Rezarta Smaja: Kompozitorët dhe tekstshkruesit janë suksesi ynë
(Intervistoi: Albina Gjergji)
“Zëri në radio”, kështu titullohet kënga me të cilën këngëtarja Rezarta Smaja (Rumija) këtë vit merr pjesë në edicionin e radhës të Festivalit të muzikës moderne shqiptare, “Top Fest”. Një këngë, e cila për të nuk është thjesht një e radhës, por duke numëruar edhe arsyet e veçantisë së saj e ndjen vërtetë të dashur. Një bashkëpunim me kompozitorin e njohur, Erjon Zaloshnja, këtë vit Rezarta shfaqet e sigurtë në suksesin e kësaj kënge dhe jo pa arsye. “Zëri në Radio” deri më tani renditet e pesta në klasifikim, sipas klikimeve në Youtube dhe mjaft e kërkuar në radiot më të dëgjuara në vend.
“Zëri në Radio”, titullohet kënga e radhës, me të cilën merrni pjesë në Festivalin “Top Fest”. Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky festival dhe si është pritur nga publiku deri tani?
“Zëri në radio” nuk është thjesht kënga ime e radhës, por një këngë që e kam vërtetë shumë për zemër. Publiku e ka pritur shumë mire e kjo më lumturon. Aktualisht është në pesëshen më të klikuar. Ka marrë përgëzime pafund dhe për këtë dua t’i falenderoj të gjithë.
Për çfarë e vlerësoni më së shumti këtë event muzikor?
Është i dyti festival i madh i muzikës shqiptare ku performohet live. Faza e parë është vetëm prezantimi, puna e vështirë vjen më pas, gjysmëfinalja-faza live, ku këngëtarët bëjnë mirë të jenë vërtetë këngëtarë. Këngëtarët profesionistë e njohin mirë impenjimin që kërkon kjo fazë, sidomos kur bëhet fjalë të jesh Lead Vocal shoqëruar nga një bandë e saktë, profesioniste si banda e Top Fest. Publiku duhet të jetë shumë i vëmendshëm.
Si ju duken prurjet sivjet, nuhasni konkurrencë të fortë?
Prurje të mira ka çdo vit. Shqipëria nuk është pa artistë, por vërej një tendencë nga këngëtarët e rinj për të qenë më shumë një “copy” e këngëtarëve On Top, sesa për origjinalitet. Konkurenca pastaj në kompeticione të tilla varet nga shijet e publikut. Deri në finale do shohim, nëse publiku shqiptar do zgjedhë muzikën dhe tekstet që ia vlen vërtetë për t’u vlerësuar, apo do të zgjedhë këngë konsumi me afat një vjecar.
Autorët e këngës janë emra mjaft të njohur në tregun muzikor shqiptar. Si e bëni zakonisht përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve dhe sa ndikim kanë ato në suksesin tuaj si këngëtare?
Në fakt kompozitorët dhe tekstshkruesit janë vetë suksesi ynë. Gjithçka fillon nga ata dhe vazhdon me ne. Nëse themelet janë të forta projekti do rezultojë me sukses.
Pyetje që nuk i shpëton asnjë gazetari; lidhur me fabulën e këngës, cili është mesazhi i saj dhe pse me këtë mesazh në këtë prezantim?
Fabula është e bukur, flet për dëshirën e njeriut për të qenë çfarë dëshiron të jetë, jo çfarë u thuhet të jetë. Flet për një vajzë, e cila është e detyruar të jetë njeri tepër serioz si në punë, ashtu edhe jashtë saj, por njëkohësish brenda vetes fsheh atë vajzën me shpirt energjik, e cila refuzon të ndryshojë pamjen e jashtme vetëm për të mbajtur vendin e punës. Fsheh vajzën, e cila pëlqen të veshë atlete, një bluze të thjeshtë, jeans-punk të grisura dhe të dëgjojë muzikë rock në programin e saj të preferuar në radio. Ajo dashurohet me zërin e prezantuesit të tij dhe lë gjithçka pas për të qenë ajo çfarë ishte përpara, por kësaj radhe… in Love! Mesazhi është i qartë besoj.
Teksti i këngës është një detaj mjaft i rëndësishëm në suksesin e saj. Cili është kriteri kryesor që duhet të plotësojë një tekst-shkrues për t’u bërë pjesë e këngëve të tua?
Të jetë krijues, jo delirues (qesh)! Jo, vërtetë shumë njerëz mendojnë që mund të krijojnë, por nuk munden.
Vetëm një javë pas prezantimit të këngës në “Top Fest” keni arritur të merrni mbi 50.500 klikime në YouTube. Si ju bën të ndjeheni ky fakt?
Jam e lumtur që kënga ngjalli interes që në fillim, ndërsa sot kur shoh që kënga “Zëri në Radio” po afrohet në pesëshen më të votuar pas kaq pak ditësh që nga publikimi i saj ndjehem e qetë për të vazhduar përpara.
Çfarë është më e rëndësishme për ju; që kënga të vlerësohet me çmim, apo të pëlqehet nga publiku?
Po ju përgjigjem me pyetje; Çfarë i duhen trofetë një artisti me karriket bosh?
Pas prezantimit të disa këngëve në Festivale, emri juaj është bërë mjaft i dashur për publikun Rezarta. Përveç talentit, a ka një tjetër çelës suksesi për arritjen e synimeve një artist?
Nuk mjaftohesh dot me talentin. Duhet shumë punë dhe pasion.
Prej disa kohësh gjithashtu jeni e angazhuar dhe këndoni në klubin më të famshëm të muzikës rock në Shqipëri, Rockstock. Si është të këndosh çdo fundjavë live dhe mes artistëve të talentuar si Elton Deda, Eneda Tarifa dhe Erjon Zaloshnja?
Po është e vërtetë. Të punosh përkrah Elton Dedës, kantautorit, producentit dhe djalit të të madhit Ferdinand Deda, një këngëtareje aq të talentuar dhe të dashur për publikun shqiptar siç është Eneda Tarifa dhe një kompozitori, muzikanti dhe këngëtari të suksesshëm si Erjon Zaloshnja nuk është pak. Duhet të jem shumë me fat që m’u hapen dyert e Rockstock-ut, ku këngëtarë dhe muzikantë përzgjidhen përmes një “site” shumë të hollë dhe me kujdes të madh. Të punosh me këta artistë është shkollë drejt profesionalizmit, ndër gjërat më të mira që më ka ndodhur në jetë. Njëkohësisht me thjeshtësinë e tyre Rockstock tashmë është kthyer në një shtëpi të dytë për mua.
Ke menduar ndonjëherë të realizosh këngë me emrat e lartpërmendur?
Do të më pëlqente një bashkëpunim me secilin prej tyre, sigurisht edhe me bandën e Rockstock. Këtu gjej rastin t’i falenderoj edhe instrumentistët aq të mirë dhe elastikë, siç janë Arjan Gjici, Delar Turku, Franc Fierca, Gerti Hima, të cilët plotësojnë çdo javë tekat e secilit prej këngëtarëve të Rockstock-ut.
Rezarta ju jeni nga Shkodra dhe dihet që ky qytet ka prodhuar shumë talente jo vetëm në fushën e artit. Për çfarë i jeni më shumë mirënjohëse këtij qyteti?
Për qetësinë, dashurinë dhe kulturën që më ka dhënë. Ndoshta pa këto elementë nuk do isha kjo që jam.
Ç’muzikë dëgjoni në kohën e lirë, këngëtarët shqiptarë dhe të huaj që i dëgjoni me kënaqësi?
Dëgjoj shumë muzikë. Muzika është dashuria dhe qetësia ime, sigurisht muzika pop-rock, rock, blues funky, etj. më tërheqin më shumë. Klasiken më pak tashmë, ndoshta për shkak të punës dhe muzika klasike kërkon qetësi, por nuk lë pa dëgjuar edhe zhanret e tjera për kuriozitet. Me qejf dëgjoj këngëtarët rock të viteve ‘60-‘70-‘80-’90, por jo vetëm!
Pas “Top Fest” keni ndërmend ndonjë projekt tjetër. Çfarë konkretisht?
Mendoj që projekti më i afërt është t’i bëj një klip këngës së “Top Fest”, pasi ka një fabul interesante, e cila do të përkthehej mjaft bukur edhe në një klip shumë të mirë. Pastaj sigurisht dua të kujdesem për këngët që do përzgjedh në të ardhmen, pasi së shpejti dua të bëj një album cilësor.