Rita Petro: Libri “Vrima” ka shumë dashuri, jo erotizëm

Autorja e vëllimit poetik “Vrima” shpjegon përse ky libër u kritikua kaq shumë dhe ka një mesazh për të gjithë

Rita Petro: Libri “Vrima” ka shumë dashuri, jo erotizëm

Intervistoi: Sidorela Lepri

Poetja Rita Petro është vlerësuar pak ditë më parë me çmimin e bibliofisë “Lumo Skëndo” në rastin e 95-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare me vëllimin poetik “Vrima”.
“Tani unë nuk e di mirë nëse duhet të gëzohem apo të hidhërohem me këtë çmim. E rëndësishme është që ai do të mbetet dhe, si çdo çmim tjetër do t’i nënshtrohet gjykatësit të pagabueshëm kohë. Por ne shqiptarët kemi një zakon të keq, i gjykojmë gjërat në moment; si për mirë ashtu dhe për keq.”, tregon ajo lidhur me këtë vlerësim.
Menjëherë, pas shpalljes së çmimit ka pasur një sërë kritikash nga më të ndryshmet, ku disa e kanë quajtur librin provokues, pervers dhe një botim pa talent.
Por në një intervistë për “Koha Jonë”, poetja Rita Petro i përgjigjet të gjitha këtyre kritikave duke shtuar se të gjithë jemi nga pak perversë dhe të qenurit perversë është pjesë e të qenurit gjallesa.

Zonja Rita, pak ditë më parë ju u shpallët fituese e çmimit të bibliofilisë “Lumo Skëndo”, në rastin e 95- vjetorit të Bibliotekës Kombëtare me vëllimin poetik “Vrima”. Çfarë do të thotë për ju ky çmim?

Tani unë nuk e di mirë nëse duhet të gëzohem apo të hidhërohem me këtë çmim. E rëndësishme është që ai do të mbetet dhe, si çdo çmim tjetër do t’i nënshtrohet gjykatësit të pagabueshëm, kohë. Por ne shqiptarët kemi një zakon të keq, i gjykojmë gjërat në moment; si për mirë ashtu dhe për keq. Shpresoj shumë që një ditë ata që i kanë dhënë çmim, të ndihen mirë me këtë gjë, ndërsa ata që hodhën baltë të heshtin kokulur për këtë që bënë.

Ky çmim është marrë nga shkrimtarët më të njohur të vendit. Si ndiheni për këtë fakt?

Unë ndihem mjaft e vlerësuar sigurisht, por mendoj se, shkrimtarët e mëdhenj as ia ulin dhe as ia shtojnë vlerën një shkrimtari tjetër, i cili ende nuk e ka marrë statusin e shkrimtarit të madh. Krijimi është diçka shumë vetjake. Secili çel rrugën e vet që bashkohet në lumin e letërsisë së një kombi. Po historia e letërsisë gjithnjë ka treguar se ata që i kanë anatemuar dikur këta shkrimtarë që nuk ishin dhe aq të mëdhenj, më pas i kanë ngritur në piedestal dhe i kanë quajtur të paprekshëm.

Meqenëse jemi tek çmimet, a janë të rëndësishme për artistët?

Mendoj se janë. Çmimet ndikojnë në emocionet e besimit dhe të gëzimit që përçojnë te shkrimtari. Gjithashtu, janë dhe një reklamë e mirë për çdo autor (përjashto rastin tim, që u kthye në të keq, po ku i dihet. E thamë pak më parë, ia lëmë kohës.)

Vëllimi poetik “Vrima” është botuar edhe në Francë. Mund të tregoni sesi është pritur atje dhe në Shqipëri?

Po, ka disa ditë që ka dalë nga shtypi me një përkthim të mrekullueshëm të Luan Ramës. Botuesi francez e ka vlerësuar këtë libër si “një vepër poetike me një forcë të bukur të të shkruarit, ku dhuna zbulon kuptimin ekzistencial të jetës që qëndron brenda saj. Me një ndjeshmëri shumë të madhe përshkruhet thelbi i pranisë së erotizmit të ofruar gjithmonë me një gjuhë të zgjedhur e mjaft të kujdesshme poetike”.
“Origjina, një libër mbi burimin e jetës, dashurinë, frymën… lexojmë këtë libër dhe ja tek na shfaqet Courbet me tablotë e tij prej mishi dhe zjarri….”. Unë kam qenë e ftuar në Festivalin poetik në Lodeve dhe jam ndier vërtetë shumë mirë nga mënyra se si u prit poezia ime atje. Madje, mund të them se ishte befasuese. Po kështu poezitë e mia janë botuar në disa revista e antologji me poetë bashkëkohorë nga e gjithë bota.
U bë një vit që nga dalja e këtij libri dhe janë shkruar deri tani mjaft artikuj apo analiza studimore nga studiues e pedagogë nga Universiteti i Tiranës, Prishtinës e Tetovës, si dhe kam qenë e ftuar në disa mjedise shkollore. Gjithashtu, ky libër është promovuar dhe në disa emisione mediatike profesionale në fushën e librit.
Një nga bashkëpunimet e mia që do ta quaja vërtet të suksesshëm,  është ai me regjisorin Arian Sukniqi në baletin modern “Penetrimi i shpirtrave”, ndërtuar mbi libretin e librit “Vrima”; një realizim ky i panjohur më parë në skenën shqiptare, ku u harmonizua aq bukur gjuha e poezisë me performancën e balerinëve.

Titulli i vëllimit është cilësuar si provokues dhe në brendësi përmban poezi erotike. Çfarë mesazhi keni dashur të përcillni?

Shiko, arti ka lindur për të provokuar, ndryshe nuk do të ekzistonte. Ka një gabim të madh kur poezia ime cilësohet erotike (këtu nuk po merrem me ata që e quajnë pornografike). Poezia ime nuk hyn në zhanrin e poezisë erotike. Në poezinë time është erosi si filozofi e jetës dhe e vdekjes; është dilema e çdo njeriu, i cili vjen në këtë botë i lirë e krejtësisht i pastër, pasi ka jetuar si iluzion dhe bëhet pis e prangoset nga vargonjtë e shoqërisë; institucioni i familjes, i arsimit, i politikës, i fesë. Mendoj se shoqëria e hapur dallon nga shoqëria mendjembyllur, se lufton që këta kufij të mos jenë të ngurtë, por të hapen e zgjerohen në varësi të lirisë së individit. Ato vargje të shkëputura jashtë kontekstit nuk e japin dot mesazhin për të cilin janë futur brenda në poemë. Ato vargje janë shkruar pikërisht për të sjellë mesazhin se sa i rëndësishëm është edukimi seksual te fëmija, sa e rëndësishme është të mos quhet tabu tema e seksit në familje. Vetëm kështu ne mund të rritim fëmijë të shëndetshëm e jo perversë e masturbues mendorë.

Ka pasur një sërë kritikash nga më të ndryshmet, ku disa e kanë quajtur provokues, pervers dhe një botim pa talent. Si do t’i përgjigjeshit këtyre kritikave të ngritura?

E kam thënë dhe herë tjetër e po e përsëris përsëri: Të gjithë jemi nga pak perversë; të qenit perversë është pjesë e të qenit gjallesa…dhe lufta e përditshme që bëjmë është për të jetuar si qenie perverse inteligjente dhe jo perverse vulgare, ky është mesazhi i librit “Vrima”. Lum kush e kupton, e shijon dhe e pranon. Ata që nuk e pranojnë, do vazhdojnë të jetojnë jetën duke gënjyer veten. Ne gjithmonë e ngatërrojmë kiminë e trupave thjesht me të bërit seks. Ajo çka e përshkon këtë libër (prej të cilit janë lexuar keq vetëm 6-7 vargje) është orgazma e lartë, adrenalina që e mban trurin të ushqyer, është kimia mes njerëzve që iu ngjitin mendimet, dëshirat, idetë për të ndryshuar e turbulluar ujin e ndenjur e për t’u ngjitur të pastër lart drejt frymës universale. Ndërsa për kritikën se unë jam pa talent, përgjigjja ime do të ishte: talent dhe mund të mos kem për disa që varet si e kuptojnë artin e poezisë, por pa dyshim kam talent për t’i thënë gjërat siç i shoh dhe siç i ndiej në thellësinë time më të fshehtë.

Përse mendoni është kritikuar kaq shumë ky vëllim poetik? Si është raporti mes atyre që e kanë pranuar dhe atyre që nuk e pranojnë dot?

E vërteta është që janë bërë shumë vlerësime kritike nga studiues dhe gazetarë kulture dhe së fundmi, pas marrjes së çmimit, ky libër është sharë shumë. Pra, të përbashkët këto dy gjëra kanë vetëm fjalën “shumë”. Unë ndihem e lumtur se me librin “Vrima” rrethi i jetës sime u ndriçua dhe u zbukurua me miq që mendojnë e jetojnë si unë. Por dhe ata që hodhën baltë kundër meje, jam e bindur që, pasi ta lexojnë librin, do marrin prej tij kënaqësinë e leximit dhe pse jo edhe të mbushjes me energji pozitive për veten e tyre. Në librin “Vrima” ka shumë, shumë dashuri…e gjithë lufta ekzistenciale e njeriut duhet të bëhet për të mos e humbur, por për ta mbajtur fort këtë dashuri.

SHKARKO APP