Rozi Kostani: Skena, tempulli ku unë falem
Intervistoi: Sidorela Lepuri
Nga një adoleshente që donte të bëhej astronaute, por tashmë një aktore, ajo zgjohet çdo ditë me ëndrrën për ta realizuar këtë të fundit. Rozi ka veshur petkun e plot personazheve komplekse, duke arritur të interpretojë edhe role meshkujsh, sikurse ishte Xhivola në shfaqjen e fundit “Arturo Ui”. Me buzëqeshjen, çiltërsinë dhe mënyrën e të thënit të gjërave ashtu siç i mendon, aktorja dhe regjisorja Rozi Kostani vjen në një rrëfim të sinqertë për suplementin “Koha Tjetër”. Teksa na tregon për familjen, profesionin, rolet dhe planet e ardhshme artistike…
Shfaqja “Arturo Ui”, ku ju interpretonit së fundmi personazhin e Xhivolës dhe Flejkut rezultoi një sukses i vërtetë. Si u ndjetë gjatë këtij interpretimi?
Ishte vërtet një shfaqje me përgjegjësi shumë të madhe, sepse është luajtur dhe vënë në skenë nga i madhi Pirro Mani dhe luajtur nga gjithë kolosët e artit shqiptar në vitet ‘70. Unë kisha dy personazhe aty, Flejkun anëtarin e trustit të lulelakrës, një sqimatar, një biznesmen dhe sigurisht kriza e lulelakrës ishte ajo që i bëri këto personazhe të ndërmarrin veprime antinjerëzore, për t’u futur nëpër kurthe e me radhë. Kështu bie në kurthin e të famshmit “Arturo Ui”, i cili e manipulon shumë mirë krizën e tyre dhe fillon epoka e Arturo Ui-së, ose më saktë e Hitlerit, që është pjella më e keqe që ka lindur njerëzimi.
Ishte e vështirë për ju të vishnit cilësitë e këtyre dy personazheve?
Ishte e vështirë sepse duhej të bëje ndarjen plotësisht të dy personazheve, por them që ia kam dalë. Kurse Xhivola, ai është personazhi me të cilin jam dashuruar më shumë, sepse është krahu i djathtë i Arturos, ose më saktë ai që e rrëmben krahun e djathtë, se krahu i djathtë është Roma, njeriu që i rri më afër. Kurse Xhivola ia merr me zotësinë, fisnikërinë dhe djallëzinë e tij. Është një person që ka një diversitet ngjyrimesh brenda dhe jam kënaqur me këtë personazh. Sigurisht, ka qenë përgjegjësi dhe lodhje shumë e madhe për ta sjellë aty ku duhej. Kam punuar plastikisht duke sjellë një Xhivola ndryshe. Nga ana plastike, jam përpjekur të evidentoj atë lloj ngjalëzimi, që ai rrëshqet në atë mënyrë të cilën askush nuk e kap dot. Edhe fizikisht. Xhivola i shpëton çdo situate, i shkruan fjalimet Arturos, pra ai arrin shumë mirë të jetë i dyti.
Çfarë i kanë shtuar këto personazhe galerisë suaj të personazheve të interpretuara deri tani?
Të luash role meshkujsh është shumë më e vështirë, sepse ti duhet të hulumtosh tek një gjini që nuk je. Unë kam luajtur dy herë të tjera personazhe meshkujsh sapo kam mbaruar shkollën, kështu që nuk ishte hera e parë për mua që luaja role meshkujsh. Është një eksperiencë shumë e bukur kur ti perception ato gjëra, të cilat ata vetë nuk i shikojnë që i kanë dhe për më tepër, kur sillen nga një femër. Mezi prisja të fillonte shfaqja sepse kënaqesha pafund.
Në petkun e cilit personazh jeni ndjerë vetvetja apo e keni ndjerë më shumë?
Procesi ynë është goxha interesant, sepse ne këtë karakterin që ka një formë të caktuar e mbushim me lëngun tonë, kështu që jemi vetvetja gjithandej. Fillon transformohesh gradualisht, sepse ti fillon dhe i hedh edhe një gjë tjetër dhe merr një shije tjetër e vazhdon duke u transformuar. E rëndësishme është që publiku të mos mendojë që është Rozi, por të humbasë me personazhin që përcjell. Përshembull, para se të luanim “Arturo Ui” kemi qenë tek shfaqja “Ata hynë pa trokitur” dhe është pjesë që ka lënë mbresa të jashtëzakonshme tek publiku dhe them që tek ai rol ka qenë një lloj mbruajtje e vetvetes sime, duke e parë tek prindërit e mi të vërtetën e periudhës së shkuar.
Ka ndonjë personazh që e keni ndjerë më pak, ose që cilësitë e tij nuk përputheshin me karakterin tuaj?
Po, ja tek rasti i Xhivolës, përshembull (qesh). Në fillim thoja që nuk e doja, si do ta bëj, është punë e lodhshme dhe nuk më joshte shumë. Përgjithësisht, unë i gjej çelësat ku hapet ajo derë dhe kështu funksionon. Edhe me Nënë Terezën kam pasur të njëjtin perceptim, nuk doja sepse më dukej super larg vetes. Por në të shumtën e rasteve, nëse flitet për ndjesi njerëzore të vërteta, siç është në rastin e Nënë Terezës, ajo gjendet shumë kollaj. Dhe unë e gjeta çelësin në dashurinë që kam për këtë profesion, kur ajo e kishte për njerëzimin. Edhe profesioni im kështu është.
Për një aktor ka gjithmonë personazhe që nuk i ka interpretuar, por që do të donte. Cilat janë këto personazhe për ju?
Zhulieta, por më ka ikur koha (qesh). Mbase zonja Makbeth do të ishte një kryevepër.
Nëse sot nuk do të merreshit me aktrimin, në çfarë fushe e shihni veten po kaq të suksesshme?
Nëse nuk do të merresha me teatër, nuk di çfarë tjetër mund të bëja. Mbase po tregohem e drejtpërdrejtë, por është e vërteta. Ëndrra ime prej adoleshenteje ka qenë të isha astronaute, por kjo ishte totalisht e pamundur (qesh).
Ju kemi parë mes regjisë dhe aktrimit, dy zhanre të ndryshme, por që në thelb të magjepsin. Ku ndiheni më komode?
Të jesh aktor është një proces që ti jeton çdo ditë, zgjohesh me një ëndërr që dëshiron ta realizosh dhe je më e pavarur. Kurse kur je regjisore, pesha është gjigande sepse ti duhet të zgjidhësh çdo gjë. Sigurisht, pesha është 5-fish më e madhe. Sa më shumë personazhe, aq më e madhe pesha. Por nuk i ndaj dot, sepse kur futem në atë proces unë di vetëm të dashuroj dhe të punoj fort. Di që kam një vullnet të paparë dhe një përgjegjësi shumë të madhe, edhe e besoj skenën si kishën apo xhaminë time, si tempullin ku falem.
Është ky çelësi i suksesit të karrierës suaj?
Unë nuk merrem asnjëherë me suksesin, por merrem me Rozin, që të përftojë sa më shumë emocione dhe të japë sa më shumë emocione. Çështja e suksesit i përket publikut. Më pëlqen një shprehje e një pedagogut tim: “Bëj diçka dhe ik fshihu në errësirën tënde” dhe unë e kam moto të punës sime këtë. Deliri është sëmundje e keqe.
Ka ndonjë situatë të vështirë në të cilën je gjendur në skenë, duke ditur që teatri është përballje e fuqishme me spektatorin?
Po, ka pasur situata të tilla. Përshembull, kur partneri harron tekstin (qesh).
Dhe si i keni anashkaluar?
Falë eksperiencës. Unë dëgjoj gjithmonë realisht çfarë thuhet aty dhe kështu dal nga situata duke e thënë vetë tekstin e tij (qesh).
Ka ndonjë peng në jetën e Rozit?
Jo. Nuk kam pengje, sepse përpiqem t’i realizoj synimet e mia. Përpiqem të mos e shtrij këmbën më shumë sesa kam jorganin, megjithëse artisti është rebel dhe duhet ta shtrijë. Pengje nuk kam.
Si është Rozi në jetën e përditshme?
Unë s’e kam parë veten asnjëherë nga jashtë, por e shoh nga brenda. Por unë di dhe përpiqem të bëj këtë, që në çdo moment të gjej kohë për familjen, njerëzit dhe gjërat që dua.
Çfarë do të thotë familja për ju?
Është më shumë sesa vetvetja. Familja është ajo që nuk do ta kuptoja veten pa të, ashtu siç është edhe profesioni. I kam të lidhura kaq ngushtë që të dyja, familjen dhe profesionin.
Si e raciononi kohën mes familjes dhe profesionit, mes dy dashurive kaq të mëdha për ju?
Them se e menaxhoj mirë. Kam një intuitë të mirë për t’i menaxhuar saktë, por nuk lë asnjëherë asgjë mangut, as me studentët. Se edhe ata janë një familje tjetër (qesh).
Dhe së fundmi, cilat janë planet e ardhshme artistike?
Plane kam plot, por do Zoti realizohen. Kam aplikuar për një projekt, të cilin shpresoj ta fitoj. Do jetë një shfaqje që do t’i flasë shumë realitetit dhe të pathënës, por të presim. Tani janë pushimet, por kemi për të shkuar në dy-tre festivale me shfaqjen “Ato hynë papritur”, pastaj me “Arturo Ui”.