Rrëfimi i studentit që u dhunua nga Forcat speciale

Gjaku që shpërtheu nga koka e një djali të ri që rrihej me shkopinj gome nga Forcat speciale, përpjekjet e dëshpëruara të tij për t’iu shpëtuar dhjetëra duarve të ashpra që e e kishin mbërthyer egërsisht tek i binin pa pushim në kokë, në shpinë, qenë skena më makabre që panë me sytë e tyre, live në të gjitha ekranet, shqiptarët në Shqipëri dhe në mbarë botën.

Përgjakja nga Policia ishte si për ironi, finalja e një nate revolte rinore kundër vrasjes së një djali të ri nga Policia natën e 8 dhjetorit. I riu që shenjoi protestën me gjakun që i mbuloi kokën dhe supet, quhet Mario Boja dhe është student i Arkitekturës dhe Urbanistikës në Fakultetin e Inxhinjerisë së Ndërtimit në Tiranë.

Çfarë ndodhi me Mario Bojën? Ku është ai sot? Pse ishte aty mbrëmë? A do të jetë më në protesta kundër dhunës dhe vrasjes policore? SYRI TV i ka marrë një intervistë ekskluzive të riut me telefon. Gazetari Bledi Marku zhvilloi intervistën me të.

Pyetje: Mario, ju jeni një student, personi që u dhunua nga Policia mbrëmjen e djeshme. Çfarë ndodhi në momentin që ju u dhunuat?

Boja: Situata agravoi në çastin që Policët po afroheshin. Ishim për një protestë paqësore, si qytetarë të Tiranës u ndodhëm aty, si të rinj menduam që të protestonim ishte gjëja më e duhur. U ngritëm për një kauzë të drejtë. Në momentin ku policët u afruan, ata filluan të godisnin me shkopinj. Duket edhe nga videoja që ne i thamë “po ikim, po ikim”…por ata vazhduan duke na gjuajtur.

Kur na gjuajtën, kur na gjuajtën… atëherë, në gjaknxehtësi e sipër, për vetëmbrojtje edhe unë u ktheva, por ata më rrethuan dhe më gjakosën, më ranë. Ishin gjithë ata policë që më binin pa asnjë arsye. Ata mund të kishin kapur vetëm dy vetëm me sprai ose diçka tjetër e mund të më kishin neutralizuar, por ata qëllonin. Ndoshta edhe ata në gjaknxehtësi e sipër…

Pyetje: Por, para se të ushtronin dhunë ndaj jush, Mario, a pati ndonjë paralajmërim nga efektivët e Policisë që të largoheshit nga vendi ku po qëndronit bashkë me mikun tuaj?

Boja: “Lironi bulevardin” dhe ne nga bulevardi ishim larguar, kishim rënë në trotuarin përballë Kryeministrisë e menduam që nuk do të vinte deri aty situata. Menduam që në trotuar nuk përbënim asnjë lloj problemi dhe po lëviznim gjithsesi. Por ata nuk u stepën dhe thjesht na goditën, kjo ishte e gjitha!

Pyetje: Por në momentin që ju goditën, ju shoqëruan në Komisariat?

Boja: Jo. Unë i gjakosur siç isha i detyruar të shkoja në ambulancë për tek Ushtaraku. Isha i detyruar të merrja ndihmën mjekësore për shkak se isha çarë në kokë dhe në vesh; kisha dhe dëmtime në kokë që ma bënim të pamundur t’i shoqëroja tek Komisariati.

Pyetje: Po për këtë goditje që ju keni marrë pas koke, si paraqitet gjendja juaj shëndetësore? Çfarë ju thanë mjekët?

Boja: Në Spitalin ushtarak mora ndihmën e parë mjekësore, bëra qepjen e kokës dhe të veshit.

Pyetje: Me sa penj jeni qepur?

Boja: Ekzaktësisht, më falni se as vetë nuk e di mirë, se kam qenë pak i tronditur dhe nuk e di tamam, por di që nga ana e paraqitur, rezonanca isha mirë, nuk kisha ndonjë gjë serioze; thjesht ato qepjet e çarjet tek veshi dhe pjesa pas kokës.

Pyetje: Mario, ju jeni student dhe sigurisht keni dalë për t’u sensibilizuar edhe për protestën që u zhvillua pas vrasjes së një 25-vjeçari nga një efektiv policie, të Klaudio Rashës. Çfarë ju nxiti të dilnit në këtë protestë?

Boja: Në këtë protestë na nxiti vetëm ndjenja për të kërkuar drejtësi për një të ri që u vra padrejtësisht. E gjithë kjo është një ndjenjë sensibilizimi ndaj familjarëve të tij dhe gjithë të rinjve dhe e ndienim si shoqëri që duhet të ngriheshim dhe të bënim diçka për atë situatë.

Pyetje: Pas pjesëmarrjes suaj në këtë protestë që u finalizua me dhunë barbare të efektivëve të Policisë, që iu shkaktoi disa të qepura pas koke, kujtojmë se ditën e sotme është lajmëruar një tjetër protestë. A a do të jeni pjesëmarrës?

Boja: Për shkak të gjendjes sime shëndetësor e kam të pamundur të marr pjesë atje, nuk mundem të lëviz, jam në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe për këtë arsye nuk mund të marr pjesë në protestë sot.

Pyetje: Si student, për çfarë studioni , me çfarë merreni?

Boja: Unë jam në vitin e katërt për Arkitekturë e Urbanistikë tek Iinxhinieria e Ndërtimit në Tiranë.

SYRI TV: Mario, të falenderoj që dhe këtë intervistë për Syri Televizion dhe të shkuara!/ ar.sh/SYRI.NET

SHKARKO APP