Renato Mekolli: Nëse ke dashuri për atë që bën, gjithmonë është koha e duhur

Ai nuk di të ndalet dhe sukseset e tij janë të njëpasnjëshme. Është pikërisht fjala për Renato Mekollin, që nderon vendin tonë në botë në fushën e kulinarisë. Ka fituar plot çmime dhe ka punuar prej vitesh në një prej restoranteve më të njohur të Athinës, por tashmë ka vendosur të kthehet në vendlindje. Në një intervistë për suplementin “Koha Tjetër”, ai rrëfen të gjitha detajet për kthimin e tij, si edhe restorantin dhe akademinë gastronomike që do të hapë në Tiranë. Më tej, Mekolli ndan me ne, rrugëtimin e tij sesi ka mbërritur deri këtu, teksa përcjell edhe mesazhin për të gjithë të rinjtë që të ndjekin ëndrrat e tyre.

Intervistoi: Sidorela Lepri 

Ta nisim këtë intervistë me planet tuaja të ardhshme. Keni vendosur të hapni një restorant në Tiranë dhe të zhvendoseni nga Greqia. Na tregoni diçka më shumë për këtë.

Po, është e vërtetë. Do të largohem nga Greqia për të qenë në vendin tim. Nuk ishte aspak një vendim i lehtë për mua të largohem nga një vend në të cilin unë kam jetuar 20 vite, nga një vend i cili më bëri ky që unë jam sot, që gëzoj respektin e njerëzve të thjeshtë e deri tek njerëzit e famshëm të cilët mbushnin restorantin më historik të Athinës, por edhe nga gazetarët e gastronomisë. Tani ka ardhur momenti që të jem në vendin tim, këtu ku më njohin, ku i njoh shijet, ku mungon gastronomia dhe që nuk është në atë nivel që duhet të jetë.

Është koha e duhur për t’u futur në botën e sipërmarrjes?

Sigurisht, unë besoj nëse ti e ke pasion, nëse ti ke dashuri për atë që bën, gjithmonë është koha e duhur.

Cilat do të jenë disa nga veçantitë që do ta diferencojnë këtë restorant nga të tjerët?

Sigurisht që ky restorant do të bëjë diferencën, nuk do të jetë si gjithë të tjerët, do të ketë një menu dhe një koncept krejt ndryshe, por më mirë mos të themi dhe shumë detaje rreth ideve, po e lëmë për në momentin e fundit (qesh).

Po ashtu, në tetor do të hapni “Akademinë Gastronomike Shqiptare”. Cili është qëllimi i kësaj akademie?

Po, është e vërtetë. Tashmë në tetor në Shqipëri do të ketë një shkollë të re gatimi për të gjithë ata që kanë pasion gatimin. Por kjo është një iniciativë e përbashkët me kolegun tim tashmë, organizatorin e “MasterChef Albania”, Rezart Aga. Një iniciativë që ka si qëllim edukimin e brezit të ri në fushën e kulinarisë, por edhe të shërbimit në përgjithësi. Për të qenë i sinqertë, tregu ynë ka nevojë për edukim dhe studim mbi këto fusha dhe padyshim për praktikat, si edhe për eksperiencat ndërkombëtare. Nisur nga kjo nevojë, ne do të ndërmarrim një hap shumë të rëndësishëm në krijimin e profesionistëve të vërtetë, të cilët  jo thjesht do të kenë mundësinë e një vendi pune shumë të mirë, por do të mund të përfitojnë nga binjakëzimet ndërkombëtare me të cilat kjo akademi do të bashkpunojë. “Albania Gastronomy Academy” do të ofrojë baza të forta studimi, kjo është garanci për të përfituar profesionistë të vërtetë në fund të studimeve.

Mund të na tregoni disa detaje më shumë lidhur me “Akademinë Gastronomike Shqiptare”, për lexuesit e “Koha Jonë”?

Besoj se isha shumë i qartë në përgjigjen e dhënë më lart, por e theksoj që programet e shkollës do të jenë shumë të forta, gjë që nuk lë hapësira që nga kjo shkollë mos të dalin profesionistë të vërtetë.

Një shef kuzhine i suksesshëm dhe i kërkuar, e njëkohësisht fitues i plot çmimeve e titujsh. Çfarë domethënie kanë për ju?

Është bukur kur vlerësohet puna jote në një vend të huaj, pasi aty duhet të punosh më shumë, duhet t’u tregosh më shumë. Kam punuar shumë dhe asgjë nuk më është dhuruar, punoja me 2 euro në ditë në fillim të karrierës time gjithë ditën dhe kurrë nuk thashë ‘nuk mundem’ apo ‘nuk dua’. Nuk ka gjë më të bukur kur mediat e huaja vlerësojnë ushqimin tënd dhe punën tënde.

Që kur keni filluar këtë profesion ka kaluar goxha kohë. Si do ta cilësonit rrugëtimin tuaj për të arritur këtu ku jeni sot?

I lodhshëm, por shumë i bukur, me shumë eksperienca dhe me shumë shefa nga të gjitha vendet e botës.

Na tregoni disa nga vështirësitë më të mëdha që keni hasur në këtë rrugëtim ndër vite?

Vështirësitë më të mëdha ishin në fillim të karrierës time, si pjatalarës. Siç e thashë edhe më sipër, kam filluar të punoj me 2 euro në ditë, mbi 14 orë në punë dhe në mëngjes duhet të ngrihesha dhe të shkoja në shkollë. Shpeshherë rrija dhe pa ngrënë, lexoja metrove se nuk kisha kohë. Shumë e lodhshme dhe e vështirë. Asnjëherë nuk i ktheja fjalën shefit, pasi e dija se dhe nëse më bërtiste, e bënte pasi donte që të ecja më lart. Për këtë gjë, unë u jam shumë mirënjohës të gjithëve shefave që më mësuan me rreptësi, se vetëm disiplina dhe rreptësia mund të të të çojnë përpara, as fjalët e bukura dhe as përkëdheljet.

Po momentet më të bukura?

Edhe momentet e bukura kanë qenë shumë. Kur u futa në restorantin më historik të Athinës për bisedime thashë me vete: “Unë do marr përsipër gjithë këtë histori?”. Por guxova.  Moment i bukur ishte edhe ai i gazetarit të gastronomisë së gazetës “New York Times”, shkrimi i së cilit më bëri të fluturoj nga gëzimi. Po ashtu, edhe gjithë këto vite shumë çmime, njëri pas tjetrit si një ndër shefat më të mirë të Greqisë.

 

Sa e vështirë ka qenë për një shqiptar të korrë suksese të tilla në Greqi?

Evështirë, sepse duhet të luftosh që t’u tregosh se ti vlen, ti ke pasion dhe dashuri për atë që ben, por edhe e lehtë në momentin që ti u ke treguar se vërtet puna jote është e veçantë.

Çfarë është tashmë kuzhina për ju?

Kuzhina për mua është gjithçka.

Çfarë gatuan kryesisht Renato dhe ku eksperimenton më shumë?

Më pëlqen të gatuaj peshk më shumë, eksperimentoj në shtëpi, dhe në restorant.

Nga ajo çfarë mund të keni konstatuar, kujdesen më mirë për ushqimin grekët apo shqiptarët?

Grekët, por edhe ne kemi filluar të bëjmë hapa para dhe kjo është shumë gjë e bukur.

Ju kemi parë që udhëtoni vazhdimisht. I keni pasion udhëtimet?

Më pëlqen të udhëtoj, më mbush me energji, ndryshoj, nuk më pëlqen monotonia. Udhëtimet më japin ide, freski, fantazi.

Si është një ditë e zakonshme e Renatos?

Një ditë e zakonshme për mua është shumë e ngjeshur. Nga momenti që do zgjohem filloj të merrem me punët që kam për të bërë, por gjithmonë do e gjej kohën për veten, do shkoj edhe në palestër, edhe për not dhe kohën për njeriun tim do e gjej. Më pëlqen të dal për darkë në restorante të veçanta, janë ato gjërat e vogla gjatë ditës që më mbushin me energji dhe me buzëqeshje. Kështu mbyllet një ditë për mua, që të fillojënjë ditë e re.

Ku po i kaloni pushimet dhe me kë?

Në Greqi përsëri, por sigurisht jo vetëm. Ndryshe nga vitet e tjera, sivjet nuk do të jem për javë të tëra me pushime, pasi angazhimet e shumta në Shqiperi, nuk më lejojnë që të mungoj për shumë kohë.

Keni një filozofi, domethënë moto për jetën?

Beso tek vetja jote, shiko qëllimin dhe rrugën që ti ke nisur, që të arrish atë që do.

Dhe së fundmi, ju jeni shembulli i një historie suksesi të ndërtuar me punë, por jashtë vendit tonë. Çfarë këshillash do t’u jepnit të rinjve në Shqipëri, shumë prej të cilëve e kanë të vështirë të gjejnë një punë?

Asgjë nuk është e vështirë. Me durim dhe përkushtim çdo gjë arrihet dhe është e mundur.  Çdo njeri të shikojë jetën e tij, ta bëjë atë siç do dhe jo se çfarë bën tjetri. Ai tjetri ndoshta ka, ti që nuk ke, do bësh aq sa mundesh dhe më shumë besim tek vetja jote do arrish dhe do kesh suksesin që do.

SHKARKO APP