij debati?

Partitë po i rikthehen kësaj çështjeje për disa arsye. E para, se reforma nuk u krye me konsensusin e duhur politik në kohën e hartimit. E dyta, se reforma për një palë -maxhorancën pati avantazhe për opozitën pati dizavantazhe politike, lidhur kryesisht me zgjedhjet vendore, ku amalgamimet për interesa politike krijonin një njësi vendore e imponuar me afilitet të caktuar. E treta, partitë të gjitha u ndeshën nën presion qytetar gjatë fushatës elektorale. Në takime me qytetarët, politikanët dëgjuan me veshët e tyre ankesa të pafundme që lidheshin me reformën administrative, ankoheshin se nuk merrnin shërbime më mirë se më parë. Ato ankoheshin se nuk qeveriseshini siç duhet, nuk merrnin shërbime administrative, kishte shumë burokraci, kishin humbur lidhjet dhe  kontaktet me të zgjedhurit, nuk ndiheshin të përfaqësuar, shërbime publike si vaditje, pastrim, rruge, mbrojtje nga zjarri që ishin grupi funksioneve të reja që pritej të bën ndryshim të madh dhe rrënjësor, nuk sollën asgjë të re për qytetarët, po në shumë raste, ato ankoheshin se ishte dhe më keq, se më parë. Po edhe për funsksionet bazike tradicionale që ka pas pushteti vendor, përsëri qytetarët nuk janë ndjerë të kënaqur, dhe të gjitha këto janë dëgjuar nga goja e qytetarëve dhe pranuar nga vetë politka, nga vetë kryetari mazhorancës. E katërta, ndarja ka prishur bastionet politike të partive opozitare dje dhe mund ta thellojë këtë për partitë opozitare sot. Dhe kjo për partitë është problem në vete.

Cilat janë problematikat e hasura në reformën e fundit territoriale?

Qeveria vërtet mirë apo keq e beri reformën e re në pushtetin vendor, por mbajti po stilin e vjetër të ndarjes së buxheteve, të decentralizimit të marrëdhënieve ndërinstitucionele, ku pesha pushtetit qendror dhe ndërhyrjet e tyre në kurriz të bashkive mbeten problematike. Që kjo reformë ka probleme dhe këto po dëshmohen dita-ditës nga vetë qytetarët dhe vetë bashkitë, tashmë kjo dihet. Dhe nuk është e shëndetshme. Që kjo reformë ka probleme dëshmohet dhe nga aktorë dhe partnerë vendas dhe të huaj, madje raporti i Kongresit të Autoriteteve Vendore i KiE-s në sesionin e vitit të kaluar nënvizon një gjë të tillë. Që kjo reformë ka probleme të mëdha dëshmohet edhe nga raportet e Ministrisë së Financave ku tregohet për balancë dhe arritje jo të mirë të bashkive, ku tregohet me fakte dhe shifra se më shumë se gjysma bashkive sigurojnë të ardhura në masën mbi 50 % nga buxheti qendror, ka mbi 13 bashki që nuk janë në gjendje të shlyejnë detyrimet ndaj të tretëve dhe të paguajnë sigurimet shoqërore ndër vite, një pjesë e madhe e bashkive kanë borxhe dhe janë në vështirësi financiare, dhe pamundësi për të ofruar shërbimet ndaj qytetarëve. Kësaj reforme vazhdon ti mungojë kuadri ligjor parësor dhe sekondar për mjaft funksione dhe kompetenca si në arsim, sektorin e vaditjes dhe kullimit, pyjet, pronat, etj. Kjo reformë nuk u shoqërua me faturën financiare të domosdoshme për bashkitë për të realizuar shërbimet në kushte optimale. Kjo reformë nuk i dha rëndësinë e duhur decentralizimit dhe parimit të subsidiaritetit etj. Për të gjitha këto unë do ta konsideroj si rrugë e afërt drejt dështimit, pasi në kaq kohë, pra për 2,5 vjet nuk prisja që të kishin progres të madh dhe siç do reformë do kohën e vet të përshtatet dhe.

A kemi të bëjmë me dështimin e qeverisë në parashikimet e saj sa i përket rolit dhe ndikimit që do të kishte tek qytetarët?

Maxhoranca u nxitua shumë në bërjen e reformës territoriale, u nxitua që la jashtë opozitën, u nxitua në bërjen e hartës para se të bënte dhe përgatiste kuadrin ligjor, nuk bëri më parë një decentralizim të pushtetit vendor, nuk solli decentralizim financiar, ndryshoi disa herë ligjet për taksën e biznesit të vogël, nuk arriti të bënte siç premtoi kadastrën fiskale në funksion të taksës së pronës që është një e ardhur e mirë për bashkitë, nuk arriti të sinergjizojë reformat qeveritare me reformat vendore, nuk ka arritur akoma të caktojë vijën ndarëse midis bashkisë dhe qeverisë për disa funksione. Vazhdon akoma të mbajë nën kontroll bashkitë me fondet për infrastrukturë, ka mbajtur lart tendencën e patronazhit mbi investimet bashkiake në infrastrukturë, po edhe me rilindjen urbane, ka treguar në 4 vitet e kaluar njëanshmëria politike në dhënien e fondeve. Të gjitha këto, por dhe të tjera probleme nga linjat ndërqeveritare nuk kanë qenë model i mirë në parashikimet e saj ndaj reformës. Një tjetër nxitim i maxhorancës në raport me reformën ishte mos përfshirja në reformë e nivelit të dytë të pushtetit vendor, siç janë qarqet, të cilët sot më shumë se kurrë janë në inekzistencë dhe pa rol. Duke qenë se është hapur diskutimi për të riparë hartën territoriale dhe për të rishikuar dhe përmirësuar tërë sistemin për një qeverisje vendore të decentralizuar, sugjeroj që palët politike të gjejnë konsensus për të reformuar të dy nivelet e qeverisjes vendore, pra bashkitë dhe qarqet.

A duhet ti rikthehemi sërish komunave, në mënyrë që pushteti vendor të jetë sa më pranë komunitetit?

Nuk shtrohet më çështja për t’u rikthyer te komunat. Këtu çështja kryesore dhe në thelbësore është të rishikohet sistemi aktual i pushtetit vendor, sa i përket kuadrit ligjor, decentralizimit admistrativ dhe financiar. Sigurisht, duhet rishikohet harta aktuale me qëllimin e vetëm për të ofruar shërbim sa më të mirë dhe balancuar dhe cilësor dhe afër çdo qytetari ku jeton. Natura gjeografike, fizike, filozofike dhe kulturore që ka vendi ynë kërkon, sipas meje, një numër më të madh njësishë të qeverisjes vendore. Sipas meje Shqipërisë i duhen për shërbime vendore dhe politika vendore, për komunikim dhe afërsi me qytetarët një numër më i madh sa kemi sot bashki. Bazuar në analizat dhe njohjet e mia që do ishte shumë më mirë nëse do kishim edhe 30 bashki të reja. Pra, e thënë ndryshe vendi ynë ka nevojë për diku tek 90 njësi të qeverisjes vendore në nivelin e parë dhe 3-5 rajone në nivelin e dytë. Dhe me këtë formë rindarjeje, krijojmë bashki solide, dhe shmangien dhe njësitë admistrative që sot nuk kanë rol por kanë kosto. Pra, shtimi me rreth 30 bashki të reja na çon në eliminimin por jo detyrimisht të 324 njësive administrative. Që do thotë  se në këtë rast kemi efektivitete në politika dhe buxhetet. Pra, nuk kemi barrë financiare të taksapaguesve. Por, nga ana tjetër, rritja e arsyeshme e numrit të bashkive ka efekt pozitiv në konkurencën lokale, rrit ndjeshëm interesin për aktivitet politik lokal, nxit ndjenjë dhe shpirtin e konkurencës dhe dëshirës për të mos u larguar nga zonat të caktuara të largëta dhe rurale, pasi është një mundësi më shumë, por dhe një mozaik me më shumë ngjyra partish, që unë e konsideroj pozitive lokalist, por jo vetëm.

Po nga do dalin këto njësi të reja?

Këto do dalin nga rishikimi i ndarjes aktuale, kryesisht në bashkitë që janë tepër të zgjeruar, në bashki që kanë terren tepër të thyer, në bashki ku domeni kryesor është urbanizimi në raport me zhvillimin rural, në ato bashki që duket qartë se ka mosfunksionalitet ekonomik për shkak të ndarjes aktuale, në ato bashki që jan zgjeruar artificialisht, duke prishur harmoninë dhe traditën natyrale të komunitetit, në ato bashki ku grupime të njësive admsitrative kanë potencial për të qenë etnitete më vete në ato bashki ku vetë qytetarët kanë kërkuar me kohë dje dhe sot të jenë bashki më vete.

 

SHKARKO APP