Rrëfehet Zogaj: Konferenca e parë për shtyp e ’90-ës

 

Gazetari i AFP-së ka sjellë këto ditë fotot e rralla të ’90-ës të konferencës së parë për shtyp, pas rënies së diktaturës; Preç Zogaj, protagonist i kësaj ngjarjeje, në një lexim historik si u bë organizimi në sallën e kinoklubit “Studenti” më 18 dhjetor, ku në të njëjtin moment u dha edhe lajmi i legjitimimit të Partisë Demokratike, duke hyrë pas 45 viteve në sistemin pluralist

Nga Violeta Murati

Ajo çfarë shihte nga podiumi ishte miniatura e një parlamenti të ri, të lirë e të rrëmujshëm, ashtu siç e kishte parë në disa filma politikë perëndimore. Në sallën e kinoklubit “Studenti”, më 18 dhjetor 1990 ishte krijuar një paraskenë. Do të mbahej konferenca e parë për shtyp pas rënies së diktaturës. Një tavolinë e vogël ku qëndrojnë të ulur dy “lajmësit” e parë politikë; Preç Zogaj dhe Genc Pollo, të ngarkuar në grupin e punës për shtypin duke hapur në e demokracisë shqiptare komunikimin e parë publik, që do të lajmëronte hapjen e gazetës së re “Rilindja Demokratike” si dhe krijimin e një zyre të marrëdhënieve për publikun, formati i parë në jetën e porsanisur të Partisë Demokratike. Për ta komunikuar ngjarjen kishin ftuar gazetarë të huaj që ndodheshin në Shqi­përi, më i njohuri ndër të cilët ishte shefi i zyrës rajonale të AFP-së, Nikola Miletich, gazetarë të Radiotelevizionit Shqiptar, Agjencisë Telegrafike Shqiptare, gazetave “Zëri i Rinisë”, “Drita” dhe “Bash­kimi” si dhe gjithë krijuesit dhe intelektualët të cilët ishin kontaktuar personalisht nga Zogaj për t’i afruar me gazetën e re.

Me pamje të shkujdesur, në ndonjë rast Zogaj duke tymosur cigare,paraqiten pamjet e rralla, unike nga kjo ngjarje që u lidh edhe me lajmin e legjitimimit të Partisë Demokratike nga Ministria e Drejtësisë e asaj kohe. Sikur të ishte shkelur me gjakftohtësi butoni i një eksplozivi, Zogaj tregon se salla shpërtheu në brohoritje e duartrokitje, në përqafime e thirrje të zjarrta “Rroftë Partia Demokratike”…Leximi historik i këtyre fotove, të shkrepura nga gazetari i AFP-së, sot zgjon një reflektim zgjatues i një komunikimi esencial, mbi një kujtesë të rrallë.

Preç Zogaj krijon një “de ja vous” të një kalimi integral si ngjarjet dhe memoria qëndrojnë stoike, e kokëfortë mbase ndonjëherë si të vetmet lidhje me faktin historik. Fotot e kësaj ngjarje mbërritën në Tiranë këto ditë në rastin e 25 vjetorit të Lëvizjes së Dhjetorit 1990 nga gazetari i AFP-së, ndërsa ishte i ftuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani për të marrë pjesë në këto kremtime.

Si u përgatit konferenca e shtypit e ’90-ës

Në Komisionin Nismëtar të PD-së, Zogaj tregon se ishte ngarkuar të kryesonte grupin e punës për shtypin, që kishte për detyrë të  krijonte një zyrë të marrëdhënieve me publikun, sicc mund ta themi me fjalët e sotme dhe  gazetën e parë, “Rilindjen  Demokratike”.Genc Pollo  u bë pjesë e këtij grupi. “Ai do të paraqiste në anglisht ose frëngjisht përmbledhjen e deklaratave dhe qëndrimeve zyrtare të PD-së dhe do të përgatiste sipas rastit lajme për këto takime. Së bashku me Gencin përgatitëm, në kafenenë e katit të dytë të Pallatit të Kulturës, konferencën e shtypit të datës 18 dhjetor”. Kjo konferencë do të ishte e para e këtij formati në jetën e porsanisur të Partisë Demokratike. Zogaj  thotë se në komunikatën që shkruajtën në këtë rast vunë në krye dy kërkesat e para politike të Partisë Demokratike: lirimin e gjithë të burgosurve politikë, si dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve në kushtet e reja të pluripartitizmit për t’u dhënë kohë partive të reja të përgatiteshin. (Në muajin tetor Ramiz Alia kishte dekretuar si datë të zgjedhjeve  10 shkurtin e  vitit 1991). Në një pikë tjetër të komunikatës kishim njoftimin e vendimit për krijimin e gazetës “Rilindja demokratike”.

Në këtë konferencë, që u mbajt pasdite në sallën e kinoklubit “Studenti”,  ishin ftuar gazetarët e huaj që ndodheshin në Shqi­përi, më i njohuri ndër të cilët ishte shefi i zyrës rajonale të AFP-së, Nikola Miletich, gazetarë të Radiotelevizionit Shqiptar, Agjencisë Telegrafike Shqiptare, gazetave “Zëri i Rinisë”, “Drita” dhe “Bash­kimi” si dhe gjithë krijuesit dhe intelektualët të cilët Zogaj tregon se i kishte kontaktuar personalisht për t’i afruar me gazetën e re.

“Por hapja jonë kishte edhe një qëllim tjetër. Donim të fitonim sa më shumë zë dhe hapësirë lajmesh e opinionesh të favorshme në shtypin ekzistues që po ndryshonte”.

Salla ishte mbushur plot, tregon Zogaj ndërsa siç ishte zakon në atë kohë, kishin ardhur edhe njerëz të paftuar, por jo të panjohur, që ishin marrë nga miqtë e tyre apo thjesht kishin dëgjuar se do të bëhej një konferencë shtypi.

“Unë dhe Genci u ngjitëm në paraskenën e krijuar nga perdja e lëshuar ngjyrë alle ku kishim vendosur një tavolinë dhe dy karrige. Anëtarët e Komisionit Nismëtar, që kishin ardhur për të nderuar celebrimin e konferencës së parë të shtypit, kishin zënë vend në radhët e para”.

Zogaj ka lexuar komunikatën e parë në shqip, ndërsa Pollo ka përkthyer thelbin e saj në anglisht. Ja si e kujton Zogaj, këtë moment përmes fotos:“Gazetari i AFP-së, Miletich dhe një gazetar gjerman bënë pyetje për mënyrën e financimit të partisë dhe gazetës së re, për lidhjet tona me partitë homologe në Europë dhe plot pyetje të tjera, për të cilat ne nuk kishim formuluar ende qëndrime dhe përgjigje zyrtare si Komision Nismëtar. Disa gazetarë dhe krijues shqiptarë shprehen entuziazmin, sugjerimet dhe përkushtimin e tyre për gazetën e re”.

Por, në vijim vazhdon rrëfimin Zogaj, konferenca filloi të shndërrohej në një llogore të rrëmujshme, shfaqje tipike e mbledhjeve politike të atyre ditëve, ku folës të ndryshëm, ca të njohur, ca të panjohur, gjenin rastin të shfrynin dikush dufin e mbledhur nëpër vite e dekada kundër komunizmit, dikush tjetër frikën se mos Partia e re po jepte shenjat e një diferencimi të ri klasor. “Ngaqë komunizmi sulmohej në forma komuniste këto lloj filipikash bëheshin shkas për tensione e ndezje gjakrash. Tensioni ishte ngritur edhe në konferencën tonë. Sali Berisha dhe Gramoz Pashko ishin përfshirë në polemika me disa prej folësve”.

Reflektimi në kohë i kësaj pamje për politikanin ishte:Ajo çfarë shihja nga podiumi ishte miniatura e një parlamenti të ri, të lirë e të rrëmujshëm, ashtu siç e kisha parë në disa filma politikë perëndimore. Duke sjellë për herë të parë këtë memorie, Zogaj ndal vëmendje pse kjo histori nuk arriti të përmendej deri sot, me meritën e publikimit të fotove, sjellë nga gazetari i AFP-së, që njëkohësisht dha mundësinë e rikrijimit të ngjarjes ashtu siç ka ndodhur pa i zënë hijen tanimë:Nikola Miletich do ta pasqyronte me vërtetësi përmbajtjen e konferencës sonë, por në analet shqiptare për këtë ngjarje ka mbetur apo transmetohet vetëm momenti që eklipsoi shkakun pse u zhvillua ajo”.

Alfons Gurashi solli zarfin, si u legalizua Partia Demokratike

Konferenca e parë për shtyp pas rënies së diktaturës është e para herë që vihet në qendër të vëmendjes përmes fotove të rralla nga gazetari i AFP-së. Kjo ngjarje deri tani nuk ka marrë këtë mundësi njohjeje pse ajo u organizua, duke ndalur frymën në ngjarjen tjetër historike siç ishte legalizimi i Partisë Demokratike. Zogaj ka treguar se është pikërisht i njëjti moment, ndërsa po mbahej konferenca e shtypit gazetari i njohur i TVSH-së ka dorëzuar një zarf në tavolinën ku po flitej për formatin e ri të komunikimit në publik, të panjohur për kohën. Zogaj e kujton kështu këtë moment ndërhyrje në konferencë: “Ndërsa në sallë po zienin debatet e replikat, dikush me solli në podium një pusullë të palosur. E hapa. Gazetari i njohur i RTSH-së, Alfons Gurashi, më shkruante: “Sapo mora lajmin se u legalizua Partia Demokratike”. Kisha respekt për Alfonsin, nuk mendova fare se nga i erdhi atij ai lajm në atë orë dhe në atë sallë, e besova symbyllur, por, drejt ta them, nuk i dhashë ndonjë rëndësi të jashtëzakonshme: sa kohë që pluralizmi ishte lejuar, PD ishte themeluar dhe ne kishim depozituar në Ministrinë e Drejtësisë treqind firmat me statutin dhe programin minimal. Çështjen e legalizimit e konsideroja një formalitet burokratik të pashmangshëm. As që e kisha menduar ndonjëherë se Ministria e Drejtësisë mund të mos e legalizonte Partinë Demokratike. Isha i privilegjuar gjithsesi që pozita ku ndodhesha më kishte vënë të parin në zotërim të atij lajmi. Edhe në meshë po të ishim duhej të kërkoja ndërprerjen e meshës për ta ndarë me të tjerët. “Ta ndërpresim një minutë”, thirra duke treguar pusullën. Në sallë ra qetësia. Pusulla intrigoi vëmendje. Fola pa ton, me solemnitetin modest që kërkonte momenti: “Gazetari Alfons Gurashi sapo më njoftoi se është legalizuar Partia Demokratike”. Ishte njëlloj si të kisha shkelur me gjakftohtësi butonin e një eksplozivi. Salla shpërtheu në brohoritje e duartrokitje, në përqafime të zjarrta dhe thirrje “Rroftë Partia Demokratike”. Entuziazmi përhapej e rritej si flakët e pyllit në vapë. Njerëzit poshtë sikur ishin përfshirë në një garë që kush të gëzohej më fort se shoku. Shihja krahë që rrotulloheshin sa në një qafë në tjetrën, fytyra të ndezura dhe të përlotura nga emocionet, njerëz që sa nuk i kishin nxjerrë sytë njëri- tjetrit pak minuta më parë dhe që tani po përqafoheshin si të marrë”.

SHKARKO APP