“Romani, borxhi braktisjes që unë po ia shlyej Shqipërisë sime”

  Jeta Vojkollari autorja e romanit “Djalli që Pagova për Këshillë”, në një intervistë për “Koha Jonë” flet për arsyet e botimit të këtij libri, dhe projektet e saj të ardhshme letrare. “Emigranti i ka borxh vendit të tij, borxhin e braktisjes. Ky roman, është ndoshta një borxh që unë po ia shlyej Shqipërisë sime”,- shprehet Vojkollari.

Intervistoi: Flutura Tarazhi

Zonja Vojkollari, “Djalli që Pagova për Këshillë” është pritur me mjaft komente pozitive nga opinioni. Përse zgjodhët të paraqiteni me një roman triller?

“Djalli që pagova për këshille” është një krijim letrar (literary fiction), herë herë lirik dhe me elementë të një thrilleri psikologjik. Krijimi letrar është më i thellë se gjinitë e tjera të shkrimit, analizon ndjenja, mendime, ngjarje e faktorë. Në trajtimin e një teme sociale të madhe siç është abuzimi familjar, kjo do të ishte forma më e mire e më interesante e të shkruarit. Elementët e thrillerit erdhën natyrshëm nga vetë tematika e romanit. Në një farë mënyre nuk ishte zgjedhja ime ishte zgjedhja e vetë ngjarjes dhe e personazheve të romanit.

Ju jetoni në Kanada, por shkruani për një lexues shqiptarë. Distanca dhe të qenit larg Shqipërisë, nuk ju pengon në krijimtarinë tuaj?

Jo, nuk mendoj që të qenit larg Shqipërisë më pengon në krijimtarinë time. Unë jam shqiptare dhe e njoh mënyrën e jetesës, psikologjinë dhe mentalitetin e shqiptarit, sepse kam jetuar aty pjesën më të madhe të jetës sime. Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit që jetoj në Kanada, unë e kam vizituar Shqipërinë rregullisht, gjë që më ka ndihmuar të kuptoj ndryshimet që kanë ndodhur aty dhe të shikoj efektin e këtyre ndryshimeve në mënyrën e jetesës, psikologjinë dhe mentalitetin e shqiptarit.

Romani flet për dhunë, drama të forta dhe karaktere të forta. A është kjo një histori reale? A jeni përballur ju në jetën tuaj të përditshme me një histori te ngjashme si në Roman?

Romani flet për dhunë dhe ka drama të forta sepse tema është e tillë. Abuzimi familjar nuk është i bukur. Unë mendoj që bukuria e romanit “Djalli që pagova për këshille” qëndron pikërisht në këto drama të shkruara me realizëm dhe sidomos në karakteret e forta. Këto karaktere përleshen mendërisht në marrëdhënie abuzive, nënshtrohen vetëm përkohësisht, nuk janë viktima dhe i japin zgjidhje situatës së tyre. A është kjo zgjidhje e drejtë? A është kjo zgjidhje e gabuar? Kjo është diçka tjetër. Libri është plotësisht një krijim i imi dhe aty nuk ka histori reale. Për një farë periudhe, unë kam punuar si përkthyese me gra të abuzuara dhe burra abuzues. Kam dëgjuar historitë e tyre reale, por asnjë prej këtyre historive nuk është në roman. A jam frymëzuar unë nga ndonjë prej këtyre njerëzve për të krijuar ndonjë personazh të caktuar? Ndoshta.

Çfarë është letërsia për ju: një mënyrë për të realizuar veten, një mundësi për të thënë të vërtetat e tua, apo një mision?

Një mundësi për të realizuar veten? Ndoshta. Së pari: Unë kisha talent për të shkruar dhe e kisha provuar veten me dhjetëra herë. Një ditë i thashë vetes: Në djall të vejë! Le ta provoj seriozisht. E provova dhe besoj se nuk bëra gabim.

Së dyti: Është i lumtur ai që jeton në vendin e tij. Për emigrantin jeta është e vështirë, dhe nuk po them financiarisht e vështirë. Emigranti lë pas një pjesë të zemrës së tij. Kjo shoqërohet me pikëpyetje në kokën e tij, me ndjenjën e mallit e të fajit. Emigranti i ka borxh vendit të tij, borxhin e braktisjes. Ky roman, është ndoshta një borxh që unë po ia shlyej Shqipërisë sime. Një mundësi për të thënë të vërtetat e mia? Jo. Jeta ime nuk është aq interesante sa ta hedh në roman.

Një mision? Ndoshta. Përmes kënaqësisë intelektuale që të japin, letërsia, arti, filmi e muzika, ato përçojnë mesazhe të caktuara tek njeriu. Romani ”Djalli që pagova për këshille” jep mesazhe shumë pozitive për një çështje të madhe sociale.

Cili është mesazhi që dëshironi të përcillni tek lexuesit shqiptarë?

Mesazhet që dëshiroj të përcjell tek lexuesi shqiptar (dhe i huaj, se unë aktualisht po punoj ta botoj librin në Anglisht) janë: Abuzimi familjar është i gabuar dhe të gjithë duhet të luftojmë për ta ndaluar atë. Abuzimi familjar ekziston në forma të ndryshme (fizik, seksual, psikologjik, emocional, financiar etj) dhe të gjitha shtresat e popullsisë mund të preken prej tij. Përqindja më e madhe e abuzuesve janë burra, por kjo nuk do të thotë që nuk ka edhe gra abuzuese. Hakmarrja është e gabuar, nuk është zgjidhje dhe nuk të sjell asnjë të mire. Paraja nuk është gjithçka në jetë.

Pas “Djalli qe Pagova për Këshillë” cila është vepra që do të sjellësh për lexuesin shqiptarë?

Një roman letrar me temë nga emigracioni, dhe ndoshta, një roman krimi për korrupsionin e një libër me pjesë (dramë-komedi) për të rinj.

Jetojmë në një epokë që dominohet nga teknologjia, ndërsa lexuesit po largohen gjithmonë e më shumë. A mendoni se letërsia po e humbet betejën më modernen?

Zhvillimi sjell ndryshime dhe disa prej këtyre ndryshimeve mund të jenë të dhimbshme. Ndoshta në Shqipëri dhimbja ishte akoma më e madhe, sepse zhvillimi erdhi menjëherë pas kapërcimit nga një sistem diktatorial tërësisht i mbyllur, në një hapje totale. Ndoshta elektronika na bëri pakëz më dembelë se na jep shumë gjëra të gatshme. ‘Pse të lodhem ta lexoj, ma bëj film ta shikoj. Ma sill në ekranin e televizorit. Ma sill në celular.’ Pasi e lexoi librin, një lexuesja ime e re më shkruante diçka të tillë: ‘Ne do vdisnim ta shikonin librin tuaj në film, se pavarësisht se libri është fantastik, s’kemi shumë qejf të lodhemi me të lexuar.’ Por kjo nuk do të thotë, mendoj unë, se letërsia po e humbet betejën më moderne, sepse nuk i ka humbur as betejat e mëparshme. Shekspiri lexohet ende me etje. Thjesht po ndryshojnë format e servirjes së letërsisë. Letërsia të fut në botë të panjohura, të mbush me ndjenja të mrekullueshme, të ushqen fantazinë, të mëson, të pjek, të bën më të mirë. Unë mendoj, që ai grup njerëzish që mrekullohet nga leximi ka ekzistuar, ekziston e do vazhdojë të ekzistojë.

Gjatë këtyre viteve në Shqipëri është botuar pa fund. Ka inflacion botimesh dhe pak kritikë. A mendoni se ka nevojë për një filtër më strikt në botimet shqiptare?

Unë mendoj që ashtu sikurse dhe zhvillimi, tregu i lirë që hyri në Shqipëri pas ‘90-tës solli të mirat e të këqijat e tij. Ndoshta të këqijat erdhën me shumicë? Nuk e di. Ajo që di unë është që gjithçka do rregullohet gradualisht nga kërkesë-oferta e tregut. Kjo do të thotë që për sa kohë që ka blerës, do vazhdojnë të hidhen në treg produkte ushqimore të cilësive të ndryshme, veshje të cilësive të ndryshme, pallate banimi të cilësive të ndryshme dhe art, muzikë, filma e libra të cilësive të ndryshme. Dhe natyrisht që në këto kushte, kritika do trembej e do tërhiqej ca. Kritikët letrare do fokusoheshin ndoshta, në shkrimtarët që ata njihnin, apo në miqtë e tyre, dhe do ishin më rezistentë ndaj librave të autorëve të panjohur. Filtrimin që po pyesni ju dhe që ka lidhje me cilësinë, do ta bëjnë shtëpitë botuese (në vartësi me misionin që i kanë vënë vetes) dhe besoj, që një pjesë e tyre po e bën. Një nga këto, është përshembull Shtëpia Botuese “Dudaj” (përsa e njoh unë dhe përsa kam dëgjuar nga miqtë e lexuesit e mi) e cila nuk bën kompromis me cilësinë. Duket që kjo shtëpi botuese duhet ti ketë vënë vetes misionin që të mbajë gjalle letërsinë e vërtetë shqiptare. 

SHKARKO APP