Rrëfim ekskluziv i bashkëshortit dhe vajzës së Vaçe Zelës
Bashkëshorti, Pjetër Rodiqi: Vaçja nuk u vlerësua siç e meritonte
Nga Zenepe Luka- Këngëtarja e madhe shqiptare, “Nderi i Kombit” Vaçe Zela këtë 7 prill do të mbushte 77 vjeç. Kjo datë solli në jetë këngëtaren më të madhe shqiptare, yllin e muzikës së lehtë, Vaçe Zelën e paharruar. Teksa radhisim këto rreshta për këngëtaren e madhe, që në të vërtetë janë sa një shkronjë për jetën dhe karrierën e saj, shpresojmë që Ministria e Kulturës, Ansambli i Këngëve dhe Valleve, të kujtojnë dhe nderojnë këtë personalitet të shquar të këngës, që i ka bërë nder Kombit. Janë të pafundme vlerësimet që janë bërë për këtë këngëtare të rrallë të muzikës shqiptare. Por në këtë ditë, kemi vendosur ta sjellim Vaçen përmes rrëfimit të dy prej njerëzve më të afërt. Burrit të saj, Pjetër Rodiqi i cili flet për herë të parë dhe vajzës, Irma. Janë rrëfime të rralla, që sjellin para nesh Vaçen e madhe si artiste, por zbulojnë dhe një pjesë të jetës së saj që pak ja kemi njohur. Rrëfime që të emocionojnë pasi tregojnë se Vaçja ishte e madhështore dhe tepër njerëzore jo vetëm në skenë, por edhe në jetën e saj private.
Z. Rodiqi, më 7 prill këngëtarja e shquar, “Nderi i Kombit” Vaçe Zela ka 77- vjetorin e lindjes, si do ta përjetoni këtë datë të shënuar, ndërsa bashkëshortja juaj mungon prej dy vjetësh?
Të them të drejtën është intervista e parë që jap në jetën time, unë bashkëshorti i Vaçe Zelës. Kam folur në momentin e dhimbshëm, kur u nda nga jeta, por në këtë herë të parë, sigurisht i mbushur me dhimbje për mungesën e saj, vendosa të zbrazem, teksa pashë pyetjet që më dërguat. Po u mbushën dy vjet që Vaçja nuk është më dhe iku plot 2 muaj para se të festonte 75- vjetorin e lindjes. 7 prilli është dita e lindjes, ndërsa unë ndjej thellë në shpirt mungesën e saj. Nuk mund ta zëvendësoj me askënd, por jam i detyruar të ambientohem me mungesën e saj. Në ditën e lindjes do të shkoj tek varri, t’i dërgoj lule të freskëta, që ajo i kishte dobësi, do të rri gjatë atje. Çfarë mund të bëj tjetër? Por, për hir të së vërtetës dua të them se kur jam në Shqipëri ndjehem më i qetë, kur shkoj në Zvicër, dhimbja peshon dyfish, sidoqë kam një vajzë të mrekullueshme, që bën të pamundurën, për ta minimizuar mungesën. Ina jonë, vajza, që çelikosi dashurinë tonë e i dha kuptim jetës, e ndjen shumë më tepër se unë ikjen e nënës saj. Babë e bijë bëjmë të pamundurën për të qetësuar njëri tjetrin, sidoqë, të qetë nuk mund të jemi kurrë.
Cilat kanë qenë amanetet, që ju ka lënë dhe e kujtoni bisedën e fundit me Vaçen?
Në fakt Vaçja për shkaqe të gjendjes së saj të rënduar shëndetësore, në çastet e fundit të jetës, e kishte objektivisht të pamundur, të përcillte ndonjë amanet. Kryeamaneti i saj, që gjatë kohës që u sëmur, ishte të prehej në Shqipëri. Bisedën e fundit nuk e kujtoj, por, nuk më hiqen nga mëndja sytë e saj, që u fikën në orën 1 pas mesnate të 6 shkurtit të vitit 2014 u mbyllën për të mos u parë më kurrë, ndërsa vajza klithi na dhimbja. Fatmirësisht atë natë, si çdo natë tjetër, në shtëpinë tonë ishin mbi 15 bashkatdhetarë, që na ngushëllonin e dhe bashkë gdhimë atë natë të zezë, që na bëri blozë shpirtin, sidoqë ishim të përgatitur pasi gjendja shëndetësore në vite, sa vinte e rëndohej. Pas ikjes, dhoma e Vaçes është shndërruar në muze.
Çfarë përmban?
Dhoma është në atë gjendje si e ka lënë Vaçja, asgjë nuk është prekur as rrobat e varura në dollap, sirtarët. Ajo që është shtuar është një qiri, që nuk shuhet asnjëherë. Një qiri i tillë ndriçon portretin e saj edhe në shtëpinë që kemi në Tiranë. Vaçja i ka pasur dobësi lulet dhe ato nuk janë lëvizur nga vendi, veçse bëhet kujdes i veçantë, që të mos thahen. Prekem sa herë shkoj tek varri, gjej buqeta lulesh të freskëta. Gjej po atë mal lulesh, që u vendos mbi varrin e saj ditën e përcjelljes dhe ky fakt na qetëson shpirtin e para për respektin që kanë bashkëkombësit dhe tjetra se mes lulesh, do të jetë i qetë edhe shpirti i saj.
Përveçse një zë i papërsëritshëm, çfarë ju ka tërhequr tjetër te bashkëshortja juaj Vaçe Zela?
Ishte prototipi i njeriut modest, atë e veçonte vetëm zëri nga gratë e thjeshta. E di kush ishin miket e saj më të ngushta. Rrobaqepësja, gardërobistja. Nuk di të ketë pasur mike të afërt ndonjë artiste. Ka qenë një amvisë e përkryer. Kur u martua me mua, s’dinte të fërgonte një kokërr vezë, por e mësoi nëna ime. Për një kohë të shkurtër u bë kuzhiniere e jashtëzakonshme, çfarë i zinte syri, i bënte dora. Me nënën shkonte shumë, ajo krenohej me nusen që kishte, madje e ndiqte më shumë se sa unë nëpër koncerte.
Si kanë qenë raportet tuaja, thuhet se keni qenë pak xheloz për Vaçen. Është e vërtetë?
Për të qenë i sinqertë, dua t’ju them, se nuk e kam pasur të lehtë të kisha në krah, një grua të shquar, një këngëtare të famshme e mbi të gjitha një grua të mençur. Edhe unë, si të gjithë shqiptarët, që janë maskilistë dhe nuk mund të rrinë pa e shprehur këtë ndjesi. Po, jam bërë edhe xheloz, por kurrë dhe asnjëherë nuk mendova qoftë edhe një çast, të divorcoheshim.
Meqë ra fjala për xhelozinë, e dini çfarë thoshte miku ynë, përkthyesi Robert Zhvarc, që edhe ai kishte një grua të mençur, motrën e Prokop Mimës. Kjo kategori grash, janë si ajo këpuca që të vret tërë kohën. Nuk mund ta mohoj, që kam qenë xheloz, nga ana tjetër, duhet të shtoj se jam ndjerë shumë krenar midis dy ndjesive, dashurisë dhe xhelozisë ndaj Vaçes time të shtrenjtë.
Kalova jetën me një grua tepër të mençur, më e mençur se aftësia e saj artistike. Po, po. Pavarësisht se çfarë përfaqësonte, Vaçja ishte dhe mbeti përjetësisht modeste të vriste me modestinë e saj….
Në ç’rrethana jeni njohur me Vaçe Zelën, ju magjepsi zëri i saj? Ndërkohë, duam të njohim lexuesin se kush është Pjetër Rodiqi, pasi shumëkush ju njeh si shtetas austriak?
Unë jam shqiptar, pavarësisht se nëna ka qenë austriake. Babai im është nga Janjeva e Kosovës, që është edhe vendlindja e Shtjefën Gjeçovit, me të cilin jemi farefis, por edhe vendlindja e Pjetër Bogdanit. Im atë studioi për ekonomi në Vjenë, ku njohu vjenezen, me të cilën u martua dhe lindi mua dhe motrën. Prindërit tërë kohën kanë jetuar me mua dhe Vaçen. Më pyesni si jam njohur me Vaçen. Unë bëja shërbimin ushtarak në Lushnjë, që kishte një shtëpi kulture modeste. Por me Vaçen jam njohur në bilardo, pa e ditur se çfarë zëri kishte.
Në Bilardo?
Pse çuditeni. E njoha në bilardo, madje duke bërë një lojë me të. Kujtoj që më mundi. Ishte vajzë e shkathët, simpatike, pastaj kur e ndoqa në shfaqje te këndonte më magjepsi. Unë isha 27 vjeç, kurse Vaçja 24. Bëhet fjalë në vitin 1963. Nuk bëmë dasmë tradicionale, dashuria për ne të dy, ishte gjithçka. Jetuam bashkë 52 vjet. Pastaj aktiviteti i saj artistik startoi në Estradën e Ushtarit dhe më pas në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve. Më vret ndërgjegjja, sidomos pas ndarjes nga jeta dhe shpesh bëj një autokritikë, që tashmë, nuk i vlen askujt, që nuk e ndiqja Vaçen në koncertet, që bënte në Shqipëri. Më shumë shkonte nëna ime, që e vlerësonte shumë si këngëtare, por edhe për virtytet që kishte.
Mendoni se Vaçe Zela është shpërblyer për atë çka i dha Kombit të saj?
Vaçja punonte shumë, nuk ishte thjeshtë talenti, zëri, por ajo i përkushtohej punës, kjo, falë edhe modestisë, që e kish kolonën e karakterit të saj. Megjithë vështirësitë që kishte, ajo nuk u ankua kurrë, por unë e them me plot gojën, se nuk është trajtuar ashtu si e meritonte. Madje, ishte qëndrim arbitrar ndaj saj, që e brengosi, pse jo dhe që ndikoi edhe në sëmundjen, që e vuajti për shumë vite.
Për çfarë qëndrimi arbitrar konkretisht e keni fjalën?
Ditën që mbushi 45 vjeç e larguan nga puna, e nxorën në pension. Ajo ishte në kulmin e karrierës së saj dhe kjo e vrau shumë. Nuk e mbajtën as edhe një ditë më shumë. Ishte pikërisht 7 prilli i vitit 1984, që në vend të festonte ditëlindjen, u brengos. Zëri i saj, heshti. Sigurisht, ishte ligji, por Ajo u brengos shumë. Kjo është brenga e vetme e Vaçes, aq më tepër, që ikja e saj krijoi boshllëk në Ansambël..
Pas viteve ‘90-të, nuk pati rast të këndonte?
Po, organizoi një spektakël të madh në vitin 1993, kur ishim në Zvicër, duke dhënë shfaqje në të gjitha qytetet, ku vetë Ajo këndoi mbi 20 këngë. Kjo ishte e fundit, pasi më pas u rëndua nga gjendja shëndetësore…
Pse u vendosët në Zvicër dhe a ka treguar kujdes shteti shqiptar për shëndetin e Vaçes?
U vendosëm në Zvicër, pasi në vitin 1993, na mbeti Irma, vajza atje. Ajo punon në Institutin e Studimeve Statistikore është bashkëpunëtore shkencore. Nuk mund të ktheheshim më në Shqipëri pasi Vaçja u rëndua edhe më shumë. Dua të theksoj se malli që, kishte për Shqipërinë, e shpejtoi vdekjen e saj. Për hir të së vërtetës duhet themi, se shteti shqiptar është kujdesur për shëndetin e Vaçes, u dërgua në Hungari, në Vjenë, ashtu edhe kur ishim në Zvicër. Mirënjohje të thellë i shprehim Qeverisë “Rama”, për organizimin në mënyrën më madhështore të ceremonisë së varrimit të Vaçes. Mirënjohje të gjithë shqiptarëve, që u rreshtuan në atë kortezh gjigant njerëzish dhe mjetesh, me buqeta e kurora lulesh në krah e lot në sy…
Si e kaloni kohën, kur vini në Tiranë?
Bëj rrallë vizita tek të afërmit, që nuk mungojnë të vijnë në shtëpinë tonë bosh. Kohën më të madhe e kaloj pranë varrit të Vaçes në Sharrë, por rend edhe në Lushnjën e saj dhe timen, ku lindi dashuria jonë dhe qëndroj i heshtur, përpara bustit të saj, vendos lule, i hedh një vështrim Pallatit të Kulturës, që ka emrin Vace Zela dhe kthehem i mbytur nga kujtimet…
Ju faleminderit z. Peter Rodiqi!
Faleminderit ju dhe gazetës “Koha Jonë”,për këtë intervistë të parë të jetës sime…
Flet Irma Rodiqi, e bija e Vaçe Zelës
“Amaneti i fundit i nënës sime”
Si ndjehet Irma në ditëlindjen e nënës së saj, Vaçe Zela, kur ajo nuk është më?
Eh, si mund të ndjehem, më mungon në çdo minutë të jetës sime, në një ditë si kjo e 7 prillit, akoma edhe më shumë. Vazhdojnë të mos rreshtin telefonatat si atëherë kur ishte gjallë. Që kur dal për në punë, gjej vazot me lule, që i lënë komshinjtë para derës, të tjera që i sjell postieri. Të gjithë më thonë, për ne ajo ka veç ditëlindje. Kjo ma mbush zemrën plot e ma lehtëson sado pak këtë dhimbje të pafund.
Përpiqem gjithmonë edhe kur moti i ftohtë i Zvicrës jo gjithmonë ma lejon, ta bëj gati bahçen për ditëlindjen e saj. Por më mungon ajo, që me orë të tëra shtypte hundën pas xhamit të dritares, për të parë se ç’po bëja, se babi nuk e linte të dilte në tarracë nga frika se mos ftohej. Dikur edhe ai dorëzohej dhe pasi e vishte trashë e sillte në tarracë, ku nuk lodhej së prituri deri sa ta kryeja.
Më lutej t’u ndërroja vendin vazove dhe jo njëherë. Më kërkonte falur e unë mërzitesha se janë goxha të rënda të rënda ato të uruarat. Dje u largova pak më herët nga puna se kishte ngelur ende mjaft për të bërë. Më mungonte ajo që më lutej t’u ndërroja vendin vazove, por këtë herë isha unë, që e bëja për të. Punova deri sa u err krejt. Kur mbarova erdhi e zonja e shtëpisë me një tufë me lule e më tha: “E ke bërë kaq të bukur, por meqë nuk kanë çelur akoma shumë lule, unë të solla një tufë për mamin. Të jesh e bindur, që ajo vazhdon ta shohë, ndonëse nga një dimension tjetër”. Përpiqem edhe unë ta besoj që është kështu, por jo gjithmonë ia dal mbanë.
Cilat kanë qenë lidhjet e tua me nënën e shtrenjtë?
Ajo ka qenë dhe mbetet gjëja më shtrenjtë, dhurata më e madhe e jetës sime. Ishte jo vetëm një nënë ideale, një grua e sakrificës, por edhe shoqja ime më e mirë. Ka lënë pas një boshllëk, që nuk do të mund të mbushet për sa kohë të jetoj.
Të ka lënë ndonjë amanet dhe njeh ndonjë brengë të saj?
Amaneti i saj i ishte të prehej në Atdhe, ndërsa brenga e vetme ishte, që nuk mundi të vijë edhe një herë në Shqipërinë e saj të dashur. Rronte me atë ëndërr, që për fat të keq ngeli e tillë.
Çfarë virtyte të Vaçe Zelës, trashëgon e bija, Irma?
Ju kërkoj ndjesë, por kjo është një pyetje për të cilën nuk mund t‘ju përgjigjem, pikërisht për faktin që kam trashëguar prej saj virtytin e saj më të çmuar, thjeshtësinë.
Ishte dhe mbetet ikona e këngës
Për Vaçe Zelën janë shkruar libra, botuar e kënduar elegji, pas ndarjes nga jeta më 6 shkurt të vitit 2014, është ngritur një Shtatore në qytetin e lindjes, Lushnje. Janë vendosur emra rrugësh për të sjellë në vëmendje të brezave zërin e saj brilant.
Ishte dhe mbetet një këngëtare ikonë e skenës Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada etj.. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Fituese 12 herë e festivalit, Vaçeja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992, kur sapo kishte mbushur 53 vjeçe…
Është nderuar me urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga ish -Presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.
Vaçe Zela, për çdo shqiptar ka qenë e mbetet një artiste që ka bërë epokë. Ka qenë e madhe që kur ishte e vogël. Një këngëtare e madhe dhe një aktore e zonja. Interpretimi i saj ka qenë kupola e interpretimit. Zëri dhe interpretimi i Vaçe Zelës pasqyrojnë shpirtin, fisnikërinë, madje mund të pohosh me plot gojën edhe karakterin e popullit tonë. Vaçe Zela është një institucion më vete.”