Rekordmenia Klodeta Gjini: I vetmi peng i jetës sime…
Rekordmenia e Atletikës, 23 vjet pas largimit nga Shqipëria në Itali, tregon historinë e jetës së saj
Intervistoi: Aranit Muraçi
Lindur në Tiranë më 20 gusht 1964, me titullin “Mjeshtre e Merituar e Sportit”, Klodeta Gjini është historia e një kampioneje shqiptare, që vendi i saj nuk i kushtoi ndoshta asnjëherë vëmendjen e duhur, vëmendjen që i takon kampiones. Në vitin 2012 Presidenti i Republikës i dha titullin “Mjeshtre e Madhe”, por medaljen e tërhoqi familja e saj, në mungesë të Klodetës që ndodhej në Itali. Ajo thotë se ishte pikërisht familja e saj, që e meritonte atë medalje, për mbështetjen e pakursyer që i ka dhënë, ndryshe nga “kursimet” e shtetit shqiptar. Në fillim të viteve ‘90, Klodeta detyrohet të largohet në Itali, për kurim, por me shpenzimet e shtetit italian dhe largohet për të mos u kthyer më. Në mediet italiane bëhet menjëherë objekt lajmi, si rekordmenia e Atletikës nga Shqipëria. Klodeta Gjinie ka filluar sportin në vitin 1973 me klasat sportive, në shkollën “20 -vjetori i Çlirimit”. Ka ushtruar sportin e atletikës në disiplinën: Kërcim së larti dhe është kampione shqiptare për 10 vjet rresht në kërcimin së larti nga 1980 deri më 1990. Rekordi i saj me 1,92 m është akoma i pathyer nga ndonjë atlete tjetër shqiptare. Ky rekord është vendosur më 21 gusht në Tiranë, në vitin 1989. Skuadrat që ka garuar: 1978-1992, 17- Nëntorin, sot Tirana, vështirë se mund të ketë harrur ditët e lavdishme të saj dhe të vetat. Sepse, asnjë sportiste e asnjë klubi tjetër nuk e ka arritur ende rezultatin e Klodeta Gjinit. Nga 1980 deri me 1991 ka qenë pjesëtare e ekipit kombëtar dhe ka përfaqësuar Republikën e Shqipërisë në aktivitete ndërkombëtare, ku ka fituar dhe medalje. Është e vetmja vajzë që ka përfaqësuar ngjyrat kombëtare në Kampionatin e parë Botëror të Atletikës në 1983-in, zhvilluar në Helsinki të Finlandës. Në një intervistë për “Koha Jonë” tregon historinë e saj, që nga karriera në Shqipëri, sukseset, jetën mes vendlindjes dhe Italisë, ku jeton prej 23 vitesh, apo edhe për ndonjë peng që i ka mbetur.
Klodeta Gjini, nga një sportiste elitare dhe rekordmene në Shqipëri, largohet si shumë shqiptarë të tjerë pas viteve ‘90 për në Itali. Përse vendosët të largoheshit dhe a jeni menduar sot pas shumë vitesh që morët një hap të tillë?
Jam larguar nga Shqipëria më 18 mars 1992, ora 3:00 pasdite. Destinacioni: Roma, aeroporti: Ciampino. Avioni ushtarak që çonte familjarët e qytetarëve italianë në Itali, shoqëruar nga ministrja e Emigracionit Margherita Boniver kishte në bord vetëm një shqiptare, quhej Klodeta Gjini. Në lajmet e Agjencisë, “ANSA” atë ditë ishte arritja në Romë e rekordmenes shqiptare për një ndërhyrje kirurgjikale në tendinën e Akilit. Më 19 mars paradite, në qendrën e Konit “Giulio Onesti”, në Romë, kreva vizitat mjekësore për një diagnostikimin korrekt dhe të azhornuar. Profesionistë të ndryshëm që janë azhornuar në të njëjtën qendër sportive, janë ndeshur përballë një rasti të komentuar nga lektorët, ai i rekordmenes së larti shqiptare. Dëshiroj të theksoj që jeta ime vazhdon po me atë tendinë. 10 ditë pas diagnostikimit, ndërhyrja kirurgjike në spitalin ushtarak “Celio”, një ndërhyrje shumë inovative, e prezantuar pak kohë më vonë dhe në një kongres, më pas rehabilitimi në po të njëjtën qendër sportive. Pagesat për ndërhyrjen dhe rehabilitimin janë paguar nga Ministria e Emigracionit. Shteti shqiptar dhe qeveria lokale, kërkesës time për kurim jashtë i kthyen përgjigje negative. Zgjedhja që bëra në atë kohë, sot më garanton një ekuilibër të plotë në ecje dhe aktivitet fizik, por mbi të gjitha nuk çaloj. Mendoj se ka qenë zgjidhja më e mirë për situatën, në të cilën ndodhesha.
Atletika, a është më pjesë e jetës suaj, në një vend tjetër si Italia?
Gjatë periudhës 23-vjeçare që jetoj në Itali, atletika ka një prezencë me hope në jetën time. Rikthehem në pistë me sukses pas rehabilitimit dhe i dedikohem atletikës. Shoqëria Sportive “Assi Giglio Rosso” e Firences ka rekord të shoqërisë sportive, rezultatin tim 1.82 m, të arritur pak muaj pas rehabilitimit. Në momentin kur kisha hyrë në regjim të plotë stërvitje dhe kisha programuar pjesëmarrjen në Kampionatin Europian “Indoor”, në mars të vitit 1994 në Paris, filloj një rrugë tjetër më të vështirë, atë të përballjes me një tumor në sistemin linfatik. Përballimi i Linfomës NON Hodgkin është objektivi i jetës sime dhe detyrohem t’i them lamtumirë atletikës. Në vitin 2011, i kthehem përsëri pistës së atletikës, por këtë radhë si trajnere e kërcimit së larti, pranë Cus Bolonjës dhe nga viti 2014 jam kthyer në pistë realisht si atlete master (Veterane). Konkurroj në garën e 100-m dhe rezultati i mirë i vjetshmi ka qenë 16,63 s dhe në shtytjen e gjyles, 7.04-m me 4 kg. Në shenjë respekti për vendin tim të lindjes dhe si vazhdimësi e karrierës sime, jam regjistruar si atlete e huaj, qytetare shqiptare. Kam zgjedhur këto gara, sepse janë të vetmet që mund të bëj për arsye shëndetësore. Kënaqem më tepër si atlete sesa si trajnere, ndjej të njëjtat emocione si një kohë në pistë dhe pjesa ime fëmijërore merr jetë në mënyrë spontane. Jam kurioze të di nëse për kategorinë time të moshës a ka shqiptarë të tjerë që konkurrojnë si master? Sa është rekordi shqiptar në këto dy gara për kategorinë master?
Keni fituar pak kohë më parë edhe nënshtetësinë në Itali. Çfarë vendi zë tashmë vendlindja, Shqipëria, në jetën tuaj?
Jam qytetare italiane që nga viti 2008 dhe mbaj dy-shtetësinë. Familja ime jeton në Tiranë. Prindërit e mi nuk janë larguar nga Shqipëria, babai nuk është më tashmë, por kam ardhur shpesh dhe vazhdoj të vij kur me jepet mundësia. Shqipërisë i dedikoj në mënyrë të rregullt pjesë të kohës sime, edhe pse kur vij në Shqipëri ndjehem e huaj. Më kanë ngelur shumë pak miq, kam pak të njohur, qëllon që të mos përshëndes njeri në rrugë. Preferoj të eci në këmbë zakonisht, jam një person anonim për këdo që më ndesh. Jeta ime ndahet pothuajse gjysmë për gjysmë ndër vite midis Italisë dhe Shqipërisë. Shqipëria është shumë e rëndësishme për formimin tim si individ, si atlete, si profesioniste; më rriti me aromën e dheut të pistës, të erës plot pluhur të kuq që ngrihej në stadium dhe mbushte kokën time, trëndafilave buzë Lanës, kur shkoja në shkollë, ngjyrën e pemëve përgjatë liqenit artificial të Tiranës, kur 5km duhet t’i përshkoja me 5 min/km d.m.th 25 min, flladin e erës në malin e Dajtit, diellin e nxehtë të gushtit në Shkozet, dashurinë e familjes sime. Djalit tim, edhe pse ka lindur në Itali, i kam folur shqip në shtëpi. Flet dhe lexon në mënyrë korrekte shqipen. Shqipëria në periudhën e fundit ka një pozicion më të qartë dhe më impenjues, por që më jep një kënaqësi të veçantë personale. Mësimdhënia në Universitetin e Sporteve, lënda Marketing solli krijimin e një ure lidhëse me atë çka ishte bota ime. Është nder për mua të jap mësim në atë që është vendi, ku u stërvita për vite dhe u formova. Së shpejti do të jem aty për ciklin e leksioneve për vitin akademik 2015-2016, të cilat, ndërkohë, po i përgatis dhe një pjesë të tyre janë të publikuara on-line në blogun tim personal “klodetagjini.blogspot.it”, në mënyrë që studentët të kenë materialin gati dhe mundësinë që të lexojnë nga çdo instrument elektronik (evice).
Cili ishte motivimi apo pati mbështetje nga Shqipëria për sukseset dhe arritjet tuaja? A ju ka vlerësuar aq sa duhet Italia?
Përgjigjja e kësaj pyetje ka të bëjë me disa ekuilibra, që vështirë të përshkruhen, sepse ndërthurin aspekte ekonomike dhe emocionale që nuk janë të krahasueshëm midis tyre. Po provoj. Në Shqipëri unë u formova si sportiste dhe profesioniste, ekonomiste-mercologe, më vonë si mësuese e edukimit fizik. Mendoj që, motivet e mia i kam gjetur te mësuesit e mi të Edukimit Fizik me shembullin e tyre duke i shtuar dashurinë dhe pasionin tim për atletikën. Falënderoj ish-mësuesit Petrit Qendro dhe Hamide Xhaja, për dedikimin dhe pasionin në orët e mësimit. Rrugën drejt lartësisë e vazhdova me ish- trajnerin Azis Ruli, që ashtu si edhe unë, ka kaluar orë të jetës së tij në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në diell, shi, ngricë, apo 40 gradë gjatë verës. Kur kam pasur nevojë, shteti shqiptar ka qenë i pjesshëm, apo nuk qenë fatkeqësisht. Problemet e mia edhe pse isha sportiste cilësore, i kam zgjidhur në rrugë private. Jeta më mësoi të mos pres gjë prej shtetit dhe të eci në jetë, duke u mbështetur vetëm tek forcat e mia dhe të familjes. Në vitin 2012 Presidenti i Republikës më akordon Titullin “Mjeshtre e Madhe”. U paraqitën prindërit e mi…Atyre ju takonte për lodhjen. Rezultatet e mia lidhen direkt me mbështetjen dhe kurajon që ata më kanë dhënë. Në krahun tjetër të Adriatikut ndodhej Italia, vend të cilin e vizitova për herë të parë në maj të vitit 1991, në një stërvitje me kombëtaren e atletikës, përpara Lojërave të Mesdheut. Një mundësi që m’u krijua nga FSHA për një vizitë pranë një mjeku sportiv të specializuar dhe kurim të pjesshëm të tendinit. Sot jeta ime i detyrohet profesionalizmit të mjekëve ematologë të Spitalit “Agostino Gemelli” në Romë, ku u kurova për linfomen. Në janar të këtij viti, mbylla procedurën 20-vjeçare të kontrolleve të detyrueshme pranë repartit të Ematologjisë. Një eksperiencë që ka ndryshuar tërësisht jo vetëm rrjedhën e jetës sime, por edhe filozofinë e saj. Tregu i lirë i punës kërkon të jesh i formuar, por një emigranti i mungon rrjeti i njohjeve dhe i referencave. Duhet të jesh shumë herë më i zoti se një vendas apo të kesh kapacitete që janë shumë më të larta se sa ato që kërkon vendi i punës. Kupton diferencën e të qenit emigrant, kur has ndjenjën e dyshimit, mungesën e besimit apo të ndeshësh me sjellje raciste. Dy diplomave që kisha marrë në Shqipëri, i shtova të tretën, atë të Universitetit të Bolonjës me Master të nivelit të dytë në Gjimnastikën parandaluese dhe të përshtatur. Azhornova specializimin për mësimdhënie si në Itali, edhe në Konfederatën Zvicerane. Dhashë provim shteti për konsulente financiare pranë Consob (shoqëria që kontrollon Bursën). Sot edhe pse kam një formim profesional të kënaqshëm, vazhdoj të azhornohem, sepse është e vetmja mënyrë për të qëndruar brenda tregut të punës. Sadisfaksionet nuk më mungojnë, qoftë nga vlerësimi kolegëve, ashtu edhe nga nxënësit në mësimdhënie. Përpara disa javësh grupi që koordinoja në një projekt, të menduar dhe zbatuar nga unë, në fushën e neuro-shkencës lidhur me rikuperimin e kujtesës te të sëmurët me alzheimer dhe depresion nëpërmjet nuhatjes, i financuar 100% nga një strukturë private, i pari në Itali në llojin e vet si në neurologji ashtu dhe në psikologji, paraqiti rezultate, të cilat ishin pozitive. Rezultatet arrijnë pas një pune të madhe sistematike dhe nuk mjafton talenti. Kam mësuar të aplikoj në jetë programimin neuro- gjuhësor dhe nuk bëj bilance. Për mua ekziston një pikë nisje dhe një pike arritje. Midis tyre një pafundësi zgjidhjesh. Kur nuk ka zgjidhje një problem, kuptoj se duhet të bashkëjetoj me të. Kërkoj të gjej ekuilibrin më të mirë për të bashkëjetuar.
Rekordi juaj kombëtar është vendosur më 21 gusht në Tiranë, në vitin 1989. Ju ngjall nostalgji më ajo ditë dhe cila ka qenë ndjesia?
Është një datë që lidhet ngushtë dhe datëlindjen time 20 gushtin. Janë dy data të rëndësishme për jetën time… Pa dyshim që kam nostalgji. Jo më kot dhe kthimi në pistë përsëri, në momentin që vendosa rekordin nuk mendoja se do të ishte i fundit në karrierën time…fluturoja…jetoja për kërcimin, në fakt në korrik të 1990-s kërceja në stërvitje 1. 95m… rezultat, të cilin nuk pata mundësi ta realizoj në garë për shkak se tendini më sillte shumë dhimbje dhe nuk donte t’ja dinte më.
Kur e latë karrierën në Shqipëri, e kishit menduar deri diku të ardhmen tuaj?
Përpara se të kaloja sportiste profesioniste, unë isha merceologe në drejtorinë e NTUS-it në zyrën e shitblerjeve. Në momentin e mbylljes së karrierës një mundësi ishte kthimi në ndërmarrje, por ndërkohë, kisha kryer studimet në ILKF dhe më pëlqente të isha drejtuese në një klub sportiv. Në momentin që problemi i kurimit të tendinit po zgjatej pa fund fillova të bashkëpunoja me rubrikën sportive, kisha dhe një hapësirë timen, intervistoja të ftuarin e ditës në studio.
Ndërkohë që, paralelisht vijuat edhe studimet e larta në Shqipëri dhe i pasuat ato në Itali. Një ish-sportiste shqiptare që sot jep mësim në Bolonja….
Aktualisht jap mësim në shkollat tetëvjeçare dhe të mesme shtetërore. Duke përjashtuar mësueset e gjuhëve të huaja, mendoj se jam nga të paktët mësuese të natyralizuara italiane, që japin një lëndë jo gjuhësore.
E vizitoni shpesh Tiranën dhe për çfarë ju merr malli më tepër?
Në Tiranë vij sa herë kam nevojë dhe së shpejti do të jem aty. Frekuenca a ardhjes varet nga faktorë të ndryshëm dhe mënyrën se si jeta ndërthurur eventet. Më merr malli të takoj njerëz me të cilët miqësia edhe pse vitet kalojnë mbetet e thellë dhe e pastër si një kohë, të kthehem edhe një herë në vendet, ku kam qenë apo jam stërvitur.
Të rinjtë shqiptarë dhe sportistë të talentuar ankohen se nuk gjejnë dot veten në vendin e tyre dhe ashtu sikurse ju, kërkojnë edhe sot e kësaj dite të largohen… E dhimbshme, por pse ndodh?
Mendoj që secili nga ne kërkon të realizojë diçka në jetë. Ka një dëshirë, një projekt, një ëndërr. Një kërcyes së larti përballon frikën e lartësisë dhe e fiton për t'u rritur si atlet. Një mësim që e kam marrë në pistë dhe e përdor për t'u rritur si person në jetë. Kur vendi, ku jeton nuk të jep mundësi, është e drejtë ta kërkosh në një vend tjetër pa pasur frikë nga ndryshimi. Çdo ndryshim në përgjithësi është një moment rritjeje, kërkon shumë energji dhe ide të qarta se ku do të arrish. Duhet pasur parasysh që jo të gjithë janë të fortë të përballojnë ndryshime rrënjësore dhe të kenë shpirtin e duhur. Mendoj se largimin nuk duhet ta përjetojmë me dhimbje, por ta jetojmë duke e konsideruar të rëndësishëm për çka përfaqësojnë objektivat dhe dëshirat tona. Sot duhet të konsiderojmë veten qytetarë të botës. Ndryshimi nga një vend në tjetrin të jep mundësinë e thithjes së një kulture dhe të një filozofie, të pasuron. Liderët e nesërm në çdo lloj fushe do të jenë persona që kanë asimiluar dhe shkrirë brenda tyre kultura që vlerësojnë jetën, duke u nisur nga këndvështrime të ndryshme. Gjë që çon në rritjen e kapacitetit për zgjidhjen e problemeve në mënyrë origjinale, mundësinë t’i thjeshtosh ato. Në qoftë se vendi yt të jep mundësinë për të realizuar atë ç’ka mendon, problemi nuk ekziston dhe në këtë rast kemi një shoqëri shumë të zhvilluar, transparente dhe funksionon sipas meritave. Shqipëria nuk hyn në këtë kategori, si rrjedhim opsioni i largimit deri në momentin, që shoqëria të arrijë një seri treguesish ekonomiko-shoqëror të standardeve të larta, do të jetë e pranishme. “Kush do të lëvizi botën përpara të lëvizi vetveten”, – ka thënë Sokrati.
A ju ka mbetur ndonjë peng në jetë, qoftë si ish-sportiste apo edhe më tej?
Jeta më mësoi në moshën 29- vjeçare të vlerësoj jashtë mase gjërat më të thjeshta, ato që askush nuk i jep rëndësi deri në momentin që i ka. Unë jam peng i jetës. Gjëja më e rëndësishme për mua është të them mirëmëngjesi dhe të arrij të gëzoj ditën deri në fund. Edhe kur dita është e shtrembër, uroj që të kem një ditë tjetër që të them përsëri mirëmëngjes! I vetmi peng që kam është të jetoj…të bëj me jetën time atë që dua.
Dhe së fundmi, arritjet dhe sukseset tuaja përveç mundit, kohës dhe sakrificës, ia dedikoni ndokujt tjetër?
Sukseset e mia janë rezultat i punës në grup, ku dallohen veçanërisht familja dhe ish-trajneri. Por vendimtare në karrierën time janë pasioni dhe dashuria për gjërat që bëj, ndërsa motori është kërkesa ndaj vetes.