Rrëfimi i Juan Pablo Escobar: Është e vështirë të kërkosh falje për mëkatet e babait tënd

 

Juan Pablo Escobar (Medelin 1977) është djali i një prej krimineleve më të pushtetshëm të shekullit të XX, me më shumë se 10 mijë të vdekur në shpatullat e tij dhe kreu i trafikut më të madh të kokainës në botë mes viteve ’80 dhe ’90.

Në librin “Pablo Escobar, babai im” ai jep një portret të babait të tij që realisht nuk e vendos atë në një pozicion të mirë. Prej dy dekadash, tashmë nën identitetin e Juan Sebastian Marroquin, ai jeton në Buenos Aires ku ushtron profesionin e arkitektit dhe ka një djalë dy vjeç.

Përse vendosët të shkruanit këtë libër ndërkohë që është shkruar shumë për babanë tuaj, për të pastruar imazhin e tij, apo më shumë për t’u çliruar?

Sepse duhet të lejoja që fillimisht të tregonin të gjitha gënjeshtrat që kishin për të treguar për babanë tim, që më pas ta mbyllja me historinë e vërtetë. Viktimat kanë të drejtë të njohin të vërtetën, jo historiçka që u kanë treguar. Por, edhe që djalit tim t’i mbetet një dëshmi, se kush ishte gjyshi i tij në të vërtetë.

 

Babai juaj është urryer dhe dashur në të njëjtën kohë nga më të varfrit. Si është të jesh djali i njeriut më të urryer të Kolumbisë? Mendon se është si të jesh djali i Al Kapones, Stalinit, apo Hitlerit?

Nuk e di nëse është më i urryeri në Kolumbi, sepse të varfrit janë shumë të lidhur me babanë tim. Kjo nuk do të thotë se nuk ka qenë një burrë i keq, por ka simpatinë e njerëzve të varfër në Kolumbi, që janë 90 % e vendit. Për mua ishte babai im dhe mund të krahasohet me cilin të doni, por dashuria që ndjej për të është e pakushtëzuar dhe e panegociueshme. Një dashuri që nuk më pengon të pranoj aktet e tij të dhunshme. Nuk e kam shkruar për të pastruar imazhin e tij, përkundrazi e vendos në një pozitë më të keqe si njeri.

 

Si e përshkruani babanë tuaj?

Si babanë më të mirë në botë, një person me vlera familjare shumë të forta. Unë e njihja në përditshmëri, me nënën time, motrën, me familjen e tij….

 

Kur vranë babanë tuaj më 2 dhjetor të 1993 ju ishit 16 vjeç dhe u betuat se do të hakmerreshit për vdekjen e tij. Kush ju bëri që të thyenit atë premtim dhe të shndërroheshit më pas në një aktivist të paqes?

Babanë tim nuk e vranë, ai zgjodhi të zbulohej dhe e la veten të zbulohej. Ne ishim pengje të shtetit, dikush duhej të shfaqej i vdekur, familja e tij ose ai. Nëna ime dhe unë bënim shumë përpjekje që të ndryshonte qëndrim përballë dhunës që ushtronte, arritëm që të dorëzohej dhe qëndroi në burgun e “La Catedral”, me kushte shumë speciale. Besonim me naivitet se do të ishte pjesë e atij ndryshimi, që do të bënte shumë vite burg dhe me kohën do të zgjidheshin problemet e familjes, por e hodhi poshtë atë mundësi të dytë që i dha shoqëria, që të rinitegrohej dhe të pranonte krimet e tij. Në ato dhjetë minuta kur fillova të përpunoja me mendjen time se si do të hakmerresha, më tmerroi mendimi se isha gati të shndërrohesha në dikë më të keq se vetë babai im, personi që e kam kritikuar shumë në jetë. Nuk më dukej koherente me mendimet e mia. Për fat u tërhoqa dhe prej 21 vjetësh përmbush premtimin e dytë: të jem një njeri paqësor.

 

Si ishe qelia e babit tuaj në La Catedral?

Ngjante më shumë me dhomat e një hoteli. Nuk dukej si burg.

 

Ishte i vështirë kalimi nga një jetë a pasur që bënit në një jetë në mërgim, në Mozambik, një nga vendet më të varfra të botës?

Kërkonim një të ardhme më të mirë, jo një vend më të keq se Kolumbia. Vendosëm të ktheheshin në Buenos Aires, ku na kishin dhënë një vizë si turistë për tre muaj. Shkuam për tre muaj dhe qëndruam 20 vjet të katërt: nëna ime, motra dhe gruaja ime që atëherë ishte e fejuara ime. Në Buenos Aires arritëm të jetonin në anonimat për 5 vjet, duke shijuar privilegjin e të qenit askush. Kishim miliona dollarë dhe tani nuk kishim asgjë. U shkëputëm menjëherë nga gjithçka që na kishte lënë babai. Duhet të punonim, të gjithë ndryshuam emër, madje edhe qeni i shtëpisë.

 

Është e vërtetë që babai të tha që të mos provojë kurrë drogë?

I guximshëm është ai që nuk e provon, më thoshte. Kur isha 8 vjeç më foli për herë të parë për drogat. I vendosi në një tavolinë dhe pranoi se i kishte konsumuar të gjitha përveç heroinës. Më tha se ditën që do të kisha aq kuriozitet dhe doja t’i provoja, t’i telefonoja dhe ta provonim bashkëKjo legalizoi drogën për botën time dhe më hoqi kuriozitetin. Provova marijuanën kur isha 28 vjeç. Nuk mendoj se ka pas ndonjë fëmijë më të ekspozuar ndaj drogave se unë në Kolumbi.

 

E keni urryer babanë tuaj që ju ka bërë të vuanit?

Nuk ka pasur një ditë të vetme në jetën time që e kam urryer dhe nuk do të ketë. E dua në mënyrë të pakushtëzuar pavarësisht gabimeve që ka bërë.

 

Në libër ka shumë detaje në lidhje me krimet e babait tënd. Flisnit me të për këto çështje?

Po natyrisht që po. Flisnim shumë dhe kishte aftësinë që të pranonte para meje të gjitha krimet që kryente. Kjo ndodhi sidomos gjatë vitit të fundit të jetës që qëndruam bashkë.

 

Përpiqej të justifikohej? Pendohej?

Unë i kërkoja që të mos vazhdonte me narkotrafikun dhe që të mos vendoste bomba, por ai më thoshte që të mos harroja se unë isha viktima e parë e narko-terrorizmit kolumbian së bashku me motrën dhe nënën time. Natyrisht që unë isha viktimë e atentateve, por kjo nuk justifikonte dhunën e  tij dhe nuk besoja se një kërcënim më i madh zgjidhte gjërat.

 

Keni realizuar intervista me bashkëpunëtorë të rrjetit të narkotrafikut të babait tënd për të shkruar këtë libër?

Natyrisht kam bërë një investigim në lidhje me Pablo Escobar si asnjëherë tjetër, gjithmonë me ndihmën e redaktorit Edgar Téllez. Ata e dinin që doja të tregoja historinë e babait tim me seriozitet absolut dhe që nuk ishte një libër për të nxjerrë përfitime. Thjesht doja të tregoja të vërtetën, të mos i bëja favore askujt. Pranuan dhe bashkëpunuan shumë duke dhënë informacione të besuara që më pas munda t’i verifikoj duke iu afruar sa më shumë asaj që kishte ndodhur.

 

Keni arritur ta kuptoni sesi mund të ishin të pranishme tek i njëjti person dy role kaq të ndryshme: një baba i dashur i familjes dhe një kriminel i tmerrshëm?

Nuk është i vetmi rast që njihet, por ishte një realitet me të cilin unë bashkëjetoja. Babai im ishte shumë i dashur me mua, por edhe me nënën, motrën dhe pjesën tjetër të familjes së tij dhe miqtë. Unë kam marrë vetëm dashuri nga ana e tij, asnjëherë dhunë.

Duhet të jem koherent dhe konsekuent me atë realitet. Por është e vështirë që të kuptohet që një burrë që donte shumë fëmijët e tij, që u jepte shumë dashuri dhe  u shkruante letra duke i këshilluar mirë dhe duke u dhënë vlera humane të ishte e aftë që sapo kalonte pragun e shtëpisë të urdhëronte vrasje. Por kjo ishte e vërtetë, ishte i aftë për të dyja gjërat.

 

Kishte kontradikta të tjera në jetën e Pablo Escobar?

E gjithë jeta e tij ishte e mbushur me kontradikta. Gjithmonë u fol se ndihma që u jepte njerëzve në nevojë ishte një prej tyre, por unë mendoj se nuk ishte ashtu. Ai ishte pjesë e atyre njerëzve. Ishte një njeri i thjeshtë që nuk kishte asgjë në jetë dhe kur u bë i pasur nuk i harroi ata njerëz. I ndihmoi me shumë dashuri dhe pa asnjë interes në veçanti vetëm për kënaqësinë e të parit se me pasurinë e tij mund të kontribuonte për t’u kthyer dinjitetin atyre që ishin braktisur.

 

Si e kujtoni fëmijërinë tuaj? Mund të thoni se ishin një fëmijë i lumtur?

Besoja se isha një fëmijë i lumtur, besoja se isha zot i gjithçkaje, po në të vërtetë nuk kisha asgjë. Ajo fëmijëri e lumtur zgjati shumë pak dhe më pas u shndërrua në një makth për shkak të dhunës që na kapi të gjithëve.

 

Jetesa në Napoli, në pronën e madhe e luksoze të babait tuaj, duhet të ishte si të jetonit në një përrallë…

Po, por në fakt përrallat mbeten përralla asgjë më shumë, nuk kanë të bëjnë me realitetin. Më i pasur ndjehem sot që nuk kam asgjë nga ato që kisha më parë. Ndërkohë që sa më shumë milioner bëhej babai im aq më të varfër ndjeheshim, sepse aq më shumë ndërpriteshin liritë tona.

 

Si ishte të mbanit shpatën e Simon Bolivar në duar (e ka mbajtur Pablo Escobar për pesë vjet?
Nuk e vlerësova si duhej, nuk e dija se çfarë kisha në duar, deri sot.

Sa njerëz ka vrarë babai juaj?

Nuk kam një listë viktimash, por besoj 1000, më pak apo ndoshta më shumë por jo sa thonë, 10 mijë apo 20 mijë, këto janë shifra të sajuara.

 

1961652_10204205917808027_1755000081_nJu thoni se babai ju ka treguar se gjithçka që kishte arritur e bëri me ndihmën e klasës politike…

Unë shkoja të vizitoja babanë në zyrë dhe shihja më shumë se 300 makina të parkuara, ishin makina senatorësh, policësh dhe të ushtrisë. Të gjithë bënin biznese me të dhe kjo ndodhte përditë. Gjithmonë është dashur të tregohet historia e Pablo Escobar se i vetmi përgjegjës i këtyre mizoreve dhe bizneseve që u ndërtuan rreth tij, nuk i heq përgjegjësinë absolutisht, por ky libër do të ishte sa gjysma e tij nëse nuk do të përfshihej korrupsioni.

 

Pablo Escobar ka qenë trafikanti më i pasur i botës me një pasuri që arrin 30 miliardë dollarë, madje thuhet se shpenzonte 2 mijë dollarë në muaj për të blerë llastika për të paketuar lekët. Çfarë u bë me ato para?

Unë i kam dedikuar një kapitull të librit kësaj pyetjeje. Ka shumë faktorë që duhet pasur parasysh. E gjithë ajo që mbeti pasi babai im vdiq u mor nga kartelet e drogës dhe nga rivalët. Na thanë qartë: erdhëm të marrim atë që harxhuam për 10 vjet në kapjen e babait tënd, nëse fsheh qoftë edhe një cent do të të vrasim. Por shuma të mëdha parash u sekuestruan nga shteti kolumbian dhe amerikan.

 

Llogari bankare?

Babai im nuk ishte njeriu i llogarive ai donte lekët kesh dhe pronat. Ai nuk donte të bënte pastrim parash, i pëlqenin të pista ashtu siç i kishte bërë. Nuk kishte llogari, vepra arti, prona etj.. Ne ua dhamë çdokujt që vinte t’i merrte duke na vënë pistoletën në kokë. Dhe shteti kolumbian nuk shpërbleu asnjë viktimë me ato para, por i ndau mes politikanëve, pra mbetën në duart e gabuara.

 

Ajo që më ka bërë përshtypje në libër është se ju nga një fëmijë i pasur i përkëdhelur, (një avion dërgohej posaçërisht për të të blerë një çokollatë në Zvicër) jeni sot një njeri tjetër. Si është të jetoni në liri dhe në normalitet?

Të gjitha paratë që kishte Pablo Escobar nuk i dolën për të blerë lirinë e tij. Ne kemi përjetuar një moment që më ka shënuar jetën. Kishim miliona dollarë në vendin ku ishim fshehur, por po vdisnim nga uria, sepse askush nga ne nuk mund të dilte. Kishim para për të blerë të gjitha rrjetet e supermarketeve në qytet, por nuk mundnim të dilnim të blinin asnjë kile oriz. Më kanë mbetur të qarta këto leksione jete dhe prandaj nuk jam bërë narkotrafikant.

 

Ju keni fëmijë, çfarë do t’i tregoni atij për babanë tuaj?

Që ta dojë shumë. Ai dhe sot kur sheh foton e tij e puth dhe flet për gjyshin e tij. Nëse ai do të ishte gjallë vetëm dashuri do të merrte nga ana e tij. Por, përgjegjësia ime si baba është të mos lejoj që të jepet shumë pas gjyshit, aq shumë sa të dojë të përsërisë historinë e tij. Kjo është përgjegjësia ime dhe prandaj e kam shkruar dhe këtë libër, për t’u treguar të rinjve që besojnë se bota e narkotrafikut do të zgjidhë të gjitha problemet e tyre. Përkundrazi kjo është një botë që të ofron shumë gjëra, por pastaj të merr gjithçka.

 

Ju nuk jeni dakord me versionin zyrtar të vdekjes së babait tuaj?

Nuk është se nuk jam dakord, por jam absolutisht i bindur se është ashtu siç e tregoj unë, jo ashtu siç kanë dashur ta shesin.

 

Çfarë të bën të mendosh se nuk vdiq i vrarë, por u vetëvra?

Kam prova që më bëjnë ta pohoj. Si fillim kam dëshminë e vetë mjekëve ligjorë që sigurojnë se janë kërcënuar për të ndryshuar raportin. Nga ana tjetër babai im gjatë gjithë jetës na foli për vetëvrasje nëse rrethohej. Tha se nga 15 plumbat e pistoletës së tij 14 do të ishin për armikun dhe i fundit do të ishte për atë vetë. Ai gjithashtu shpiku frazën se preferonte një varr në Kolumbi se sa një burg në SHBA. Përgjatë 10 vjetësh askush nuk mundi ta gjente dhe nuk përdorte kurrë telefonin, sepse thoshte se ishte vdekja. Më 2 dhjetor 1993 ai mund të dërgonte shumë njerëz të tjerë të bënin telefonata, por preferoi t’i bënte vetë dhe më pas priti që të vinin armiqtë e tij. Babai im vendosi se ajo do të ishte dita e fundit në tokë për të. E la veten që të kapej, jo se e gjetën. Donin që të lironin familjen e tij që nuk ishte më e mbrojtur nga shteti por ishim në statusin e pengjeve.

 

Ishte familja e babait tuaj e përfshirë në vdekjen e  tij?

Nuk është një opinion është një pohim me prova. Madje edhe vetë Roberto Escobar, vëllai i Pablos më dha një kod që e shndërronte në informuesin e DEA-s. Kodin që përdora në Ambasadën Amerikane në Bogota dhe që për tre minuta fola me Joe Totf, drejtor i DEA-s për Amerikën latine. Unë nuk kam njohur asnjë bandit që të kishte në portofolin e tij kodin që i lejonte të fliste me një shef të DEA-s.

 

Mund ta falni atë qëndrim që mori familja e babait tuaj?

Është diçka tjetër të falësh dhe diçka tjetër të harrosh. Të falur janë, por kjo nuk harrohet. Ai nivel mosmirënjohjeje dhe ligësia bën që historia e Kainit dhe Abelit të duket si një përrallë me zana.

 

Si e përjetuat takimin dhe kërkesën për falje ndaj fëmijëve të politikanëve të vrarë, Luis Carlos Galan ( kandidat për president) dhe Rodrigo Lara (ministër i drejtësisë) në 2008?

Ishte një takim i vështirë, shumë i vështirë. Kisha dhimbje të forta barku si asnjëherë tjetër. Askush nuk të përgatit për të kërkuar falje dhe aq më pak për mëkatet e babait tënd. U takova me familje shumë bujare, të gatshme të braktisnin urrejtjen. Shumë familje të tjera e bënë më pas. Kur ti fal, çliron dhimbjen që të shkaktoi viktimizimi. Kuptova që ishte një proces që duhet ta jetonim si familje dhe si vend. Ne kolumbianët jemi shumë të ndarë. Prej 50 vjetësh Kolumbia nuk njeh paqe. Prandaj vlerësoj të gjitha sforcimet që bëhen me të gjithë sektorët në luftë. Por nuk ka vetëm një luftë kundër guerrilasve, ka shumë të tjera. Tani ato ngjajnë, nuk bëhet dallimi mes narkotrafikantëve, paraushtarakëve, apo guerrilasve. Të gjithë kanë qëllim ideologjinë e parave, është ideologjia që i bashkon të gjithë.

 

Vendi juaj është i përgatitur për pajtim pas disa dekadash vrasjesh?

Unë kam eksperiencën time. Me nënën time bëra marrëveshje paqeje me kartelet e drogës të Kolumbisë në kushte të disfavorshme për ne, humbën gjithçka në këmbim të paqes. Nuk besoj se duhet të heqësh dorë nga drejtësia, por paqja është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, në mënyrë që një shoqëri të begatojë. Kolumbianët duhet të jenë të gatshëm të falin shumë gjëra, të kalojë shumë gjëra, të pajtohen sepse paqja është e domosdoshme që të mund të rilindim si njerëz dhe si komb. Të gjithë janë të lodhur nga dhuna. Kam parë shumë krerë të drogës të lodhur nga ushtrimi i dhunës. Një provë që kjo është e vërtetë është fakti që unë jam gjallë, mund të më kishin vrarë me një shkelje syri, dhe nuk e bënë sepse janë të lodhur nga ajo dhunë dhe nuk duan që fëmijët e tyre të vuajnë.

 

Janë të gatshëm njerëzit t’ju japin projekte meqë jeni djali i Pablo Escobarit?

Shumë sektorë na kanë paragjykuar, na gjykojnë për aktet e një njeriu që ka 21 vjet që ka vdekur. Por kjo nuk më ka shërbyer kurrë si justifikim për të dalë nga rruga e paqes në arkitekturën time apo në dizenjot industriale. Janë profesione që të ndihmojnë të mendosh për ndërtimin dhe jo shkatërrimin. Kam ndërtuar ndërtesa, shtëpi, zyra në Buenos Aires dhe në Antiokia (Kolumbi).

 

Është e vërtetë që keni dizenjuar mobilie për pishina?

Përse ta marrësh diellin jashtë pishinës nëse mund ta shijosh me freskinë ujit?

 

Perkthimi nga Ornela Jaupi/DITA

SHKARKO APP