Riselda Sejdija: Talenti lind, puna respektohet, suksesi fitohet
Prej pesë vitesh pedagoge e brendshme në sektorin e koreografisë në Universitetin e Arteve, drejtuese e shkollës "Tis" në studion "Risi Mulli Balet" dhe autore e gjashtë librave-monografi, Riselda Sejdia tashmë është një emër i afirmuar në botën e artit. Hera e parë që është ngjitur në një skenë prestigjioze ka qenë në moshën 12 vjeç, pikërisht në koncertin recital të kantautorit, Ardit Gjebrea në Pallatin e Kongreseve. Më pas në moshën 14 vjeç shfaqet si soliste në baletin “Halili dhe Hajria” tek “Vallja e me Shamija”, eksperiencë të cilën e kujton me emocione sot e kësaj dite. Ndërsa një vit më parë Riselda ngjit shfaqjen personale në skenën e TOB dhe këtë herë jo vetëm si balerinë, por edhe si koreografe. Shumë e dhënë pas punës, çdo sukses ajo e lidh me investimin shpirtëror dhe fizik, sepse pa përkushtim, sipas Riseldës nuk mund të arrish qëllimet që njeriu i vë vetes. Jeta e saj në skenë dhe prapaskenë, sukseset dhe sfidat, raporti me bashkëshortin, bashkëpunëtorët dhe studentët, udhëtimet dhe pasionet e tjera, znj. Sejdija na i tregon në këtë rrëfim për “Koha Jonë”.
Që e vogël në skenë, e mbani mend daljen tuaj të parë, sa vjeç keni qenë dhe në ç'shfaqje?
Hera e parë ka qenë dalja tek recitali Ardit Gjebreas, tek Pallati Kongreseve. Unë kam qenë 12 vjeç dhe kam kërcyer këngën e Xhixhilesë. Ka qenë një kohë dhe një emocion që nuk do ta harroj asnjëherë.
Ndërsa 14 vjeç ju shohim soliste në baletin "Halili dhe Hajria" Tek "Vallja me Shamija". Si e kujtoni atë eksperiencë?
Si eksperiencën më të bukur. Emocion pa mbarim, drejt një ndjenje të bukur.
“Shkallë-shkallë vijnë punët, shkallë-shkallë vjen dhe suksesi”, është një shprehje e cila gjen vend tek të talentuarit, por edhe tek ju si një moto. Në fakt, cili është suksesi më i madh i yti Riselda?
Të jesh i suksesshëm do të thotë të bashkëjetosh me suksesin, ta pëlqesh atë, ta dashurosh atë, ta respektosh dhe më vonë do të shihni që gjithë përkushtimi dhe puna që dhuron suksesi ju kthehet me të njëjtën monedhë. Pra suksesi im më i madh është që, falë Zotit unë besoj shumë në atë që dua të bëj. Talenti lind, puna respektohet, suksesi fitohet! “This is my formula”.
Ju keni botuar disa libra-monografi, kushtuar dancit modern. Si lindi kjo ide tek ju dhe sa mendoni që do gjejë vend tek lexuesi dhe të apasionuarit në balet?
Ideja lindi, pasi literaturë për dancin modern nuk ka pasur fare në biblotekat e Shqipërisë dhe mendova “pse të mos isha unë e para për të sjellë këtë risi”?! Tashmë jam autore e 6 librave të mi dhe kjo është fitore për studentët, bibliotekat, Shqipërinë dhe për mua si autore. Sesa interes do kenë pasardhësit për të lexuar rreth këtyre monografive të shërbyera kjo ngelet në preferencat e tyre. Në fakt këto janë monografi, të cilat janë të profilizuara shumë tek ana profesionale, kështu që kanë lexuesit e vet selektiv, sigurisht edhe pjesës që s’i përkasin fare artit koreografik.
Mund të na përmendni librat e botuar e botuar deri më tani?
Librat e botuar deri tani dhe që mbajnë firmën time janë, “Kërcimi Modern, Lëvizjet Bazë”. “Kërcim Modern Pedagogji”. "Tiparet Etnokoreologjike te Folklorit Shqiptarë". "Karakteri estetik në koreografinë e valles Shqiptare”, "Warm Up class choreography of Classical ballet Students Workout". "Ready to Dance".
Për herë të parë në Shqipëri, “Ready To Dance”, një libër baleti për fëmijë me DVD program në dy gjuhë-shqip-anglisht. A është ky projekti yt më i fundit, për të pasuar më pas me të tjerë?
Ky ka qenë një nga projektet më të bukura që kam bërë ndonjëherë, pasi të pajisësh një libër me DVD, program baleti, ku të shihet ajo çka ti jep në mësim dhe shkruan në letër, të pasqyrohet edhe në video, mendoj që është një nga projektet që ju ka vënë vulën projekteve të mia të mëparshme. Pra s’ka më, apo kështu, apo ashtu, kush ia bëri, kush ia shkruajti, ku e mori, ku e kopjoi. Ky libër tregon qartë se kush është shkrimtar i vërtetë dhe dashuron punën që bën me plot pasion, di të flasë me vepra dhe me fakte, që duken në mënyrë që me këtë rast të edukojmë ne tërësi edhe mendimet e atyre që nuk duan të na besojnë për këto që jemi në të vërtetë. Ndërsa sa i takon pjesës së dytë të pyetjes që më drejtoni, projekti i radhës do jetë një libër me poezi, ku kryesisht flet shpirti im nëpërmjet mendimeve pa komplekse, që shoqërojnë vërtetësinë e të qenurit njeri. Disa poezi të miat deri më tani i kam botuar edhe në gazeta të ndryshme për t’i dhënë popullit shërbimin lirik të ndjenjës origjinale etike. Ky libër do të promovohet në panairin e ardhshëm dhe besoj se një pjesë e mirë e popullit do gjejë veten tek Libri im me titull, “Shpirti, Kalendar i Mullirit”.
Riselda, përveç aktivitetit privat si koreografe dhe sipërmarrëse në shkollën e baletit që keni hapur, ju jeni edhe pedagoge në Universitetin e Arteve. Sa vite keni dhe na flisni pak për raportin tuaj me studentët?
Unë aktualisht punoj privat në shkollën "Tis" në studion time "Risi Mulli Balet", ndërkohë jam prej 5 vitesh pedagoge e brendshme në sektorin e koreografisë në UA. Marrëdhënia ime me studentët është një marrëdhënie mes shokësh, me një komunikim të lirshëm, të sinqertë larg imponimeve, shkurt marrëdhënie artistësh.
Një vit më parë keni ngjitur në skenën e TOB “Risi Moulin”. Kjo ishte hera juaj e parë si koreografe në këtë skenë?
Në fakt baleti “Risi Moulin” mbahet mend si një revolucion artistik në TKOB. Unë vetëm me këtë balet e kam prekur TKOB si koreografe dhe ndihem krenare për këtë, pasi jam një nga koreografët e parë të UA që hedh balet në këtë skenë magjike pse jo dhe në vazhdim ajo skenë do jetë trampolina ime e radhës, për shembull “Risi Moulin 2”! Ja e zbulova pa dashur (qesh). Ndërkohë balete të tjera si “Facebook”, “Borëbardha dhe shtatë xhuxhat”, si dhe shumë performanca, apo produksione të miat kanë prekur dhe skenat ndërkombëtare.
Bashkëpunëtorët e tu më të mirë dhe sa ndikim kanë ato në mbarëvajtjen e punës suaj dhe arritjes së rezultaveve?
Në shumicën e rasteve më është dashur t’i bëj të gjitha vetë, por s’mund të përjashtoj dhe faktin që pa bashkëpunim nuk ka rezultat, kështu që në tërësi jam e mendimit që me miq të mirë përreth dhe me dashamirës mund t’ia arrish qëllimit.
Kohët e fundit jeni ftuar nëpër studio të ndryshme televizive dhe jo vetëm. Aq i ngjeshur sa është aktiviteti juaj ditor, ju ngelet kohë për vete dhe si e shfrytëzoni ju atë?
Sigurisht që më ngelet kohë, pasi projektet e mia nuk janë gjatë gjithë kohës. Dy punët që kam si pedagoge më japin shumë hapësirë, ndërkohë që të bëj edhe shumë gjëra të tjera. Por jam edhe me këtë që, njeriu kur do, di të gjejë kohë për çdo gjë, kur s’do edhe kur ka tepër kohë thotë “s’kam kohë”. Koha për mua është gjëja më e çmuar dhe unë preferoj çdo moment ta çmoj atë, duke anashkaluar çdo detaj që bëhet pengesë për mua dhe për të. Jam një menaxhere e mirë e kohës sime dhe deri tani falë Zotit çdo gjë shkon për mrekulli në raport me kohën.
Përveç baletit, ç’pasione të tjera i njeh vetes Riselda?
Përveç baletit, mësimdhënies dhe shkrimit unë do ta them që pasioni im më i veçantë dhe që aty e humbas ritmin e kohës është shopping-u. Punoj shumë, harxhoj shumë për të shijuar atë që quhet “shumë”! Për shembull: Gianni Versace, që unë me djalin tim i kemi vënë një pseudonim Janni Veraçe më ha shumë kohë, duke e gjemuar kur po del koleksioni i ri. Tani të bëhemi pak seriozë, në fakt kënga është një talent i fshehur tek unë, por që me thënë të drejtën nguroj ta bëj realitet, pasi është kthyer si një obsesion i çdo të riu, kështu që pas gjithë kësaj karriere kaq "kapricoze" që kam ndërtuar do më dukej një aventurë e pavlerë, megjithatë unë prapë çmoj kohën dhe nuk di të them, “t’ia lëmë kohës kohën”, por bindshëm di të them që zërin live e kam shumë të bukur!
Duket sikur jeni shumë e apasioniuar edhe pas udhëtimeve… Cili është udhëtimi më i bukur që keni bërë dhe ku?
Është e vërtetë. Për mua udhëtimi është menuja shpirtërore që nuk bëhet kurrë rutinë. Adhuroj të udhëtoj. Nuk di të them ndonjë udhëtim më të bukur, pasi për mua e rëndësishme është të udhëtosh dhe kjo do të thotë e bukur.
Ju jeni nënë e një djali, bashkëshorte dhe pedagoge. Sa e vështirë është t’i menaxhosh gjithë këto role në një ditë, apo vit të zakonshëm?
Koha është e shenjtë dhe po të duash ta mbash si të shenjtë gjithmonë do gjesh kohë për kohën!
Marrëdhënia juaj me bashkëshortin. Sa ju mbështet ai në iniciativat tuaja?
Jashtëzakonisht shumë! Unë e falenderoj për gjithë mirëkuptimin që ai ka për artin dhe që ka besuar dhe beson në atë që unë bëj. Po të mos kisha mirëkuptimin e Hajdinit mendoj se nuk do të isha këtu ku jam sot edhe pse brenda meje arti s’do shteronte kurrë. Them se brenda vetes nuk do kisha reshtur kurrë së menduari, por jo së vepruari për artin po të shikoja pakënaqësi në familje. Fati më i madh është që bashkëshorti im bashkëjeton me artin që unë bëj dhe jeton me familjen që dëshiron!
Surpriza më e bukur që ju ka bërë dhe i keni bërë?
Brahimi, djali ynë.
A është e bukur jeta juaj Riselda, çfarë e bën të bukur atë?
Mendoj se jetën time nuk ka notë që e vlerëson, por ka një vulë që e komfirmon: "Faleminderit Zot për gjithçka më ke dhënë!
Fundjavat e Riseldës?
Shumicën e rasteve tek shtëpia jonë në Durrës, pranë detit. Pastaj ka dhe fundjava që lëvizim jashtë shtetit. Në përgjithësi fundjavat janë ato ditë që do vetëm të rrish në shtëpi edhe pse nganjëherë për hir të kushteve miqësore mund edhe të lëvizim.
Intervistoi: Albina Gjergji