Rrëfimi i Mero Bazes: “Unë puçisti që i pashë vrasjet”
Ne “katër pucistët” nuk ishim bashkë më 21 Janar. Filip Çakuli nuk ishte fare në Tiranë, pasi i kishte vdekur vjehrra në Divjakë. Sokol Balla ishte duke ndjekur protestat për llogari të vet, ndërsa Andi Bushati u ul në tavolinën time pak pasi në bulevard filluan krismat. Artan Hoxha, kamera dhe instinktet e tij gazetareske i bënë gjëmën Berishës, ishte me mua qysh në minutën e parë të protestës, në ballkonin e dy kullave binjake në katin e katërt, përballë zyrës së Berishës, por ai nuk është në listën e puçit. Rudina Xhunga, së bashku me Dudajn, iu bashkua tavolinës kur plumbat u bënë më të frikshëm, ndërsa dhjetëra reporterë të rinj, të thuajse gjithë gazetave, ishin po aty në këmbë duke ndjekur atë çfarë ndodhte. Filmuam snajperat pa filluar të gjuajnë, dhe pastaj u mbështetëm tek kolona e betonit, që mund të priste plumbat, duke ndjekur TV. Telefonat na u bllokuan dhe për fatin tonë të keq nuk kishim as kë të njoftonim dhe as kush të na njoftonte. I vetmi personazh misterioz u shfaq në tavolinën tonë diku nga ora 3 mbasdite, një burrë i vjetër rreth të gjashtëdhjetave, devolli, i punësuar në polici tatimore, i angazhuar atë ditë nga Agim Shehu si roje për tavolinën e gazetarëve. Ishte i veshur keq, me bukë me vete dhe i paqartë për punën që i kishin dhënë. E shikonte i çuditur Rudina Xhungën që e kish aq afër, ose Bushatin dhe qeshte me vete. Pastaj bënte prova fonetike të na shqiptonte emrat. E qetësuam se ne nuk i mbanim mëri dhe e ulëm mes nesh. Xhunga herë pas here ndikohej prej tij kur matej të ndërsehej me fjalë kundër plumbave, por nuk shkaktonte asnjë bezdi tek ne të tjerët. Po të rrinte dhe pak aty, ishim të sigurt se mund të kthehej në demonstrues.
Të parin që pashë duke u rrëzuar në tokë, edhe pse nuk qenkësh i vrari i parë, ishte Hekuran Deda, i cili u rrëzua nga tavolina ku ishin gazetarët. Mu duk sikur u rrëzua se e shtyu dikush, por në të vërtetë ishte qëlluar. Hodha sytë nga TV Klani. Për shkak se redaksia e TV Klanit ishte boshatisur dhe aty kishte mbetur vetëm Desada, që komentonte duke u përpjekur të kuptonte çfarë ndodhte, ai ishte ekrani nga i cili informoheshe më shumë. Shto dhe faktin që kamerat e tij ishin fokusuar tek dera e kryeministrisë, duke i mëshuar idesë se po sulmohej dhe po dhunohej policia, aty ngjarjet ndiqeshin më mirë, Top Channel e teproi në ekstrem duke mbajtur në studio komentatorë që ishin shumë herë më pak të dëgjueshëm se sa brutoja e ngjarjeve që po ndodhte. TV e tjera ishin me shkëputje nga sheshi.
Sapo pashë rrëzimin e Hekuran Dedës, ngrita sytë nga TV Klani dhe aty pashë një njeri që ishte rrëzuar, por jo tek vendi i Hekuranit. Diçka më lart afër derës. Desada as e kuptoi fare dhe vazhdoi të komentonte e qetë. Ishte e pabesueshme për të gjithë se ato që po shikonim ishin vrasje. Kur i ripamë më vonë në mbrëmje, dukej që vrasja tek dera kish ndodhur disa sekonda më parë se vrasja tek tavolina e gazetarëve, por gjithsesi nga e njëjta batare.
Nuk dija kë të pyesja nëse ishin vrasje apo plagosje. Me sytë nga rruga shiheshin pak çaste më vonë persona që transportonin të plagosur të tjerë. Një koleg i Vizion Plusit më tregoi si i rrëmbyen furgonin e transmetimit për të çuar në spital një nga viktimat, ndërsa shiheshin njerëz të plagosur dhe të trembur që po shpërndaheshin. Tentova t’i telefonoj disa herë Preç Zogajt, por nuk funksiononte telefoni. I nisa një SMS ku i thosha afërsisht se dikush mund të jetë vrarë. Ishim krejt të paqartë. Telefoni funksionoi me sms, por me thirrje jo. Pak më vonë Edi Rama doli në konferencë për shtyp. Bëri thirrje të qetësoheshin dhe të ktheheshin në shtëpi. Nuk përmendi të vrarë, edhe pse vrasjet kishin ndodhur. As ai nuk dinte gjë. Ja përsërita thirrjen Zogajt, por pa sukses. Mu bë fiksim që kishin qëlluar njerëzit sipër kryeministrisë. Aty u shfaq dhe komandanti i Gardës dhe një bodigard i familjes Berisha, dhe disa tipa që mu fiksua se mund të kishin qëlluar. Disa orë më vonë rreth orës 20:00, Tom Doshi u kthye nga Spitali Ushtarak me një CD në dorë. Kishte marrë skanerin e Aleks Nikajt, të vrarit ende të pavdekur. Ishte qëlluar me një plumb që i hynte nga sipër poshtë. Ata tipat sipër tarracës mu kujtuan përsëri. Më vonë mësova se aty kish qenë dhe dikush nga Lezha, dhe kjo e komplikonte historinë duke menduar se mund të ishte dhe qitje selektive. Kështu ishte vrarë dhe Faik Myrtaj.
Në mbrëmje, kur Artanit i kërkova të më nxirrte prej kameras qitësin anash kryeministrisë, ata sipër tarracës dhe ata që ishin tek shkallët, ndryshoi gjithë historia. Artani, pasi më nisi fotot e para, mori i lumtur për zbulimin që kish bërë. Duke riparë gjithë filmimet e kameras, në të vërtetë kishte zbuluar kush kish vrarë. Fotot nuk bënin më punë. Instikti i tij prej gazetari kishte bërë histori.
***
Kjo ishte dinamika e ditës sime më parazitare të mundshme si gazetar. Në mbrëmje versioni i parë i Berishës ishte ai që kishte përgatitur kur kishte marrë vendimin për të vrarë. Kishte vendosur që të vriste dhe t’ia linte të vdekurit në kurriz opozitës. Dy mjekë të Spitalit Ushtarak u përfshinë të parët në një spirale manipulimi. Edhe pse janë mjekë që përgjigjen për jetën e njerëzve, folën para kamerave si ekspertë kriminalistike, duke folur për qitje nga afër, dhe plumba të çuditshëm. Më pas foli Sokol Olldashi, i cili kishte informacionin e “sigurt” se një makinë e çoroditur që turma e lëshoi drejt derës, që rrinte vazhdimisht e hapur, kishte 40 kg dinamit. Pastaj doli Arben Imami, Ministri i Mbrojtjes, dhe simboli i trazirave të vitit 1997 në Jug të Shqipërisë. Foli për armë të sofistikuara të përdorura nga demonstruesit dhe vrasjet brenda llojit. Po plotësohej skenari i vrasjeve të bëra nga vetë opozita. Kur Artani më tha në telefon se duket qartë kush ka qëlluar dhe vrarë, e kisha të pamundur të mendoja se skenari B ishte “puçi”.
Sali Berisha e nisi zbatimin e tij qysh në datën 22 janar. Foli për pistoleta stilolaps, për çadra pistoletë, për thika me helm nga gjarpërinjtë e jugut, për plan të përbashkët president, kryeprokurore, lider opozite, SHISH… Një përrua psikik i neveritshëm dhe i padëgjueshëm deri në fund. Ishte i qartë në atë marrëzi që bënte. Prokuroria kishte mbërritur në oborr të kryeministrisë ku ishin 2800 gëzhoja armësh dhe plumbat kishin grirë kangjellat nga brenda, çka tregon se është qëlluar në lartësi të kokës së njerëzve dhe në drejtim të tyre. Serveri i kryeministrisë ishte fshirë, serveri i Gardës po ashtu, ndërsa oficerët e plagosur të Gardës u mbajtën në oborr të kryeministrisë. Sali Berisha kishte një frikë të fshehtë prej daljes së tyre jashtë gardhit. Jo se do të arrestoheshin, por se mund të flisnin. Mund tu tregonin grave, vëllezërve, miqve të tyre. Ata u izoluan thuajse në gjendje pengu brenda mureve të ndërtesës, e cila u kthye në një super-ambulancë ku mjekohen të lënduarit që nuk duhet të dorëzoheshin. Thashethemet për episodet nga brenda ishin nga më të ndryshmet. Shquante një fabul mbi rezistencën e Ndre Prendit për të qëlluar dhe një njeri i afërt i Berishës që e kishte qëlluar me grusht tek syri, që dukej qartazi i nxirë nga një goditje. Prendi ishte mbi ndërtesë të kryeministrisë dhe zor se gurët arritën atje.
Sali Berisha kishte konsumuar ndërkohë bisedat me ambasadorin amerikan, të cilin e kishte kapur krejt në befasi kjo situatë. Për çdo kërkesë të ligjshme të tij si përfaqësues i një shteti të madh mik me Shqipërinë, Berisha kishte një kusht të vetin. Dhe mungesa e përvojës për të punuar me Sali Berishën, e shtyu ambasadorin të përfshihej në një histori të rëndë. Pranoi të negociohej arrestimi i gjashtë zyrtarëve të Gardës. Berisha kundërshtoi ndalimin e tyre, në një gjest flagrant që po të kishim një prokurori të pavarur duhet ta arrestonte. Unë e përjetova me gëzim informacionin, pasi mendova se këtë nuk do t’ia falte askush. As shqiptarët, as ndërkombëtarët. Në fakt ia falën të gjithë, dhe ai vazhdon të krenohet që ka kundërshtuar për shkak të shpikjeve të tij, një urdhër prokurorie, duke shkelur rëndë Kushtetutën për autoritetin e prokurorisë.
Të dielën në mbrëmje ai mblodhi parlamentin në një seancë urgjente tragjikomike. Deputetët e frustruar nga ideja se mund tu kishte ikur pushteti, filluan të flasin me zë të lartë dhe duarbosh për grusht shteti. Ilir Meta shkoi më tutje dhe i quajti kokëpalarë. U ngrit një Komision dhe në krye të tij u emërua Eduard Halimi. Detyra ishte e qartë: Të terrorizonte prokurorinë dhe të baltoste sa të mundej Presidentin, SHISH-in dhe median kritike me Berishën.
I njihja thuajse gjithë deputetët e Komisionit. Dy prej tyre pak më shumë se të tjerët. Genc Strazimiri, të cilit tashmë i ka mbetur në dorë ky Komision, dukej i frustruar, por dhe i gatshëm të binte në sy. Atë e njihja më mirë se të tjerët. Njihja raportet e mosbesimit të Berishës me të dhe telashet që i ishin krijuar si zëvendësministër i Brendshëm ngaqë kish denoncuar Kuliçin tek Berisha si njeri që lidhej me kriminelë në Fier dhe Durrës. Prej atëherë Berisha i kishte prerë vështrimin, dhe ky ndoshta i dukej një rast i artë për tu riafruar me të. E kuptova që e kish marrë kështu këtë shans kur dëgjova që emrin tim si gazetar puçist e lexoi ai. Qesha për herë të parë kur mendova sa do ishte kënaqur Berisha duke e parë ta lexonte emrin tim. Perversiteti i tij në këto raste shkon larg. I shijon shumë përdorimi i atyre tek të cilët nuk beson. I shijon kur i shikon duke dhënë prova besimi.
Shkova në Rogner për një kafe për tu takuar me Andi Bushatin. Vendosëm ta merrnim me humor. Balla dhe Çakuli po ashtu. Vizion Plus kërkoi një koment, dhe i thashë pak a shumë se nuk kam tabulate, por atë që nuk ia tregoj gruas sime, nuk jam i gatshëm t’ia tregoj gruas së Berishës. Ishte pak e tepruar si deklaratë, por fakti që ai po e bënte këtë gjest ndaj meje në emër të sulmeve që unë i kisha bërë korrupsionit të familjes së tij, ishte logjike t’i tregoja kujt i duhej përbaltja ime. Gazetari qeshi dhe iku. Çakuli bëri një gjë më me humor. Një letër të hapur ku shpjegonte pse dështoi puçi, dhe si e kishim organizuar. Balla dhe Bushati e injoruan tërësisht.
Por ndërsa ne qeshnim, Perëndimi e kishte marr seriozisht. Në Bruksel u dukej skandal i madh që të na kërkoheshin tabulatet. I dërguari për krizën, Lajçak, ia kish kërkuar këtë nga Brukseli Berishës dhe ky ia kishte bërë të vështirë. Ne po na dërgonin sinjale se kjo punë do zgjidhej. Më vinte të plasja, pasi e dija që tabulatet tona nuk kishin asnjë rëndësi. Maksimumi i duheshin Berishës tablatet e Çakulit për të parë me kë kish folur ditët para transmetimit të videos së Ilir Metës. Ne të tjerët ishim për arsye krejt të tjera. Unë për hakmarrjet e tij primitive, Sokol Balla ngase quhej njeri i afërt i Ramës dhe gazetari kryesor i Top Channel-it, dhe Andi Bushati si një gazetar i pakompromentueshëm që stërmundohej dhe vazhdon akoma të jetë i paanshëm, një pozicion që Berisha e urren më shumë se sa atë të gazetarit armik.
Vendosëm të mos bëjmë asnjë kundërshtim për të shkuar në Komision. U konsultuam dhe për ato që do tu thoshim deputetëve. Nuk jam i sigurt nëse na e përgjuan atë bisedë, por të nesërmen e “të vetmit plan” që bëmë kundër pushtetit, na çliruan nga akuza dhe nuk pranuan të shkonim në Komision. Ishte dështimi ynë real. Deri atë ditë nuk kishim bërë asgjë. Atë ditë që vendosëm të bëjmë diçka, na e hoqëm mundësinë.
E keqja ishte më e madhe se kaq. Mosthirrja jonë, që ne e quanim dështim, po quhej si fitore e Perëndimit që na kishte shpëtuar nga Berisha. Në fakt Berisha kishte shpëtuar nga ne. Isha i vendosur që pak me humor dhe pak me cinizëm, të dëshmoja çfarë dija për aferat korruptive të Familjes dhe të “justifikoja” me to arsyen pse kjo qeveri duhej përmbysur qoftë dhe me dhunë, duke justifikuar kështu veten si “puçist”. Ishte një rast i artë që na u hoq nga duart falë miopisë së disa zyrtarëve perëndimorë, që u dukej sikur po na shpëtonin. Në fakt po shpëtonin Berishën. Kishin shkëmbyer nxjerrjen tona nga skema e puçit me tolerimin e vrasjeve, kishin barazuar tabulatet e katër gazetarëve me jetët e katër të vrarëve nga Sali Berisha dhe Lulëzim Basha, kishin zëvendësuar kuriozitetin e dy djemve të mi për lakimin e emrit në ekrane, me vajin e 8 fëmijëve jetimë që s’do t’i shikonin kurrë baballarët në shtëpi. Kishin falur dy herë Sali Berishën, një herë që po i toleronin vrasjet dhe sulmin ndaj institucioneve dhe herën e dytë që po na e hiqnin nga duart ne katër puçistëve, që së paku mund t’ia bënim “fytyrën si këpuca” siç ka qejf të thotë ai. Kishim dështuar të ushtronim të drejtën tonë si puçistë, përballë atyre që sapo shihnin kamerat, na fyenin dhe sapo iknin, na dërgonin sms se nuk kishin çfarë të bënin, kishin urdhër… Nuk kishte dështuar asnjë grusht shteti, kishim dështuar të ndalnim grushtin që Berisha po i jepte shtetit duke e marrë peng nga makthi i njeriut që kish vrarë.
Pse i vrau? Kjo ishte një pikëpyetje e madhe jo vetëm për kundërshtarët e tij, por dhe për ata që e njihnin nga afër Berishën. Ne që pamë si u rrëzua nga tavolina e gazetarëve Hekuran Deda, apo si u këput Ziver Veizi me duar në xhepa në bulevard, e kishim të qartë se po qëllohej me vetëdije. Kur protesta ra, kur njerëzit thuajse ishin shpërndarë, kur policët thuajse ishin shpartalluar dhe njësitë speciale zyrtare dhe jo zyrtare të Berishës ishin brenda oborrit, u qëllua me vetëdije për tu vrarë. U qëllua kur vdekjet nuk trembnin dhe nuk frymëzonin askënd. U qëllua kur askush thuajse nuk e mori vesh nëse ata vdiqën apo u plagosën. Askush në bulevard nuk ishte i vetëdijshëm se kishte viktima. Lajmi erdhi pas orës 16 nga Spitali Ushtarak dhe sërish nuk ndikoi mbi ata pak vetë që kishin mbetur në rrugë. Pra, nuk u vra as për të trembur turmën, as për të trembur opozitën, as për të inkurajuar forcat e mbrojtjes. U vra me ligësi dhe urrejtje, u vra me burracakëri, ndërsa gjithçka po përfundonte si një demonstrim i ashpër me episode dhune të zakonshme këto për çdo protestë të tillë, ai vrau. Tek rrija përballë dritares së zyrës së tij në kullat binjake, kur më erdhi lajmi se dy vetë kishin vdekur, (i treti u njoftua pak më vonë) mu shfaq tërbimi i tij, pikërisht kur gjithçka po mbaronte. Si një njeri që nuk pranon të ketë një betejë pa bilanc, ai nuk mund të pranonte në karakterin e tij një demonstrim force nga opozita. Mijëra njerëzit e grumbulluar kundër tij, fuqia e tyre për të shpartalluar policinë me duar në xhepa, bënin kontrast të madh me krekosjen e tij publike. Nuk mund ta pranonte dot këtë. Jam i sigurt se vendimin për të vrarë nuk e ka konsultuar me askënd. Njerëzit afër tij ma përshkruan Lulëzim Bashën thuajse të lebetitur nga frika dhe hutimi. Komandanti i Gardës, i cili mund të përfundojë në qeli, është po ashtu një ushtarak i përmbajtur, edhe pse besnik i tij. Ai u detyrohet shumë fëmijëve të vet që e kanë emëruar aty, por ka një raport me ligjin dhe një distancë të fshehur nga gjestet e rrëmbyera të Berishës. E kam parë me sytë e mi kur ka kundërshtuar urdhrin që Berisha i dha në vitin 2006 për ta nxjerrë zvarrë Ilir Metën nga salla e parlamentit pasi hipi mbi tavolina. Refuzoi dhe ishte gati të ikte. Ç’kish ndodhur me të? Mund të ishte kompromentuar gjatë rrugës, mund të kishte detyrime ndaj një rrethi më të afërt të familjes Berisha, por jo deri tek vrasja. Si mirditor, ai ka dhe peshën e Kanunit mbi supe për çdo gjak të hapur. As me atë nuk e ka konsultuar. Me Gjergj Lezhën jo e jo. I gjori Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, kushedi sa përpjekje ka bërë mos t’i shfaqej përballë atë ditë… I sillja të gjithë ndërmend dhe bindesha më shumë se e kishte marrë vetë atë vendim. Përfytyrova si ka thirrur “dikë të vetin” në zyrë, ka ngritur pak zërin e televizorit nga ideja se përgjohej dhe i ka dhënë shenjë të qëllonin. Pak më vonë është qëlluar. Momenti kur filloi të qëllohej mbi turmë ishte episod gati dhjetë minutash. Vetëm në ato dhjetë minuta tytat e armëve u drejtuan mbi qytetarët dhe kangjellat e Kryeministrisë janë sharruar nga brenda nga plumbat. Ata që kanë qëlluar ishin qitësa special të Gardës. Në mendjen e tij të hallakatur dhe dalldisur nga ideja se Edi Rama i “kishte bërë rreshtore”, vërtitej ideja e hakmarrjes. Mendimi se ata mund ta përsërisnin këtë gjë vazhdimisht derisa ai të rrëzohej nga pushteti e tmerronte. Nuk jam i sigurt se bashkë me idenë se duhet të vriste, kishte ndërmend dhe mënyrën se si do t’i fshihte, por pak pasi i vrau, duket se e kishte fiksuar skenarin A: Viktimat i ka vrarë vetë opozita. Pasi kjo u hodh poshtë, lindi skenari B: U vranë se ishte grusht shteti.
Lindja dhe shuarja e skenarit A
Në daljen e tij të parë publike më 21 janar në mbrëmje, e tha qartë atë: “Në këto përleshje kanë humbur jetën 3 qytetarë, janë plagosur dhjetëra policë dhe demonstrues. Përgjegjësia e plotë totale për të gjitha këto bie mbi organizatorët e skenarit tunizian, mbi pinjollët e benalive shqiptarë. Duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta, familjarëve të viktimave, theksoj se të dhënat paraprake flasin se secili prej tyre është qëlluar nga afër me armë pistoleta të lehta, të cilat nuk gjenden në armatimin e Policisë së Shtetit dhe as të Gardës së Republikës. Duke theksuar këtë, i kërkoj Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt të vërtetën e këtyre jetëve të humbura.
Përshëndes, ndonëse në fatkeqësi, familjarin e njërit prej këtyre viktimave, i cili do t’i thoshte në Spitalin Ushtarak njërit prej këtyre drejtuesve kryesorë të kësaj dhune: Largohu kriminel, na vrave vëllanë, dhe në prani të personelit do ta nxirrte jashtë nga dhoma. Motra e shkretë, megjithëse kishte në gjendje shumë të rëndë vëllain, por që nuk kishte humbur arsyen, i dha atë që meritonte këtij shoku.”
Kush e lexon këtë deklaratë të kryeministrit kohë më vonë, e kupton qartë se kur doli para medies ai ka qenë i vendosur t’i hidhte kufomat në shpinë Edi Ramës. Deklarata tregon qartë po ashtu se Berisha ka mbajtur kontakt thuajse të drejtpërdrejtë me Spitalin Ushtarak. Dy mjekët, që u bënë strumbullari i skenarit për “vrasje nga afër”, duket se e kishin furnizuar dhe me përralla për fajësimin e opozitës nga familjarët. Paragrafi që Berisha flet për një gjoja incident, i vishet Preç Zogajt, kur ka shkuar tek dhoma e Aleks Nikajt. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Siç më shpjegoi vetë Zogaj, Aleksi ishte një mik i shtëpisë së tij dhe ai ishte realisht i dërrmuar nga ideja se Aleksi mund të vdiste. Ishte vëlla i vetëm i katër motrave dhe kishte dy vajza të vogla. Berisha ishte vigjilent ndaj këtyre detajeve, dhe e kishte kompletuar skenarin e tij, që nga mënyra si ishin gjuajtur deri tek detajet se si populli fajësonte opozitën për vrasjet.
E përsëriti këtë dhe kur e pyetën gazetarët: “Opozita organizoi një skenar puçist, e paralajmëroi atë, organizoi skenarin tunizian. Përgjigje opozitës i dhanë familjarët e njërit prej viktimave, i nxorën jashtë ata: “Dil jashtë kriminel, na vrave vëllanë”. Të dhënat paraprake të ekspertëve dhe të mjekëve të reanimacionit janë se ata janë gjuajtur nga afër me armë të lehta.”
Shihet qartë se e kishte të qartë planin në kokë. Sokol Olldashi dhe Arben Imami u lëshuan nëpër ekrane duke shtrënguar muskujt të zhduknin efektin e alkoolit të mbasdites dhe përsëritën të njëjtën gjë. Në mbrëmje Edi Paloka me disa lezhjanë “të fortë” kërcënuan Zogajn ndërsa dilte nga studioja e TV Klan dhe situata mund të kishte degraduar nëse nuk do të kishte qenë i shoqëruar nga djali i tij dhe disa miq. Në ekranet e pushtetit filloi të keqpërdorej një pamje e vdekjes së Ziver Veizit duke shpjeguar sipas oreksit lëvizjen e një plaku të hutuar nga vrasja.
Por në mbrëmje vonë Artan Hoxha publikoi pamje të plota, filmuar nga vendi ku ne rrinim në Kullat Binjake. Këndi i gjerë i pamjes i përfshinte të gjithë vrasësit dhe të vrarët. Shihej qartë që gardistët kishin qëlluar dhe vrarë. Shihej qartë një ushtarak i Gardës që kish qëlluar në drejtim të njerëzve. Kamera kapte flakën e automatikut dhe rrëzimin e viktimës në një kohë. Ishte një mrekulli optike. Berisha nuk e priste këtë. Vetëm pak çaste më parë, në orën 19:30 ai kishte spekuluar pikërisht me këtë fakt. Ja si ju drejtua në mënyrë cinike gazetarëve: “Mund t’ju bëj një pyetje: ju që ishit në të katër anët e kësaj situate me kamerat tuaja, pse nuk arritët të filmonit njërin prej tyre. Si nuk arritët ju të filmoni qoftë dhe njërin prej tyre. Çfarë ndodhi me kamaret tuaja? Ju i keni dhënë të gjitha, madje unë dëgjova një telekronist tuajin që tha se më ka marrë plumbi, pastaj doli se nuk e kishte marrë plumbi. Ndjeva keqardhje, por fatmirësisht doli se nuk e kishte marrë plumbi dhe tha se më shtynë.”
Ishte i sigurt se askush nuk kishte filmuar vrasjet në mënyrë diskredituese. Dhe mbi të gjitha ishte i tërbuar që Fatos Mahmutaj, reporteri i ABC News, një kanal i perandorisë së tij korruptive, kishte qenë në krah të Hekuran Dedës kur u vra, ishte plagosur dhe kishte rënë i lemerisur nga tavolina. Vëmendja e Berishës shkoi deri tek ai. Donte ta poshtëronte që të mbyllte gojën. Dhe padronët e tij tentuan t’ia mbyllin. Në një histori të paprecedent në medie, drejtuesit e ABC News nuk pranuan të quanin gazetarin e tyre të plagosur vetëm pse kështu prishej Skenari A i Sali Berishës.
Nevoja për skenarin B: Grushti i Shtetit
Dalja e kamerave të Artan Hoxhës e kishte tërbuar. Të nesërmen në një dalje të re para mediave volli vrer dhe për të. I zënë ngushtë nga gazetarët të komentonte pamjet e tij, ai iu vërsul atij me epitete fyese. “Informatat e para janë ato që kam thënë dje, por kam thënë edhe se Prokuroria e Shtetit duhet të zbardhë të gjitha rrethanat, nga kanë dalë, nga kanë ardhur, kush ka qëlluar e të gjitha me radhë. Unë shoh një media që po me një tjetër çakall të Sigurimit bën po atë që bëri çakalli i Ramës me videon tjetër dhe përpiqet të bëjë dhe gjykatësin, dhe prokurorin dhe të gjitha. Kjo është zgjedhja e tij.”
Ishte destabilizuar. Skenari A i ishte shfryrë si flluskë sapuni. Kufomat e viktimave që tentoi t’ia faturonte opozitës, i kishin mbetur në oborr të vet. I kishte mbetur gjaku brenda gardhit të tij.
Tani duhet tu jepte zemër vrasësve që të mos e tradhtonin. Pasi i mbajti peng në oborr të kryeministrisë, pasi i mjekoi dhe i shpërbleu me rroga shtesë, pasi u premtoi shtëpi pjesëtarëve të Grupit të Zjarrit, dhe pasi u shfaq publikisht me Komandantin e Gardës me sy të nxirë nga rrahja, filloi të flasë për një fenomen të ri, për një Grusht Shteti organizuar nga Presidenti, Kryetari i Opozitës Kryeprokurorja, SHISH dhe media.
Njoftimin zyrtar e bëri në mbledhje të qeverisë më 23 janar ku foli për “skenarin e një puçi, e një përpjekje të qartë, evidente për të marrë pushtetin me dhunë, nga një treshe, tashmë e njohur, Edvin Kristaq Rama dhe dy ministrat e diktaturës komuniste Gramoz Ruçi dhe Skënder Gjinushi.”
Por në retorikën e Berishës në atë mbledhje më tërhoqi vëmendjen një fakt. Ai përmendi Gjergj Lezhën. Jo me emër, por me post. Tha se kishim videot e serverit të kryeministrisë që provonin gjithçka. Citoi për këtë Sekretarin e Përgjithshëm. Është e shkruar e zeza mbi të bardhë në fjalimin e tij në mbledhje të qeverisë më 23 janar. “Pas konferencës së shtypit i kam kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të vërë në dispozicion të Prokurorisë të gjithë videon e kryeministrisë. Kryeministria ka një sistem videosh te vetin, përveç asaj që ka Garda, përveç asaj që vendos policia. Kamerat tuaja ishin të plota. Në këtë kontekst, me bindjen time kishte një material të plotë për të saktësuar se nga erdhën plumbat, si u vra dhe ku u vranë, pra të gjitha rrethanat.”
Sipas kësaj deklarate të bërë në datën 23 janar, i bie që më 21 janar rreth orës 20 në mbrëmje Sali Berisha të ketë thirrur në zyrë Gjergj Lezhjen dhe t’i ketë thënë këto që thotë më sipër, pra që të kontrollojë serverin e Kryeministrisë dhe të nxjerrë andej pamjet filmike dhe t’i vërë në dispozicion të prokurorisë. Këtë e thoshte më 23 janar. Hëm. Siç doli më vonë nga ekspertiza amerikane, serveri i Kryeministrisë është fshirë rreth orës 1 të natës duke u gdhirë 22 janari. Pra i bie që Gjergj Lezhja e ka marrë porosinë, ka kontrolluar pamjet filmike, është tmerruar nga ato çfarë ka parë, ka bërë një kopje ia ka çuar Berishës në zyrë dhe kanë fshirë serverin. Djallëzia e Berishës shkon në ekstrem. Ai qëllimisht flet më 23 janar për server të paprishur të Kryeministrisë që sot të ketë alibi se ai nuk dinte gjë që ishte prishur. Që atë ditë ai ka menduar si ta fusë në burg Gjergj Lezhën, si bedelin e parë të këtij akti kriminal. Ligësia e kësaj deklarate tani duket më e plotë. Një vit më pas, kur FBI ka sjellë ekspertizën në Tiranë dhe paraqet si problem faktin se ky server është fshirë natën e 21 janarit, shihet qartë se Berisha çdo hap drejt alibisë së tij e ka bërë me vetëdije. Siç bëjnë vrasësit profesionistë.
Një ditë më parë Ina Rama i kishte çuar Ministrit të Brendshëm gjashtë urdhër- arrestesh që përfshinin zinxhirin komandues të Gardës që nga Komandanti deri tek qitësi i dyshuar për vrasës. Ministri i Brendshëm ka refuzuar. Arsyeja sipas tij është se nëse ai dorëzon ata, Garda kapitullon pasi ushtarët dëshpërohen. Është një arsyetim që të lë pa fjalë. Në logjikën infantile të atij që quhej Ministër i Brendshëm, kishte një psikozë lufte. Ai e quante Gardën një repart që duhet të ruante moralin e lartë për të mbrojtur pushtetin e tij. Dhe sipas kësaj logjike, shteti ligjor po u ngatërrohej nëpër këmbë në luftën e tyre me armiqtë. Kryeprokurorja është detyruar t’ia bëjë më të lehtë duke i thënë se ata thjesht do merren në pyetje dhe mund të lihen të lirë. Por asgjë nuk ka funksionuar. Tensioni është rritur dhe Ministri i Brendshëm me ligësi i ka kërkuar të shprehet dhe Presidentit, për një gjë flagrante, për një kundërshtim të Kushtetutës. Ai i ka treguar ligjin dhe kjo ishte sikur t’i tregoje burgun. I vetmi që ka pranuar t’i dëgjojë ka qenë ambasadori amerikan. Ai ka hyrë në mes të këtij konflikti të pastër ligjor, duke inkurajuar prokuroren për hetime, por dhe duke bindur Berishën se vetë nuk është “pjesë e puçit”. Për herë të parë në historinë e një shteti ligjor, një kryeministër mori përsipër moszbatimin e urdhrave të kryeprokurores, duke u vetëshpallur vetë agresor, vetë gjykatës, vetë prokuror dhe vetë garant i Kushtetutës. Në të vërtetë ky ishte i vetmi element real i Grushtit të Shtetit atë ditë. Atë e kishë bërë Sali Berisha.
Rezistenca e Berishës për të mos dorëzuar gardistët vazhdoi dhe mbasdite, në komunikimin mes Prokurorisë dhe Drejtorisë së Policisë. Më në fund Drejtori Burgaj kishte gjetur zgjidhjen. Urdhër-arrestet kishin “lapsuse të papranueshme”.
Dhe Berisha e gjeti lidhjen mes puçistëve. Meqë Bamir Topi refuzoi të futej në këtë mes, meqë Ina Rama këmbënguli gjithë ditën t’i arrestonte gjashtë të dyshuarit për vrasje dhe meqë Edi Rama në mbasdite vonë kishte deklaruar se Berisha po refuzonte të dorëzonte vrasësit, atëherë dilte që Bamir Topi, Ina Rama dhe Edi Rama kishin një plan të koordinuar. Tragjikomedi. Mbasditen e së dielës në seancën e posaçme në Kuvend, teza kishte avancuar. Ishte futur në listë dhe SHISH. Sipas Berishës, në zarfin që SHISH i kishte dërguar në zyrë në datën 20 janar, kishte zero informacion për “puçin”! Aq shumë ishte autosugjestionuar nga ideja se ishte para një puçi sa tani i kërkonte dhe SHISH ta kishte parë atë ëndërr një ditë para se t’i fanepsej atij. E vuante shumë idenë se SHISH-in nuk e kishte nën kontroll. E vuante më shumë që ata raportonin më shumë tek ndonjë vend mik i Shqipërisë se sa tek ai. Dhe ju duk rast i artë t’i hiqte qafe me këtë rast.
Para deputetëve shpjegoi qartë dhe skenarin. Foli për dy lloj zarfesh me lek, një për transportin dhe një për “luftën. I pari kishte 10 deri 20 mijë lek, i dyti 200 deri 300 mijë lek. Shpjegoi se si para Dajtit ky grup kishte marrë një drogë sintetike. “U shpërnda thuhet një lloj droge sintetike, për këtë duhet të bëhen analizat se për këtë nuk kam dijeni, u shpërndanë gurë dhe të gjitha mjetet e tjera…”.
Por edhe pse Komisioni u ngrit, edhe pse u bë kujdes të gjendeshin deputetë që nuk prishnin punë dhe nëse bëheshin qesharakë, e shihte se skenari nuk po ecte. Perëndimi po u jepte mbështetje “puçistëve” dhe ky ishte një problem i madh për të. Presidenti i Republikës dhe Kryeprokurorja u bënë destinacioni i ri i diplomatëve. Berisha u tërbua dhe shpërtheu. Në një takim më 24 janar me efektivë të policisë dhe familje të tyre, iu turr me një fjalor rrugaçëror Ina Ramës dhe Bamir Topit. Të parin e quajti horr bulevardi, të dytën lavire bulevardi. Sofistikimi i tij për “puçin” kishte ecur përpara.
Argumentet pse ai nuk dorëzonte gardistët tani ishin të ndryshme nga një ditë më parë. Më 22 janar argument ishte demoralizimi i zinxhirit komandues të gardës, më 23 janar bënte thirrje të merrej filmimi i serverit të Kryeministrisë që vetë e kishte fshirë qysh më 21 janar dhe më 24 janar thoshte ata nuk kanë prova, dhe provë të vetme kanë rregulloren e Gardës që lë përgjegjësinë tek zinxhiri komandues. Ishte duke sulmuar “skenarin B të puçit”, që sipas tij lidhej me marrjen e pushtetit përmes gjyqësorit dhe prokurorisë. Skenari A përmes armëve kishte dështuar. Në të vërtetë kishte dy skenarë, por ato ishin tek Berisha. Skenari A i tij ishte që vrasjet i bëri opozita dhe skenari B ishte që meqë u bë grusht shteti, vrasje do ketë. Siç e tha vetë në parlament dhe para policëve, në raste të tilla nuk ka rëndësi sa vriten. “Në një grusht shteti mund të mos vritet asnjë, mund të vriten 3, 30 apo 300. Grushti i shtetit nuk mund të kalojë. Kjo është absolute. Forca e institucioneve të një shteti demokratik është e hekurt. Mjerë ata që e provojnë!…”
P.S: Kjo është një pjesë e shënimeve të mia për ditën kur Berisha shpikte puçin e 21 janarit për të shpëtuar nga gjykimi për vrasjen e katër qytetarëve shqiptarë. Gjatë një viti kanë ndodhur shumë gjëra. Një prej përgjegjësve për vrasjet, Lulëzim Basha, u detyrua të lërë karrigen e përgjakur të Ministrit dhe të hyjë me dhunë në karrigen e kryetarit të bashkisë së Tiranës. “Ushtria” e 21 Janarit përdori çdo mjet dhe në fund gjykatat për të rrëmbyer atë mandat. Sali Berisha u duk sikur e vuri përkëmbësh prokurorinë, SHISH dhe drejtësinë, dhe hetimet për 21 Janarin u bllokuan. Gardistët u paraqitën duke qeshur një ditë në polici dhe të nesërmen u lanë të lirë. Një gardist i Sali Berishës, bash ai më i afërti i familjes, më i afërti i djalit të tij dhe bizneseve të tij, del që ka shkuar tek familja e Hekuran Dedës dhe i ka ofruar para dhe foton e vrasësit të Hekuranit, në shkëmbim të vizitës së Sali Berishës në shtëpi të tij. Të njëjtën gjë tentuan të bëjnë me familjen e Aleks Nikës, duke shpikur një revoltë të saj ndaj opozitës. Fëmijët e Ziver Veizit i terrorizuan në fshatin ku rriten jetimë, duke u kujtuar se do tu vrasin dhe mamin se nuk janë demokratë. Djalin e Faik Myrtajt e vranë nga dëshpërimi për të mos gjetur dot drejtësi për ikjen e babait. Por të gjitha këto duket se nuk e qetësuan përfundimisht Sali Berishën.
(Gazeta Tema)