Roberto Saviano: Politika dhe krimi në Shqipëri, si në Itali para 30 viteve

Shkrimtari dhe gazetari i njohur antimafia, Roberto Saviano, autori i bestsellerit botëror Gomorra mbi mafian italiane dhe më specifike mbi Kamorrën napoletane, ka vizituar dje Tiranën. Në një intervistë për gazetaren Alba Malltezi, Saviano flet për impaktin e parë me Shqipërinë, habinë se si politikanë e kryetarë bashkie heshtin kur i pyet për kriminalitetin, e mohojnë, si në Italinë e 20­30 viteve më parë. Saviano flet për organizatat kriminale të Ballkanit dhe atë shqiptare, media e call center. “Këtu në Shqipëri keni nevojë të thërrisni me emër të keqen, pa pasur frikë”, thotë ai në këtë intervistë. Duke folur per fenomenenin e largimit te shqiptareve per te kerkuar azil ne vendet perendimore e vecanerisht ne Gjermani, Savioni flet per nje strukturre te organizuar kriminale qe i mashtron qytetaret.

Roberto Saviano për herë të parë në Shqipëri. Cili ishte impakti i parë sapo mbërritët në Rinas dhe përshtypjet e takimit të parë me publikun shqiptar?

I bukur, i bukur sepse u ndjeva në shtëpinë time. Nuk është vetëm një ndjenjë pozitive, por e bukur, në kuptimin që të ndjehesh në shtëpi do të thotë të gjesh të njëjtin kaos apo disa aspekte dekadente të realitetit në të cilat pashë veten. Por ama gjeta dhe një qiell madhështor, një popull të ri, një realitet që nuk e kisha prekur nga afër, por që e studioj prej vitesh. Ndjeva pritjen, ishte impakt i bukur. Pastaj gjuha, nuk ekziston distanca që zakonisht është. Ndoshta mund të duket romantike, por të gjithë më folën me shpresa të mëdha, nuk pashë moton e parë që zakonisht has në Itali, domethënë qarjen.

Jeni gjithnjë shumë i vëmendshëm me detajet, dhe vëzhgues i hollë. Ju ka mbetur një detaj në këtë ditë të parë, një detaj shqiptar që ju ka mbetur në zemër?

Në zemër më ka mbërritur detaji i fytyrave të reja, ka shumë të rinj, ndërsa unë vij nga një vend i vjetër dhe prandaj këtë mbresë do ta marr me vete. Pastaj një gjë tjetër më pak e bukur, por shumë interesante, se kur pyesja kryetarët e bashkive që takova apo figurat politike “Këtu kriminaliteti si është? M’u përgjigjën… Këtu? Jo asgjë fare… Më shumë keni ju në Napoli”, më thanë. Shumë interesante si përgjigje. Nuk është vetëm omertoze (heshtje), por edhe e kujt ndjen që po të flasë për këtë argument ofendon vetveten. Kjo më bëri shumë përshtypje se janë përgjigje që në Itali jepeshin 20 apo 30 vite më parë. Mbi këtë, sipas meje, ka ende shumë për të punuar.

Na keni bërë gjithmonë shumë ziliqarë ne gazetarëve për burimet që keni dhe informacionin mbi kriminalitetin në Ballkan, atë shqiptar. Madje së fundmi keni folur dhe për problemin e azilkërkimit, ku jeni shprehur se pas këtyre flukseve qëndron kriminaliteti i organizuar, trafikantët e drogës. A mund ta thellojmë këtë argument që është shumë, shumë i rëndësishëm në këtë moment tek ne?

Thjesht se ka një pjesë të organizatave që qartazi përdorin azilin duke e shitur dhe duke krijuar një treg brenda këtij mekanizmi. Tema e kriminalitetit dhe e burimeve është pak e ndërlikuar; shumica e burimeve janë prej policisë, në radhë të dytë burimi me kontaktet me realitetin, pra intervista me personat, edhe pse është pjesa më e vogël e punës sime. Megjithatë tema mbetet qendrore, ashtu sic thashë dhe në konferencën në Tiranë, mafia shqiptare nuk ka as dhe një emër me të cilin mund të identifikohet, quhet në përgjithësi mafia shqiptare, por jo një emër specifik me të cilin kërkonte identifikohet. Dhe as ka dëshirë të identifikohet. Dhe as nuk është përkufizuar pra as nuk përmendet. Dhe meqë nuk ka të shtëna të pafundme si gjatë fazave të mafias italiane kjo bën që të mbetet mbrapa vëmëndja e opinionit publik. Madje sulmohet kush thotë që ka organizata, prandaj unë mendoj se ka një domosdoshmëri për të përmendur dhe për t’i dhënë një emër të keqes.

Flisni dhe keni studiuar mafiat e ndryshme dhe flisni për një feeling mes mafias kosovare dhe mafias serbe dhe i vendosni në opozitë me mafian shqiptare. Ndërsa nga ana tjetër ka një tendencë të politikës së Tiranës, kryeministrit Rama për t’u afruar me politikën e Beogradit. A do të munden mafiat të pengojnë këtë rrugëtim që kërkon bashkëpunimin e vendeve të rajonit? 

E vërtetë. Unë besoj se pas distancës politike Kosovë­Tiranë është rivaliteti mes mafiave dhe familjeve të Tiranës dhe familjeve të Prishtinës, por jo mes popullatës, e cila është e lumtur të jetë e bashkuar. Janë shqiptarë, duan të rrinë nën shqiponjën shqiptare, por nuk e duan këtë disalloj pushtetesh. Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë mund të jetë shumë i dobishëm, por duhet kuptuar se çfarë ndodh në anën kriminale, sepse ata kanë një logjikë tjetër. Çfarë duan familjet serbe (mafioze) Familjet serbe kanë pasur gjithnjë marrëdhënie me familjet malazeze. Mali i Zi është përdorur shumë herë për të shkarkuar kokainën. Darko Sariç, bosi serb, është strehuar gjithmonë në Mal të Zi. Kjo hapje mund të japë rezultate edhe në kundërshtinë, në kundërshtinë e organizatave them. Duhet parë se çfarë ndodh me ta, nëse organizatat kriminale serbe duan të vënë këmbë në Shqipëri – edhe pse nuk e besoj – unë besoj se ata përmes Malit të Zi komunikojnë me njëri­tjetrin, nuk ma më një urrejtje si në të kaluarën, në kohë e pasluftës në Ish­Jugosllavi. Por është interesante të kuptohet se si çdo gjë është e lidhur, sesi vendimi i një Presidenti, sjell me vete një sërë zgjedhjesh të këtyre ambienteve. Dhe flitet pak sepse sa herë që unë flas për Kosovën nëpër rrjetet sociale, bëhët një zhurmë e madhe.

Roberto, këtu në Tiranë ju ndjekim prej kohësh. Edhe në rrjetet sociale kam vënë re se keni shumë ndjekës bashkëatdhetarë të mitë. Kohët e fundit keni bërë disa konsiderata për realitete mediatike që për ne mbeten misterioze. Ato konsiderata pozitive që ju keni bërë, i keni nga informacione pozitive mbi këto realitete misterioze…?

Jo. Në të vërtetë jam keqkuptuar. Objektivi im ishte të thoja se mediat e reja që vijnë në Shqipëri nuk janë një ide e gabuar. Pastaj se si janë bërë, është qëllimi i vërtetë, paratë që janë pas tyre, duhet kuptuar se ç’janë. Eshtë e qartë. Ajo që më bezdisi është se në Itali flitej për delokalizimin vetëm si një gjë negative.

Delokalizimi kritikohet në Itali. Për shembull ka protesta për spostimin e call center. Ju jeni në favor të këtij delokalizimi drejt Shqipërisë?

Unë mendoj se mund të ketë një shkëmbim. Në kuptimin që, është e qartë se i them jo pagave prej skllavi, por më pëlqen idea e që një redaksi e re web të lindte në Tiranë dhe të tregonte Italinë dhe Shqipërinë. Nuk e shoh si një gjë për pak vetë, vetëm për shqiptarët e Italisë apo italianët e Shqipërisë. Këto shkëmbime që favorizohen nga fakti që këtu taksat janë më të ulëta, që nuk ka presione sindakale, është e qartë që ka nga këto dinakëri, por që ky është tregu. Unë nuk do të shihja vetëm një kontradiktë, prandaj ai artikull, të cilit i referohesh, më shumë se një fotografi e të tashmes, ishte një dëshirë për të ardhmen. Më pëlqen idea që të kishte sipërmarrës që të vijnë këtu, natyrisht shpresohet të pastër, por të bëjnë të nisë diçka që lidh dy tregjet, duke qenë se këtu flitet italisht shumë dhe shqiptarët shkojnë e vijnë nga Italia. Eshtë mëkat që të konsiderohet toka e Shqipërisë si një tokë që mund të vish ta grabisësh krahun e punës me çmim të lirë e të ikësh.

Një pyetje e fundit. Jetoni akoma i mbrojtur, si vazhdon jeta juaj në këtë izolim?

Shpresoj të mos vazhdojë përgjithmonë. Eshtë frika ime më e madhe. Jetoj shumë kohë në Shtete e Bashkuara, ku jap dhe mësim. Eshtë e ndërlikuar, por në kokën time në një farë mënyre ekziston një formë rezistence e hakmarrje që sa më shumë flas, kështu si në këtë bisedë më ty, aq më shumë e mposht këtë frikë.

 

SHKARKO APP