Rreziqet e krizës greke për Shqipërinë dhe rajonin

 

Rasti i Greqisë – sirenë alarmi për Shqipërinë dhe vendet me borxh të jashtëm të lartë. Çdo përkeqësim i mëtejshëm i ekonomisë greke nuk mund të mos ndikojë negativisht në ecurinë e vendet e Ballkanit Perëndimor.

 

DW: Z. Preçi, samitit i posaçëm i eurogrupit për Greqinë vendosi t'i japë Greqisë një mbështetje të re financiare prej rreth 86 miliardë eurosh duke shmangur daljen e saj nga Eurozona. Cili është opinion juaj për këtë vendim të krerëve të eurozonës?

Zef Preçi: Marrëveshja e arritur mes Greqisë dhe udhëheqësve të BE-së u jep fund dilemave, hamendjeve dhe deri diku edhe pasigurisë së tregjeve në Evropë, Kinë dhe SHBA. Kushtet, që kreditorët i kanë imponuar qeverisë greke – ngrirja e një fondi asetesh prej 50 miliardë euro si garanci për financimet – tashmë jane kthyer ne “real-politikën” e ditës duke hequr dorë jo pa dhimbje nga retorika boshe anti-kapitalizëm dhe propoganda nacionaliste. Permes mbështetjes së re pritet që të rikthehet gradualisht normaliteti i veprimtarisë së bankave tregtare, ndërsa mbështetja në investime pritet të kthejë vendin drejt rritjes ekonomike. Natyrisht rasti i Greqise duhet të shërbejë edhe si sirenë alarmi për vendet e tjera me situata problematike të borxhit të jashtëm, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Nga analiza e kësaj krize bëhet e qartë që mirëmenaxhimi i borxhit publik dhe disiplina e rreptë fiskale e lidhur me të, mbeten premisat bazë për sigurimin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Me këtë rast duket se u frenuan disi edhe përpjekjet për ta përdorur krizën greke si mjet për avancimin e mëtejshëm në realizimin e interesave të veta gjeo-strategjike në rajon të fuqive të tjera të mëdha

DW: Megjithë paketën e re të mbështetjes financiare prej 86 miliardë eurosh, kriza në Greqi do të zgjasë edhe për disa vjet. Çfarë pasojash do të ketë vazhdimi i saj në Shqipëri dhe në rajon?

 

Zef Preçi

Zef Preçi

Zef Preçi: Ndikimi i zgjatjes së krizes greke është i pritshëm dhe relativisht i parashikueshëm. Kjo ngaqë periudha që nga fillimi i krizes ekonomike globale në përgjithësi dhe asaj greke në veçanti, Shqipëria dhe vendet e rajonit kanë pasur mundësi për një lloj adaptimi në disa drejtime. Kështu, në ekonominë shqiptare dhe në ato të vendeve të rajonit është zvogëluar pesha specifike e aseteve te bankave greke kundrejt aseteve gjithsej të bankave tregtare. Bankat tregtare greke, që operojnë në Shqipëri kanë ulur ekspozimin e tyre në tregun shqiptar në këto 3-4 vite të fundi. Prania e tyre dhe marrëdhëniet me bankat “mëmë” janë rregulluar me ligj të posaçëm, është përmirësuar kuadri ligjor, që rregullon përdorimin e kursimeve monetare nga bankat tregtare dhe mbikqyrjen bankare. Ndërkohë që ekonomia shqiptare rreth ¾ e saj është ekonomi private. Brenda së njëjtës periudhë prej 3-4 vitesh, ka ndodhur një riorientim i tregjeve lidhur me shkëmbimet tregtare duke sjellë uljen e peshës së Greqisë në vëllimin e përgjithshëm të import-eksporteve të Shqipërisë. Dinamika e prurjeve monetare të emigracionit (remitancave) tregon se ato gjenden tashmë në nivel vjetor në një trend në rënie. Çdo vit që kalon provon se pavarësisht gjendjes ekonomike të vendeve të BE, ku punojnë dhe jetojnë shumica e emigrantëve shqiptarë ( Greqi, Itali, Gjermani, etj), remitancat po pakësohen duke humbur kështu rëndësinë e tyre si një faktor i rritjes ekonomike të Shqipërisë. Ndërkaq, një numër sipërmarrësish grekë që operojnë në territorin shqiptar janë përballur me vështirësitë e pagesave dhe rrezikojnë të humbasin tregjet. Për rrrjedhojë,për këtë shkak te krizes greke mund të rritet papunësia në Shqipëri. Kriza greke pritet të ndikoje në ngadalësimin e ritmeve të rritjes së ekonomisë shqiptare në dy-tre vitet e ardhshme. Variant i daljes së Greqisë nga Eurozona do të krijojë probleme sociale per qytetaret grekë si edhe do të mos përkeqësojë statusin e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi. Janë të gjitha shenjat për probleme dhe vështiresi në rritje, sidomos për ata emigrantë shqiptarë që nuk kanë një punë stabël, jane pa familjet e tyre apo nuk kanë mundësi strehimi, pa folur për puntorët sezonalë nga Shqipëria, që jane të rrezikuar për shkak të krizës sepse mundësitë e punësimit të tyre janë kufizuar dukshëm. Një numër qytetarësh shqiptarë me kombësi greke rrezikojnë të humbasin pensionet e tyre, gjë që do të thotë se do të aplikojnë në institucionet përgjegjese, duke rënduar kështu buxhetin e shtetit shqiptar.

DW: Në rast të përkeqësimit të krizës greke cili do të jetë rreziku kryesor për Shqipërinë?

Zef Preçi: Përkeqësimi mund te sjellë shtimin e numrit të emigrantëve shqiptarë që do të kthehen në Shqipëri, që do të ndikojë negativisht në ekonomine shqiptare, pa përjashtuar mundësinë e rritjes së incidenteve të krimit ndaj pronës dhe jetës së qytetarëve, në detyrimin e qeverisë për të rritur shpenzimet për ndihmën sociale etj. Në këndvështrimin ekonomik, rezultantja e përbashket e ndikimit të krizës greke dhe sidomos e perkeqësimit të saj mbetet ngadalesimi i rritjes së ekonomisë së Shqipërisë, që gjatë dy-tre viteve të fundit vazhdon të jetë afër stanjacionit ( rritja nnën 2%). Nuk duhet harruar që një përkeqësim i mëtejshem dhe i menjëhershem i ekonomisë greke, do të ndikojë negativisht edhe në nivelin e vëmendjes politike të autoriteteve të BE-se ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, por sidomos në reduktimin e mbështetjes financiare ndaj këtij rajoni për shkak të vazhdimit të angazhimit financiar, institucional dhe ndoshta edhe humanitar ndaj Greqise, në një periudhë tejet të vështirë për qytetarët e këtij vendi.

DW: Cilat janë masat që autoritetet shtetërore financiare p.sh. Banka e Shtetit ka marrë për të minimizuar rrezikun dhe pasojat e krizës greke në sektorin bankar?

Zef Preçi: Masat në përgjithësi reflektojnë rekomandimet nga Banka Qëndrore Europiane për uljen e normës bazë të interesit, shpesh duke imituar këto masa jashtë konteksit ekonomik dhe institucional në të cilin operojnë Bankat Tregëtare në Shqipëri. Ndoshta në këtë kontekst duhet parë edhe dështimi, thuajse spektakolar i Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve shteterore shqiptare në reduktimin e huave të keqija, që prej më shumë se dy vjet kanë kaluar ¼ e stokut të huave bankare edhe pas pagesës së rreth 250 milionë dollarëve operatorëve ekonomikë, që kishin furnizuar me mallra dhe sherbime shtetin, ndikimi shumë i vogël, i pothuajse të gjitha uljeve të normës bazë të interesit në nxitjen e kredimit të ekonomise reale, diferenca abuzivisht e larte midis normës shumë të ulet të interesit për depozitat dhe normës shumë të lartë të interesit për huatë bankare. Cilado ndërhyrje shteterore në korrigjimin e këtyre problemeve do të çonte në një rregullim më të mirë të tregut dhe zvogëlim të efekteve të krizes greke dhe në pershpejtimin e ritmeve të rritjes ekonomike të vendit.

DW: A ka ndonjë plan apo strategji për të menaxhuar një shtim të mundshëm të kthimit nga Greqia në Shqipëri të emigrantëve shqiptarë?

Zef Preçi: Nuk besoj se do të ketë rritje të kthimit të emigrantëve shqiptare që jetojnë në Greqi. Papunësia reale në Shqipëri është 2-3 herë më e lartë se statistikat zyrtare. Shanset për të gjetur punë janë shumë të vogla. Qytetarët shqiptarë, që gjatë qëndrimit në Greqi kanë mundur të pajisen me dokumentet e atij shteti, do të shohin mundësinë e lëvizjes drejt vendeve të tjera të BE apo në Kanada, SHBA, etj .Të tjerë, që ende nuk janë pajisur me keto dokumente, në rrugë formale dhe informale do të tentojnë të shkojnë ilegalisht ne vendet e BE ku kane të afërm apo në Afrikën e Jugut. Me mbështetjen e donatorëve të huaj, qeveria shqiptare është duke “skanuar” institucionet shqiptare të ngarkuara me problemet e emigrantëve shqiptare jashtë vendit apo që kthehen për të rritur mbështetjen buxhetore per trajtimin e tyre në rastin e kthimit, sidomos në kushtet e mungeses së strehimit, pamundësisë së sigurimit të ushqimit dhe mjeteve më të domosdoshme të jetesës.

DW: A ka rrezik që paqëndrueshmëria ekonomike dhe politike në Greqi , apo skenari më i keq, falimentimi i Greqisë të sjellë turbullira në një rajon të paqëndrueshëm si Ballkani?

Zef Preçi: Çdo përkeqësim i mëtejshëm i ekonomisë së Greqisë nuk mund të mos ndikojë negativisht si në ecurinë e fuqizimit të sundimit të ligjit dhe ndërtimit të shtetit të së drejtes në vendet e rajonit edhe në drejtim të rritjes së tendencave autoritariste të drejtuesve aktualë politikë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Përgjigja më e mirë e qeverisë ndaj krizes greke mendoj se është përqëndrimi i energjive dhe kapaciteteve qeverisëse në nxitjen e prodhimit vendas sidomos të atij bujqësor e blegtoral, në mirëqeverisjen në standard bashkohore dhe jo të tipit kolonial të pasurive kombëtare si nafta, kromi, bakri, ujërat, etj., duke forcuar mbikqyrjen e zbatimit të detyrimeve të konçesionarëve, heqjen graduale të favorizmeve fiskale, zhdukjen e përfitimeve korruptive që burojne nga këta sektorë, nxitjen e eksporteve shqiptare, formalizimin e ekonomise, mbështetjen e sipërmarrjes së lirë permes reduktimit të arbitrariteti fiskal dhe ndëshkimit të korrupsionit në çdo hallkë të ofrimit të shërbimeve publike.

Dr. Zef Preçi është drejtor i Institutit të Studimeve Ekonomike, Tiranë

SHKARKO APP