Rrok Rroku: Denoncova zgjedhjet, tani më dënojnë politikisht

 

INTERVISTA

Një histori manipulimi zgjedhjesh që vazhdon edhe pas më shumë se katër vitesh

Në zgjedhjet lokale të vitit 2011, Komuna Dajç në Lezhë u rendit në njësitë vendore më problematike. Në garë ishin kandidati i koalicionit të majtë, drejtues për dy mandate i Komunës Dajç, Rrok Rroku dhe kandidati i koalicionit të djathtë, Gjerg Doçi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha mandatin kandidatit të djathtë, por ankimi i kandidatit Rroku nxori në pah manipulime skandalozë në këtë njësi vendore. Në dy komuna që u hetuan nga Prokuroria rezultoi se rreth 118 persona kishin votuar votues ditën e zgjedhjeve, ndërkohë që, nuk ndodheshin në Shqipëri. Për këtë qëllim Prokuroria çoi për ndjekje penale 8 komisionerët e dy qendrave të votimit, të cilët u dënuan me 1 vit. Procesi gjyqësor vazhdon prej gati pesë vitesh pas ankimimit në Apel që i kanë bërë dënimit komisionerët e akuzuar. Manipulimet në Dajç janë ndër rastet e pakta, kur institucionet e drejtësisë i kanë shkuar deri në fund abuzimeve. Ish-kandidati i së majtës në Komunën e Dajçit thotë në një intervistë për “Koha Jonë” se pavarësisht se mandatin e humbi pesë vjet më parë, gjykatat faktuan se vota u vodh dhe masakra elektorale në këtë komunë ishte e pashembullt. Në kalvarin gjyqësor prej gati pesë vjetësh, Rrok Rroku thotë se, ka pasur dhe presione. Presionet kanë nisur që kur bëri ankimimin në 8 maj të vitit 2011, ku e kanë këshilluar të tërhiqet dhe deri tek kërcënimet e hapura. I tillë, sipas tij, është dhe një proces gjyqësor për abuzim që ka nisur dy vite më parë ndaj tij. Gjykata e Lezhës e ka dënuar atë për “Shpërdorim detyre”, për shkak të shitjes së një automjeti, kur ishte në detyrë si Kryetar i Komunës Djaç. Por Rrok Rroku ka një variant tjetër për këtë akuzë. Sipas tij, padia për këtë gjoja vjedhje është bërë nga personi që i vodhi mandatin në vitin 2011 dhe dënimi i tij me burg ka pasur si synim tërheqjen nga padia për komisionerët që manipuluan zgjedhjet.

Zoti Rroku, këto ditë është zhvilluar seanca e radhës për komisionarët e zgjedhjeve të vitit 2011 në Komunën Dajç. Jeni kandidati që e keni ndjekur këtë çështje që në fillim, përse ka zgjatur kaq shumë procesi?

Fillimisht në vitin 2011 Prokuroria hetoi vetëm qendrën e votimit në Dragush. Nga hetimi rezultoi se në këtë qendër votimi kishin votuar 118 persona joprezent, pra ishin jashtë Shqipërisë.  Akuza e Prokurorisë ndaj këtyre 8 komisionierëve ishte shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe ndryshim të rezultatit të zgjedhjeve. Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë shmangu nga vendimmarrja njërën nga akuzat, atë të falsifikimit dhe i dënoi me 8 muaj burg 8 komisionerët e Dragushës. Prokuroria e ankimoi në Gjykatën e Apelit në Shkodër vendimin, por edhe kjo gjykatë la në fuqi vendimin e asaj të Lezhës. Për këtë qendër votimi u dha vendimi dhe persona u dënuan, por më ka rezultuar se një pjesë tyre kanë përfituar nga amnistia e viteve të mëparshme, çka është prapë një shkelje, pasi krimi elektoral nuk amnistohet.

 

Seanca e dhjetë gjyqësore ndaj komisionerëve të të dy qendrave të votimit në Dajç dhe Kotër është zhvilluar në datën 18 dhjetor, por edhe ajo shty për shkak të mungesës së avokatëve të palës së akuzuar. Kjo është seria e një procesi që nisi në vitin 2011, ku unë si kandidati i dëmtuar nga zgjedhjet e manipuluara ankimova tre qendra votimi, në Dajç, Dragush dhe Kotër. Zgjedhjet ishin të manipuluara në shumë qendra të tjera, por faktet dhe provat ishin më domethënëse për këto tre njësi.

Po seancat e fundit për çfarë zhvillohen?

Zhvillohen për dy qendrat e tjera të votimit, hetimi i të cilave nuk u zhvillua në kohë. Bëhet fjalë për qendrën e votimit në Dajç dhe në Kotërr, ku fillimisht Prokuroria e Lezhës i pushoi hetimet.

Pse u pushuan hetimet?

Prova kishte për manipulim, por siç duket nga presionet politike prokurorët u detyruan të tërhiqeshin. Mjafton vetëm një fakt për ta provuar që ka pasur presione, për hetimin e këtyre dy qendrave janë ndërruar 6 prokurorë.

Pavarësisht kësaj, brenda afateve ligjore ju drejtova Gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë për hetimin e tyre. Kjo gjykatë mori vendimin që këto dy qendra të kthehen për hetim në Lezhë. Nga hetimet rezultoi se në Djaç ishin falsifikuar firmat, ndërsa në Kotër janë falsifikuar firmat dhe numrat e kartave të identitetit për 56 persona. Pra, falsifikimi është i hapur dhe nuk ka më dyshime, mbetet vetëm që gjykata të vlerësojë sesa dëme i kanë sjellë procesit elektoral në Dajç.

Zgjedhjet u zhvilluan në vitin 2011. Kanë kaluar gati 5 vite dhe dy zgjedhje të tjera vendore. Mandati i rivalit tuaj është konsumuar. Pse vazhdoni një proces, nga i cili nuk keni më përfitim?

E kam dëgjuar shpesh këtë arsyetim, por nuk e mendoj kështu. Krimi elektoral, masakra mbi zgjedhjet nuk duhet të diskutohet vetëm ca ditë pas zgjedhjeve. Kemi të bëjmë më shkelje flagrante me vjedhje të llahtarshme dhe ata që kanë guxuar duhet të përgjigjen. Unë nuk e kam parë si një proces për përfitim personal, por edhe si një shërbim që u bëhet zgjedhjeve dhe dënimit të manipulimeve dhe në të ardhmen. Është një proces që vërtetoi se manipulimet ndëshkohen. Unë do të falënderoja për ndjekjen e këtij rasti Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe personalisht ish-ambasadorin Aleksandër Arvizu, i cili që në nisje të këtij procesi me anë të institucioneve që ndihmojnë drejtësinë në Shqipëri bëri të mundur dixhitalizimin e të gjitha sallave të gjykatave në Lezhë. Ishte një projekt në dukje teknik, por bëri të mundur që procesi gjyqësor të ishte korrekt. Gjithashtu, do të falënderoja dhe zyrën e OSBE-së, e cila në çdo seancë gjyqësore dërgoi përfaqësuesit e saj për të monitoruar procesin.

Korrupsioni me zgjedhjet është një problem 25-vjeçar në Shqipëri, vetëm duke bërë drejtësi për këto raste do të kemi mundësi që në zgjedhjet e tjera të ketë më pak manipulime, ose të mos ketë fare.

Ndërkohë, ka një proces ndaj jush për “shpërdorim detyre”?

Nuk është një proces është një farsë që ka nisur ndaj meje në vitin 2013. Historia është sa qesharake aq dhe tragjike. Është qesharake sepse padia ndaj meje u bë nga i njëjti person që unë e akuzova për vjedhjen e mandatit. Me pak fjalë, personi që unë kërkova që t’i hiqej mandati, pasi e ka marrë atë në mënyrë të padrejtë, me të marrë detyrën u kujdes që të gjente “letra” dhe “abuzime” gjatë kohës që unë isha në detyrë. Pasi dështuan me dhjetëra skema për të detyruar që të tërhiqesha nga padia ndaj komisionerëve, sajuan një “gjoja” vjedhje që është bërë më shitjen e një automjeti 50-vjeçar në komunë. Ishte një padi që nuk kishte të bënte me zbatimin e ligjit. Nëse do të kisha shkelur ligjin do isha vetë unë personi që do shkoja në polici dhe prokurori. Por u sajua e gjitha nga njerëz me ndikim politik në Policinë e Shtetit, me qëllimin e vetëm që të më dëmtonin publikimit. Edhe arrestimi im është bërë i tillë që të kishte sa më shumë efekt në opinion. E gjitha kjo kishte një qëllim tërheqjen time. Unë të vërtetat e mia i kam thënë dhe drejtësia të të thotë të vërtetën sipas saj për këtë çështje, por të gjitha këto nuk më trembin dhe nuk kam ndërmend të tërhiqem.

Po thoni se gjyqi i fundit ndaj jush është politik?

Sigurisht që, është politik. Mënyra sesi u formuluan akuzat dhe roli që kanë pasur drejtues lokal të Policisë së Shtetit në atë kohë, me orientim edhe nga strukturat e Partisë Demokratike në qendër ka qenë një sulm politikë. Më sulmojnë sepse unë nuk u tërhoqa dhe tregova masakrën që u bë më votën në zgjedhjet e vitit 2011. Ka njerëz që nuk ma falin këtë dhe kanë vendosur gjithë ndikimin e tyre për të më dëmtuar mua.

 

 

 

 

 

SHKARKO APP