Rekomandimi, Vasili: Thirrje për përgjegjshmëri të re në zbatimin e reformave

Kreu  i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, e ka cilësuar rekomandimin e KE për hapjen e negociatave një moment ku klasa politike shqiptare duhet të ngrihet në një nivel të ri përgjegjshmërie.

Në një intervistë nga Brukseli për  Ora News, Vasili thotë se proçesi i reflektimit duhet të jetë i pandalshëm.

Intervista

Tare: Zoti Vasili, Shqipëria merr një rekomandim për hapje të negociatave, si e lexoni, çfarë do të thotë kjo? Është një mbështetje për reformat e deritanishme apo fakti që kushtëzohet sidomos në pjesën e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, tregon se diçka ka mbetur pezull dhe duhet vazhduar më tej?

Vasili: Është një vlerësim, kjo është e pa diskutueshme, vlerësimi nuk mund të jetë i njëanshëm, është një vlerësim kompleks ku në terësi vlerësohen jo vetëm reformat por dhe vullneti politik për ti bërë ato. Besoj se ka qenë përcaktuese, ashtu sikurse lexohet në këtë raport, votimi konsensual i reformës në drejtësi sepse në fund të fundit demostroi një vullnet politik të përgjithshëm, gjithëpërfshirës, gjerësisht të pranuar. Sigurisht vëmendja e Europës është që reforma të mos mbetet në letër, të ketë këmbëngulje për ti zbatuar ato. Këtë kam nënvizuar dhe në fjalën time në takimin dje me liderët e Ballkanit Perëndimor të partive social-demokrate dhe besoj që kemi marrë një vlerësim shumë pozitiv, besoj të merituar, por edhe një thirrje për përgjegjshmëri të re në zbatimin e reformave.

Tare: Përgjegjshmëria sipas jush i drejtohet të gjithë klasës politike, një segmenti të caktuar, ku e drejton më shumë objetivin për përgjegjshmërinë.

Vasili: Ky vlerësim me këto detyra i jepen të tërë Shqipërisë, gjithkush ka vend për reflektim. Nuk besoj se është koha për të folur për fajtorë, humbësa dhe fitues, kemi një Shqipëri që do ta çojmë të gjithë sëbashku në Europë dhe do ti kapitalizojmë këto shanse në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ose i humbasim të gjithë sëbashku. Vetë reforma në drejtësi na e demostroi këtë gjë, por edhe reforma të tjera dhe fryma që ne mësojmë këtu por që e përcillni dhe ju në këto mjedise është që mirëkuptimi i gjerë, puna për mirëkuptimin është një investim shumë i madh dhe pozitiv jo për një të sotme 24 orëshe apo një vjeçare, por për një të ardhme afatgjatë dhe besoj se po punohet dhe integrimi është një e ardhme afatgjatë dhe jo afatshkurtër.

Tare: Rekomandimi për hapjen e negociatave në një lloj mënyre mund të shihet edhe si vlerësim për mazhorancën aktale, a do të shërbejë kjo si një nxitje më shumë për tu rikonfirmuar koalicioni qeverisës për zgjedhjet e ardhshme.

Vasili: Besoj se objektivat e integrimit janë objektiva të cilat shtrihen në 10 vjeçar, ka vlerësime sigurisht të rëndësishme pasi mazhoranca aktuale ka qenë një promotore për të vënë në lëvizje disa reforma të mëdha të rëndësishme të cilat vihen në progres-raport. Flasim për një çështje të madhe që është Shqipëria dhe interesat e saj afatgjata dhe pyetja se cilat janë raportet e Shqipërisë me koalicionin apo mazhorancën janë pyetje që dalin nga konteksti i integrimit. Nuk do të doja kurrë ta lidhja sepse politika e Tiranës shpesh herë me meskinitetin e saj zvogëlohet dhe duket e vogël këtu në Europë. Këtu na mësojnë që të jemi modestë dhe të punojmë të gjithë sëbashku që Europa të na dëgjojë më me seriozitet dhe të na japë atë vlerësimin që duam. Në rast të kundërt, ai bizantizmi i vogël i yni do ta mërzisë dhe zemërojë Europën dhe do të na mbajë larg. Kurse kështu, besoj na çon përpara. Konsensualiteti i reformës në drejtësi besoj që ka qenë një nga mesazhet më të forta që Europa ka marrë, që në Shqipëri ka pjekuri politike gjithkund, sigurisht dikush reflekton më shpejt, dikush më ngadalë por proçesi i reflektimit duhet të jetë i pandalshëm.

SHKARKO APP